E hene, 15.08.2022, 01:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Kalosh Çeliku: Babadimri e “pushtoi” Kumanovën para Vitit të Ri 2012

E enjte, 05.01.2012, 08:59 PM


BABADIMRI E “PUSHTOI” KUMANOVËN

                   PARA VITIT RI 2012

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Babadimri me thesin plot “dhurata” në shpinë e “pushtoi” Kumanovën para Vitit Ri 2012. Nuk  kishte hipur në sajë si zakonisht duke e tërhequr drerët, po kësaj radhe i kishte hipur në shpinë Rosinantit të Don Kishotit. Përjashtim, kishte bërë nuk e kishte marrë me vete vetëm Sanço Pançon, po edhe Dylqinenë e Tobozës që e kishte fituar me luftë gjatë një dyluftimi të përgjakshëm me luanët antik, në Bit - Pazar.

Rrugën e “pushtimit” moti ia kishte hapur Edi Rama me librin e tij “Kurban”. Erdhi nga Tirana në Prishtinë. Portat e Muzeut Kosovës, Teatrit të fëmijëve dhe Universitetit të Tetovës ia hapën krah më krah Kalorësit e arratisur neokomunistë. E “pushtoi” pa luftë pas Prishtinës edhe Shkupin e Tetovën. Don Kishotët dhe Sançot tanë, të frymzuar me dyluftimet e këtij Kalorësi të arratisur, pse edhe këta me thesin me libra në shpinë para Vitit Ri të mos i sulen Kumanovës heroike. Vatrës së krizës të luftës popullore të 2001 –shit. U hipën në shpinë Rosinatëve dhe gomarëve me samarë, i thirrën shokët e luftës: sonte do t’i biem Kumanovës. Qytetit tonë heroik, që shkau ende e mbanë nën këmbë.

I nxorrën armët e luftës mbi tavolinë, e ngritën zërin e kushtrimit: ne gjallë e Kumanova heroike nën këmbën e shkaut, kurrë! Thanë e çka nuk thanë atë natë. E lëvduan njëri - tjetrin si trima lufte, që nga koha famoze komuniste e dri më sot në këtë “demokratike”. I shanë partitë politike shqiptare, institucionet shqiptare që asgjë nuk kanë bërë për Kumanovën, në krahasim me këta kalorës të arratisur që e kishin vënë veten në “rrezik” brez pas brezi për zgjidhjen e çështjen shqiptare… Prandaj, kishin qenë të detyruar natën duke u maskuar si Babadimra në një rastorant t’i bien Kumanovës heroike me armë në dorë.

Gjithë natën hëngrën e pinë si “çlirimtarë e fitimtarë” lufte. Në fund, pasi e bënë me lëvdata e fjalë Shqipëri Etnike edhe u fotografuan krah për krahu para kamerave televizive si “komandantë” lufte.  Gjysëm të dehur qafë për qafe me lotë ndër sy e  puthën edhe flamurin kuqezi.

Edhe them vetmevete: patriotët e vonuar kuqezi nuk e dinë kur është mjaftë me këto “flijime artistike”. Dhe, fund i dyluftimeve të zjarrta nëpër restorante fytas me shkaun. Përmëtepër, disa herë i them vetes se është humbje kohe, nuk do të merrem më me këta kalorës të arratisur. E sidomos pas frymëzimeve të dy librave të mi me publicistikë letrare: Xhadia (2011) dhe Rrufjani (2012).

Dhe, mu kur e marr vendimin, kalorësit e arratisur përsëri me dyluftimet e tyre për liri ma provokojnë pas gardhit dhe kënaqin lapsin. Edhe atë, plasa së qeshuri nga kurrizi me heroizmat e tyre para kamerave televizive për Shqipëri Etnike. Përditë e shoh se, është dalldisje kohe të merresh me këta kalorës të arratisur. Shkaku se, i bëra të pavdekshëm si personazhe nëpër libra. E ata, kurrsesi të pushojnë së vepruari një ditë me dyluftimet e tyre heroike për Dylqinenë e Tobozës.

Fatkeqësisht, nga beteja në betejë për fitore u pri Don Kishoti Shqiptar. Sanço Pançon edhe atë e ka pas me vete mbi gomar në çdo betejë në rolin e Babadimrit. Kësaj radhe, siç thashë më lartë vendosin t’i bien Kumanovës. Fytas të rroken me Bajlozin e Zi, që ka dalë nga deti dhe e kërkon për nuse Dylqinenë e Tobozës. Gjatë një nate i nxjerrin nga brezi të gjitha armët e ftohta e të “zjarrta” artilerike. Sulm nga toka e qielli. Gjakun për liri e derdhin përrua deri në gju, sa përpak në atë betejë të përgjakshme përpak desh u mbyt edhe Rosinanti. Dunkishoti Shqiptar, nuk pati rrezik notoi matanë Vardarit deri te kabineti i “Babait”. Babadimri me thesin e “dhuratave” në shpinë, kujtoi kohën e “artë” komuniste kur i madh e i vogël e prisnin te sheshi “Makedonija” të zbresë nga qielli me helikopter. Shpërblimet që ia jepte ai sistem me dy-tre vende pune në redaksi: gazetar me profesion të lirë, redaktor i revistave letrare, përgjegjës i edicionit të botimeve… Edhe gjatë ndryshimeve demokratike si “mik besnik i Abazit” me poste politike: drejtor i fondacioneve “humanitare”, zv.drejtor i RTVM -së, zëdhënës besnik i Qeverisë neokomuniste nën hije në qiellin e hapur…

Sanço Panço “shqiptar” edhe sot si dje e ndjek nëpër beteja Don Kishotin Shqiptar. Herë pas here gjatë rrugës pas çdo beteje edhe e pyet “komandantin”, se: kur do t’ia japë shpërblimin e premtuar si krah lufte. Don Kishoti Shqiptar pa i zbritur Rosinantit i përgjigjet: pasi Dylqinenë e Tobozës ta sjellim me koçi nuse në shtëpi. Tashti, Sanço Panço i kënaqur me përgjigjen, i lumtur i kërcen gomarit në shpinë.

Beteja e përgjakshme për liri tashti zhvillohet jo në Tanushë, po në Kumanovë mes livadheve të Likovës. Don Kishoti Shqiptar, kur e sheh ushtrinë e armikut këmbëkryq nën çadrat ushtarake gjatë pushimit duke i pastruar armët e lufës, turrevrap me Rosinantin e ngre shpatën famëmadhe në dorë për luftë:

- Sanço, vrik thirri shokët neokomunistë! Sulm mbi armikun e pabesë, që përgaditet pas shpine t’i bie Kumanovës!

- O imzot Don Kishot Shqiptar, mos u ngutë t’i nxjerrësh armët nga brezi! Nuk është ushtria e armikut, po Bariu i staneve me tufën e deleve.

Don Kishoti shqiptar nuk e dëgjon bashkëluftarin, po i sulet kopesë së deleve me shpatë në dorë. Kërdi bën mbi ushtrinë e armikut. Përderisa, Bariu i staneve nuk e zdep çotek me kërrabë. Mezi e shpëtoi Sanço Panço, përsëri e hipi mbi kalë plot plagë.

Rrugës mes maleve Don Kishoti Shqiptar në një lëndinë i sheh se si i kanë ngritur çadrat edhe Ushtrtia e Bajlozit Zi. Pa një pa dy i bërtet Sanço Panços me shokë:

- Sulm mbi ushtrinë barbare!

- Imzot, nuk është Ushtria e Bajlozit Zi, po Enciklopedia maqedonase!

Don Kishoti Shqiptar nuk e dëgjoi përsëri Sanço Pançon, po me të gjitha forcat i sulet Ushtrisë barbare të Bajlozit Zi. Sanço Panço, kësaj radhe me duar vetëm i mbylli sytë. Dikur, kur i hapi e pa komandantin e tij bythekrye në mes të lëndinës. E kishin zdepur çotek kakademikët e shkieve. Përsëri turret dhe i ndihmon me plot plagë në trup t’i hipë Rosinantit në shpinë për luftë.

Kohë lufte heroike ishin ato, kur Sanço Panço me armë në brez ecte mbi gomar pas Zotëriut nga beteja në betejë për fitore. Herë pas here Don Kishoti Shqiptar edhe pse Sanço Panço nuk e dinte gjuhën shqipe e shpërblente me ndonjë plaçkë lufte: shkrimtar shqiptar në Letërsinë maqedonase, anëtar komisoni, çmim letrar…

Skandali i shekullit: Don Kishoti Shqiptar me Sanço Panço e shokë, janë të vonuar si patriotë shqiptar. Kumanovën para tyre e ka pushtuar poeti rebel Fadil Bekteshi. Përballë, këtyre kalorësve të arratisur që për arsimin dhe kulturën shqiptare deri më sot nuk e kanë dhënë nga xhepi i tyre as edhe një kafe. Edhe atë, as në kohën kur që të dy punonin në një redaksi komuniste. Dallimi, përderisa ky Sanço Panço shpërbleheshte me poste dhe dhurata, Fadil Bekteshi dënoheshte me përzënje nga puna. Rroga të sakatuara për çdo muaj dhe dy qese bombona t’ua dërgojë fëmijëve për Vitin e Ri, në Katund. Megjithatë, Fadil Bekteshi ka bërë më shumë se ky patriot i vonuar për Kumanovën. Fadil Bekteshi ka lënë gjurmë të thella në kulturën shqiptare, që nuk i fshin dot asnjë shtrëngatë, asnjë dëborë. E udhëhoqi me sukses vite me radhë Klubin e Shkrimtarëve Shqiptar të Kumanovës, e themeloi Manifestimin Kulturor “Jehona e Karadakut”, nxorri në dritë revistën e parë letrare të pavarur shqiptare “Doruntina”, botimin e librave…

E shi sot, Kumanova ia kthen borxhin me përurimin e kalorësve të arratisur, në rolin e Babadimrave. Në prag të Motit Madh, nuk organizoi një orë letrare përkujtimore, një çmim letrar në emër të potit rebel. Përmëtepër, Klubin e Shkrimtarëve Shqiptar të Kumanovës ta pagëzonin së paku me emrin e tij si poet i kësaj ane. Vërtetë, Klubit të Shkrimtarëve do t’i kishte hije emri i tij, ndërsa kumanovarët nuk do të humbnin kohë me përurimin e kalorësve të arratisur, po do ta lanin borxhin që kanë ndaj këtij poeti shqiptar.

Turpi, në stilin e Migjenit nuk ka kufi: “kafshatë që s’kapërdihet, o vëlla është mjerimi”/ kafshatë që të mbetet në fyt dhe të zë trishtimi”... Qeshë Poeti i gjallë në varr me “flijimet artistike” të këtyre patriotëve të vonuar kuqezi. Edhe kënaqet duke qeshur me grushtin e Migjenit, që “mu në zemër i ka ra malit që nuk bëzan”. E ai kënaqet duke qeshur si vigan legjendar.

Dhe, dikur nga zemra e plasur thotë: sa i lumtur jam mes varreve, nuk i shoh dhe dëgjoj marrëzirat e këtyre kalorësve të arratisur kuqezi, që i kanë hipur për së prapthi Rosinantit dhe gomarit për liri, Shqipëri Etnike!…



(Vota: 21 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora