Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Poezi nga Janaq Pani

| E shtune, 07.01.2012, 05:44 PM |


Janaq Pani, Toronto

 

 

MALET E VETËTIMËS

 

Male Vetëtime kreshtamprehtë

Nga shpata gdhendur e jatagani

Limer shqiponjash për foletë

Dhe trimash me zemër luani.

 

O male Vetëtime kreshtëlarta

Me supet që s'i ulët asnjëherë

Stërrall për retë rrufezjarrta

Dhe shtiza flamuri në erë.

 

Iu kam plazmuar në retinë

Ngado që shkoj, mbi male e dete

Iu kam balsam për krenarinë

Si hajmali iu mbaj me vete.

 

GOZHDËT

 

Gozhdë në treg nuk ka mbetë

Xhama e korniza gjithfarë

I blenë me ngut ca poetë

Nëpër mure për të varë

Turli çmimesh që patën marrë.

 

5 CENT

 

Përtheva mesin, përkula gjurin

Një pesë cent në xhep ta shtie,

Ky akt s'e tjetërsoka burrin

Dhe vlera shumë nuk i bie.

 

Dhe 5 cent kanë aq vlerë

Apo në qoftë një cent i vetëm,

Kët' fat s'e patën dhe të tjerë

Te këmbët tona ne e gjetëm.

 

Centët e gjetur i le mënjanë

Në muaj sa bëhen t'i shoh,

Të gjithë bashkë vlerën e kanë

As sa një kafe që të ngroh.

 

ERDHI ÇASTI

 

Erdhi çasti, s'kam pretendime

U gëzohem ç'kam arritur,

E jetova jetën time

Disa shkallë duke ngjitur.

 

Për më tej s'iu kam zili

Lart n'u ngjitën shumë të tjerë

Për ç'arrita me dashuri

Më i lumturi jam ndjerë.

 

Po më bren veç një dëshirë

Ç'ka le pas nga geni i im

Në se bëhen më të mirë

Do kap ëndrrën në fluturim.

 

TË MBIJETOSH

 

Të besës miqtë të paktë i kam

Se jeta doli nga shtrati i vjetër

E ec tani në hulli tjetër,

Të mbijetosh do jesh luan

Ose së paku të shndrohesh dhelpër.

 

KUSH E BËN LIGJIN

 

Në pyll gjithë kafshët

Nga janë e nga s'janë

Si mbret përmbi krye

Njohin veç luanë

Po mbreti, si mbret

Vetë e bën ligjin

Si ia thotë mendja

Ta bën edhe gjyqin

Të tjerët te kryet

Të vendosin kryqin.

 

NË DARDANI

 

Jo, jo unë në Dardani

Nuk kam qenë ndonjëherë,

Malli që më djeg në gji

Ndonjë ditë do më shpjerë.

 

Brenda në Prizren të Besës

Ku ndjek hapa trimërie

Bëhesh gati dhe të vdesësh

Si një trimi që i ka hije.

 

Te kull' e Jasharëve djegur

Më flet zemra:"Pa qëndro!

Në qofsh edhe zemërlepur

Shndërrohesh këtu hero.

 

Dardani - kështjellë qëndrese

Supet lart - bedenë rinuar,

T'u tha loti - pikëz vese

Njëqind vjet e dëshëruar.

 

ERA E MORAVËS

për M.

 

Erë e Moravës sa lehtë fryu

E puthi flakën e një qiriu

E desh të terë një lot te syri

E desh të zbutë dhimbjen te gjiri

E desh mermerin për ta flladitur

Të sjellë më afër vitet e fikur

Dy emra në një vend skalitur,

Kët' zverdhje gushti duke ikur

Si medalion i verdhë hëne

Plazmuar në kujtesën tënde...

 

NË PLAYA CALETA - KUBË

 

Në Playa Caleta dorë miku

Nga toka kubane na u zgjat,

E zemra dallgë Atllantiku

I ngriti për miqtë e pafat.

 

Zoti Kubën e mban me hatër

Me gjelbërimin gjithëvjetor,

Veç jeta lind e ngrys e varfër

Zemërduruar, shpirt paqësor.

 

Një buzëqeshje të valë tropiku

Dhe një "Ola!" shqiptuar ëmbël

E dalë nga një zemër miku

më shfaqen shpesh tani në ëndërr.