Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Mirush Kabashi: Sokrati bashkudhtari im i përjeshtshëm

| E shtune, 01.03.2008, 05:34 PM |


Mirush Kabashi
Është një nga shfaqjet e cila u ngjit në skenë teatrore në vitin 1997. Pasi ka shëtitur në shumë teatro brenda dhe jashtë vendit dhe është kurorëzuar me shumë vlerësime dhe çmime monodrama “Apologjia e vërtetë e Sokratit” mbërrin në shfaqjen e 100 të saj. Ashtu si kur u shfaq premierë për herë të parë edhe gjatë këtyre ditëve ajo është prezantuar me sukses në skenën teatrore. Mirush Kabashi aktori i cili bëri që Sokrati të flasë shqip në skenën shqiptare tregon emocionet që ka marrë nga monodrama, duke mos harruar të flasë edhe për mesazhin që ajo përcjell.

Shfaqja e 100 e Sokratit në Teatrin Kombëtar si ndiheni nga ky fakt?

Për mua qe një kënaqësi shumë madhe që mes miqve dhe dashamirësve, së bashku me trupën të festonin mbërritjen e shfaqjes të 100 “Apologjia e vërtetë e Sokratit”, e cila pa dritat e skenës në qershor të vitit 1997. Pavarësisht nga peripecitë apo nga sukseset, ne gjykuam që numri i saj i 100 të bëjë një stacion atje ku ke një të drejtë morale për të kthyer kokën dhe për të parë se ç’është bërë me këtë shfaqje. Në natën e parë të saj salla ishte mbushur plot me spektatorë dhe ndoshta shumë nga ata e kishin parë edhe për herë të dytë, gjë e cila tregonte se kjo shfaqje jo vetëm e ka dhënë mesazhin e saj, por ky mesazh është mirëpritur nga shikuesit dhe ka bërë funksionin e tij. Natyrisht që për të gjithë krijuesit, por edhe pjesëmarrësit e kësaj trupe, e cila nuk përbëhet vetëm nga artistët Alfred Bualoti dhe Domenika Ndreca për momentin pasi në këto minirole më parë kanë qenë edhe artistë të tjerë, por njëkohësisht kam pasur fatin që në prapavijë të kem mjeshtra të skenës siç është Tocja, Luani, por në mënyrë të veçantë dua të theksoj Genc Resulin i cili ka fiksuar me kamerën e tij momente nga e gjithë kjo histori e shfaqjes, ne patëm me të vërtetë një kënaqësi shumë të madhe dhe ishin një shpërblim i madh për ne duartrokitjet e shfaqjes.

Në shfaqjet teatrore radhë vijnë politikanët, ndërsa në natën e parë të shfaqjes “Apologjia e vërtetë e Sokratit” ishin edhe figura të njohura të politikës shqiptare. Si e vlerësoni këtë fakt?

Në këtë shfaqje unë i kam ftuar që të tre këto personalitete: presidentin Bamir Topi, zv/kryeministrin Gazmend Oketa, kryeparlamentaren Jozefina Topalli sepse një pjesë tjetër e politikës duke filluar me kryeministrin e sotëm apo me presidentin Mejdani, Moisiu, mikun tim Fatmir Mediu, apo babain e politikës Sabri Godo, Fatos Nanon, Zhani Ciko etj, unë kam pasur fatin që ti kem në shfaqje që në vitin 1997. Nuk kam pse ta fsheh që pjesëmarrja dhe duartrokitjet e tyre kanë qenë një stimulim jo i pakët për shfaqjen. Më vjen shumë mirë që një pjesë e politikës e kanë kuptuar mesazhin e veprës që është një pasqyrë, e cila të fokuson për të pasur përgjegjësinë e jashtëzakonshme të postit që ke, për ta shfrytëzuar atë post që ke në shërbim të popullit, sepse në të kundërt çdo lloj abuzimi që bëhet me detyrën dhe që nuk i kushton pak demokracisë dhe kombit ai është i destinuar që të ketë një kosto të rëndë në dinjitetin e personave që kanë besimin popullit për ti pasur këto poste. Në këtë aspekt ata nuk e kanë kuptuar si një sfidë, se sa e kanë kuptuar si një kontribut të artit dhe të kulturës në shërbim të mbarëvajtjes së demokracisë. Por në këtë shfaqje nuk janë në kritikën e saj vetëm klasa drejtuese, pasi shumë nga mesazhet e Sokratit janë edhe për popullin, i cili duhet të kuptojë se një sistem demokratik nuk nënkupton vetëm fokusimin ndaj të mirave apo probleme vetjake dhe familjare. Por, secili nga anëtarët e një shoqërie demokratike duhet të mbajë edhe peshën e përgjegjësisë që ka për të protestuar ose për të kontribuar në mbarëvajtjen e demokracisë nëpërmjet votës, referendumeve, protestave, manifestimeve dhe solidarizimit sa herë të konstatojë fenomene që shoqëria gjykon ti mbështesë apo fenomene që janë abuzuese dhe cënojnë mbarëvajtjen e demokracisë. Pra në këtë aspekt, shfaqja është një këmbanë alarmi për të gjithë shoqëritë demokratike, duke filluar nga poshtë deri tek udhëheqësit e tyre për të zbatuar rregullat dhe ligjet e demokracisë.

Duke parë vlerësimin e publikut si dhe vlerësimet në shumë festivale a e kishit menduar kaq të suksesshme këtë shfaqje?

 Të jem i sinqertë jo. Kjo shfaqje nuk është përgatitur me ambicien për të qenë një shfaqje e suksesshme. Kjo shfaqje nuk është përgatitur vetëm nga unë, pasi në vitin 1997 ka qenë një bashkëpunim i ngushtë edhe me regjisorin Gëzim Kame dhe skenografin Agim Zajmi me qëllimin për të dhënë një kontribut qytetar për ngjarjet e vitit 1997 që tronditën nga themeli demokracinë, shoqërinë dhe kombin tonë. Në vazhdim u pa që kjo këmbanë, e cila do të jetë gjithmonë tingëlluese në aspektin e tërheqje së vëmendjes nga abuzimet që mund të bëhen nga të gjithë elementët përbërës të një shoqërie demokratike, u kuptua që kjo shfaqje cila është tematike dhe me mesazhe të forta demokracie duhet të ketë ekzistencën e saj në mënyrë të veçantë në një periudhë tranzicioni, por edhe më gjerë. Këtë unë e them jo vetëm nga vlerësimet, por nga fakti që me këtë shfaqje në vitin 1997 kemi hapur sezonin teatror pas disa muajsh të tmerrshëm në shumë teatro të qyteteve të vendit. Sapo jemi kthyer nga Kajro ku shfaqja u vlerësua, ne shkuam drejt e në Vlorë dhe në shtator kur akoma ishin bandat sheshit dhe kërcisnin kallashnikovët, ne kemi bërë shfaqje në sallën e teatrit të qytetit. Atje shumë njerëz janë takuar për herë të parë pas disa muajve ngujimi në shtëpi. Në atë kohë intelektualët vlonjatë e vlerësuan shumë, dhe gjetën disa lule për t’iu gëzuar shfaqjes, por edhe rifillimit të jetës shpirtërore të qytetit. Pas Vlorës në atë vit të vështirë ne kemi bërë një turne të gjatë me këtë shfaqje, duke shkuar në Fier, Korçë, Elbasan, Durrës, Shkodër. Më pas mbi bazën e kërkesave ne u rikthyem edhe njëherë të gjithë qyteteve të vendit. Por unë dua të them, që pas natës së fundit në Teatrin Kombëtar ne sërish jemi të ftuar ditën e mërkurë dhe të enjte në Shkodër dhe për mua kjo është kënaqësi.

Pas suksesit në Shqipëri, “Apologjia e vërtetë e Sokratit” në vitin 2003 u shfaq edhe në teatrin e Prishtinës. Cilat ishin emocionet që morët në atë kohë?

Për të folur për emocionet unë ndoshta do ta kisha pasur më të lehtë që t’ju kisha treguar titujt e gazetave. Prishtina e ka pritur në mënyrë superiore shfaqjen. Pas 15 viteve që teatri kishte kaluar një krizë, në atë kohë biletat kushtonin 5 euro ishin të shitura të gjitha për një monodramë, por në atë shfaqje erdhën dhe shumë intelektualë që për fat të keq kishin vite që nuk shkelnin në teatrin e Prishtinës, për arsye të veprave jo shumë me vlera që kishte servirur ai teatër. Në këtë kohë përveç personaliteteve kosovare në shfaqje erdhi edhe Kushneri, i cili në atë kohë ishte përfaqësuesi më i lartë i UMNIK. Por shfaqjen “Apologjia e vërtetë e Sokratit” unë e kam vënë me trupën atje, ndërkaq unë isha në pozicionin e regjisorit dhe luajta sërish vetë. Shfaqja që u dha në atë kohë në Kosovë ishte në një koncept pak tjetër në krahasim me këtë të Tiranës. Pas Prishtinës me “Apologjinë e vërtetë të Sokratit” ne bëmë një turne edhe në qytete tjera të Kosovës. Më kujtohet që në atë periudhë unë ngula këmbë që të shkonim të bënim shfaqje dhe në Mitrovicë, me gjithë zërat e shumtë që më kundërshtonin unë pata fatin që në atë sallë që quhej “Sandër Prosi” të kem mbi 100 spektatorë. Eksperienca e Sokratit në Kosovë ka qenë shumë e mirëpritur dhe të them të drejtën, fill pas e dhashë në Tiranë e kam pasur si ëndërr që këtë eksperiencë monodrame të parën në historinë e Teatrit Kombëtar shqiptar ta prezantoja edhe tek publiku artdashës kosovarë.

Flisni me shumë entuziazëm për Kosovën, por a keni menduar që të riktheheni sërish me Sokratin atje?

Kam pasur ftesë, por të jem i sinqertë unë po përgatis prej disa vitesh një pjesë tjetër monodrame. Por do të gjykoja, pas Shqipërisë me këtë monodramë të cilën do ta përgatis me trupën teatrore të Durrësit sepse Bashkia e qytetit do të na mbështesë financiarisht, mendoj se stacioni im i parë do të jetë Kosova, aq më tepër në kuadrin e kësaj ngjarje të madhe si pavarësia që patëm fatin ta jetojmë.

Shumë çmime dhe vlerësime për shfaqjen në shumë festivale dhe teatro, por cili ka qenë një prej tyre që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Unë sinqerisht nuk mundem që të veçoj ndonjë prej tyre, pasi janë shumë shprehje të personaliteteve të kulturës dhe politikës shqiptare. Por në mënyrë të veçantë më kanë bërë përshtypje vlerësimet e shtypit të huaj apo intervistat, që i janë bërë personaliteteve të kulturës në festivale ndërkombëtare ku shfaqja “Apologjia e vërtetë e Sokratit” ka pasur fatin që të jetë pjesëmarrëse. Shfaqja ka qenë pjesëmarrëse në dhjetëra aktivitete ndërkombëtare të germës A ku eksperienca shqiptare ka qenë për herë të parë. Në këto pjesëmarrje ajo është vlerësuar.

Deri tani nga ajo që keni marrë me monodramën, gjykoni se do të vazhdoni sërish me të megjithëse është pak e vështirë?

Fakti që u bënë 100 shfaqje dhe në këtë eveniment të 100 salla e teatrit u mbush plot, kjo gjë tregon që publiku ka etje për ta parë. Në këtë aspekt veprat e artit në jetëgjatësinë e tyre janë të varura në raport me predispozitat e spektatorit për ti konsumuar. Nuk mund të them se do ta ndërpres shfaqjen, por sa herë që mua do të më thërrasin për ta dhënë sërish këtë shfaqje, dhe pas 10 apo 20 vjetësh, unë do të jem gjithmonë i gatshëm. Sokrati ka gjithmonë për ti thënë të gjitha kohërave shumë mesazhe të forta, të dobishme, të bukura dhe artistike. Por, natyrisht së bashku me predispozitën që Sokrati të jetë një pjesë pandashme e repertorit tim personal, unë do të angazhohem edhe në aktivitete të tjera artistike që fillojnë nga dramat, filmat, aktivitete të tjera artistike për të arritur tek synimi im, për të bërë sërish një monodramë si ajo e Sokratit që për mua ka pasur një fat historik dhe artistik teatror.

Gazeta Sot