E enjte, 28.03.2024, 10:51 AM (GMT)

Kulturë

Daniel Gazulli: At Anton Harapi - i vramë tri herë

E diele, 08.01.2012, 08:05 PM


AT ANTON HARAPI -

I VRAMË TRI HERË

 

(Me rastin e 124-vjetorit të lindjes)

 

NGA DANIEL GÀZULLI

 

Para disa ditësh pata citue një fragment nga editoriali i “Hylli i Dritës”, kushtue Bajram Currit, Luigj Gurakuqit e dom Gjon Gàzullit të titulluem “Fatosave të harruem”, ku në mes të tjerava evidentoja: “Tjetërkund, njerëzit e idealit, në u mbytëshin për së gjallë, nderohen për së dekuni. Ndër ne mbyten dy herë: edhe harrohen.”

Tue parafrazue atë editorial, për At Anton Harapin, mund të thuhet: “I vramë tri herë: Kur e vranë, me njollosje e harresë, me riharresë e veçim prej viktimash të tjera të klerit.

 

At Anton Harapi asht pa ma të voglin dyshim një ndër fytyrat ma të ndrituna të kombit tonë: atdhtar i dlirë, dijetar i dorës së parë, shkrimtar i talentuem, klerik me vlera të spikatuna.

Tashma e dijnë të gjithë se ai u pushkatue pse pranoi me u flijue që të shpëtonte Shqipninë prej luftës civile. Ishte aq i madh, sa e kishte kuptue me kohë, qysh atëherë, më 1943, se Lufta Nacional Çlirimtare po kthehej në luftë civile. Për këte edhe e mbytën. Për këte edhe e damkosen me njollën e tradhëtarit. E cilin? Ma të dlirin e atdhetarëve.

Po le t’i lamë ngjarjet të rrjedhin me rend.

 

Fëminija e rinia

 

Gaspër Harapi (emni i pagëzimit) u lind në Shirokë të Shkodrës më 5 janar 1888 në një familje të thjeshtë, që jetonte me peshkim në Liqenin nën hije të Taraboshit.

Hyni në Kolegjin e Jezuitëve qysh shtatë vjeç e ma vonë në ate Françeskan, që ishte dhe mbeti shtylla e traditës së mirëfilltë kombëtare shqiptare.

Aty mori njohunitë fillestare të teologjisë dhe u mëkue me dashuninë e thellë për Atdhe. Si kreu lolegjin, tue qenë me një përgatitje aq të mirë sa asnjë nxanës tjetër që kishte dalë prej atij Kolegji, e dërguen me vijue studimet e nalta në Austri, një ndër votrat e kulturës së lashtë dhe asaj bashkëkohore. Studioi në Villach të Tirolit, Salezburg dhe Shvarc. E qysh atëherë e quejtën “enciklopedia që ec me dy kambë”.

Mbi të gjitha tek ai mbizotnoi bashkimi i të gjithë virtyteve pozitive, tue plotësue e kalitë shpirtin e tij të pastër françeskan, me të cilin frati ynë ishte i edukuem qysh në fillim...

Më 1910, kur Gaspëri i ri u kthye në Atdhe, i dhanë emnin Anton, si ishte në traditën e françeskanëve. E me të shkelë në Shkodër, ai u dallue për dijet e thella, që i kishte marrë gjatë viteve të studimeve akademike, dije që, nga ana tjetër, nuk do ta tulatnin kurrë kujtesën e tij përherë të freskët, por do të shpërthenin valë - valë, gjithnjë në nivele ma të nalta, edhe pse kishte kujdes që aftësitë t’i shfaqte me thjeshtësi e me finesë.

Argumentet që buronin në mënyrë të natyrshme, në çdo kohë dhe rrethanë, do t’i parashtronte me një logjikë të hekurt, me një shtjellim aq të qartë, çka asht karakteristikë vetëm e një gjeniu të rrallë. Nuk janë të paktë, e pikërisht prej bashkëkohësve të tij, ata që janë shprehë se një njeri i tillë, dy herë nuk do të përsëritet në tokën shqiptare. Mbi freskinë dhe qartësinë e mendimint të tij filozofik, për stilin e matun e të rrjedhshëm, qysh heret, më 1936, do të shkruente për te dom Kolec Prendushi: “...mendje dialektike, qi shkruen kryeartikuj, ndër cillt disa janë kryvepra. Dija e thellë, arsyetimi i lidhun, analizimi i hollë, stili i peshuem, dallojnë gjithë shkrimet e tija.” (Shih, “Hylli i Dritës”, 1936, fq. 583).

Si intelektual model, sillte me vete mentalitetin e misionarëve përparimtarë europianë, që në shumicë asokohe kishin në zotnim shartet e Provincës Françeskane, që po hidhte shtat me palcë e fizionomi shqiptare, tanësisht me taban kombëtar, e që dha një ndihmesë të paçmueshme në lulëzimin e kulturës amtare shqiptare, ku në rezonancë mbizotnonte fryma e ngrohtë françeskane “lutu e puno”.

 

Veprimtaria

 

Si thamë, në vitin 1910, At Antoni kthehen në Shqipni dhe shugurohet meshtar, tue qenë deri në flijim besnik i zhgunit të Shën Françeskut e i popullit që e donte dhe e respektonte.  Punon në fillim mësues në Kolegjin e Fretënve. Ai solli një frymë të re, ide të reja, krejt europiane, për edukimin e rinisë. Veçanarisht ai kambënguli që në Koldegj të mund të edukoheshin të rijë me bindje e prejardhje të ndryshme, aty edhe të besimit musliman, e që nuk kishin kurrëfarë synimi me marrë rrugën e meshtarisë.

Ma vonë (tetorit 1912 - prill 1913) u përkushtohet shërbesave fetare në Kishën “Zoja Rruzare” në Arrën e Madhe, në Shkodër, ku ishte edhe Kuvendi Françeskan. Në këtë lagje u njoh dhe u ballafaqua me vorfninë e tejskajshme, që e përjetonte thellë, e përpiqej t’i ndihmonte, pa dallim feje.

Më 1916, kur Dukagjinin e preku sëmundja e frikëshme e kolerës, që mori shumë jetë njerëzish, pa u gjetë askush pranë tyne nga frika e lëngatës, shkoi atje, në mes malësorëve, dhe i ndihmoi si e sa dijti. Frati i ri nuk la bjeshkë të thepisun pa shkelë tue dhanë veçanarisht ndihmë e këshilla në lamë të profilaksisë.

Më 1918 ai shërbeu në Grudë, ku, për herë të parë, spikat talenti i tij në lamin e letrave shqipe, penda e mendimi i mprehtë, njohja e thellë e shpirtit të malësorit.

Ai njohu me të gjitha përmasat e saj zonën e Grudës e të Malësisë së Madhe mbarë, koloritin e gjallë të zakoneve, vajet, dasmat, epiken, psikologjinë origjinale të trevave kreshnike të marruna në studim, pra tanësinë klasike të kulturës së pasun kombëtare, ende të palavrueme asokohe...

Në këtë mjedis të ri dhe të përshtatshëm për mendjen dhe punën e tij pasionale, lindi dhe u rrit romani “Andra e Pretashit”, vepër me kompozim unik në llojin e vet.

Në rrafshin politik, mbeti një zbulues i gjallë i fatit të popullit shqiptar. Në kujtesën e historisë, kanë mbetë të pashlyeshme shumë ngjarje, që gjithsesi kanë emnin e kontributit të meshtarit të shqiptarizmës.

Në kohën e turbullinave politike, midis të cilave ishte mbërthye kontinenti europian, Fuqitë e Mëdha, hartonin harta të reja, ku, pa të drejtë, Shqipnisë së vogël gjeografikisht, i cungoheshin njena mbas tjetrës disa treva të trungut amë.

A mund të heshtte frati përballë kësaj masakre, që u bahej ditën për diell tokave shqiptare!? Natyrisht që jo. I veshun me zhgun, me nismën e vet, organizon menjëherë tre bajrakë, Grudë, Hot e Triepsh dhe përmes tyne, i dorëzon Memorandumin e përgatitun nga ai vetë në vitin 1918, komandantit francez në Shkodër (asokohe në Shkodër, kishin zyrat e tyne konsullore 7 përfaqësi të hueja). Në bashkëpunim me Luigj Gurakuqin dhe At Gjergj Fishta OFM, harton një Peticion, të nënshkruem nga 200 përfaqësues të tre bajrakëve, drejtue përkatësisht Konferencës së Paqes në Paris, Ministrave të Jashtëm të ShBA-së, Anglisë, Francës dhe Italisë.

Në ligjeratat e tij të famshme, të mbajtuna në “Parisin e vogël”, sikurse njihej nga intelektualët asokohe qyteti kulturdashës Korça, ndër të tjera At Anton Harapi u shpreh: “Jam fetar, por kam tager dhe detyrë shoqnore”. E randësishme për At Antonin, ishte fati i kombit dhe i martirëve, që ishin pjesë e jetës së tij.

Populli i Shkodrës kurrë s’do ta harrojë përshëndetjen e fundit të titulluem: “Dy lotë e nji betim”, si shembull i oratorisë klasike shqipe, në përcjelljen e eshtnave të martirëve Mustafë Qullit dhe Çerçiz Topullit.

Viti 1920 ingranohett me lëvizjen atdhetare shqiptare, në kushte e rrethana të reja; falë energjive të pashtërshme që zotnonte, fizikisht e moralisht, mori një shtytje dhe organizim të ri. Më 1921-1924, bahet drejtues i grupit të njohun atdhetar “Ora e Maleve”, së bashku me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Dom Lazër Shantojën, tue qenë njëkohsisht themelues, drejtues e botues i aftë i fletores “Ora e Maleve”, që filloi të nxirrte grupi në fjalë.

Më 1924, u zhvilluan zgjedhjet e para në Shqipni, ku gjendet mes “opozitës” së kohës përkrah Gurakuqit, Fishtës, Bajram Currit, At Benardin Palaj, Nolit etj. , që ishin pararoja e kësaj lëvizjeje, tue sjellë një mendim të epërm e veprim racional për kombin shqiptar.

Mbas rrëzimit të Qeverisë së Nolit, për shkaqe që tashma dihen mirë, sikurse shumë të tjerë, frati demokrat arrestohet 3 herë dhe burgoset, mbasi kishte përkrahë alternativën e demokracisë liberale të popullit, “Për nji Shqipni t’Lir e t’Perparueme”.

Më 1933, ishte drejtues i Kolegjit Françeskan (Rektor), drejtor i Liceut “Illyricum” dhe pedagog në Shkollën Normale Femnore të Motrave Stigmatine në qytetin e Shkodrës (Gjuhadol).

Në harkun kohor të viteve 1930-1936, asht drejtori i së përkohshmes zamadhe, revistes “Hylli i Dritës”, bashkëdrejtues i gazetës “Posta e Shqypnisë”, revistës fetaro - kulturore “Zani i Shna Ndout” etj.

 

Në fushën e letrave shqipe

 

Frati, krahas përkushtimit fetar dhe vlerave të çmueshme sociale, dallon me po atë madhështi, në filozofi, teologji, pedagogji, sociologji, publicistikë dhe letërsi artistike.

Në mënyrë të rregullt, ndiqte rrymat e letërsisë botërore, lexonte në origjinal autorët e famshëm të pedagogjisë moderne të kohës, si: Pestaloc, Hergert, Frobel, Herbart, Forster etj. Midis librave dhe përherë pranë librave, mendonte se mendja e tij dhe e çdo njeriu, në përgjithësi, zgjanon dritaret e ditunisë njerëzore, të cilat përherë duhet të jenë të hapuna, për të lejue depërtimin e njohunive të reja bashkëkohore.

Rezultat i akumulimit të dijeve dhe i përvojës si pedagog, asht botimi i veprës së parë pedagogjike, “Edukata ose mirërritja e fëmijëve” më 1925, që mund të cilësohet edhe një përshtatje të leksioneve të pedagogut A. Hergert, një punim i mirëfilltë shkencor.

Synimi fisnik i tij, ishte që mbrënda lëvizjeve të reja reformatore të krijoheshin hapsina për modernizimin e metodave mësimdhanëse, didaktika e shkollës së re shqiptare, dhe kërkonte në veçanti që këtë rrymë të kohës ta shpërndante me pasion në moshën e re, tue e pajisë në këte mënyrë, me kujdes e matuni, me parimet progresiste të shkollës së traditës së hershme demokratike e kulturore të Europës Perëndimore. Për çudi, ende sot studiohen në universitetet e vendlindjes autorët e pedagogjisë sovjetike (pedagogë pedantë komunistë rusë) dhe jo pedagogët e traditës shqiptare në trojet etnike shqiptare.

Një vepër e spikatun asht ajo me titull “Vlerë Shpirtnore”, ku janë përmbledhë 6 ligjëratat e mbajtuna në Korçë. Duhet vu në dukje se shtysë për autorin e kësaj nisme të guximshme, ishte çasti i një krize shpirtnore në Shqipni, dukuni kjo me rrjedhoja negative dhe shkatërrimtare. Aty autori referues analizoi me hollësi shkaqet e kësaj krize, tue shpalosë gradualisht etilogjinë dhe terapinë e kësaj sindrome kanceroze, ku, si epidemi e vërtetë, kishte nderhy në botën shqiptare ideologjia shterpe marksiste e sjellë në Shqipni prej Ali Kelmendit me shokë...

 

Flijimi

 

Sa herë “profesorët” e regjimit komunist, në veprat e tyne plot fallsifikime, u kanë paraqitë dhe vërbue sytë brezave të tanë shqiptarësh një foto, ku At Antoni Harapi duket në një takim me gjeneralin gjerman Fitsum, si dëshmi e “tradhëtisë” të prelatit françeskan. Asnjëherë, sikurse vë në dukje publicisti z. Mërgim Korça, pseudoshkenca komuniste, dje dhe sot, nuk flet dhe shkruen përse u takuen dhe çfarë i ka thanë gjeneralit gjerman At Anton Harapi: “Marrëveshja me Reichun, ishte që trupat gjermane do të kishin territorin shqiptar vetëm si urë kalimi për në Greqi, pa i cënue dhe pa ndërhy në çashtjet e mbrendshme shqiptare!”. Ata e dinin mirë pse i ishte takue Harapi me gjeneralin, pse kjo asht pasqyrue edhe në shtypin e kohës, por simbas parimit “shpif, shpif se diçka do të mbesë”, përhapën një propagandë të shfrenueme vetëm në klishenë zi, për të përligjë veprimet vëllavrasëse që ua kërkonte simotra e tyne, Jugosllavia komuniste Rankoviçiane/Titiste, e cila porosiste polpotin e kuq të Tiranës, se “nëse doni që të qeverisni përgjithnjë, duhet të zhdukni me rrajë çerdhen antikomuniste, klerin katolik dhe besimtarët e saj besnikë në Shkodër e tjetërkund”.

At Anton Harapi shprehet haptë pse e pranoi detyrën e regjentit: “E pranova detyrën se nuk mujshem m’e pamun Shqypninë të pushtueme prej anarkijet...nuk dojshem të krijohej nji Babiloni shqyptare me luftë vllavrase qi zhgatrronte katundet, të humbej bagtija e të zhgatrroheshin familjet...ndjeva mëshirë, si për popull e gjithashtu edhe për Shqypni...Si mund të preferojshem m’e pshtue jetën t’eme për çashtjen e perbashket? Le të ndodhë ajo qi ka me ndodh, thashë me vedi, rrnoftë populli edhe pa mue, rrnoftë Shqypnia!...E fillueme me nji poezi e po e perfundojmë me nji tragjedi me iu dhimbtë kujdo...e vetmja gja m’u  bamun asht m’e pshtuemun Shqypninë edhe popullin. Mjafton t’i paralizojmë fajtorët të mos bajnë ma dame...Nuk duhet të ekzistojnë filogjerman, anglofila apo italofila. Duhet t’jena veç shqyptarë...”.

E këto fjalë ai i thonte me 17 Maj 1944 në Kinema “Kosova” kur Shqipnia ishte nën pushtimin gjerman!

Ai kërkonte të shpëtonte Shqipninë dhe në tokën tonë të mos kishte të huej, e jo ashtu si përshkruhet nga historiografia komuniste dhe postkomuniste.

 

Martir i shqiptarizmës së kullueme

 

“Shqipnia u fitue me gjak; me gjak dhe po mbahet e robnueme. Do të vij dita e me Paqe e Drejtsi do t’fitohet”

At Anton Harapi

 

Martirizimin e klerikut as Shekspiri i madh nuk do të gjente forcë me e përshkrue në mënyrë ma dramatike se sa ajo që përjetoi ai në realitet e qinda sivllazën të tij. E ashtëquajtuna luftë “NÇ”, në vend që të bante çlirimin e vendit, u kthye në një luftë të kobëshme vllavrasëse për marrjen e pushtetit me çdo kusht, por katolicizmi dhe në veçanti kleri katolik, ishin pengesa ma e madhe për triumfin e komunizmit.

Historia e vrasjes së At Anton Harapit asht sa e dhimbshme, aq edhe e lavdishme. Fratin e Shën Françeskut deri në flijim, e këshillojnë që të ikë nga Shqipnia, sikurse banë shumë njerëz kundërshtarë të rregjimit të diktatorit Enver Hoxha, që dhunshëm dhe me mashtrime erdhi në pushtet. Fakti asht se Frati këtë këshillë e hodhi poshtë premas, tue thanë me krenari: “Kam punue për Shqipni ballfaqas. Nuk pres shpërblim, por as denimi nuk ka pse m’pret. Bashkatdhetart e dinë fort mir se kurr nuk i tradhëtova. Me ta vuejta, me ta punova, me ta qindrova, me ta gzova. Me ta edhe do t’des. Eshtent e mi, n’token e t’parve t’jen testamendi em”.

Ai i gjykua dhe u dënue nga Gjyqi Ushtarak në Tiranë me kryetar Koçi Xoxe e Prokuror Bedri Spahiu...

Pretenca e prokurorit ishte kulmi i një fallsifikimi të pashoq. Dosja e fratit të urtë asht e mbushun nis e sos me shpifje e trillime të gatueme në guzhinën jugosllave, që shikonin si kundërshtar seriozë për aneksimin e Shqipnisë gjithë klerin katolik, veçan një fytyrë të ndritun si At Anton Harapi.

................

Ishte mëngjes i vranët. Binte shi. Në orët e para të datës 14 shkurt 1946, u nxor nga qelia, duert e kryqëzueme në parzëm, me krye të varun dhe sytë gjysë të mbyllun nga sfiltja prej torturave, dhe e çuen diku në periferi të Tiranës.

Frati i përvujtë, por krenar, hidhte hapat me kujdes, tue ngritë herë-herë kindet, për të mos u stërpikë nga balta që shkelte. Një prej egzekutorëve i tha: “Mos ki dert, o prift reaksionar, se te balta ke me perfundue”. Ai reagoi me qetësi e kthjelltësi: “Atje tek shkoj, biri im, due me shkue i panjollë, siç kam kenë tanë jetën”.

E në gjyq ai pat lanë testamentin e tij lapidar:  “A e dini se çdo ndertese i vihen temelet n’dhe? Edhe pse n’varr, na hijshem duhet t’jemi gurt e temelit t’njiasaj binaje t’cillin sot e quejm Shqypni”.

 

I vramë për të tretën herë.

 

Komisioni i Rishqyrtimit të Aktit të Martirizimit të Klerikëve Katolikë në kohën e masakrave të komunizmit (sikurse në të gjithë vendet diktatoriale dhe komuniste të ish - Europës Lindore) në Vatikan, që të mund të fillojë procedorën e kanonizimit (faza e parë shqyrtimit për shejtnim), ka kërkue prej Konferencës Ipeshkvnore të Kishës Katolike Shqiptare dokumentat (të marruna nga Arkivi Qendror i Shtetit, aktet e gjyqeve), dëshmi me deklarata autentike nga përsona që dëshmojnë vërtetësinë e faktit të kërkuem, dhe jo të paragjykohet nga gjyqi i dytë shqiptar, etj., “komisioni” apo individë, kushdo qofshin ata, një martir dje e martir sot si At Anton Harapi, që asht lanë jashtë kësaj liste.

Frati i pushkatuem e i anatemuem duhet të shfaqet në historinë e popullit që e desht aq shumë vetëm në bazë të dokumentave autentike dhe jo të marruna të gatëshme nga zyrat e egzekutorëve, etënit dhe bijtë e të cilëve ende sundojnë Shqipninë. Veprimi i njëanshëm dhe me tendenca diskriminuese që kanë përdorë servilët e sistemit, qofshin këta dhe me petk meshtarak, asht një shkelje ndaj martirëve të krishtënimit që e kanë derdhë gjakun e tyne për Fe dhe Atdhe.

Zot, po a kështu do ta vrasim për të tretën herë të madhin At Anton Harapi?! 

 

Shënim: Shumë prej të dhanave biografike janë marrë prej një studimi të posaçëm të Klajd Kapinovës.



(Vota: 10 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora