E diele, 09.08.2020, 04:26 AM (GMT+1)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Gjurmë të zgjyrës dhe galerive në rajonin e Gjilanit

E merkure, 04.01.2012, 08:57 PM


Gjurmë të zgjyrës dhe galerive në rajonin e Gjilanit

Nga Qazim Namani

Rrethina e Gjilanit është shumë e pasur me xehe. Në viset e Karadakut ekzistojnë rezerva të mëdha të xehes së hekurit, e cila është eksploatuar qysh nga periudha e mesjetës[1]. Është me rëndësi të theksohet se masivi malor i Karadakut (Mal i Zi i Shkupit) ishte i pasur me minerale dhe u shfrytëzua edhe në kohë më të herëshme se mesjeta.

Sipas hulumtimeve të vitit 1979, ishte konstatuar kjo gjendje; zona Pidiq – Çelik  ishte e pasur me bakër, plumb dhe zink; zona e Pogragjës, e pasur me bakër dhe kallaj; zona e Seferit, e pasur me bakër, plumb dhe zink; zona e Strazhës, me bakër, plumb dhe zink; zona e Poneshit, e pasur me bakër, plumb dhe antimon[2].

Në këto vise edhe sot i kemi dëshmitë e eksploatimit dhe përpunimit të xeheve që nga periudha e antikitetit e sidomos nga ajo mesjetare. Mbeturina të materialeve të shkrira (popullata e kësaj ane i njeh si shnakla) dhe hasen kudo rreth vendbanimeve: kalasë së Pogragjës, në Çelik- rreth vendbanimit të vjetër dhe kalasë së Resulës (vendësit e njohin edhe si “Kalaja e Rimit”), në Gllamë përgjatë vendit të quajtur “Udha e mbretit”, në Nasalë, në Zhegër, në Shpal (Kishnapole), e sidomos në Zhegoc. Prej metaloideve në zonat e lartpërmendura hasim; kaolin, magnez, shkëmbinj të leucitit, (në rajonin mes Pogragjës dhe Llofcës) etj. Nga banorët e malësisë së Karadakut përmendet posaçërisht fshati Çelik në pjesën perëndimore të fshatit Zhegër. Ky vendbanim antik, pos me kalanë dhe varrezat e vjetra, ishte i njohur edhe për nxjerrjen e metalit të hekurit deri më 1912.[3]

Rrëzë kodrave mbi vendbanimin e Vërbocit mundë të dallohen me dhjetëra gropa xehesh, ndërsa në luginën e lumit të Letnicës përveqmbeturinave të ndryshkura të gropave, gjenden edhe gjurmët e objekteve metalurgjike antike të ndërtuara buzë lumit. Gjurmë të gropave gjenden edhe në afërsi të fortesës së fshatit Terpezë dhe Cerrnicë. Gjurmë të shumta hasen edhe në jug-lindje të Gjilanit në Lololeq, te fortesa e Koprivnicës, Hogoshit, Malishevës së Gjilanit etj.[4]

Zgjyrë metalesh vërehen edhe ne fshatin Uglar, në Pogragjë, Llovcë dhe lokalitete tjera përgjatë rrjedhës së Moravës së Bincës.

Në Malin e Zi të Shkupit dhe fshatrat në komunën e Vitisë, zgjyrë metalesh ka edhe përgjatë rrjedhës së lumit Gërncar-Letnicë, në Dubëlde, Bincë mbi lagjen e Shushve, në Gashicë gjatë rrjedhës së lumit, Pozhoran e fshatëra tjera.

Në zonën tjetër me vendbanime të vjetra dhe të pasura me minerale dhe monumente të shumta në malet e Zhegocit, dallohet edhe lugina në fshatin Gadime, ku bëhej shkrirja e xehes[5]. Mund të pohojmë se eksploatimi i xehes në këto anë kishte filluar që nga periudha iliro-romake për të vazhduar gjatë tërë mesjetës e këtej. Në aspektin ekonomik përmendet edhe fshati Shpal (Kishnapole), i cili pos Gradinës dhe kishës së Shën Palit, ka edhe vise të pasura me xehe, të cilat po ashtu janë eksploatuar që nga periudha e hershme historike.

Se territori mes Gjilanit dhe Bujanocit ishte vend i pasur me xehe, janë dëshmi gropat dhe galeritë të cilat janë shembur që moti dhe mezi shihen, mirëpo ato janë dëshmi se që nga periudha antike e mesjetare, këto vise ushtronin një veprimtari të tillë[6].



[1]  Kosova dikurë e Sot, Beograd, 1973, fq.. 674.

[2]  Rasim Rexhepi, Seferi ndër shekuj – monografi, Gjilan 2005, pp. 13-14.

[3] Faik Sahiti, “Dorëshkrim”, “Monografia e Gjilanit”, Gjilan, 2011

[4] Emil Çershkov, ‘Romakët në Kosovë dhe Monicipiumi D.D. Soçanicë”, Prishtinë, 1973, fq. 31

[5]  Tefik Zymberi,“Dielli nuk vritet“, Gjilan 2002, fq. 35. J. Osmani, Vendbanimet... op cit fq. 176.

[6]  Dr. Emilj Čerškov, “Romakët në Kosovë dhe municipiumi D.D. te Soçanica”, Prishtinë 1978, pp. 51-52.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora