E enjte, 28.03.2024, 01:39 PM (GMT)

Kulturë

Flasin këngëtarja Aurela Gaçe dhe gazetarja Rudina Xhunga

E marte, 03.01.2012, 06:30 PM


Jemi krenare që jemi nga Labëria

 

Albert ZHOLI

 

Këto ditë Shoqata Atdhetare, Kulturore “Labëria” festoi 20 -vjetorin e krijimit. Duhet thënë se kjo shoqatë është shoqata më aktive në vend për aktivitetet me karakter kombëtar, por edhe artistik. Grupet labe janë të ftuar në të gjitha koncertet brenda dhe jashtë atdheut duke përçuar këto këngë anë e mbanë globit, duke justifikuar tërësisht vlerësimin e dhënë nga UNESCO. Shoqata “Labëria” në një takim të fundit vlerësoi për shumë intelektualë, këngëtarë, për punën që kanë bërë dhe bëjnë për diskutimet, botimet, me karakter kombëtar, por edhe për ruajtjen e traditës së këngëve labe dhe përhapjen e tyre kudo në botë. Midis shumë të vlerësuarve me stimuj moral “Mirënjohje e Labërisë” ishin, Ali Asllani (pas vdekjes) Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, publicistin Daut Gumeni, Nazif Çela. Grupi polifonik “Antea”, Luftar Paja (si aktor që ka luajtur në mënyrën më profesionale fshatarin lab), ku midis të tjerave ishin dhe dy femra labe, gazetarja e mirënjohur Rudina Xhunga si dhe këngëtarja po kaq e mirënjohur, Aurela Gaçe. Në këtë ceremoni ishin rreth 300 të ftuar, 6 grupe polifonike labe nga gjithë krahina e Labërisë, ishin gjithashtu politikanë, poet, shkrimtarë, akademikë, etj..  Pas veprimtarisë   bëmë për “Telegraf”, një intervistë me zonjat Rudina Xhunga dhe Aurela Gaçe.

 

Rudina Xhunga

Si ndjeheni pas marrjes së stimulit nga shoqata “Labëria” “Mirënjohje e Labërisë” me motivacion “Për emisionet speciale, korrekte, me profesionalizëm, ku vlerësohet historia, kultura dhe arti shqiptar”?

Kur pashë gjithë këta të pranishëm, me thënë të drejtën u ndjeva mirë. Këtu kishte aq shumë personalitete, sa unë mes tyre u ndjeva shumë e vlerësuar.

E kishit menduar një vlerësim të tillë?

Me thënë të drejtën, jo. Unë kam marrë pjesë në pak aktivitete të shoqatës edhe pse kam pasur dëshirë të isha më shpesh në aktivitete të saj. Por dihet puna ime si gazetare të privon nga shumë aktivitete. Me këtë nuk dua të shfajësoj veten. Aspak. Por titulli i vlerësimit më bën që të jem më e obliguar ndaj saj në të ardhmen.

Cili është mendimi juaj për shoqatën “Labëria”?

Sot më duket e tepërt të flas shumë. Por dy fjalë do t’i them. Sa herë ka pasur aktivitete me karakter kombëtar, sa herë ka pasur debate mes qeverisë për probleme, ku është cenuar sadopak identiteti kombëtar, e vetmja shoqatë që ka reaguar ka qenë kjo shoqatë. Tashmë këtë e dinë mbarë shqiptarët kudo në botë. Problemi i “Marrëveshjes për detin” me Greqinë, apo e censusit për regjistrimin e popullsisë për vetëdeklarimin e kombësisë, si reagim të parë kanë pasur shoqatën “Labëria”.

Sot theksi u vu se ju jeni labe, ky emërtim çfarë emocioni të jep?

Ndihem shumë krenare që jam labe. Ndihem plot energji. Kjo trevë ashtu si e kanë cilësuar Dritëro Agolli apo Akademiku Rexhep Qose, është treva e cila historikisht ka qenë në ballë të luftës, kur luhej me fatet e lirisë dhe pavarësisë së atdheut. Ndaj ndihem shumë mirë kur më flasin “Labja e Vlorës”.

Ndiheni borxhlie ndaj Labërisë?

Po, ndihem. Pak emisione kam bërë për këtë trevë. Kjo për vetë faktin sepse shoqata s’ka pasur shumë nevojë për mua, pasi aktivitetet i ka bërë vetë dhe propaganduar vetë. Megjithatë, them se ndihem borxhlie në të ardhmen për disa emisione speciale, pasi kjo krahinë ka shumë personalitete, ka shumë histori, ka shumë heroizëm. Ka shumë art, kulturë, ka këngën më të veçantë në botë, atë polifonike që të gjithë mahniten, ka shumë vende të bukura turistike. Labëria është krahina më e madhe e Shqipërisë dhe i duhet dhënë hapësira e duhur edhe në emisionet e mia.

 

Aurela Gaçe

Ju keni marrë shumë tituj dhe stimuj moral, çfarë vendi zë titulli sotëm “Mirënjohje e Labërisë” me motivacion: “Këngëtarja me zë brilant, që këndon polifoninë labe karakteristike dhe përçon me zërin e saj meloditë  dhe këngët aq shprehëse të kësaj treve kudo në botë”?

Zë vendin më të veçantë, vendin më të bukur, vendin më të spikatur. Zë atë vend që për mua ndoshta është titulli i vlerësimit që do ta kujtoj dhe do ta vë në një vend të veçantë në shtëpinë time.

Këtë e thoni sepse jeni para gjithë këtyre lebërve dhe doni të justifikoni titullin?

Aspak. Këtë e them me bindje të plotë për shumë arsye. Por kryesorja është sepse unë kam çarë në jetë me shumë vështirësi. Kam pasur në jetë shumë pengesa, shumë xhelozi, shumë thashetheme, por i kam kaluar sepse kam brenda meje karakterin e një labeje të vërtetë. Pa këtë karakter të kësaj krahine, ndoshta për një moment edhe mund të isha dorëzuar.

Sot kënduat sërishmi labçe. Kishit kohë pa kënduar një këngë të tillë?

Po. Me thënë të drejtën, të këndoja labçe me këngëtarë profesionistë kisha kohë. Kam kënduar në mënyrë sporadike, por me grupet tipike dhe famoze labe kisha shumë vjet.

Çfarë të kujtojnë këto këngë?

Fëmijërinë. Çdo mbrëmje në shtëpinë tonë këndohej labçe. Në shtëpi e mora dëshirën dhe erën e bukur të kësaj kënge të mrekullueshme që është marrë në mbrojtje nga UNESCO. Kjo këngë ishte shtysa ime e parë që unë të bëhesha këngëtare.

Cila është kënga juaj më e preferuar polifonike që e këndoni në çdo rast?

Janë disa këngë të Lefter Çipës, por ajo që më jep më shumë emocion është kënga “Duke tundur zbret nga mali”, kënga e Bejkes, ajo këngë që këndova dhe sot. Këtë këngë e kam si shansin tim, e kam si adrenalinë në çdo rast.

Si i keni mbajtur lidhjet me shoqatën “Labëria”?

Me thënë të drejtën, në fillimet e ardhjes në Tiranë, kam qenë më e lidhur. Sot pas këtij vlerësimi di të them se i jam shumë borxhlie. Shumë. Kur shikon sa të vlerësojnë dhe nuk mund tua shpërblesh me të njëjtën monedhë apo më shumë ndihesh keq. Le të mbetet si detyrë e së ardhmes që të jem shumë i lidhur me këtë shoqatë kaq patriotike.

Aurela nënë. Një status i ri… Si është jeta për Aurelën pas këtij momenti kaq të bukur?

Ah! Nuk ka gjë më të bukur në jetë se sa kur bëhesh nënë. Ky emër është magjik. Ndihem shumë e lumtur. Ndihem shumë e motivuar. Ndihem shumë me këmbë në tokë. Statusi i të qenit nënë, është përgjegjësi,  që do të thotë më shumë punë, më shumë sakrificë, më shumë dashuri njerëzore, më shumë optimizëm. Ndihem një Aurelë tjetër.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora