E marte, 23.04.2024, 07:20 PM (GMT+1)

Mendime

Redan Bushati: Intervistë me doktoranten Brilanda Lumana

E marte, 03.01.2012, 08:55 PM


Brilanda Lumanaj: Studentët duhet të kërkojnë mbështetje psikologjike

 

Gazeta Nacional Albania publikon për lexuesit e saj intervistën ekskluzive me doktoranten Brilanda Lumanaj të përgatitur nga Redan Bushati. Znj. Lumanaj është pedagoge në Universitetin «Luigj Gurakuqi» të Shkodrës në Fakultetin e Shkencave të Edukimit (FSHE) pranë departamentit Psikologji- Punë Sociale. Gjithashtu, mes angazhimeve të tjera, pedagogia Lumanaj është edhe përgjegjëse e Qendrës Universitare të Këshillimit Psikologjik (QUKP), ku në kuadër të veprimtarisë së kësaj qendre është zhvilluar edhe aktiviteti informues me datë 20.12.2011 në Bibliotekën Shkencore të Universitetit me pjesëmarrjen e pedagogëve, studentëve dhe shoqërisë civile.

 

Kur është krijuar Qendra Universitare e Këshillimit Psikologjik (QUKP) dhe si ka funksionuar ajo deri më tani?

 

Qendra Universitare e Këshillimit Psikologjik është krijuar pranë Fakultetit të Shkencave të Edukimit në fillim të vitit 2011. Kjo është një iniciativë e stafit pedagogjik të Departamentit Psikologji-Punë Sociale e inicuar fillimisht dhe mbështetur edhe në vazhdimësi nga Prof. Gëzim Dibra, Drejtor Departamenti. Duke iu referuar ekzistencës së këtij shërbimi në universitete të vendeve të ndryshme të Evropës dhe më gjerë, të cilat ofrojnë programe studimi në Psikologji dhe Punë Sociale, përballjes në punën tonë të përditshme me problematika të studentëve me natyrë psikologjike dhe sociale si dhe përgjegjësisë profesionale dhe akademike menduam të kontribuojmë me shumë dëshirë dhe përkushtim në hapjen e një qëndre, e cila do ti shërbente kryesisht studentëve. Si ?do esksperiencë e re edhe funksionimi i qendrës në fillim kishte vështirësitë e veta, si nga ana logjistike ashtu edhe organizative, por shumë shpejt duke filluar nga muaji mars 2011 ajo u vendos në efi?iencë dhe filluan shërbimet e para psikologjike. Shërbimet e qendrës ofrohen falas nga pedagogë të brendshëm dhe të jashtëm, të cilët kanë një background teorik dhe praktik të lidhur me procesin e këshillimit psikologjik. Gjatë vitit 2011 janë realizuar një sërë aktivitetesh si shërbim psikologjik, aktivitete promovuese të qendrës, bashkëpunim me Organizata të Shoqërisë Civile që operojnë në Shkodër dhe shërbime të tjera në mbështetje të studentëve. Kryesisht studentët që kanë përfituar nga këshillimi psikologjik kanë qenë nga degët Psikologji dhe Punë Sociale. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë me organizimin dhe funksionimin e qendrës, por mbetet akoma punë për të bërë.

 

Cili është stafi drejtues i QUKP dhe çfarë qëllimi kryesor synon të arrijë kjo qendër?

 

Stafi drejtues i QUKP përbëhet nga unë dhe Dokt. Arben Hoti. Dëshiroj të theksoj se kjo qendër i krijon hapësirë edhe pedagogëve të tjerë të Departamentit apo edhe studentëve të bëhen pjesë e organizimit të aktiviteteve në funksion të realizimit të objektivave të qendrës. Kjo qendër ka si qëllim kryesor ofrimin e shërbimit psikologjik për të gjithë studentët e Universitetit të Shkodrës. Gjithashtu qendra synon të përmirësojë dhe zhvillojë kapacitetet profesionale të studentëve, duke nxitur punën praktike të tyre në fushën e shërbimeve psikologjike.

Në kuadrin e zhvillimit të punës kërkimore shkencore, kjo qendër do të shërbejë si mjedis laboratorik për studimet dhe kërkimet e ndërmarra nga pedagogët dhe vetë studentët për identifikimin e problematikave të ndryshme me karakter psiko-social të komunitetit të Shkodrës me synim rritjen e cilësisë së jetës në këtë komunitet.

 

Për çfarë çështjesh kryesore ofron QUKP këshillim psikologjik?

 

Stafi i qendrës ofron shërbim psikologjik lidhur me çështje të tilla si: stresi dhe ankthi, trauma, marrëdhënie familjare, raportet ndërpersonale dhe ato të dashurisë, vetëvlerësimi, rritje personale, probleme të përshtatjes me ambjente jashtëfamiljare, probleme/vështirësi akademike, etj. Do të theksoja se shërbimi i ofruar garanton respektimin e dinjitetit dhe ruatjen e marrëdhënieve të konfidencialitetit.

 

Cilat kanë qenë aktivitetet më kryesore të QUKP gjatë vitit 2011?

 

Padyshim që do të vlerësoja si shumë të rëndësishëm shërbimin psikologjik të ofruar nga qendra, kryesisht këshillim psikologjik dhe në pak raste terapi. Në kuadër të aktiviteteve promovuese të QUKP do të vlerësoja simpoziumin e parë promovues të QUKP, i ideuar nga As. Ped. Fatjona Haka dhe mbështetur financiarisht nga Këshilli Studentor në të cilën morën pjesë me shumë përgjegjësi edhe studentët e vitit të tretë të degës Psikologji. Të gjithë e pranojmë që studentët e vitit të tretë ndodhen përballë sfidës së tyre për realizimin e temës së diplomës dhe kjo shpeshherë shoqërohet me stres dhe ankth. Prandaj me qëllim mbështetjen e studentëve lidhur me këtë proces u realizuan takime informuese me studentët e vitit të tretë të degës Psikologji dhe Punë Sociale. Gjithashtu aktiviteti i fundit i QUKP mendoj se realizoi objektivin e saj tek studentët e Universitetit të Shkodrës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe sektorit të shërbimit social nga pushteti lokal.

 

Pikat kryesore të aktivitetit informues të realizuar me datë 20.12.2011 në Bibliotekën Shkencore Universitare.

 

Aktiviteti informues i QUKP ishte vazhdimësi e aktiviteteve promovuese. Në bashkëpunim me Prof. Arben Hotin menduam se ishte i domosdoshëm një promovim më i gjerë i shërbimeve të qendrës tek studentët e të gjitha Fakulteteve të Universitetit të Shkodrës. Dhe në fakt gjatë përpjekjeve tona për të ftuar sa më shumë përfaqësues u ndeshëm me pyetje të tilla si: Ku ndodhet kjo qendër? Kush e ofron këtë shërbim?

Prandaj fokusi kryesor i këtij aktiviteti ishte informimi i studentëve për një shërbim të ri universitar që ofronte QUKP. Kështu pjesëmarrësit u njohën me një panoramë të përgjithshme të shërbimeve të qendrës, mënyrën e organizimit të tyre dhe analizën e punës gjatë vitit 2011. Ndër të tjera, Prof. as. Dr. Mit'hat Hoxha, Dekan i Fakultetit të Shkencave të Edukimit, vlerësoi kontributin e Departamentit Psikologji-Punë Sociale për hapjen e kësaj qendre.

Rëndësia e procesit të këshillimit psikologjik tek studentët, ishte në fokus kryesor të këtij aktiviteti, me qëllim nxitjen e studentëve për ta vlerësuar qendrën si një alternativë mbështetje për problematikat e tyre me karakter psikologjik, social dhe akademik. Element i rëndësishëm i këtij aktiviteti ishte edhe angazhimi i studentes Mariza Kapaj, dega Psikologji dhe Eglantina Curaj, dega Punë Sociale, të cilët sollën këndvështrimin e tyre mbi procesin e këshillimit psikologjik. Aktiviteti ngjalli interes tek studentët, të cilët u përfshinë në debate të hapura si me panelin drejtues ashtu edhe me pedagogë të tjerë pjesëmarrës në këtë aktivitet.

 

Sa arrijnë vërtet studentët të krijojnë idenë e performancës dhe shërbimit që realisht kjo qendër ofron?

 

Duhet ta pranoj se deri tani, kryesisht kanë përfituar nga shërbimet e qendrës studentët e degës Psikologji dhe Punë Sociale. Kjo për shumë arsye. Në fakt aktiviteti kishte pikërisht këtë qëllim që të krijonte një informim masiv për mundësitë që ofron kjo qendër universitare. Ne u përpoqëm të sillnim tek ato (pjesëmarrësit) llojet e shërbimeve, i treguam që kjo qendër ishte e hapur për të gjithë studentët, dhe ndërkohë përcollëm mesazhin: “si qënie njerëzore përballemi me sfida të pafund gjatë jetës, shpesh disa prej tyre nuk arrijmë ti zgjidhim me forcat tona, prandaj QUKP është një opsion apo mundësi ku ato mund të diskutojnë nevojat, problemet, sfidat pse jo edhe dëshirat e tyre”.

Në fakt këtë pyetje mendoj se do të ishte më mirë t’ia drejtonit edhe studentëve…

 

Aktualisht, sa frekuentueshmëri studentësh ka QUKP?

 

Duke filluar nga muaji tetor me startimin edhe të vitit të ri akademik 2011-2012, do të thoja që ka filluar sërish frekuentimi i qendrës. Shërbimi është i mirëorganizuar sipas një grafiku të punës me pedagogët përkatës.

Aktualisht janë 6 raste që po mbështeten me shërbim psikologjik, por ka patur kërkesa për këtë shërbim edhe nga studentë të tjerë. Organizmi i takimeve është në proces.

 

Cilat janë sfidat dhe veprimtaria e ardhshme e kësaj qendre?

 

Mendoj se sfidat janë të shumta dhe mbetet akoma shumë për të bërë. Duhet bërë një punë intensive për ndërgjegjësimin dhe aftësimin e studentëve për të shprehur nevojat e tyre si dhe për të kërkuar mbështetje psikologjike. Mendoj se mentaliteti dhe kultura shqiptare në shumë raste janë faktor pengues lidhur me vlerësimin e procesit të këshillimit si një burim mbështetje për diskutimin e problemeve personale, familjare apo shoqërore. Prandaj, ne si profesionistë duhet të punojmë fort që të nxisim studentët të kërkojnë mbështetje, dhe të mos e konsiderojnë këshillimin psikologjik si një proces i cili do të sjell më pas element paragjykues nga shoqëria.

Përderisa ne ofrojmë shërbim psikologjik dhe ndeshemi gjatë punës tonë me problematika të ndryshme me karakter psikologjik e social, mendoj se duhet të kontribuojmë më tepër ne drejtim të kërkimeve shkencore lidhur me këtë ?ështje. Në këtë përpjekje duhet të stimulohen dhe aktivizohen më tepër edhe studentët si dhe duhet zgjeruar bashkëpunimi me OJF-të që operojnë në qytetin e Shkodrës. Lidhur me veprimtaritë e ardhshme të qendrës mendojmë se së shpejti do të organizojmë një seminar të hapur mbi praktikat e këshillimit lidhur me problemet e dhunës ndaj gruas si dhe vështirësitë e zbatimit të praktikave mbështetëse. Gjithashtu gjatë semestrit të dytë do të promovohen teknikat këshilluese tek studentët e degës Psikologji e Punë Sociale të nivelit Bachelor dhe Master Shkencor. Ndërkohë shërbimi psikologjik do të vazhdojë rregullisht deri në fund të muajit korrik 2012, për të rifilluar sërish në muajin tetor 2012.

 

Mesazhi juaj si përgjegjëse e QUKP drejtuar studentëve, pedagogëve dhe shoqërisë?

 

Duke ju falenderuar për mundësinë e realizimit të intervistës, do të doja të ndaj me ju këtë mesazh, por jo vetëm si përgjegjëse e qendrës së Këshillimit Psikologjik, pedagoge e punonjëse sociale, por edhe si anëtare e shoqërisë shqiptare: Ne jemi pjesë e së tërës, prandaj të gjithë sipas mundësive dhe kapaciteteve tona duhet të ndihmojmë në një mirëqënie psikologjike të secilit prej nesh. Në këtë drejtim, tashmë  stafi i Departamentit Psikologji-Punë Sociale ka inicuar këtë përpjekje e cila është në hapat e parë, kështu le të kontribuojmë të gjithë që kjo nismë të ketë vazhdimësi dhe efektivitet.

 

 

Intervista u realizua nga Redan Bushati

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora