Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Xhemaledin Salihu: Vallet e burrave – pjese e riteve të dasmës shqiptare në Preshevë

| E diele, 08.01.2012, 08:58 PM |


VALLET E BURRAVE-PJESË E RITEVE  TË DASMËS SHQIPTARE NË  PRESHEVË ME RRETHINË

 

Shkruan: Xhemaledin Salihu

 

Ritet e Dasmës preshevare jane një traditë e kahershme, e kultivuar me shekuj dhe nder mote të shumta. Ato, poashtu u bartën brez pas brezi duke futur elemente të reja apo edhe duke hequr elemente të riteve në dasmën popullore, por gjithmonë duke e ruajtur origjinalitetin dhe traditën shqiptare dhe kjo traditë mbeti në mendjen e çdo shqiptari në Preshevë me rrethinë. Bile, këto mbeten trashëgimi shpirtërore e popullit shqiptar në këto treva.

Dasmat preshevare ndodhnin nga e hëna deri të enjten apo nga e enjta deri të dielën. Pra dasma ndodhte dhe shtrihej disa ditë në familjen e djalit, por edhe në familjen e vajzës.

Nata e parë e dasmës së djalit ishte nata e kallamoçave, kur në familjen e djalit ziheshin kallamoça/misër/ në kazane të mëdha  dhe në këtë natë shkonin kryesisht familjarët, të afërmit e familjes, mëhalla dhe shokët e djalit.

Nata e dytë ishte nata e pulave, natë e të rinjve të mëhallës së djalit dhe shokëve, kur të rinjët shkonin shtëpi më shtëpi dhe merrnin pula për në dasmën e djalit. Në këtë natë të pulave askush nga familjarët e djalit, por edhe fqinjët nuk merrnin  idhnime, pse të rinjët vjedhnin pula nga shtëpitë e tyre.

Në natën e fundit të dasmës ftoheshin mysafirë të familjes për darkë, por në këtë natë shkonin edhe mëhalla, shokët e djalit dhe persona të tjerë që kishin qejfin për të bërë gazmend. Këtë natë angazhoheshin orkestrat  muzikore dhe daullet, me të cilat këndohej dhe luhej në dasëm. Po e përdorim luhej, sepse në Preshevë dhe rrethinë përdoret luhet, ndërsa e ka kuptimin e vallëzimit dhe kërcimit të vallëtarëve.

Në Preshevë, kaherë në traditën popullore, dasmat dhe gazmendet familjare, por edhe kombëtare organizohen me daulle e zurle, ndërsa tek gratë ato bëheshin me dajre. Madje, familjet e pasura, në ditën e marrjes së nuses organizonin tubime dhe gazmende popullore, në pritje të ardhjes së nuses dhe krushqëve. Gazmendet organizoheshin në vende të caktuara, kështu në Preshevë, ato organizoheshin te vendi i quajtur Allajtë. Në pritje të vrapuesve dhe kuajve vrapues, luhet edhe vallja shqiptare e burrave. Më e njohura, Vallja e Marhamës, me një ritëm, së pari të ngadalshëm, deri sa priteshin vrapuesit, me afrimin e tyre për në cak përshpejtohet edhe ritmi i valles.Gjatë kësaj kohe nuk këndohet, por vetëm luhet vallja e burrave, pastaj ndodhë vrapimi i vrapuesve dhe kuajve për vendin e parë dhe peshqeshet që i ka përgatitur nusja dhe i zoti i dasmës, baba i djalit.

 

Në Karadakun e Preshevës nusja dorëzohet herë herë diku në gjysmë rruge, ku krushqit takoheshin dhe me atë rast kryhej akti i teslimit/dorëzimit/  të nuses.

Në Raincë rrëfehet nga shumë pleqë të fshatit për ekzistimin e një legjende/gojëdhëne/, te vendi i quajtur “GURI i GATË. Këtu kemi të bëjmë me një gojëdhënë tragjike shqiptare, për të cilën kallëzohet nga pleqët si e vërtetë. Ngjarja do të duhet të ketë ndodhur shumë herët. Emrin “Guri i Gatë” e ka marrë, për shkak të formës së të shumë gurëve, të cilët për nga lartësia arrinin gjatësinë deri në dy metra. Në fshat pleqët tregojne se duhet të jenë afër 70 gurë, mirëpo gjatë vizitës time në vendin “Guri i Gatë” me 2  bashkëudhëtarë numruam vetëm 53 gurë të gjatë, në formë të rrasave.

Thuhet se “Gurët e Gatë” kanë ekzistuar para se të themelohet fshati Raincë, këtë e vërtetojnë edhe pleqët e fshatit.

 

Vendi i quajtur “Guri i Gatë” gjendet në perëndim të fshatit  dhe aty tregohet se u ndeshën dy palë dasmorësh, kryshqi, dy qerre dasme, të cilat nuk lëshuan rrugë asnjëra dhe aty ndodhi një konflikt i përgjakshëm. Këtë ngjarje e nemi qyqja, për të keq, kështu që krushqit u shdërruan në gurë, të cilët ekzistojnë edhe sot. Bile edhe sot , ekzistojnë gjurmët , të cilat vërtetojnë ekzistimin e kësaj udhe pikërisht aty, përskaj vendit të quajtur “Guri i Gatë” Prejardhja e krushqive nuk dihet, flitet që ishin të Malësisë së Preshevës apo të Bujanocit. Në këtë përleshje u përfshin të dy palët e krushqëve, bile edhe nuset u përleshën.

 

Pleqët e fshatit Raincë rrëfejnë se osteni,shtaga/shkopi/ me të cilin graheshin qetë u ngul në tokë, bini, u rrit dhe sot ekziston lisi qindvjeçar, në mesin e gurëve të gjatë dhe pishave Lisi qëndron i vetëm, i lartë, në mesin e pishave, për të cilin thonë se as nuk rritet më, por as nuk plaket. Ndërsa disa pleqë të tjerë të fshatit rrëfejnë se flamuri i krushqëve, i ngulitur në tokë, bini dhe sot ate e simbolizon lisi i përmendur.

Dhe çdokush, që u përpoq ta shkulë  apo ta pres këtë lis, dështoi. Përveç kësaj thuhet se  familjarët varrosën të gjithë pasurinë që posedonin krushqitë me vete, siç e kërkonte tradita e asaj kohe.

 

Poashtu, pleqët e fshatit tregojnë se daullja u shdërrua në gur të rrumbullakët, këtë e thotë edhe Haxhi Jakupi i Mëhallës së Ukajve të Raincës dhe Mulla Xhemajl Musliu i Raincës.

Disa pleqë të tjerë të fshatit  rrëfejnë se guri i rrumbullakët që gjendet edhe sot në vendin e ngjarjes simbolizon qerren e nuses.

“Pas luftës së fundit në Preshevë, disa arkeologë serbë apo hobista prej Serbisë qendrore, i nxjerrin gurët nga vendet e tyre, për të gjetur thesarin e varrosur. A kanë gjetur nga pasuria legjendare apo jo, nuk dihet, por një dihet qartazi, që këta bën katrahurë, i shkulën gurët dhe i lanë jashtë dheut. Gjer më sot nuk e ka ngritur askush zërin për këtë”, thotë Muhamet Iljazi i Raincës.

Vallen në Preshevë me rrethinë e quajnë “horë’ dhe shpesh përdoret, e çon mirë horën, e kanë me lot horën / kuptim se vallëtari luan bukur sikur kur del loti i pastër në të qarë/, luan mirë horën, thuhet për ata vallëtarë që luajnë bukur dhe me virtuozitet. Po kështu, shpesh rastis që  vallen ta  quajnë edhe bullgarët, maqedonasit.

 

VALLET E PRESHEVËS JANË :

 

1. Vallja e Preshevës “Preshevka”

2. Vallja e Miratocit “Miratock

3. Vallja preshevare: “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”

4. Vallja e Marhamës

5. Vallja e Deli Agushit

6. Vallja me këndim : “Pembe, Pembe”

7. Vallja me këndim: Dimke, Dimke Popova

8. Vallja e Moravës

9. Vallja: “Tarazejbek”

 

Emërtimet e valleve preshevare janë më të ndryshmetë. Kështu ka emërtime sipas origjinës dhe vendit ku luhet vallja: Vallja e Preshevës “Preshevka”, Vallja e Miratocit:”Miratocka”.

Vallja prej Moravës, sipas lumit Moravë.

Shpesh vallet emërtohen me vargun e parë të këngës: Vallja preshevare :”Ani jom e ligë, ani jom tue dekë…”, Vallja preshevare:”Dimke, Dimke Popova…”, Vallja preshevare:”Pembe, Pembe…”

Në Preshevë nuk mungojnë emërtimet e valleve edhe sipas veshjes, gjegjësisht sipas mjetit që përdoret për ta udhëhequr vallen: vallja preshevare: “Vallja e Mahramës”/shamisë/.

Poashtu në Preshevë dhe në rrethinë të saj kemi valle popullore  që mbajnë vulën e kohës, trimave, kaçakëve në kohën e Turqisë apo ndonjë kohe tjetër: Vallja e Deli Agushit.

Në komunën e Preshevës dhe të rrethinës , kënga është shumë pak e zhvilluar , kurse vallet popullore janë më shumë të zhvilluara .Në këtë anë nuk përdoren instrumentet popullore që janë punuar nga dora e shqiptarëve autokton , por janë përdorur  kryesisht orkestrinat e romëve.

Vallja popullore është pjesë e pandarë e dasmës shqiptare, e traditës dhe riteve të saja, e cila u lind dhe u zhvillua sëbashku me këngën popullore shqiptare si dhe dasmën e traditën e saj shqiptare.

Vallet popullore shqiptare, sidomos vallet e burrave në Preshevë me rrethinë janë të vjetra, të larmishme dhe shumë të pasura , përkah figurat dhe stilizimet koreografike.

Edhepse vallet në përgjithësi ndahen në ato me motive fshatare dhe qytetare, vallet e burrave të Preshevës nuk kanë aq karakteristika ndasie  në ato qytetare apo fshatare, pos ndonjë valle e burrave që dallon përkah motivet që i përket valles. Vallet e burrave nuk kanë ndonjë prerje të thellë përkah motivet që të ndahen në ato fshatare dhe qytetare.

Por, prapseprap dallojmë vallet e burrave me motive qytetare: vallja e Presheves, vallja “Ani jom e ligë, ani jom tue dekë”, vallja “Pembe, Pembe”, vallja “Dimke, Dimke Popova”, vallja “Tarazajbek”, valle që ka për motiv dashurinë, jetën idilike dhe hallin e banorëve të qytetit, ndërsa ato me motive fshatare janë : vallja e Miratockës, vallja e Deli Agushit, me motive të së kaluarës, historisë tonë, ku i këndohet trimërisë, burrnisë që në Preshevë dhe rrethinë nuk janë vetëm motive ekskluzive të fshatrave, sepse gjate historisë fshati dhe qyteti e patën një histori të përbashkët kombëtare.

Vallet e burrave u përcollën edhe në qytet edhe në fshat prej grupeve muzikore, ku bënin pjesë klarineti, defi, tarabuku, harmonika, violina/qemanja/. Këto grupe populli i quante edhe çallgija.Grupi i daulleve dhe zurlave merrnin pjesë sidomos në dasmat e familjeve të mëdha. Andaj sipas instrumenteve nuk kishte ndonjë ndasi e dasmave në fshat apo qytet, por vetëm pasuria e familjes/statusi familjar/ ishte ajo që bënte ndasi në dasma.

Veçanti paraqitnin dasmat në Malësi, ku  dasmat bëheshin me instrumenta popullorë: kavallë, çifteli, fyejë, e tjerë, ndërsa ato në qytet përcilleshin me qemane, violinë dhe def.

Vallet popullore shqiptare në Preshevë me rrethinë ndahen në tri lloje kryesore: :1.Valle të burrave 2.Valle të grave dhe 3. Valle të përziera ose të përbashkëta.

Vallet e burrave në Preshevë dhe rrethinë luhen në grup 4-5 vallëtarë dhe ndonjë valle e burrave që luhet edhe në dysh, sikur vallja Tarazejbek. Vallet e burrave luhen vetëm me përcjelljen e instumenteve dhe Presheva me rrethinë nuk ka valle të burrave që luhen pa instrumente.

Vallet e burrave janë valle që luhen në rreth, pos valles lirike:Tarazejbek, e cila luhet më dysh dhe karshi -karshi.

Vallëzimi i valleve të burrave në rreth simbolizon një rreth familjar, të përbashkët, për të gjithë vallëtarët, por edhe simbolizon përbashkësinë shqiptare. Kështu, ata duke luajtur vallet, pas çdo mbarimi të valles, shpesh ndodhë që prijatari i valles i lëshon të dytit udhëheqjen e valles e kështu me radhë radhitën vallëtarët deri në mbarim të valleve. Nderimi edhe i vallëtarëve të tjerë bëhët me kusht që vallëtari në vazhdim të jetë i aftë, të luajë mirë dhe mund të jetë edhe prijatar i vallës së burrave. Ndryshe nuk pranohet nga vallëtari i radhës apo nuk i jipet shamia e prijatarit të valles Në traditën e valleve tona popullore, gjithmonë praktikohet që prijatari, ta mbajë në dorën e djathtë një marhamë, shami, me të cilën i prinë valles duke e dredhur e valëvitur pa ndalur atë.

Burrat vallëtarë në vallet  kapen krah për krah dhe kështu luhen  thuajse të gjitha vallet e burrave, pos valles “Tarazejbek”. Kjo simbolizon dhe ka kuptimin e afërsisë dhe dashurisë vëllazërore , të unitetit, besës dhe besnikërisë së fortë.Vallet krah për krah i luajnë më tepër burrat.

Pastaj në dasma vallëtarët burra kapen dorë për dorë dhe luajnë vallet e burrave, që simbolizon dhe dëshmon dashurinë, besnikërinë, bashkimin dhe unitetin ndër vëllazëror.

Në vallet e burrave që janë me motive luftarake dhe epike, siç janë : Vallja e Deli Agushit, Vallja e Miratocës, vallëtarët kapen  brez për brezi, për ta mbajtur fortë lojtarin afët tij dhe për të simbolizuar si në rreth, krah për krahu, dëshminë për forcën, përbashkësinë dhe unitetin e vallëtarëve dhe të bashkësisë shqiptare.

Shpesh në dasëm, prijatari i vallës së burave që ka aftësi vallëzuese të jashtëzakonshme i lejohet të krijojë figura dhe stilizime koreografike që janë  traditë e tij dhe aftësi krijuese e artistike. Kështu prijatari në disa valle të burrave shfrytëzon talentin e tij vallëzues dhe mundësinë e vallës së burave, e cila i lejon komoditetit për të krijuar figura më të ndryshme koreografike vetanake, siç është vallëzimi “zhagas” Edhe vallet e ashtuquajtura “zhagas”, apo “zvarrë”, kanë karakter luftarak dhe vallëzohen kryesisht nga burrat.

Vallja e Deli Agushit i lejon vallëtarit të talentuar krijimin dhe formimin e figurave më të ndryshme, siç është: vallëzimi “zhagaz” , vallëzimi në tavolinë, vallëzimi në mure apo ecja e vallëtarit nëpër mure, por në këto raste gjithmonë prijatari duhet ta kishte mbështetjen e fortë dhe të sigurtë të vallëtarit të dytë në vallen e burrave.

Edhe Vallja e Miratocit e lejon vallëtarin të krijojë figura dhe stilizime vallëzuese individuale.

Në Vallet e burrave, element më tipik i kësaj veshjeje janë tirçit, të cilat kanë formën e pantollonave të ngushta prej shajaku me të shumtën e rasteve ngjyrë të zezë ose të murme, më rrallë me ngjyrë të bardha. Atëherë ngjyra e gajtaneve, shiritave të tirçive do t’ishte e kundërta e ngjyrës së tirçive.

Përgjithësisht ato lidhen poshtë belit , shtrënguar dhe shoqëruar edhe me një brez të leshtë, me vija disangjyrëshe, e cila në Preshevë quhet shokë. Gjatësia e saj mund të jetë e ndryshme.

Në pjesën e sipërme vishej një këmishë me mëngë të gjata, me ngjyrë të bardhë, jelek pa mëngë, me ngjyrë të zezë apo të murme prej shajaku.

Tirçit zakonisht janë bajtur në vallet e burrave, më rrallë si veshje e përditshme, pos në Karadakun e Preshevës.

Poashtu, në vallet e burrave përdoret plisi i bardhë, i cili përdoret më rrallë në jetën e përditshme të popullatës shqiptare në Preshevë me rrethinë. Në vend të plisit të bardhë, preshevarët shpesh e bajnë një kapuç të zi apo edhe me ndonjë ngjyrë tjetër, të qepur prej pëlhurës së pambukut.

Opingat janë pjese përbërëse e veshjes popullore me traditë të vjetër dhe shtrirje mbarë shqiptare.

Në Preshevë me rrethinë, në vallet e burrave përdoren opingat, por popullata më rrallë i përdorë në jetën e përditshmë.

 

Vallja e Miratocit karakterizohet se vallëtarët i mbulojnë veshët dhe lidhin kryetë me çevre/shami/.Çevra mbahet në të gjitha vendbanimet e Preshevës, por është veçanti dhe më shumë dukuri e shpeshtë e popullatës së Miratocit

Çevra mbahet në kokë dhe me te lidhet-pështjellohet pjesa e pasme e kokës, mbështillen anët e kokës dhe mbulohen veshët, ndërsa lidhet në ballë të kokës.

 

Autori bullgar Gj. Petrov, në librin e tij e vërteton mbajtjen e Çevresë në Miratoc dhe në faqën 543 shkruan këngën e përhapur në popull:

Dum, dum tupani,

Hora Llojani,

Qel Miratoci,

Zhugava Tërrnava,

Norça qorça,

Zorraxhi Presheva,

Rahovica kalanica,

.................................

Dum, dum Tupani

Budalla Llojani

Qel Miratoca

Zhugava Tërrnava

Sallata Presheva

Nasgjargji Rahovica

Harrnë Corrotica

E tregoi : Hamit Ilinca/ version i shkurtër/

 

 

Dasmat e sotme aspak nuk i pëngjajnë dasmave të dikurshme, ato janë të shtrenjta dhe pak e ruajnë traditën dhe ritet e dasmë së dikurshme tradicionale.

 

REFERENCAT

 

1.Agron Xhagolli, Ramazan Bogdani, Letërsi folklorike, Prishtinë, 1996

2.Çështja e valles popullore shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, Tribunë shkencore e mbajtur në Preshevë, më 24 dhjetor 2010

3.Hysen Ahmeti, Rite dhe këngë dasmash në fshatrat e Bujanocit,Gjilan, 2007

4.Zeqirja Dauti, Lojëra popullore nga Kosova Lindore, Gjilan, 2009

5.Dilaver Kryeziu, A po zhduken vallet tradicionale shqiptare, Kosova sot, 04.10.2008

6.Zymer Neziri, A po zhduken vallet tradicionale shqiptare, Kosova sot, 04.10.2008

7.Demir Krasniq, Një dasmë sa një shtëpi, Gjilan, 2010

8.Xhemaledin Salihu, Valle dhe këngë popullore të vjetra, Preshevë, 2010

9.Drita Halimi-Statovci, Veshjet shqiptare të kosovës, Prishtinë, 2009

10. E njëjta, Rizgjohet ndjenja e traditës, Ardhmëria.info, 08.08.2011

11.Ilir Sopiani, Martesat dikur dhe sot, Dituria Islame, nr.250, maj 2011

12.Pëllumb Gorica, Tradita e dasmës së vjetër në Sulovë të Elbasanit, 2011

13.Demir Krasniqi, Gjobat nëpër dasmat dhe gazmendet popullore, Zemra shqiptare, 02.01.2010

14.Plisi i Bardhë, simbol me rëndësi kombëtare që duhet ruajtur dhe trashëguar ndër breza, Gazeta “Bytyçi”, 26 gusht 2011

15.Kadri Halimi, Studime etnologjike, Prishtinë, 1994

16.I njëjti, Trajtime dhe studime etnologjike, Prishtinë, 2000

17. Muhamet Ilazi, Raincë,  më 18.10.07

18. Vebi Fazliu nga Rainca, bisedë më 12.09.2011

19. Bisedë me Mulla Xhemail Musliun nga Rainca, më 30.09.2011

20.Bisedë me Zeqirja Memishin nga Rainca, më 28.09.2011

 

Vërejtje: Kumtesa e lexuar në Tribunën Shkencore :”Dasma shqiptare në Preshevë dhe rrethinë, dikur dhe sot”, mbajtur më 24-25.12.2011

 

Preshevë, më 03 janar 2012