E premte, 19.04.2024, 06:05 PM (GMT+1)

Mendime

Kristo Zharkalliu: Ben Blushi bën ....shaka..

E enjte, 05.01.2012, 08:57 PM


Ben Blushi bën ....shaka..

 

Nga Kristo Zharkalliu

 

Kisha dëgjuar e lexuar në shtypin shqiptar se Ben Blushi, pa pritur e pakujtuar, la zyrën e ministrit socialist dhe kaloi në fushën e letërsisë. Madje në atë të historisë. Duket, dikush, ndonjë lajkatar kur ai qe ministër, me qëllim që ta hiqte qafe nga politika, i tha se kishte talent dhe jo vetëm talent por edhe...njohuri historike.

Duket se ai u lind me këto njohuri se, si duket nuk e pati nevojë, ose nuk e bëri kabull të lexojë ose studjojë historinë e kombit shqiptar! Duhet pranuar si burrat! Historia shqiptare kishte mangësi dhe të pavërteta të mëdha dhe erdhi zoti Ben që t’i vërë punët në terezi...

E pohoj, me keqardhje se nuk i kam lexuar librat historike të Benit...Për këtë nuk mund të mos pranoj se jam pak injorant dhe prapa botës. Akoma nuk kisha marrë vesh se historia shqiptare ka hyrë në binare të reja, bashkëkohore që kanë të bëjnë me “hapjen” e Shqipërisë dhe me...globalizmin! Ne, që në bankat e shkollave, mësonim se Gjergj Kastrioti (Gjergji ynë si e quan Kadareja!) na paskej qënë hero i madh dhe udhëheqës luftarak kundër otomanizmit dhe këtë e bëri për 25 vjet rresht! Të gjitha këto nuk ishin veçse propagandë...komuniste dhe kjo se pas Skënderbeut donin të na paraqisnin si pasardhës diktatorin...Hoxha! Më vonë lexonim Barletin,Naimin, Nolin e shumë të tjerë dhe nuk i kishim rënë hilesë se po na mashtronin, se duket ishin...komunistë të gjithë (përveç Naimit që donin ta ndalonin se kishte qënë bej!)! Ashtu dhe shumë të huaj që kishin ngritur kaq lart figurën e Skënderbeut ose ishin mashtruar nga propaganda e Lek Dukagjinit, ose vetë donin të mashtronin popujt e tjerë.. Që të mos jemi të magët vetëm sërbët e kishin në terezi përderisa e paraqesnin Skëndërbeun si një kapedan lokal, ose si një sërb i kulluar! (Jo më kot është folur kaq shumë për prejardhjen e Vojsavës!)

Ja pra ku lindi ylli i ri i historeografisë shqiptare...Ky është Beni ynë (më sa di është nga Korça, bashkëqytetari im!) i cili vendosi se duhej rishkruar historia e shqiptarëve dhe aty për aty i u vu punës. Në radhë të parë, duke kujtuar Dhjetorin kur kishin rrëzuar monumentet e diktatorit Enver, ku ai, mirte pjesë fuqimisht (si na thotë) mendoi se duhet patjetër të shëmben edhe monumentet e Skëndërbeut! Por Beni nuk është kaq naiv sa të fillojë drejtpërdrejt nga këto monumente...Atij, halë në sy i kishte qëndruar monumenti i Luftëtarit Kombëtar në sheshin e Korçës... Ma merr mëndja se ai ka gisht në këtë punë, kësisoj ky monument u hoq e u rihoq nga vendi i tij deri sa u degdis në ndonjë depo të bëjë shoqëri me bustet e Hoxhës... Ai filloi t’i sulet Gjergjit (tonë) në mënyrë dredharake, duke shkruar një libër ku ngre në qiell krishtërimin e Bizantit,(Zoti na ruajt!) ose më mirë ku paraqiti dhe Skëndërbeun dhe familjen e Kastriotëve pjesë përbërëse e kësaj perandorie të shëmtuar... Si mund të quhej shqiptar një “feudal” lokal verior që u detyruaa nga Sulltani t’i jipte të katër djemt e tij pengj? Po të kishte qënë Beni ynë, patjetër do t’i kishte thënë Sulltanit:”Hajde shporru nga trojet shqiptare! Unë po bëj Shqipërinë dhe nuk kam kohë të mirrem me ty!” Por mjerisht Beni u lind pak vonë. Prapë mirë se pa të nuk do të ishte shëmbur as diktatura komuniste! Ai ishte atje në Dhjetor, ai shkruante në gazetë kundër komunizmit duke i kallur tmerrin Ramiz Alias...

Beni u bë një nga “liderët” e Partisë Socialiste, e nuk i shkonte për shtat të vinte prapa Saliut. U bë dhe ministër, si thamë më lart. Me ministra të tillë Shqipëria përparoi, aq sa popullsia e saj u gjysmua, por gjithsesi përparoi. Kur Beni pa se ja kishte arritur qëllimit në politikë, i u kthye letërsisë dhe historisë. Duheshin vënë punët në vend dhe, kryesorja të mos linte Kadarenë të mirte çmimin Nobel, por ta mirte ai si shkrimtar i madh që na qënka.. Kësisoj ai mori përsipër të rishkruajë historinë e shqiptarëve!

Me fjalë të tjera kishte vendosur të çudiste botën!

Dhe mund të themi se ja arriti. Librat e tij-sidomos atë për “zhveshjen” e Skënderbeut nga çdo meritë kombëtare, dhe errësimin e plotë të figurës së Ali Pashë Tepelenës..

Libri i tij u përkthye dhe u botua në Greqi. (Si nuk e mora vesh dreqi e mori? Do të kisha shkuar dhe unë në paraqitjen e librit dhe do të më ishin hapur sytë...!) Duket se bëri bujë në Greqi. Ose i befasoi...se edhe ata, grekët, kishin besuar se Gjergj Kastrtiotis kishte qënë një udhëheqës i madh dhe hero kombëtar i shqiptarëve. Në Greqi janë shkrojtur me dhjetra libra për Skëndërbeun. Aq sa Kollokotronis pohon në kujtimet e tij, se gjatë gjithë jetës flinte me historinë e Gjergj Kastriotit nën jastëk....

Nuk e di në se pagoi për përkthimin dhe botimin e librit të tij greqisht që të mësojnë dhe fqinjët se sa mëndjendritur na qënka Beni socialist, apo ja përktheu dhe ja botoi ndonjë shtëpi botimi që e ka zakon të nxjerrë në dritë libra që mohojnë ekzistencën e kombit shqiptar si rrjedhojë dhe shqiptarizmin e Gjergj Kastriotit, ashtu si quajnë dhe Ali Tepelenën turk satrap, por është e qartë se edhe grekët, ata syleshët si unë, u zunë në befasi nga ky ndryshim i papritur i historisë së Arbërit. Nuk është rastësi që televizioni shtetëror i Athinës (ERT) dërgoi një ekip të posaçëm në Tiranë që të “kuvendojë” dhe të mësojë “të rejat” historike që na paska “zbuluar” Ben Blushi...Mjerisht edhe këtë emision unë e pashë me vonesë, ashtu si vijnë zakonisht lajmet nga Shqipëria tek unë. U desh greva e gjatë e punonjësve të televizionit grek, që të ritrasmetojnë bisedën me Benin me qëllim që të mbushin kohën që s’kanë si ta plotësojnë në mungesë të lajmeve dhe të emisioneve informuese të freskëta.. Megjithatë nuk mund të them se nuk më bënë të ndihem “krenar” që një bashkqytetari im “shkrimtar” bëhet objekt kurreshtjeje, gjë që nuk i ka ngjarë as edhe Ismail Kadaresë... Por Ismaili është i moshuar dhe nuk mund të bëhet yll televiziv si ndodh me Benin, i cili është i ri, i gjatë dhe i bukur me një kokë plot me ide të çuditëshme, të cilat as gazetarët grekë mund t’i honepsin...

Biseda u bë në Tiranë, Durrës e Vlorë, atje ku kishte kryer aktin e tij “historik” Ben Blushi. Fliste për veten e tij-vetëm për veten e tij, për heroizmat e tij të Dhjetorit, për kohën kur u bë ministër dhe së fundi kur vendosi të “trondisë” botën, duke ja kaluar dhe atij, amerikanit Xhon Rid! .. Grekët, të cilët dukeshin të brengosur për çështjen e Skënderbeut- ata e duan dhe e nderojnë heroin shqiptar dhe këtë po u a prrish Beni shqiptari- ngulnin këmbë pse ai ka nënvleftësuar figurën madhështore të Gjergj Kastriotit duke e paraqitur si një feudal ambicioz që donte të fitonte për veten e tij luftë..

“Ne jemi rritur duke besuar se Skënderbeu ishte një prijës i madh që luftoi me shqiptarët e tij kundër perandorisë anadollake turke dhe se sa rrojti ai i fitoi- tha me naivitet gazetarja greke- ashtu si besojmë se çdo shqiptar e ka dashur dhe është frymëzuar nga luftrat e tij kundër otomanëve. Tani ti na thua se ai luftoi me qëllim që të sundonte vetë si një feudal i rëndomtë dhe se nuk kishte kurrsesi qëllim që të bënte një shtet shqiptar..”

Beni ynë buzëqesh me ironi për naivitetin e grekëve dhe të shqiptarëve.

“Gjegj Kastrioti- thotë ai- ishte pasardhës i perandorisë bizantine dhe si i tillë luftoi kundër turqëve dhe jo si shqiptar. Ai ishte pjellë e Bizantit, si ishte dhe familja e tij dhe përpiqej t’i jipte një vazhdimësi perandorisë bizantine.. Sigurisht ai luftoi kundër turqëve, duke vënë të gjithë krerët shqiptare nën sundimin e tij, por në fund ç’fitoi? Unë them se ai askurrë nuk ja arriti qëllimit të tij...Ai nuk mundi të krijojë një shtet shqiptar, nuk mundi të fitonte pavarësinë e Shqipërisë si ndodhi me grekët dhe sërbët që me kryengritjet e tyre krijuan shtetet e tyre. Si rrjedhojë ai dështoi në luftën që bëri...”

Të dy gazetarët grekë mbetën gojëhapët si guakë nga kjo logjikë “ e padiskutueshme” të shkrimtarit-historianit socialist shqiptar! Si mund ta kundërshtonin? Dhe, në fund të fundit, pse ta kundërshtonin? Megjithatë nuk mund të mos bëlbëzonin me mëdyshe:

“Na duket se ishte shpejt, por përderisa e thoni ju... Po Ali Pashë Tepelena ç’kusur pati që i u sulët dhe atij? Pse nuk e latë rehat në dy varret e tij? Askush nuk ka thënë se ai donte të bënte një shtet shqiptar me kuptimin e sotëm, por ai luftoi kundër turqëve...”

“Ali Pasha nuk donte të shkëputej nga Perandoria otomane- i siguron Beni- Ai donte të krijonte një krahinë brënda perandorisë, nën kthetrat e Portës së Lartë. Nga ana tjetër ai nuk i ndihmoi aspak shqiptarët por mund të themi se ndihmoi revolucionin grek me aktet e tij. Është e qartë pra se ai ndihmoi më shumë grekët se sa shqiptarët, por kjo s’don të thotë se nuk ishte një pasha fanatik mysliman që përpiqej për veten e tij....”

Tha dhe gjëra të tjera zoti Beni, sidomos për islamizimin e shqiptarëve. Foli dhe për emigrantët shqiptarë për miqësinë e dashurinë e ndërsjellë (!) të të dy popujve. Që ta thotë ai me kopetencën që e karakterizon kështu duhet të jetë. Por unë, me mirëkuptim të plotë ndaj Benit, dua të komentoj disa gjëra që na brengosin. Mos vallë bën gabim (padashur patjetër”!) kur thotë se Gjergj Kastrioti kishte pasur lidhje me Bizantin (Perandorinë Lindore, quhej!) Ai dhe familja e tij, si i gjithë veriu ishin katolikë dhe kishin më shumë lidhje me Papën se sa me Patriarkun e Stambollit. Kjo u faktua dhe më vonë kur ai u lidh me Napolin e me Papën Arbëria ishte në skajin perëndimor të Perandorisë Lindore, prandaj shqiptarët mbanin lidhje si me lindjen ashtu dhe me perëndimin (ashtu si ngjau shumë më vonë me “kampin socialist” por Enveri nuk kishte zgjuarsinë të lidhej me perëndimin...) Mos bën gabim kur krahason dy epoka të largëta kohore, kur thotë se si grekët dhe sërbët krijuan shtetet e tyre?.

More tutkun (megjithë respektin që kam për ty!) kur u krijuan këto shtete të cilat ti i ke zili dhe akuzon Gjergjin se nuk bëri të njëjtën gjë? Si nuk mendove se kur Gjergji ynë u ngrit me shqiptarët e tij, perandoria otomane ishte në kulmin e fuqisë së saj, kur asnjë shtet nuk mund t’i kundërvihej, madje ai e bëri Shqipërinë e tij barrikadë që të mos mundnin turqit të kalonin detin dhe të hidheshin në Itali? A ishte e mundur që ai të krijonte një shtet shqiptar që të mund të mbijetonte në zëmër, ose në thëmbër të perandorisë së tmerrëshme anadollake? Megjithatë ai u qëndroi hordhive të osmanllinjve rreth tridhjet vjet, por ajo që kishte më shumë rëndësi ishte se e gjithë bota mësoi për popullin e arbërit, për qëndresën dhe heroizmin e tij. Nuk ishte rastësi që në shumë vende janë ngritur monumente për nder të tij dhe në muzeun e Vjenës krenohen me shpatën dhe përkrenaren e tij ku shkruhet: “Skëmderbeu, mbret i shqiptarëve...” dhe ai nuk ishte shpallur mbret si do bënte pesë shekuj më vonë matjani Ahmet Zogu... Por kryesorja është se Ben Blushi bën një krahasim qesharak: nuk e di ai se kur u ngritën grekët dhe sërbët kundër turqve dhe krijuan shtetet e tyre kishin kaluar afro katër shekuj që në kohën e Gjergjit tonë, dhe perandoria otomane kishte filluar të shthurrej? As këtë nuk e di apo me qëllim hedh baltë kundër heroit shqiptar?!! Aferim të qoftë ore Beni ynë...Nuk do të mbroj Ali Pashën, për të cilin ai nuk la gjë mangët, dhe besoj se historianët shqiptarë dinë t’u përgjigjen fallsifikatorëve mëndjemëdhenj.

Dhe padashur më vjen ndërmënd Klubi i Selanikut i Çajupit dhe dua të therras:

T’u thaftë ajo gojë or Be(u)ni ynë! Të hëngërtë goja një m..(çensura...).or Be(u)ni ynë! Dhe së fund një këshillë të vogël: kthehu në politikë. Ka të ngjarë që socialistët të të bëjnë Kryetar. Ngaherë në krye të politikës shqiptare, dallkaukët si ti bëjnë çudira. Lëre rehat historinë...Shpëto Shqipërinë!

 

21-12-2011, Athinë

 

* Emigrant i fillimviteve ’60-të

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora