E shtune, 27.11.2021, 05:20 AM (GMT)

Kulturë

Demir Krasniqi: A po festojmë, a po luftojmë?!

E diele, 08.01.2012, 08:03 PM


A PO FESTOJMË, A PO LUFTOJMË ?!

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Për çdo vjet, gjatë muajit të Dhjetorit, sidomos pas përfundimit të luftës së vitit 1999, po u gjende në qytetet e Kosovës, qoftë në Pejë, Prishtinë, apo Gjilan... nuk e di se a je në liri, apo në frontet e luftës në Irak, Palestinë, Avganistan ?!

Dhe jo rastësisht, shpeshherë me të drejtë shtrohet pyetja : A po festojmë, a po luftojmë ?!

Një muaj ditë, krismat e mjeteve piroteknike, petardëve, fishekzjarrëve dhe armëve të zjarrta nuk pushojnë, as nuk ndalen ditë e natë !

Nga këto krisma, që nuk janë asgjë tjetër, pos krisma të çmendurisë dhe kobzeza, askush  nuk mund të bëjë gjumë, as pushim të  rehatshëm  nëpër  shtëpitë e veta !

Si duket, lufta, krimet, vrasjet, djegiet ... që ndodhën në fundin e viteve të 90-ta, askujt nuk i  bënë përshtypje, nuk u mbushen  mend dhe nuk u  ngopen me këto krisma zjarresh vdekjeprurëse, por tek shumë kush mbolli një nostalgji për të festuar me armë zjarri dhe për të shkaktuar dëme, panik, frikë dhe pasoja deri në fatalitete !

Kudo krisma, kudo zhurmë, kudo tym, kudo flakë, kudo helme, kudo ndotje ajri dhe pasiguri !

Askush nuk e di se për çka bëhen gjithë këto krisma, trishtime e harxhime marramendëse ?!

Askush nuk kërkon llogari, se sa miliona euro investime të kota digjen në zjarre pa asnjë dobi ?!

Askush nuk e shtron pyetjen se kush po i importon këto mjete piroteknike, kush po i financon ato, për çka dhe kush janë ata që po përfitojnë miliona nga xhepi i varfër i fëmijëve dhe shtresat e gjëra popullore, të cilat shumica jetojnë me ndihma sociale, me pensione të vogla dhe një përqindje e madhe e kësaj popullate jetojnë në varfëri të skajshme, pa punë dhe pa kurrfarë të ardhurash materiale ?!

Një gjë është më se e sigurt, se këto mjete piroteknike në Kosovë, importohen nga biznesmenët që janë dorë e zgjatur e ministrave dhe udhëheqësve të caktuar shtetëror, por ato i blejnë dhe i djegin fëmijët, të varfrit dhe të pa punët...

Çmimi i fishekzjarrëve dhe mjeteve të ndryshme piroteknike, sipas disa informatave të shitësve të tyre ambulantë, sillen prej 1 Euro deri në 500 Euro !

Dhe merreni me mend, sikur vetëm nga një mjet shpërthyes që kushton 500 Euro, të shpërthente brenda një nate, për 31 ditë të muajit Dhjetor, se ku do të arrinte shifra e parave që ndizen në zjarr e barot ?!

Aq më tepër, kjo dukuri e shëmtuar, është e dhimbshme, kur kihet parasysh se ato i blejnë, i djegin dhe i konsumojnë kryesisht fëmijët e shtresave të varfra popullore, njerëzit e pa punë që nuk kanë as kulm mbi kokë, por jetojnë me ndihma sociale dhe si qiraxhinj nëpër banesat dhe shtëpitë e huaja !

Fëmijët që janë blerës, konsumatorë dhe ekzekutorë të këtyre mjeteve shpërthyese, janë shumë larg librave, fletoreve, leximit, mësimit, edukimit dhe veshmbathjeve !

Por, përveç shpenzimeve marramendëse gjatë këtij muaji dhe në veçanti, gjatë festës së Vitit të Ri, për të cilat nuk e vret mendjen askush që të kërkojë llogari, askush nuk e di bilancin përfundimtar të viktimave që pësojnë gjatë këtyre ditëve, siç janë lëndimet, plagosjet, vrasjet, djegiet e banesave, djegiet e shtëpive, djegiet e lokaleve, që shkaktohen nga përdorimi i pakontrolluar i këtyre mjeteve kobzeza, krisma këto, që nuk janë asgjë më shumë se sa imitime të një primitivizmi, luftërave, vëllavrasjeve ...etj.

Gjatë ditëve dhe mbrëmjeve të festës së Vitit të Ri, nuk guxon kush të del as në prag të shtëpisë së vet, nga rreziqet permanente që iu kanosen për jetë, madje edhe brenda shtëpive të tyre dhe pastaj, siç thotë një fjalë popullore:”Mund të shkosh si qeni në rrush!”- pa dhënë llogari askush ?!

Ata që i importojnë këto mjete, që i shesin, kontrabandojnë dhe përfitojnë me miliona Euro, nga zjarret dhe viktimat e pafajshme, po ata dalin e trumbetojnë përmes mjeteve të informimit publik, se gjoja, ato mjete të rrezikshme dhe vdekjeprurëse, janë të ndaluara për përdorim?!

Në anën tjetër, nuk ke se nga të kalosh rrugëve, shesheve e qosheve të qytetit nga tendat e stërshitësve ambulantë, të cilët ua shesin ato mjete qytetarëve, pa u pengua nga askush ?!

Gjatë kremtimit të këtyre festave, prapa fishekzjarrëve të fëmijëve , qëndrojnë edhe prindërit e tyre, të cilët i shfrytëzojnë këto zhurma e tollovi, për t’i sprovuar armët e tyre të zjarrta, të cilat i posedojnë ilegalisht, duke filluar që nga revolet, pushkët e gjuetisë e deri tek armët automatike dhe të kalibrave më të rënda luftarake !

Këto të shtëna me armë zjarri, nuk kanë tjetër qëllim, pos frikësimit të fqinjëve të tyre, me qëllim që atyre t’ua bëjnë me dije se këta njerëz janë të armatosur dhe nuk i frikësohen askujt !

Jo vetëm festat e ndryshme ndërkombëtare, kombëtare e fetare, por për sprovimin dhe promovimin e armëve të zjarrta ilegale, në kontinuitet, shfrytëzohen edhe dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, ku jo rrallë, këto gazmende përfundojnë me epilog tragjik !

Dhe krejt në përmbyllje të këtij artikulli, mendojmë se është treni i fundit për vetëdijesim të qytetarëve dhe respektimin e ligjeve mbi rendin dhe qetësinë publike, ku organet kompetente shtetërore duhet të iu tregojnë qytetarëve se si duhet festuar, si duhet kremtuar dhe si duhet organizuar dasmat e ahengjet, pa zjarre, pa qitje me armë dhe pa flakën e fishekzjarrëve !



(Vota: 6 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora