E enjte, 18.04.2024, 07:55 PM (GMT+1)

Kulturë

Faruk Buzhala: Zana dhe Guri

E hene, 02.01.2012, 08:31 PM


ZANA dhe GURI

 

(Mbi librin me poezi të Nehat Jahiut)

 

Nga Faruk Buzhala

 

Nehat Jahiu është një poet mjaft produktiv në letërsinë shqipe ku kësaj radhe na vie me një libër të ri që për shumë lexues dhe adhurues të fjalës së bukur është pritur me padurim. E them këtë me siguri të plotë ngase mënyra dhe stili i tij i të shkruarit, tashmë është autentik.Këtë më së miri do ta shihni dhe vëreni gjatë leximit të këtij libri të tij të ri që tashmë e keni në dorë.

Ky libër i Nehat Jahiut vie si sihariq në një kohë kur lirikës popullore shqiptare i duhet një margaritar më tepër për ta pasuruar edhe më shumë folklorin tonë me tekste këngësh që mund të realizohen nga këto poezi të bukura që janë si monument i një dashurie siç është dashuria e Zanës dhe Gurit, si dy personazhe lirike të dashurisë në këtë libër.  Nehat Jahiu është tashmë i njohur për lexuesit me poezitë e tij për Zanën e Gurin. Janë këta dy personazhe të krijuar nga poeti,ku ky në këtë vëllim me poezi trajton dashurinë e këtyre dy të rinjve si subjekt kryesor të veprës. Autori,me anë të termave që i merr nga rrethina që e rrethon, krijon imazhin idilik të ngjarjes duke nxjerrur në pah fuqinë artistike të vargjeve të krijuara me tone harmonike dhe të thjeshta,të kultivuara nga thesari ynë i pasur popullor. Poezitë janë të kapshme për çdo lexues të çdo moshe,që me lirikën e saj i jep domethënie krijimit si burim nga një shpirt poetik, ku jo vetëm gjërat e natyrës së vdekur siç janë: hëna, yjet, lisat, pemët, lulet, lumi, etj. bëhen të ndieshme nga ndjenja e dashurisë së Gurit dhe Zanës, por edhe qeniet e tjera të gjalla të shëndërruara në biometafora siç janë: zogjtë, delet, shqiponja, gjinkallat,xixëllonjat,etj. marrin pjesë në këtë ambient duke përkrahur dashurinë e këtyre dy të rinjëve.Ambienti rural dhe idilik i paraqitur në këto poezi e pushtojnë çdo lexues duke e magjepsur me bukurinë e saj,të pasqyruar dhe përshkruar aq mirë nga poeti.Fantazia krijuese e autorit të këtyre poezive është mjaft e pasur me tablo rurale ku ndodh idila dashurore e dy personazheve. Një realitet i ëndërruar që shpaloset shkëlqyeshëm para çdo lexuesi bën që ta pushtojë ate me bukurinë dhe thjeshtësinë e saj.Përvoja dhe njohja e një ambienti të tillë nga autori,bëjnë që këto poezi të rangohen në një thesar folklorik që do të realizoheshin aq bukur në këngë duke e pasuruar edhe më këtë thesar popullor.

Në përgjithësi,motivi i poezive është krijuar nga dashuria e dy të rinjëve fshatarë duke e bërë  tërë sendërtimin e lëndës të strukturohet në një ambient të tillë rural.Ndjenjat e dashurisë gufojnë si te njëri njashtu edhe te personazhi tjetër në këtë idilë të bukur që të pushton me thjeshtësinë dhe bukurinë e saj. Edhe gjuha i përshtatet mirë situateve dhe lirikës të ndërtuar nga vetë poeti. Gjuha komunikuese është e krijuar me nuancat e saj më të thjeshta që mahnisin me kapjen e kuptimit të tyre të lehtë.

Situatat bartin në vete forcë të madhe të ndjenjave të cilat shprehen përmes personazheve të këtij libri.Poeti,motivin e zhvillon nëpër tri faza apo situata lirike duke krijuar metafora,aluzione dhe personifikime që  e mveshin tërë strukturimin e kësaj vepre me vlera të dukshme popullore dhe artistike.Është interesante se folësi lirik në këtë rast shprehet në veten e parë dhe të tretë.Gjatë leximit vërehet se poeti është vëzhgues dhe dëshmitar i kësaj dashurie të Zanës dhe Gurit.

Ka raste kur ky i drejtohet herë Zanës e herë Gurit dhe në disa raste edhe vetë lexuesit duke e bërë pjesëmarrës të drejtpërdrejtë në ngjarje.Nga kjo nënkuptohet se poeti din ti paraqesë mjeshtrisht skenat e realizuara po nga ky vetë.Me këtë koncept Nehat Jahiu e strukturon temën dhe motivin e këtij vëllimi poetik që lirisht mund të thuhet se është mjeshtër i lirikave dashurore të krijuara në mënyrë tradicionale që si bazë ka lirikën tonë popullore. Metaforat e shumta janë të natyrshme dhe spontane në tërë poezitë e Nehat Jahiut.Lirika sensuale është mjaft sentimentale në këto poezi të krijuara me një forcë të madhe ndjenjash që ushqejnë personazhet e librit Zana dhe Guri.Gjuha e pasur,figurat e goditura, ndjenjat e sinqerta dhe përjetimet plot frymëzim gërshetohen shumë bukur me ambientin që e krijon poeti në këto poezi.Poezitë kanë funksion lirik në vete që shtjellohet lirshëm dhe rrjedhshëm ndër vargje. Njësia e veprimit të personazheve përcillet në të gjitha poezitë në mënyrë harmonike.Në këtë libër ndjenjat e dashurisë shprehen,këndohen dhe sendërtohen nëpër situata të ndryshme lirike dhe emocionale të cilat nënkuptojnë momente e relacione të dashurisë së dy personazheve të librit. Pra, Zana dhe Guri janë bartës të situatës dhe veprimit në tërë këtë përmbledhje me poezi, si dy personazhe lirikë mjaft të dashur të krijuar nga Nehat Jahiu. Nuk më mbetet tjetër të shtoj pos ta uroj poetin Nehat Jahiun për punën e tij krijuese dhe ta falemnderoj për këtë dhuratë të çmuar të cilën e krijoi për ne.Urime!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora