E enjte, 28.03.2024, 08:41 AM (GMT)

Mendime

Rexhep Shahu: Dashuria e vonuar e Edi Ramës për autostradën Durrës - Kukës - Prishtinë

E hene, 02.01.2012, 07:56 PM


DASHURIA E VONUAR E EDI RAMËS PËR AUTOSTRADËN DURRËS – KUKËS – PRISHTINË

 

(fragment nga libri ne proces botimi, me titull Udha e Kombit, pro dhe kunder, te Rexhep Shahut)

 

NGA REXHEP SHAHU

 

28 nëntorin 2011, ditën e flamurit shqiptar, Edi Rama shkoi për ta festuar në Kosovë. Sepse ai e nderon flamurin kombëtar dhe nuk e konsideron si “thes që fsheh paratë e vjedhura të rrugës” Durrës – Kukës – Prishtinë.

Përsonalisht, nuk e fsheh, ndjehem mirë që Edi Rama shkon në Kosovë.

Nuk kam ndërmend të kronikoj vizitën e Ramës atje, as takimet e tij. Por nuk mund të hesht kur e pashë tek fliste për “Rrugën e Kombit”:

“Desha të nënvizoj se është bërë një propagandë shumë djallëzore kundër nesh si opozitë edhe kundër meje përsonalisht, për t’u thënë shqiptarëve në Kosovë se ne kemi patur qëllim ta pengojmë “Rrugën e Kombit” dhe se madje unë e paskërkam quajtur rruga e asgjëkundit. Është e gjitha një propagandë, me një synim shumë të qartë, me mjete të njohura, që janë shpifja dhe hipërbolizimi i një problemi të caktuar, duke e deformuar tërësisht thelbin e problemit. Qëllimi ka qenë i qartë dhe madje duket se e gjithë propaganda e bërë ka realizuar qëllimin, ka arritur të krijojë opinionin në Kosovë se ne kemi qenë kundër projektit të “Rrugës së Kombit”, kemi bërë çmos ta pengojmë. Kjo është tërësisht e pavërtetë”. Më tej Rama vijon se PS (Partia Socialiste e Shqipërisë) ka qenë ideuesja e kësaj rruge. “E vërteta historike është se “Rruga e Kombit” është një ide e propozuar nga një Kryeministër socialist, Pandeli Majko”. Më tej u shpreh se këtë rrugë e kemi quajtur “veçse një projekt strategjik për Shqipërinë dhe për shqiptarët”.

Duke reklamuar librin e tij “Kurbani” para të pranishmëve (Në Muzeun Historik të Kosovës, vend në të cilin nuk është promovuar asnjëherë asnjë lloj libri, e aq më pak libër politik…) ai pohoi se “ Në libër (është fjala për Kurbanin) ka një moment ku unë e kam prekur këtë çeshtje. Ai segment i “Rrugës së Kombit” që është edhe i njollosur me mëkatin e një vjedhje të madhe, është e vetmja rrugë e ndërtuar në këta 20 vjet në Shqipëri që i ka standartet mirëfilli europiane. Rrugët e tjera fatkeqësisht nuk i kanë dhe herët ose vonë, varësi nga mundësitë, Shqipëria do duhet t’u rikthehet edhe një herë këtyre veprave publike për t’i barazuar në standarte me Europën. Që do të thotë se do të paguajmë dy herë edhe në këtë aspekt për të bërë të njëjtën punë”.

Rama përgëzoi segmentin e ri të rrugës që vazhdon në Kosovë: ”Miqtë që janë me mua pjestarë të delegacionit, po më tregonin mbresa për punën e bërë këtej kufirit (në segmentin Vërmicë – Merdare të autostradës, shënimi im). Pjesa e bërë madje më mirë se edhe ajo pjesë, siç është përsëri një shembull për të ardhur keq, se është më e mirë dhe kushton më pak. Është për të ardhur keq për ne. Kushton më pak, çka do  të thotë se në këtë anë të kufirit po bëhet një vepër publike e të njëjtës rëndësi e të njëjtave përmasa dhe me të njëjtin qëllim strategjik, por nuk po vidhet. E në rast se në këtë pikë ju keni dyshime, atëhere merreni me mend se sa shumë është vjedhur në atë anë të kufirit”

Zoti Rama ka disa pasaktësi në gjithë ato fjalë që tha për autostradën Durrës-Kukës-Prishtinë dhe për historinë e ndërtimit të saj.

Ai bën patriotin e nacionalistin, dashnorin e autostradës që bashkon kombin, por dashnor i vonuar, dashnor pa zemer dhe nuk shkojnë këto parulla në Prishtinë. Sepse nuk harrohet kori socialist që çirrej pa pushim kundër autostradës dhe e çjerra e korit socialist nuk la të dëgjohej e të shihej mirë autostrada. I ka dëgjuar fort mirë Zoti Rama, por nuk ka begenisë të thotë asnjë gjysmë fjale kundër këtij kori e pro autostradës, as shenjën më të vogël nuk ka bërë që ky kor të heshtej, duke qenë dirigjent i socialistëve.

Ende sot e gjithë ditën, përjashto ç’ka shkruar në “Kurban” (sikur ka dashur të tingëllojë si “Kuran” ky titull), dhe çfarë tha në Prishtinë, nuk është shprehur, pa arrë në gojë, pro autostradës e kundër abuzimeve të mundshme në të. E kam ndjekur çdo deklarim të tij për këtë rrugë. Asnjëherë nuk ka qenë i ngrohtë e i qartë. Por gjithmonë jo pranues i saj, jo pohues i saj, mosdashës ndaj saj për të mos thënë urryes.

Me 11 prill 2009, para popullit të tij socialist të Kukësit, Rama tha : "Jam i lumtur qe po ndertohet rruga Durres - Kukes, e cila bashkon kombin me detet dhe malet, por mos harroni se kjo rruge eshte bere me taksat e shqiptareve, te cilet do t'i japin sihariqe kryeministrit Sali Berisha" Më tej Rama vijoi:  “Me haraçin qe oborri kryeministror ka marre nga ky ndertim i rruges mund te ndertoheshin nga e para rruget e qarkut Kukesit, Hasit e Tropojes, mund te ndertoheshin kopshtet e te gjitha shkollat e cerdhet qe u duhen femijeve, qendrat shendetesore, ujesjellesat e kanalizimet qe u duhen qytetareve qe nuk kane uje per te pire e as per te vaditur token. Me haracin qe oborri kryeministror u ka marre shqiptareve per rrugen e kombit mund te ndertohej dhe rruga e "Arbrit", qe Sali Berisha e premton per te tretin vit radhazi.

Unë mendoj se kjo është e folur me arrë në gojë. Të bëjmë rrugicat e qarkut të Kukësit dhe udha e madhe e kombit theftë qafën, Kosova aty plastë. Pa ditur se edhe populli socialist i Kukësit, kur është pyetur nga vendas e të huaj, ka artikuluar gjithmonë veç një kërkesë : Udhën Durrës – Kukës – Prishtinë. Por duhet me pyetë pak edhe popullin e Kukësit sepse ai nuk i han arrat e paqëruara.

S’e pranoj që ne nuk kemi patur veshët në rregull, as sytë jo (se përndryshe do ta shihnim po të shkonte ta vizitonte ndonjë ditë autostradën në ndërtim e të falenderonte, në mos tjetër kënd, popullin e tij të majtë që punonte për ndërtimin e autostradës). (Populli i majtë i Ramës…Sa shumë popuj kemi…).

A është e mundur që pa lejën e tij të kenë folur e vjellë vrer kundër autostradës deputetë të Partisë Socialiste, nga ai soj deputetësh që dridhen para Ramës. E kuptoj se disa kanë bërë të zellshmin e trimin kundër autostradës për t’i hyrë në zemër Ramës. Disa kanë vjellë vrer kundër saj se e ndjejnë se ajo autostradë zmadhon atdheun dhe nuk e duan atdheun të zmadhuar.

Në qershor të 2009, deputeti socialist i qarkut të Vlorës, matjani Fatmir Toçi, thotë se rruga Durrës-Kukës është një investim pa të ardhme, se nuk të çon asgjëkund, pasi, sipas tij, as pala kosovare nuk ka vullnetin dhe as projektin për të vazhduar ndërtimin e saj, sepse po planifikonte ndërtimin e autostradës drejt Shkupit. Sa shumë din deputeti i PS, Fatmir Toçi. Edhe punët e Kosovës i din mirë. Aferim i qoftë. Rama nuk besoj ta ketë dëgjuar këtë deklaratë të deputetit të tij.

Rama nuk ka dëgjuar as deputetin tjetër të Partisë Socialiste, Arben Isarajin, që thotë se fondet që po merr rruga Durrës – Kukës “… ia  keni hequr ujësjellësit të Vlorës, ose të Leklit dhe i keni çuar andej.  (Kjo “andej” i dashur lexues është rruga Durrës – Kukës – Morin,  është Kosova, është veriu i Shqipërisë, që zoti Isaraj nuk ua përmend dot as emrin, ka alergji, neveri. Nuk don as emrin t’ia zërë me gojë zoti Isaraj luginës së Fanit, Rreshenit, Kalimashit, Kukesit, Kosoves, duke harruar krejt me dashje se sa shumë ka dhënë Vlora për Kosovën, të paktën në luftën e fundit që bëri Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pa hyrë me thellë në histori…  “Më pështyni mua në rast se ndërtohet kjo rrugë!”, thotë me sigurinë e një bastexhiu zoti Isaraj. E kush do të denjonte ta pështynte deputetin e Partisë Socialiste Arben Isarajin tani. Askush. Por autostrada u bë. U bë një vit para afatit të parashikuar. Ai i gjori mbase pret ndokënd që të shkojë e ta pështyjë.

As deputetin tjetër socialist, Erion Braçen, nuk e ka dëgjuar, z. Rama. As nuk i ka dhënë porosi a leje Braçes që të deklaronte apo ta cilësonte rrugën Durrës-Kukës si një investim që po privon shqiptarët nga zhvillimi i qyteteve dhe fshatrave të tyre, duke harruar krejt qëllimshëm se udha e kombit nuk privon zhvillimin por nxit e shpejton zhvillimin e shumë qyteteve e fshatrave të Shqipërisë…

“Të gjithë ata shqiptarë nga Durrësi në Jug, nga Fushë Kruja apo Peshkopia në veri, që pyesin përse punimet e hapura për rrugët në qytetet e tyre që kanë vite që qëndrojnë pezull, duhet të dinë se nuk ka më para, pasi ato të gjitha shkojnë tek fatura e Kalimash-Rrëshenit…”. Sa farëhedhës i mirë i farës urrejtje. Por nuk e ka dëgjuar Rama as këtë deklarim, me siguri që jo.

A është e mundur që një taborr përkrahësish të tij në media të nxinin faqe të pafund mediash kundër autostradës, kësaj vepre publike që tërhiqte aq shumë vemendje shqiptarësh e jo shqiptarësh.

 

Shkoi në Prishtinë me shitë “Kurbanin” për me rritë aksionet e tij në bursën e nacionalizmit. Kosova ka shërbyer gjithmonë edhe për këtë gjë për politikanët e Shqipërisë. Jam i  sigurtë se të gjitha aksionet e nacionalizmit në Kosovë i ka Sali Berisha. Sepse ai tashmë ka bërë nacionalizëm me punë e vepër, ndërsa Rama synon me fjalë nacionalizmin.

Guri i madh i provës për patriot e nacionalist ishte udha e Kosovës. Plotësimi i nevojës më jetike të saj. Kompletimi i pavarësisë së saj. Atë e bëri Berisha. Duke plotësuar njëherësh edhe ëndrrën e Kosovës edhe hapjen e mundësive të mëdha për gjithë kombin shqiptar, lidhjen e tij me vende të shumta të përtej Kosovës.

Zoti Rama nuk u orientua drejt në këtë rast. Nuk e këshilluan drejt. Nuk e deshi autostradën gjatë gjithë kohës që ajo po ndërtohej. Nuk tha asnjë fjalë të mirë kurrë për të. Tani, pasi ajo u ndërtua, ai del dashnor i saj. Por është dashnor i vonuar i saj. As nuk begenisi të shkonte ta shihte së paku njëherë të vetme. Edhe kur udhëtonte për tek populli i tij socialist i Kukësit, ai udhëtonte nga rruga e vjetër. Se nuk e deshi se nuk e deshi autostradën, të cilën sot e don.

Ai nuk dëgjoi këshilla e nuk mësoi as nga Dritëro Agolli, edhe pse kanë deshirë ta quajnë patriark i socialistëve shqiptarë, i cili si askush nga mentarët e gjallë të letrave shqipe, u ngrit mbi stuhinë e thshethemeve të “luftës” kundër udhës së Kosovës dhe u shpreh se kjo udhë është shumë e dobishme dhe do të mbesë në historinë e vendit, për madhështinë e saj, për simbolikën dhe funksionin që ka si arteria kryesore e Shqipërisë me rëndësi të madhe kombëtare. Pas 20-30 vitesh nuk do të kujtohet njeri se sa ka kushtuar ajo kjo rrugë, thotë Dritëro Agolli, por vetëm do të mbahet mend koha kur është ndërtuar. Këto janë vepra të mëdha që mbetën në histori. Sepse kjo udhë nuk lidh vetëm Shqipërinë me Kosovën, por ajo lidh gjithë pjesën veriore të Ballkanit me jugun e tij.

Veç kësaj Dritëro Agolli e sheh këtë udhë edhe në këndvështrim tjetër. Rruga Durrës – Kukës, thotë poeti, do ta zhveshë “nudo” zonën ku ajo kalon. Për herë të parë, ata që do të kalojnë andej do të zbulojnë bukuri të rralla natyrore të vendit. Është si një poemë që ti e lexon në kilometrat që përshkon dhe në relievin e rrallë të kësaj zone. Në këtë mënyrë do të bëhet një promovim i madh i vendit por dhe i turizmit.

Por mbi të gjitha, thotë Agolli, që me këtë prononcim të tij u bë kalorës i parë ndër të mëdhenjtë e letrave tona, rruga e Kosovës ka një vlerë të madhe kombëtare se ajo lidh për herë të parë në mënyrë kaq të vrullshme dy pjesë të një kombi, të cilin, përveç kufijve, e kishte ndarë dhe infrastruktura e dobët rrugore. Agolli e quan këtë udhë vepër kombëtare.

 

* * *

 

Ideja e Udhës Durrës – Kukës – Prishtinë është e Ibrahim Rugovës, i cili në intervistën dhënë gazetës kroate “Nedeljna Dalmacija” të datës 22.07.1990, kërkon ndërtimin e udhës Durrës - Prishtinë, që t’u krijojë mundësinë shqiptarëve të Kosovës të mund të udhëtojnë qoftë edhe sikur “për një kafe në Shqipëri”. Kjo konsiderohet prej meje si fillimi i artikulimit publik të domosdosë për ndërtimin e udhës Durrës – Prishtinë, nga figurat drejtuese kryesore të shqiptarëve.

Me 1 shtator 1995, në një nga konferencat e tij të shtypit, Ibrahim Rugova tha:" Së shpejti do të bisedojmë me presidentin e Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, për fillimin e projektit për ndërtimin e autostradës në rrugën e vjetër Lezhë-Prizren-Prishtinë. Kjo, shtoi ai, është një arterie kryesore që tradicionalisht ka lidhur Kosovën me bregdetin. Realizimi i këtij projekti kërkon kohë, por duhet të mendojmë për të tashmen dhe ardhmen". Atëhere mediat botërore edhe u çuditën edhe i dhanë vend kësaj deklarate, pasi ishte bash koha kur Kosova nuk mori atë pritshmëri që kërkonte nga Konferenca e Dejtonit dhe dukej sikur do të zhvlerësohej.

Në nëntorin e vitit 1996, po në një nga ato konferencat e tij, Ibrahim Rugova tha: “Kërkojmë fonde nga Bashkësia Europiane për ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë”. Kaq tha. Asgjë më shumë. Gazetarët në Prishtinë ishin mësuar që Rugova të deklaronte qëndrimin kundër dhunës e represionit serb ndaj shqiptarëve, të bënte analizën e javës dhe ato ta raportonin nëpër mediat vendase dhe të huaja. Asnjë nga gazetarët nuk e raportoi këtë deklarim të Rugovës. Në mesditë redaktorët përgjegjëes të redaksive në Europë e Amerikë pyetën reporterët e tyre në Prishtinë se pse nuk ka raportime sot nga Prishtina. Gazetarët thanë se nuk ka ndodhur ndonjë gjë dhe as Kryetari (Rugova) nuk ka folur për dhunë, burgosje e represion. Ngulmimi i redaktorëve përgjegjës bëri që reporterët të tregojnë deklaratën e Rugovës që u bë lajm në Amerikë e në Europë se udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, i kërkon fonde bashkësisë europiane për ndërtimin e autostradës Durrës-Kukës-Prishtinë.

Ku ishte atëhere zoti Rama? Ku ishte zoti Majko? Ndoshta kanë qenë duke ndihmuar përgatitjen e revolucionit të vonuar demokratik të Rexhep Qoses, i cili, edhe sot kur vjen në Shqipëri, udhëton nëpërmjet Maqedonisë (sot vjen me mjekër e jo si në vitin 1999 që rrojti mjekrën për të ardhë në Shqipëri, në vilën 31 të ish bllokut në Tiranë…), sepse nuk e don as ai autostradën Durrës – Prishtinë që bashkon kombin. Le të shkojë nga të dojë Qosja me tersllekun e vet, tehut të qoseve le të shkojë se nuk deshi të artikulojë asnjë fjalë miradie për autostradën që bashkon kombin, siç bëri Dritëro Agolli.

Në vitet kur Ibrahim Rugova kërkonte ndërtimin e udhës së Kosovës dhe ndërmerrte takime edhe në Tiranë për këtë gjë, me inicimin e presidentit Sali Berisha dhe pajtimin e presidentit të Kosovës, Rugova, qeveria e Kosovës me kryeministër Bujar Bukoshin ndau në bankën “Dardania” që ishte në Tiranë dy milionë marka gjermane për të bërë studimin e fizibilitetit të kësaj udhe. Qeveria Meksi inicoi grupet e punës për fillimin e punëve për udhën Durrës - Kukës. Në fillim të viti 1997 do të niste nga puna grupi i përbashkët i ekspertëve të Tiranës e të Prishtinës për rrugën. Por kish nisur më parë tashmë revolucioni i vonuar demokratik i Rexhep Qoses kundër demokracisë dhe “Çeçenisë” shqiptare që e përbënin veriorët në Shqipëri dhe shqiptarët në Kosovë.

Presidenti Rugova mori në vjeshtë të 1996, në Tiranë, nga Jemin Gjana, ish deputet i Kukësit në atë kohë, edhe dosjen me projekt idenë dhe hartën që ishte vizuar vija e kësaj udhe nga ushtria shqiptare në kohën e diktaturës, dokumente që ishin gjetë në arkivat e Kukësit. Në fund të vitit 1996, drejtori i bankës Dardania, Milazim Abazi, i kërkon deputetit të Kukësit, z. Gjana, dokumentet që ky i kishte dhënë presidentit Rugova, me qëllim që të fillonte lëvrimi i fondeve për studimin e fizibilitetit dhe projektin e rrugës Durrës - Kukës.

Më pas zotit Rama do t’i citoja ç’më ka thënë Charles Walsh, një amerikan mjaft i njohur në Tiranë, Drejtor i Qendrës Amerikane të Kulturës, pranë ambasadës amerikane, pra, një amerikan jo shitës qoftesh a banor nënurash në Tiranë, në një intervistë që i pata marrë në radio Kukësi, në fund të tetorit 1996, kur ai erdhi në atë qytet bashkë me z. Elez Biberaj, në atë kohë përgjegjës i seksionit shqiptar në radion “Zëri i Amerikës”. “Do të thoja se jetoni në pjesët më të bukura të Shqipërisë”, u shpreh Charles Walsh. “Unë besoj që në të ardhmen e Shqipërisë, me zhvillimin e ekonomisë, do të ketë autostradë. Ajo do të kalojë në Kukës. Do të bëjë lidhjen me ato pjesë të Kosovës me të cilat ju tashmë jeni të lidhur. Mendoj se kjo do të sjellë një ndryshim gjigand në dekadat që vijnë. Kështu që ju uroj fat”. Kaq tha Walsh në radio Kukësi për autostradën. S’besoj ta ketë mësuar nga z.Majko këtë ide.

Nuk u ndjeva mirë që Rama nuk ia dha meritat që i ka për këtë udhë Ibrahim Rugovës, si potencuesi i parë i ri i idesë së kësaj udhe të moçme, merita që ia ka dhënë Kosova se ia ka vënë autostradës emrin e tij. Ndaj dhe se si mu duk vizita dhe homazhet e Ramës pranë varrit të Ibrahim Rugovës. Mbase duhet një ndjesë Kosovës, të paktën nga faqja e tij e internetit Tëuter.

Nëse ende beson zoti Rama se udha e Kosovës është ide e Majkos, është e drejta e tij dhe e Majkos ta besojnë. Por sikur është tallje e madhe që i bëhet zotit Majko. Për hir të së vërtetës, kam pritur seriozisht se do të reagonte z. Majko e do të thoshte publikisht se kjo nuk është ide e tij, sepse Rama e pati shitë në Kukës në 11 prill 2009 këtë të pavërtetë dhe e përsëriti për herë të tretë këtë gjë, por tashmë në Prishtinë. Z. Majko nuk duhet të heshtë për këtë gjë edhe pse unë e kam nderuar dashamirësinë e tij për këtë udhë që bashkon kombin. Ai e ka historinë e tij të mirë, deshirën e tij të mirë për këtë autostradë, pas vitit 1999. Majko ka meritat e tij për këtë udhë. E ka dashur këtë udhë. Nuk ka nguruar t’ua pohojë edhe gazetarëve të huaj këtë gjë, kur kori socialist çirrej kundër autostradës që po ndërtohej. Majko, në pikun e luftës kundër udhës, është shprehur publikisht se kjo udhë nuk mund të ndalet. Ka folë pa leje të Ramës, natyrisht. Ai vuri taksën Majko dhe grumbulloi një shumë lekësh që vetëm për këtë udhë nuk u përdor. Ai kishte deshirën dhe vullnetin e mirë. Por aq shpatulla kishte. Ai filloi gërvishtjen e gjurmës së udhës në Rubik me trupat gjeniere të ushtrisë shqiptare, në 2.5 km, por nuk mund ta bënte atë udhë e cila së pari kërkonte vullnet të fortë politik, përkrahje të fortë politike, trimëri në ndeshje me kundështarët e ashpër të kësaj autostrade dhe dashuri të madhe e të panegocueshme për Kosovën.

Z. Majko ka ende aksione morale në Kosove dhe në gjithë rajonin nga kalon autostrada. Pas vizitës së tij të parë si Kryeministër në Kosovën e pas luftës, kur e takoi Rugovën dhe i tha President, i kam kushtuar një shkrim në “Bota Sot”. Ishte koha kur komunistët e Tiranës dhe të Prishtinës donin ta shqyenin Rugovën se u bënte hije në trimëri dhe qëndresë ndaj e anatemonin orë e çast në mediat qeveritare të Tiranës, të cilat ai i shpërfilli dhe refuzoi.

Z. Majko ishte ndër të parët shqiptarë që bëri krushqi të re me Kosovën e lirë, pas vitit 1999 (krushqitë me Kosvën ishin ndërprerë në vitin 1948 kur u mbyll kufiri) me Kosovën (martoi vëllain e tij me një vajzë prishtinase) dhe kjo është një vlerë për të sepse edhe ky gjest është pohim i dashurisë së tij për Kosovën, gjest që e dëshmoi në vizitën e tij të parë në Prishtinë si Kryeministër i Shqipërisë fill pas luftës së NATO-s për dëbimin e serbëve prej Kosove në vitin 1999.

* * *

Unë e falenderoj zotin Rama se më në fund nga Prishtina u bë aleat me mua dhe e lavdëroi autostradën. Anipse falenderoi vetëm pjesën që ka bërë Bektel & Enka dhe e quajti të standarteve europiane. Lavdëroi bash atë pjesë autostrade, që kalon “nëpër Mars”, siç shkruan miku i tij Fatos Lubonja në shkrimin me titull “Autostrada Rreshen – Mars – Kalimash”. Z Lubonja i duket shumë e keqe kjo udhë. Shumë e shëmtuar kjo pjesë autostrade. Z. Rama i duket e standarteve mirëfilli europiane. E falenderoj zotin Rama që është aleat me mua kundër shkrimit të Fatos Lubonjës të botuar në “Panorama”, me 7 korrik 2010 .

* * *

Nuk e kuptova lojën që bëri z. Rama me këtë pjesë autostrade të standarteve europiane që edhe e puth edhe e pështyn. Se gjithmonë zoti Rama nuk mungon të vërë një “por” në fund të fjalive të tij. Gjykon me kompetencë prej ekonomisti, juristi, hetuesi, prokurori, gjykatësi, avokat populli, kryetar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, etj., se në atë segment autostrade është vjedhur. Pra amerikanët dhe turqit kanë ndërtuar autostradën në standarte europiane por kanë vjedhur. Faik Konica, duket, për rastin Rama dhe rastet “Ramëra” duhet të ketë thënë në kohën e tij “Nuk thom se jeni shqiptarë të liq, por pse doni të gjykoni punëra që s’i dini”.

Ai e ka me vete Prokuroren e Përgjithshme sepse publikisht kanë mbrojtë njëri – tjetrin, ka raporte politike të pathyera me presidentin e vendit Bamir Topin, i cili qeveris gjykatat e vendit. Pse nuk hetojnë. Të hetojnë thellë. Shterrueshëm. Që të më bëjë edhe mua aleat po të më bindë se është vjedhë qoftë edhe një cent në këtë autostradë, aleat për të dënuar vjedhësin por jo për të penguar ndërtimin e autostradës.

Ndryshe, me “por”- e, nuk hakmerret dot ndaj Lulzim Bashës, i cili e mundi zotin Rama në betejën për ta bërë apo jo udhën e Kosovës, pasi Basha pati fatin dhe besimin e Kryeministrit Berisha të jetë dashnor i autostradës që në ngjizjen e saj. Edhe pse z. Rama nuk ia përmend as emrin Lulzim Bashës, dhe deshi ta burgoste për autostradën Durrës – Kukës, duke e akuzuar për shpërdorime fondesh e pabarazi në tenderat e autostradës, ky i fundit e mundi zotin Rama edhe në ndeshjen për drejtimin e bashkisë së Tiranës. Dy me zero rezultatet e dy ndeshjeve Basha – Rama. Më duket se të gjitha mundjet dhe disfatat zotit Rama ia ka shkaktuar Udha e Kosovës… Por ai ende nuk e ka kuptuar, ndonëse udhëtimi i vonë për në Prishtinë për t’u shpallur dashnor i vonuar i autostradës, për t’u pajtuar me autostradën, ndërtuesit dhe përfituesit e saj, ndonëse me vonesë, mund t’i shërbejë dhe mund të jetë tregues se ai po vrapon pas trenit që i ka ikur shpesh. Por vetëm nëse do të jetë krejt i sinqertë dhe të flasë pa arrë në gojë mund ta zërë trenin. Vetëm nëse do ta rishkruajë programin politik të Partisë Socialiste dhe ti kushtojë vemendje Kosovës qoftë dhe një paragraf e jo 54 germa “Ndërtimi i një partneriteti shumë planësh me shtetin e ri të Kosovës”, sepse kjo që është Brenda thonjëzave, nuk është as gjysmë fjalie. Dhe kjo është më shumë se fyerje ndaj Kosovës dhe ndaj socialistëve shqiptarë.

Sikur nuk më behet të besoj se një kompnai amerikane si Bekteli, lider në botë, të ketë ardhë me vjedhë në shpatet e tunelet e Kalimashit. Në atë segment të vështirë. Në ato punë e volume të cilat mund të maten e të kontrollohen edhe pas 50 vjetësh se aty janë. Po pse nuk thotë se mund të jetë vjedhë në segmentet e tjera që kanë ndërtuar kompanitë shqiptare apo të huaja të tjera. A mos është kryeqëllim me poshtrue kompaninë amerikane. Rujna zot. Se ky antiamerikanizmi u bë si modë. Jo se nuk vjedhin amerikanët jo. Por kjo punë më duket së është si ajo bosi e kujtuesi. Ai që bon vetë, ai që vjedh vetë, kujton se bëjnë të gjithë si ai, kujton se vjedhin të gjithë si ai.

U thotë të pranishmëve në Prishtinë, kur ato shfaqin dyshime se po vidhet atje, merreni me mend sa është vjedhë në Kalimash. Sipas atij ka dalë vjedhja për fushe, ka dalë kurvnia arës. A nuk ngjan pak si punë nxitje ngatërrese e nxitje mllefi kundër kësaj kompanisë amerikane Bektel & Enka. Ua mori fytyrën edhe në Prishtinë.

Thotë se autostrada në Kosovë është më e mirë dhe kushton më pak. Por nuk thotë (megjithëse edhe qorrat tashmë e dinë) se në Kosovë autostrada po bëhet nëpër fushë, gjithkund nëpër fushë, rrallë rrëzë ndonjë kodre të vogël, jo nëpër male, as përrenj e gryka lumenjsh, jo nëpër grykat e thepisura të Fanit, të Kalimashit, nuk po shpërthen male e shkëmbënj. Dhe normal, një kilometër autostradë në planetin Mars të Fatos Lubonjës, në Fanë, në Kalimash a Kukës, “me standarte europiane”, nuk mund të kushtojë sa një kilometër autostradë në rrafshinën e Kosovës. Rama sikur i hedh këto fjalë për të ngatërruar dynjanë, për të ngatërruar shqiptarët e Kosovës, për ti nxitur të ngrihen në protesta kundër autostradës, për të penguar ndërtimin e saj atje, kur nuk arriti ta pengojë në pjesën e Shqipërisë si dhe për të akuzuar Bektel & Enken. Edhe një i pa shkollë e pa kalem e din se nuk mund të kushtojë njëlloj një autostradë në malet e Shqipërisë sa mund të kushtojë një autostradë në fushat e Kosovës.

Një ditë mendon se do të vijë në pushtet dhe koha do të punojë për forcën e tij politike. Qysh në Prishtinë shtroi shinat e vjedhjeve të mundshme nesër kur të jetë në pushtet nëpërmjet ribërjes së udhëve të Shqipërisë sepse kjo qeveria aktuale, që së paku bëri udhët e atdheut, i paska bërë pa standarte dhe i ka vjedhur rrugët. Ai, në emër të ribërjes së të gjitha udhëve me standarte, vec asaj të Bektelit, përgatit rivjedhjen e tyre. Kështu e tha ai në Prishtinë. Kështu e lexova unë fjalën e tij.



(Vota: 2 . Mesatare: 1/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora