E marte, 16.04.2024, 09:15 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Kurrë mos thoni kurrë zoti Tadiç!

E diele, 08.01.2012, 08:56 PM


KURRË MOS THONI KURRË ZOTI TADIÇ!

 

Nga ELIDA BUÇPAPAJ

 

Presidenti i Serbisë i festoi këtë fundjavë Krishtlindjet ortodokse në manastirin serb të Deçanit, një monument kulture i periudhës së mesjetës, që mbrohet nga Unesco. Vizita e Tadiçit shihet si provokim nga ana e shqiptarëve të Kosovës, të cilët posa kanë dalë nga pushtimi i egër serbomadh që kulmoi me regjimin e kryekasapit Milosheviç.

 

Veriu i Mitrovicës edhe 12 vjet nga përfundimi i konfliktit, mbahet peng i barrikadave të ngritura nga segmentet paralele ultranacionaliste të ekstremizmit serb, ndërkohë që posa është përmbyllur një raund negociatash midis dy shteteve nën kujdesin e BE dhe SHBA, dhe prej 26 dhjetorit ka filluar zbatimi i marrëveshjes për lirinë e lëvizjes.

 

Por presidenti i Serbisë nuk e pati fort të lehtë të lëvizë, duke zgjedhur rrugë dytësore, sepse Vetëvendosja kishte organizuar protesta,duke e konsideruar këtë vizitë si provokim të hapur që i bëhej popullit të Kosovës.

 

Tadiçi e vizitoi Kosovës pasi ishte marrë leje në institucionet e Kosovës, duke e justifikuar si një vizitë thjeshtë liturgjike.

 

Për shqiptarët, të cilët si komb janë tri besimesh, duke reflektuar një harmoni të përkryer fetare midis myslimanëve, katolikëve dhe ortodoksëve, vizita e Tadiçit në Manastirin e Graçanicës apo Manastirin e Deçanit, atje ku prehet Car Dushani, do të ishte shumë normale, nëse nuk do të përdorej politikisht nga Serbia.

 

Sepse, nëse Shqipëria dhe Kosova janë shtete laike, që garantojnë liritë e njeriut, ku përfshihet edhe liria e besimit, por nuk lejojnë me kushtetutë ndërhyrjen e fesë në punët e shtetit, Serbia është një vend ku kisha ortodokse ka një ndikim shumë të fortë tek shteti, të cilit i jep karakter të fortë teokratik, aq më tepër kur Serbia posa është ndarë nga një e kaluar shumë e afërt, ku regjimi i Milosheviçit kreu spastrim etnik dhe fetar në Kosovë, ku dihet se shumica e shqiptarëve të Kosovës është e besimit mysliman.

 

Serbia pretendon gjithnjë e më tepër për t’u integruar në BE, dhe ndërkohë që konsumon si retorikë deklarata paqeje, nuk heq dorë nga klishetë vjetra. Siç ishte edhe rasti më i fundit, kur Tadiç premtoi se nga Manastiri i Deçanit do të përcillte vetëm mesazh paqeje, por nuk doli ashtu, sepse, kur një gazetar e pyeti në lidhje me njohjen e pavarësisë së Kosovës, ai u përgjigj në anglisht në mënyrë lakonike dhe shkoqur duke e konsideruar pyetjen e gazetarëve si një pyetje retorike: "You know my answer. It is short and clear - never." – „Ju e dini përgjigjen time. Është e shkurtër dhe e qartë – kurrë ."

 

Dhe kjo deklaratë e Tadiçit në fakt është në dëm të paqes dhe besimit të ndërsjelltë midis dy vendeve. Kosova ia shtrin dorën, Tadiçi e kafshon, në vend që ta shtrëngojë. Sepse në rastin konkret, kur gazeteri e pyeti, Tadiçi do të duhej të përgjigjej, „Zotëri, unë jam këtu për të marrë pjesë në ditën e Krishtlindjeve dhe ju ftoj që ta festojmë këtë ditë me dinjitet, për politikë kemi plot ditë të tjera!"

 

Po, nuk tha kështu, tha shprehimisht se „nuk do ta njohë kurrë Kosovën!". Me këtë rast i kujtoj zotit Tadiç proverbin e njohur që thotë „Never say never !" - „Kurrë mos thoni kurrë !". Në fakt, Tadiçi mund të thotë „never more" – „Kurrë më" sa i përket asaj tragjedie që shkaktoi Serbia në ish-Jugosllavi. Tadiç mund të thotë „Kurrë më gjakderdhje në Ballkan dhe ish-Jugosllavi"; „Kurrë më luftë në Ballkan dhe ish-Jugosllavi për arsye etnie, fetare apo për asnjë lloj arsye tjetër" ! Tadiç mund të thotë: „Kurrë më të mos harrojmë atë që shkaktoi urrejtja në Ballkan dhe ish-Jugosllavi! Kurrë më katrahura dhe kasaphana në Ballkan dhe ish Jugosllavi ! Kurrë më Srebrenica, varreza masive dhe Danub të përgjakur me viktima të pafajshme !"

 

Këtë do të prisnin shqiptarët nga manastiri i Deçanit që të shqiptonte presidenti i Serbisë, këtë fillim janari të vitit 2012, por assesi atë që tha Tadiçi se „kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës". Sepse Kosova është e pavarur dhe një realitet i padiskutueshëm dhe i patjetërsueshëm, e njohur si shtet nga vendet që përbëjnë bërthamën e Perëndimit, duke nisur me SHBA.

 

Nuk mund t‘iu thotë Tadiç nga Kosova dy milionë shqiptarëve të Kosovës, që cilët kanë luftuar e votuar për pavarësinë e vendit të tyre se „kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës" dhe pastaj të pretendojë se erdhi në Kosovë për të kremtuar Krishtlindjet ortodokse e për të përhapur nga Manastiri i Deçanit mesazhe „paqeje".

 

Kurrë mos thoni kurrë zoti Tadiç. Ku i dihet, koha rrjedh dhe askush prej nesh nuk e ndal dot, e nesër vjen në Serbi një president i ri, i cili do ta kthejë faqen e historisë për së mbari për një bashkekzistencë normale mes fqinjëve, sepse, siç dihet, fqinjët nuk i zgjedhim vetë, por na i ka vendosur Zoti, dhe ky president e njeh Kosovën e pavarur! Ku i dihet! Dhe nuk do të kishte asgjë të keqe, përkundrazi!



(Vota: 5 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora