E premte, 19.04.2024, 12:21 PM (GMT+1)

Kulturë

Demir Krasniqi: Pse nuk e themi të vërtetën?

E hene, 02.01.2012, 09:06 PM


PSE NUK E THEMI TË VËRTETËN ?

 

Shkruan: Demir KRASNIQI

 

Sa herë që flitet dhe shkruhet e vërteta historike në opinionin publik, dikujt ia mpinë dhëmbët , nga se e vërteta është e dhimbshme dhe  shumë e hidhur .

Megjithatë, për deri sa nuk demaskohen maskat dhe nuk thuhet e vërteta publikisht mu ashtu si që ishte, atëherë kurrë nuk mund të çrrënjosen farat e këqija dhe kobësjellëse të kombit tonë .

Të gjitha të bëmat, kobët, përgjimet, përndjekjet, burgosjet, ekzekutimet, vrasjet, torturat ... po qe se i analizojmë me një logjikë të shëndosh dhe pa maska, shumë shpejt do të vijmë në përfundim se të gjitha këto të bëma , zanafillën dhe rrënjët e tyre i kanë mu tek bashkëkombësit tanë – shqipfolës , argat të dreqit , shpirtshitur për pak para, për pak pozita dhe për një pajisje me ndonjë armë zjarri : pushkë gjuetie, pistoletë , pushkë, apo edhe automatik , të cilët  (kush me para e kush pa para) u vunë në shërbim të pushtetit serbosllav, duke vepruar gjithnjë në dëm të bashkëkombësve të tyre dhe duke u munduar që të tregohen se këta po e duakan më shumë shtetin serbë , se sa vet serbët ?!

Të tillë, ka pasur në çdo rreth, në çdo mes, në çdo kolektiv, në çdo fshat dhe  në çdo lagje.

Rekrutimi i shpirtshiturve lojal  në pushtetit serbosllav , së pari fillonte me pajisje me ndonjë lloj arme të zjarrtë , e pastaj ata avancoheshin në forma tjera deri tek pozitat e ndryshme pushtetare dhe pagesat e tyre.

Njerëzit e privilegjuar nga pushteti serbë dhe të verifikuar mirë si lojal besnik të tyre, pasi që armatoseshin me leje e dokumente zyrtare , ata visheshin e mbatheshin mirë, i vënin armët krahut, në brez dhe gjendeshin kudo e në çdo rast pranë bashkëfshatarëve të tyre. Të tillët, dalloheshin shumë lehtë nga rrethi, nga se ata shquheshin për pedanteri, taraçillëk , plisa të bardhë dhe mustaqe të mëdha seri tek veshi .

Plisin e bardhë mbi cep të syrit, nuk e mbanin më shumë se sa një javë, për ta blerë tjetrin! Mustaqet i dridhnin dhe i lëshonin deri tek veshët thikë përpjetë. Në gjoks mbanin sahatin “Sergisuf” me çystekë. Në xhepa mbanin kutia të duhanit prej argjendi , shkrepëza , unur dhe çehlibarë për të thithur tymin e duhanit me kërrname të mëdha para masës.

Jo rrallë, ata bartin edhe tirq dhe shokë, për t’ a krijuar para opinionit një personazh komplet patriotik dhe trim të llojit të vet .

Të tillët , ftoheshin kudo nëpër tubime, ndeja, dasma dhe ahengje popullore për t’ua hijeshuar vendin dhe ata gjithmonë qiteshin në ballë të oxhakut, në krye të odës, apo në krye të vendit para mysafirëve të tjerë. Ata shërbeheshin gjithmonë të parët dhe uleshin gjithmonë në sofrën e parë .

Njerëzit e tillë, duke e ditur rolin e tyre dhe prestigjin që do ta gëzojnë nga rrethi, asnjëherë nuk shkonin në dasma , ndeje e ahengje të ndryshme,  pa u pajisur mirë me një numër të madh fishekësh për armët që i merrnin me veti. Madje, ata bënin gara në mes veti se cili prej tyre ka me veti më shumë fishekë se tjetri ! Kishte prej tyre asi që nuk shkonin në dasma pa i siguruar së paku 1500 copë fishekë !

Të shtënat e tyre me armë zjarri nëpër dasmat, ahengjet dhe ndejat e ndryshme popullore, fillonin që nga afrimi i tyre pranë dyerve të oborrit të mikpritësit, për të vazhduar brenda konakut gjatë tërë natës deri në mëngjes kur po përfundonte ahengu !

Shtinin me armë zjarri, kur këndonin këngëtarët, madje pa kurrfarë kontrolli . Shtinin mbi koka të njerëzve, nëpër tavane të odave, nëpër dysheme, nëpër dritare, por edhe nëpër mure të shtëpive ku zhvillohej ahengu.

Detyra e tyre primare me këto të shtëna, ishte që t’i nxisin të gjithë të tjerët që posedojnë armë ilegale, për të shtënë edhe ata barazi me ta, në mënyrë që pastaj të kenë materiale të bollshme për të raportuar tek organet e sigurimit dhe për të marrë masa ndaj tyre!

Në anën tjetër, të armatosurit e tillë legal dhe të përkëdhelurit e pushtetit, me anë te të shtënave me armë zjarri publikisht, mëtonin që t’iu tregojnë të gjithë kundërshtarëve të tyre, se ata janë të armatosur dhe nuk i frikësohen askujt ! Bile, kishte edhe të tillë , që ishin shumë të pa moralshëm dhe duke u mbështetur në forcën e armatimit të tyre, shpeshherë edhe iu hynin natën nëpër dhoma grave të huaja, me qëllime çnjerëzimi !

Kategoria e këtyre njerëzve të përkëdhelur nga pushteti dhe sigurimi serbosllav , përveç privilegjit të armatimit, rekrutoheshin edhe në anëtarësimin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, për të zënë më vonë edhe poste pune zyrtare .

 

Kush na i impononte që të këndojmë për Titon dhe Vëllazërim – Bashkimin e popujve të Jugosllavisë ?

 

Shpeshherë në bisedat tona të përditshme, kur evokojmë kujtime nga e kaluara e jonë e hidhur historike, na bien të dëgjojmë një refren bajat dhe pa kurrfarë baze reale, se gjoja dikush na paska imponuar që patjetër ne duhet të këndojmë këngë për Titon dhe për Vëllazërim – Bashkimin e popujve të Jugosllavisë !

Kjo tezë nuk qëndron aspak dhe nuk ka të bëjë me realitetin, nga se kurrën e kurrës gjatë karrierës sime prej këngëtari popullor, nuk më ka ndodhë që dikush nga pushtetarët serbë të më imponojë me urdhër që unë të këndoj këngë për Titon, ose për Vëllazërim – Bashkimin e popujve të Jugosllavisë !

Nëse dikush ua ka imponuar këngëtarëve shqiptarë të Kosovës, që të këndojnë këngë për Titon dhe për Vëllazërim – Bashkimin e popujve të Jugosllavisë, atëherë ata kanë qenë vetë shqiptarët lojal të pushtetit serbosllav, komunistët e LKJ-së dhe karrieristët zyrtarë të  atij pushteti .

Në anën tjetër, ka pasur edhe këngëtarë e rapsodë popullor, të cilët me vetë-dëshirë u kanë këndua këtyre protagonistëve , të joshur nga lojaliteti dhe ëndrrat për të arritur ndonjë popullaritet, apo karrierë më të lartë se sa të tjerët !

Këtë lojalitet, të tillët zakonisht e arsyetonin me thënien :”Për të mund që t’i këndojmë lirshëm këngët patriotike, po na duhet që së pari të këndojmë për Titon dhe Vëllazërim – Bashkimin, e pastaj po këndojmë çka po duamë!”

Lojalistët e këtillë, jo vetëm përmes këngës dhe formave tjera perfide, por ata shkuan aq larg, sa na u mbush Kosova me emra fëmijësh: Vëllaznim , Bashkim , Marenglen, bile ka pasur tentime që dikush ta pagëzojnë fëmijën e vet edhe me emrin Tito!

Hiq larg këtyre imponimeve nuk qëndronin as disa mësues e arsimtarë lojal , të cilët me shumë ëndje ua mësonin  nxënësve të tyre këngët për Titon dhe Vëllazërim – Bashkimin e popujve jugosllav .

 

Kush na i impononte që të shkruajmë hartime shkollore, të thurim vjersha, të këndojmë këngë dhe të vizatojmë portrete  për Titon dhe Vëllazërim – Bashkimin ?

 

Nuk ka nxënës shqiptarë të Kosovës, i cili ka kaluar nëpër bankat e shkollës fillore e të mesme , e të mos ketë shkruar nga disa herë tema hartimi nga gjuha dhe letërsia shqipe, e të mos i jetë imponuar tema për Titon, ose për Vëllazërim – Bashkimin e popujve të Jugosllavisë !

Këto tema, nuk ua ka imponuar askush tjetër, pos mësuesve dhe arsimtarëve të tyre, të cilët kanë qenë lojal besnik të pushtetarëve serbosllav, me qëllim që të përfitojnë poena pozitiv, besueshmëri të plotë dhe avancim në pozitat e tyre karrieriste .

Të njëjtat imponime, ua  kanë ushtruar në vazhdimësi  edhe nxënësve të talentuar për poezi, të cilët detyroheshin që të thurin vjersha për Titon dhe Vëllazërim – Bashkimin e popujve të Jugosllavisë !

Me këto imponime ndaj nxënësve , nuk kanë ndejë duarkryq as mësimdhënësit e Edukatës Muzikore dhe ata të Artit Figurativ .

Çdo program festiv shkollor është shoqëruar me këngë për Titon dhe për Vëllazërim – Bashkimin e popujve jugosllav .

Të njëjtën gjë  e kanë bërë edhe mësimdhënësit e artit figurativ, të cilët ua kanë imponuar nxënësve të tyre , që ta portretojnë Titon dhe bashkëjetesën tonë me popujt tjerë serbosllav, ku asnjë ekspozitë kolektive e nxënësve nuk ka mund të paramendohet pa portrete të këtilla !

 

Kush na përgjonte, na spiunonte dhe na ndëshkonte kur këndonim këngë patriotike ?

 

Bashkëpunëtorët dhe shërbyesit e përbetuar lojal të pushtetit serbë ishin kudo në mesin tonë . Ata të cilët ishin me vula dhe rroga të pushtetit dhe shërbimit të sigurimit shtetëror , diheshin publikisht dhe ne nuk e kishim të vështirë që të ruhemi prej tyre, por ata të cilët punoni fshehurazi dhe para opinionit paraqiteshin si burra të mirë dhe patriotë të devotshëm, për kah numri ishin shumë më të shumtë dhe ishte e pa mundur që të identifikoheshin që të gjithë, apo të ruhemi prej tyre .

Bashkëpunëtorët dhe spiunët e tillë, përveç që visheshin strikt me rroba kombëtare, me plisa të bardhë, me mustaqe si të Stalinit , me shoka dredhë – dredhë, sahata, çystekë, armë në brez, armë në krah...uleshin këmbë për këmbë me grupet dhe rapsodët popullor dhe u kërkonin atyre vazhdimisht këngë to forta patriotike !

Me një vesh dëgjonin fjalë për fjalë këngët që po këndoheshin, me një vesh dëgjonin fjalët dhe reagimet e të tjerëve se çfarë komentesh po u bëhen këtyre këngëve dhe këngëtarëve (rapsodëve)!

Gjatë këndimit të këtyre këngëve, ata pa dhimbshëm zbraznin rafale plumbash nga të katër anët e dhomës (odës), por nuk harronin t’i përcillnin me nga katër palë sy, se kush tjetër po shti me armë dhe me çfarë armësh ?!

Gjatë shtënies me armë zjarri, ata nuk harronin asnjëherë që t’i urojnë këngëtarët me :”O, zemra ju këndoftë, bre shahira, se na kënaqet “!”O, këndofshi gjithmonë!” “O, kalle, kalle!””O, digje, digje!”...etj. etj.

Pas tyre, mashtroheshin edhe ata të tjerët, të cilët posedonin armë të ndryshme pa leje dhe ua epshin zjarrin armëve të tyre !

Bashkëpunëtorët dhe spiunët e UDB-së, pos që i mbanin mend mirë ata që po shtinin me armë zjarri, shpeshherë i incizonin edhe në magnetofonat e tyre, kinse për kujtim dhe si adhurues të flakët të këngëve patriotike !

Kur këndonin rapsodët – ata i uronin me brohoritje të lartë:

”O, kalle, kalle Filan Filani, zemra të këndoftë se na kënaqe!”

Brohoritjet e këtilla, atyre iu nevojiteshin si dëshmi e gjallë për ta argumentuar dhe dëshmuar punën e tyre gjatë dorëzimit të materialeve të spiunazhit  në UDB!

Të njëjtën gjë e bënin edhe ndaj atyre të cilët shtinin me armë zjarri, duke iu brohoritur me emër e mbiemër :

”O, digje Hajdar Krasniqi, digje, he të lumtë gishti dhe llovaçka (pushka e gjuetisë) 2 herë !”

Kur dikush shtinte me pushkë, ata i brohorisnin:”O, digje Hasan Berisha, digje, he të lumtë gishti dhe pushka 5 herë!”

Kur dikush shtinte me revole , ata i brohorisnin:”O, digje Xhymshit Begu, digje, he të lumtë ajo allti 8 herë !”

Pas dorëzimit të këtyre dëshmive të incizuara me magnetofon, atëherë UDB-ja nuk e kishte aspak të vështirë që t’i hulumtojë dhe arrestojë aktorët e këtyre këngëve, apo poseduesit e armëve ilegale , me ç’ rast pasonin ndëshkimet, maltretimet, torturimet, rrahjet, burgosjet dhe dënimet tjera !

 

Kush ua përkthente zyrtarëve të sigurimit shtetëror serbë, tekstet e këngëve tona ?

 

Pasi që ua dorëzonin organeve të Sigurimit Shtetërorë materialet e incizuara me magnetofona nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, pastaj punën e vazhdonin zyrtarët shqipfolës të UDB-së, të cilët viheshin në rolin e përkthyesve të teksteve të këngëve fjalë për fjalë nga gjuha shqipe në atë serbishte .

Pastaj pasonin marrjet në pyetje dhe bisedat informative, të cilat zbatoheshin me metodat dhe mënyrat më perfide të dhunës dhe torturave fizike, deri në kompletimin e lëndëve penale, për të cilat sërish gjendej ndonjë gjyqtarë shqipfolës – lojal besnik i pushtetit serbë, i cili pa dhimbshëm do t’ua shqiptonte dënimet protagonistëve të cilët e kanë thyer rendin, ligjin dhe kanë rrezikuar “Vëllazërim – Bashkimin” e popujve të Jugsllavisë!

 

Kush ishte në të vërtetë UDB-ja serbo-jugosllave e cila gjurmonte dhe vihej në gjah kundër shqiptarëve,veprimtarëve , artistëve, krijuesve...?

 

Fatkeqësisht, Shërbimi i Brendshëm Shtetëror (Unutrashnji Dërrzhavni Bezbednost- UDB) , përbëhej prej disa gjakrash të prishura shqipfolëse , të cilët ishin vu në detyra në krye të këtij shërbimi, për t’i ndëshkuar shqiptarët dhe për t’ua ngulfatur frymën e jetën në çdo hap të jetës . Atyre, siç thamë edhe më lartë, ju ndihmonin njerëzit (bashkëkombësit) e tyre shpirtshitur , kryesisht analfabetë dhe njerëz të dështuar kohe !

Udbashët shqipfolës – argat të dreqit të ardhur nga Karpatet , futeshin në çdo pore të jetës dhe nuk lenin asgjë pa e vu në shënjestër të përndjekjeve !

Kështu që , nga përvoja ime  mbi 40 vjeçare me  karrierë prej këngëtari e krijuesi muzikor, mund të them me përgjegjësi të plotë njerëzore dhe ligjore , se kurrë në jetën time , nuk më ka ndodhë që të më ndal një udbash serbë, të më merr në pyetje dhe të më kërcënojë: “Pse këndon? Çka këndon? Mos këndo!”... apo kërcënime tjera !

Të gjithë ata udbash që më kanë përcjellë, përgjua, incizua, përndjekur, intervistuar, kërcënuar e dënuar – kanë qenë shqipfolës të përbetuar për mbrojtjen e dinjitetit dhe integriteti serbosllav . Të tillët i di dhe i mbajë në mend emër për emër, por për hir të fëmijëve të tyre, të cilët nuk janë fajtor që janë pjellë e atyre krijesave, nuk dua që t’i publikoi me emra e mbiemra !

Më 1966, afër minierës së Strezocit të Kamenicës, rojtari i quajtur Aleksandar Stojanoviq , nga fshati Hajnovc, kishte vrarë me pushkë shqiptarin Xhemajl Ramiz Tahirin nga fshati Hajkobillë, i cili po kthehej me të vëllain në shtëpi nga tregu i Gjilanit, pa asnjë hak , as hile, por vetëm pse mbi kokë po e mbante plisin e bardhë?!

Kjo ngjarje makabre (edhe pse isha ende fëmijë) më pati tronditur shumë dhe unë që atëherë ia thura një këngë kësaj tragjedie të pa parë në Malësinë e Gollakut .

Me të dëgjuar këtë këngë, dy udbash shqipfolës të Gjilanit, ma incizojnë fshehurazi këtë këngë, e çojnë në UDB , e përkthejnë sipas qejfit të tyre dhe menjëherë e kompletojnë dosjen , ku e dorëzojnë në Gjykatën Komunale të Kamenicës .

Për shqyrtimin e kësaj lënde, po ashtu e kishin siguruar një gjyqtar shqipfolës lojal, i cili më pati dënuar me 30 ditë burg për kundravajtje, nga se më shumë nuk më rrokte ligji i atëhershëm , sepse ende isha fëmijë i moshës së mitur .

Pas kësaj kënge, përndjekjet dhe përgjimet e udbashëve shqipfolës ndaj meje nuk pushuan kurrë.

Këndimi i këngës së “Aksionit për mbledhjen e armëve ndaj shqiptarëve” në Janarin e vitit 1956, i dizajnuar dhe i drejtuar nga Aleksandar Rankoviqi, u bë si bombë atomike mbi kokat e udbashëve shqipfolës dhe shërbëtorëve të pushtetit rankoviqian!

Ata u vunë të gjithë në gjah kundër meje, por Kryeudbashi i tyre, me seli në Gjilan, ndër të tjera, mu patë kërcënuar si vijon:

“Ti , ke qua kokë shumë. Po këndon gjithçka të keqe në dëm të Vëllazërim – Bashkimit dhe figurave eminente të shtetit tonë! Shpejt do të vishë në zyrën time dhe do ta shohësh se sa e madhe tu ka bërë dosja kriminale ! Sidomos, “Kënga e Rankoviqit” të ka vu në krye të veprave kriminale! Ndalu e mos kënda ma këso këngësh, se besën po ta japi, kur të shti në dorë – nuk ke me mbet nën 20 vjet burg!”...

 

Kush ua impononte këndimin e këngëve serbe- këngëtarëve shqiptarë nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore shqiptare?

 

Argatët shqipfolës , shërbëtor e shpirtshitur nëpër shërbimet e ndryshme të pushtetit serbosllav, asnjëherë nuk bënin ndonjë ceremoni, ndeje, dasmë, apo aheng familjarë , pa i ftuar mysafirë edhe pjesëtarët e komunitetit serbë . Në dasmat dhe ahengjet e tyre, vazhdimisht ftoheshin mysafirë : odbornikët (këshilltarët ) e katundit, poreznikët (tatim mbledhësit) , shumarët ( rojet e pyllit) , milicët , udbashët, komunarët, funksionarët dhe pobratimët ( të vëllazëruarit ).

Me prezencën e njerëzve të këtillë, dasmat dhe ahengjet e ndryshme familjare merrnin krejtësisht një kahe tjetër dhe ato ishin shumë larg traditave dhe zakoneve tona tradicionale .

Ndërrohej kahja e bisedave, shërbimeve , lojërave dhe argëtimit. Mjaftonte që në një aheng të këtillë, të jenë të pranishëm 200-300 mysafirë shqiptarë dhe në mesin e tyre të jetë i pranishëm qoftë edhe një serb i vetëm dhe pastaj gjatë tërë natës të gjithë mysafirët e pranishëm të komunikojnë mes veti në gjuhën serbishte, në mënyrë që ta kuptojë dhe tenderohet mysafiri serb.

Në rastet e këtilla, shërbimi, ushqimet dhe pijet e dasmorëve duhet të përshtateshin sipas traditave dhe zakoneve serbe , për t’ ia plotësuar dëshirën një serbi, apo më shumë serbëve mysafirë !

Në ahengjet e këtilla, edhe këngëtarët (rapsodët) popullor ishin në hall të madh, nga se nuk dinin se nga t’ ia mbanin dhe çka të këndojnë ?!

Gjatë këndimit të tyre, ata janë urdhëruar nga pronari i dasmës, apo ahengut , që pa tjetër t’ua këndojnë edhe ndonjë këngë në gjuhën serbe dhe ta ekzekutojnë ndonjë valle po ashtu me motive serbe !

Njerëzit shqipfolës lojal të pushtetit, për interesa të ndryshme materiale, të punësimit dhe të pozitave zyrtare , jo rrallë e praktikonin edhe kumbarllëkun me familjet serbe, madje edhe pobratimllëkun (vëllazërimin ) me pjesëtarë të komunitetit serb . Të tillët kishin role dominuese nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore nëpër familjet shqiptare !

 

Për çka më prangosi milici shqipfolës  në Kamenicë dhe më mbajti në arrest plot 4 orë , më 1990?

 

Ishte pranverë e vitit 1990. Babai im Shefkiu , ndjesë pastë, kishte ngelur i vetmuar në fshatin e lindjes sime – Tugjec, nga se nëna ime Hysa (ndjesë pastë) ishte e shtrirë në spitalin e Gjilanit . Babai kishte ngelur atje prapa bjeshkëve i vetmuar, i mërzitur dhe i pa ushqim dy- tri ditë !

Unë , shfrytëzova rastin që të shkoj ta vizitoj babanë dhe t’ia qoi disa bukë bashkë me ushqimin e nevojshëm . Me veti e mora edhe djalin tim Shkëlqimin , që aso kohe i kishte vetëm 16 vjet . Deri në Kamenicë, shkuam me autobus, por prej aty për në fshatin Tugjec (18 kilometra) nuk kishte autobus, por duhej pritur ndonjë traktor të rastit , ose të udhëtohej këmbë .

Duke pritur në bërrylin e rrugës , ku shkohet për në Tugjec, pa pritur erdhi një veturë “Fiqë” e Milicisë dhe u ndal mu përpara meje. U hap dera e veturës dhe prej saj doli një milic shqipfolës , të cilin e njihja fare mirë, nga se ai jetonte në lagjen “Zabeli” të Gjilanit.

Milici, pa një , pa dy, më urdhëroi: “Eja e hyn në veturë, sepse po të thërrasin poshtë në Stacionin e Milicisë!”

Unë , mbeta si i shtangur para tij, kurse djali im Shkëlqimi u zverdh dhe vetëm sa nuk i ra pika nga frika ! I thash milicit gjakprishur dhe shpirtshitur :”Mos të lutëm! Si po më merr pa bërë asgjë? A po mi sheh valixhet me bukë në dorë, që jam duke ia qua babait tim të uritur qe 3 ditë në Tugjec?! A po ma sheh djalin që e kam marrë me veti dhe ky është i ri dhe do të trishtohet tash, nga se nuk di se kah t’ia mbajë!”

Milici i çmendur më tha:” More, ec po të them ma shpejt e mos më filozofo shumë, sa nuk të kam lidhur me pranga !”

Nuk e zgjata më tepër dhe hyra në veturë, prej ku milici me një shpejtësi të madhe dhe një entuziazëm që më kishte arrestuar, më dërgoi në Stacionin e Milicisë në Kamenicë, ku më futi në një zyre dhe iu tha dy milicëve tjerë:”Merreni në pyetje Ju, se unë shkova!”

Edhe ata dy milicë që po më merrnin në pyetje ishin shqiptarë dhe në fytyrat e tyre u vërejt një habi e madhe dhe keqardhje ndaj meje. Filluan të më marrin në pyetje, por as ata nuk dinin se për çka të më pyesin e as unë nuk e dija shkakun se për çka më solli ai njeri në Stacion?!

Aty , më mbajtën plot 4 orë , pa asnjë rezultat konkret. Dikur, njëri nga milicët që më merrnin në pyetje, më tha:”Baci Demir, po na vjen shumë keq prej teje, se përse ndodhi kjo kështu, por bëhu i bindur se na nuk kemi dorë, as dije për këtë rast! Të kërkojmë falje dhe tani mund të shkosh!”

Kur dola prej Stacionit, shkova drejt tek vendi ku e kisha lënë djalin tim. Djali im Shkëlqimi, kur më pa se u ktheva , ia nisi të qajë me zë nga gëzimi. Ai ishte stepur duke qarë dhe kishte ngelë pa ngrënë as bukë, duke pritur dhe duke menduar se nga t’ia mbajë dhe çka do të ndodhë me mua?!

Prej aty, udhëtuam këmbë për në Tugjec, nga se më nuk kishte shans për të gjetur ndonjë automjet që do të shkonte në orët e mbrëmjes për në atë Malësi !

Prej atëherë e deri në ditët e sotme, kurrë nuk arrita që ta mësoj se për çka më arrestoi milici shqipfolës – shërbëtor besnik i shkijeve, i cili edhe sot punon në Policinë e Kosovës në Gjilan dhe sa herë që e takoj në rrugë, atij i humbë gjaku në fytyrë , e ulë kokën dhe bëhet kinse nuk po më sheh ?!

 

Kush shkonte natën në Milici, për të spiunuar se kush po këndon, kush po shti me armë zjarri dhe çfarë këngësh po këndohen nëpër dasmat tona?

 

Bashkëpunëtorët dhe spiunët e UDB-së, të cilët shkonin nëpër stacionet e milicisë serbosllave për të spiunuar se kush çka po këndon, kush po shti me armë zjarri, kush çka po flet nëpër oda, dasma e muhabete, ishin zakonisht njerëz të moshuar analfabet, të cilët rregullisht e bartnin plisin e bardhë mbi cep të syrit dhe i lëshonin mustaqet vesh me vesh, për t’ua mbushë mendjen dhe syrin opinionit , se ata janë burra të mirë, serioz, esnafë dhe patriotë të llojit të vet !

Të tillët, gjatë tërë natës qëndronin nëpër zyra të milicisë, stacionet e milicisë dhe në komunikim me udbashët, të cilëve ua jepnin informata të ndryshme në dëm të qytetarëve të pafajshëm .

Në orët e para të mëngjesit , ata dilnin shumë të disponuar nga dyert e stacioneve të milicisë për të shkuar në shtëpitë e tyre dhe për të pushuar. Në rastet, kur dikush nga njerëzit e njohur që ishin duke shkuar në punë, e shihnin atë person duke dal nga dyert e Milicisë, ai skuqej dhe shtirej para tij, duke i thënë:

“A po e sheh se çka më ka gjet? Gjatë tërë natës më kanë mbajtur mbyllë nëpër zyrat e tyre, duke më maltretuar dhe duke më kërkuar armë, por kot e kanë se kurrë prej meje nuk kanë me mujtë me marrë armë, as me ma nxjerrë një fjalë prej goje !”

 

Në bisedë informative në SPB për këndimin e “Këngës së Osman pashës”???!!!

 

Në vitin 1988, isha angazhuar që të këndoj në Restorantin “Hashani” në fshatin Malishevë , afër Gjilanit . Interesimi ndaj këngës shqipe në atë kohë ishte shumë i madh, nga se isha njëri ndër këngëtarët e parë shqiptarë, që po këndoja shqip nëpër lokalet hoteliere , nga se deri në atë kohë nëpër lokalet e këtilla këndonin vetëm këngëtaret rome dhe serbe .

Ndoshta për dike është e pabesueshme, por është e vërtetë se në atë kohë dhe në atë Restorant ku po këndoja unë, përveç shumë mysafirëve që vinin për të dëgjuar këngën shqipe nga Gjilani, rrethina dhe regjioni, jo rrallë , ka ndodhur që të vijnë mysafirë special edhe nga Ulqini dhe nga Dibra !

Ndër këngët e shumta që i këndoja unë, në repertorin tim, pa dyshim se njëra ndër këngët më të kërkuara nga publiku i pranishëm, ishte “Kënga e Osman pashës”, këngë kjo që ishte botuar në disqet e gramafonit nga këngëtari i madh Qamili i Vogël dhe grupi i tij i atëhershëm .

Në mesin e mysafirëve të shumtë, në atë Restorant për çdo natë kujdestaronin udbashët zyrtarë, duke u maskuar në mënyra të ndryshme .Madje, udbashët ndërroheshin me rend , sa nga Gjilani, sa nga Vitia, sa nga Presheva, sa nga Bujanoci, sa nga Kamenica ...e kështu me radhë , nga se me këtë taktikë, ata mendonin se nuk do t’i identifikojë opinioni dhe as unë si këngëtar që më përcillnin në çdo hap !

Një mbrëmje, pasi e mora një porosi nga një grup mysafirësh për t’ua këndua “Këngën e Osman pashës” dhe ua këndova duke më përcjell me duartrokitje frenetike, pasi e mbarova këngën, më thirri në tavolinën e tij, një udbash shqipfolës , të cilin unë e njihja shumë mirë, por për të bëmat e tij, e njihte edhe mbarë Kosova !...

Ju afrova tavolinës së tij dhe i thash : “Urdhëroni zotërinj !”

Udbashi që ishte mërdhezë në fytyrë dhe ishte skuqur si speci, më tha me një mllef urdhërdhënës :”Ti, nesër duhet të më paraqitesh patjetër në zyrën time të UDB-së, dhe atë fiks në ora 12.00!”

Unë, mbeta i habitur nga ky urdhër i pa pritur i tij, nga se nuk e kisha idenë se për çfarë “mëkati” po më fton në bisedë informative ky njeri !

Atë natë, edhe pse erdha shumë vonë nga puna, nuk fjeta dot, duke menduar se çfarë do të ndodhë me mua?!

Të nesërmen në ora 12.00, u paraqita në zyrën e tij. Ai, menjëherë ia nisi provokimeve dhe kërcënimeve të kuzhinës së tyre udbasheske, duke më pyetur:

“Pse po e këndon Këngën e Osman pashës? Pse po e nxitë nacionalizmin shqiptarë? Pse po i shkelë normat e sistemit tonë socialist ? Pse po e dëmton rrugën e Vëllazërim – Bashkimit? Pse po mbjell urrejtje dhe përçarje ndër etnike?...etj. etj.

Unë , duke mos e kuptuar se ku e ka qëllimin final, iu drejtova: “O zotëri! Më trego konkretisht se për çfarë më keni ftuar këtu dhe mos më maltreto më shumë, nga se unë nuk po e di shkakun se përse më keni ftuar këtu?!”

Udabashi, pasi ma shau nënën skaj me skaj , u ngrit në këmbë dhe më tha:” Përse po e këndon ti Këngën e Osman pashës, përmes së cilës në vazhdimësi po e përmendë Shkodrën e Shqipërisë, ku po thua: “U nis nizaja prej Stambollit n’ Shkodër – Osman pasha u rrethu’ n’ Pleven t’ Vogël!”...A po e sheh se si po i nxitë nacionalistët me këtë këngë dhe tani ata vetëm po aplaudojnë?!

Në dash me jetua e me këndua edhe ndonjë ditë më shumë, unë po të them mos e këndo ma kurrë këtë këngë dhe harroje për gjithmonë! Për ndryshe , të pret burgu i sigurt dhe dajaku!”

 

Si bënte roje përgjimi udbashi  i maskuar në hotelin “Kristal” të Gjilanit?

 

Në vitin 1989, isha i angazhuar që të këndoj shqip në Hotelin “Kristal” të Gjilanit. Atëherë, këngëtarët dhe muzikantët që angazhoheshin për të muzikuar në Hotel, paguheshin me pagë mujore nga shteti , e jo privatisht .

Muzika bëhej me program të caktuar dhe nuk ishte e lejuar marrja e porosive nga mysafirët, apo përmendja e emrave të tyre përmes mikrofonit.

Programi fillonte nga ora 20.00 dhe përfundonte në ora 23.45 minuta. Brenda kësaj kohe, 15 minuta këndohej shqip, 15 minuta këndohej serbisht, 15 minuta këndohej turqisht, magjupisht dhe në ndonjë gjuhë tjetër . Pas çdo 45 minutash pushonim nga 15 minuta .

Gjatë kësaj kohe, sa isha unë i angazhuar si këngëtar i këngëve shqipe, për çdo mbrëmje vinte në Hotel një udbash mjeran shqipfolës , i cili gjithmonë ulej në një çosh të Hotelit, rrinte i vetmuar dhe e luante rolin e një të mjeri. Madje, ai gjithmonë ulej me shpinë prej nesh, në mënyrë që të mos identifikohet qoftë nga ne, qoftë nga mysafirët e Hotelit !

Ai udbash mjeran, për çdo mbrëmje maskohej me disa bunda të vjetra të xehetarëve që ishin me lesh të deleve dhe që moti kishin dalë nga përdorimi. Mirëpo, ai e luante rolin e një çobani, një bujku, apo një xehetari të varfër, i cili nuk ka gjë para shpirtit dhe që nuk ka as me kënd të shoqërohej ?!

Kështu më ka përcjell një kohë të gjatë, deri sa një natë e takova rastësisht në hyrje të Hotelit dhe pasi i thash “Mirë mbrëma!”, si në buzëqeshje i thash në emër të vërtetë :”O zotëri Filan! Po më dhimbesh që u mërshine për çdo natë duke më dëgjuar mua kah po gërvallëm, e aq më tepër po më dhimbesh që po rri i vetmuar e nuk po ke shoqëri për ta kaluar mbrëmjen!”

 

Si vinin patrullat e milicëve dhe udbashëve për të na përgjuar nëpër dasma se çka po këndojmë ne?

 

Në kohën kur muzika nëpër dasmat dhe ahengjet tona popullore, filloi të modernizohet, kur grupet muzikore këndonin nëpër dasma në ambiente të hapura, nëpër oborre të shtëpive, nëpër salla të ndryshme , nga se këtë ua mundësonte teknika elektronike e zërimit .

Me përdorimin e zmadhuesve dhe të altoparlantëve nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, filloi të modernizohej edhe mënyra e organizimeve të dasmave dhe ahengjeve, mënyra e thirrjes dhe vendosjes së mysafirëve , mënyra e ushqimit , pijeve, shërbimeve , por edhe filluan të bashkohen dy gjinitë së bashku, gjë që dikur kjo ishte temë tabu për dasmat shqiptare.

Me që ambientet e dasmave dhe ahengjeve u ndryshuan rrënjësisht, odat u lanë pas dore, tani edhe mënyra e spiunimit për atë se çfarë po ndodhë nëpër dasma, çfarë po bisedohet dhe çfarë po këndohet ndryshoi dukshëm për ata të cilët ishin mësuar të përgjojnë tinëzisht !

Me aplikimin e teknikës së altoparlantëve nëpër dasmat dhe ahengjet e ndryshme popullore, bisedat e ndryshme private u pamundësuan nga fuqia e lartë e altoparlantëve dhe as që dihej se kush çka po flet !

Po ashtu, edhe këngët që këndoheshin nga këngëtarët e ndryshëm, mund të dëgjoheshin në një largësi bukur të largët nga vendi i dasmës. Kështu që, tani për ta përgjuar se çfarë këngësh po këndohen në ato dasma, tani do të angazhoheshin patrulla të milicisë gjatë tërë natës, të cilët në bashkëpunim me udbashët e tyre, do ta vëzhgonin prej së largu atmosferën, çka këndohet dhe sa po përdorën armët e zjarrit. Ata tani mund ta incizonin tërë ngjarjen prej së largu  dhe materialin e mbledhur do ta elaboronin më vonë nëpër zyrat e tyre .

Mirëpo, me modernizimin e dasmave dhe ahengjeve, filluan të vetëdijesohen dhe të modernizohen edhe disa milicë shqiptarë, të cilët edhe pse shërbenin në pushtetin e serbëve, ata kishin gjak shqiptari dhe ndjenja kombëtare për kulturën dhe traditën tonë .

Kështu që , një herë kur isha duke kënduar në një dasmë, në lagjen “Çenar Çeshme” të Gjilanit, aty kah mesnata u nxi oborri i shtëpisë nga patrulla e milicisë e cila kishte ardhur enkas për të na përgjuar se çfarë këngësh po këndojmë?!

Përnjëherë , të gjithë dasmorët e pranishëm u stepën, por edhe anëtarët e grupit muzikor bashkë me mua, e humbëm disponimin dhe koncentrimin nga frika se mos do të na ndodhë diçka e pa pritur !?

Nuk vonoi shumë dhe njëri nga milicët që ishte udhëheqës i asaj patrulle, mu afrua në vesh dhe më tha ngadalë:

“Demir, pasha Zotin, ata na kanë  qua me ju përcjellë se çka po këndoni dhe me ua ndërpre muzikën menjëherë, por Ti kalle , mos e ndal këngën dhe këndo çka të duash, se unë jam këtu dhe mos ta ndien se nuk guxon kush një kime floku me ta prekë!”

Ai njeri, edhe sot punon në Policinë e Kosovës dhe shquhet për kryerjen me nderë të detyrës dhe për patriotizëm të devotshëm kombëtar .

 

Bisedë intime me një udbash të dehur

 

Udbashi i cili ishte i pranishëm gati çdo aheng  familjarë dhe nëpër dasma të ndryshme popullore, shtirej se ishte adhurues i flakët i këngëve dhe folklorit në përgjithësi . Ai , vazhdimisht konsumonte alkoolin nëpër ahengje të këtilla dhe qefleisej shumë shpejt . Madje, jo rrallë , porosiste edhe këngë të ndryshme , për çka edhe i qeraste këngëtarët dhe muzikantët .

Një natë, kur po iu afroheshim orëve të hershme të mëngjesit, e pash se i kishte “shitur drutë totalisht “ dhe e pyeta si në heshtje:

-          Pashë besën, a po më tregon drejt diçka ?

Ai, ma ktheu pa hezitim:

-          Pasha besën, si ta di, po pse jo?

Unë i thash :

- Si po e dini dhe kush po ju informon menjëherë brenda natës, kur po vijnë kurbetçinjtë dhe po sjellin “materiale propagandistike – armiqësore” ?

Udbashi mu përgjigj pa asnjë hezitim :

-          Pasha besën, po të tregoj ! Ne nuk jemi profetë , as evlija me e ditë se kush po vjen e çka po bien, por gratë e veta janë të lidhura me neve dhe ato na lajmërojnë brenda natës me telefon:”Hajdi e merreni këtë farë plehu, se ka ardhur sonte me një krah materiale të ndryshme! Ai është fjetur në gjumë !”

Pasoi pyetja ime e dytë:

-          Po , si po e dini krejt në detaje se çfarë po ndodhë nëpër shkollat tona ?

Udbashi qeshi dhe u përgjigj :

- Gjithë çka ndodhë nëpër shkolla, ne e marrim vesh përmes kurirave (shërbëtorëve) të shkollës, nga se ata janë njerëz të pa shkollë, nënçmohen dhe përbuzën nga të gjithë arsimtarët, drejtorët e shkollave dhe nxënësit. Askush nuk ruhet prej tyre, kurse ata e shohin dhe e ndjejnë çdo gjë që ndodhë brenda shkollës e pastaj na i japin informacionet neve !

 

Kush më dërgoi 6 orë në pyetje në milici të Gjilanit për mbajtjen e mbledhjeve ilegale në shtëpinë time ?

 

Ishte kohë e pa kohë dhe shumë e vështirë për mbarë popullin shqiptarë ,që nuk dihej se kënd po e errë nata, a kënd po e agon dita ! Retë e zeza e kishin pllakosur mbarë qiellin kosovarë nga fallangat e errëta të regjimit barbar serbosllav . Lufta vetëm sa nuk kishte filluar !

Edhe në atë gjendje të mjeruar për fatin e kombit shqiptarë , hienat e zeza shqipfolëse dhe shërbëtore besnike të regjimit serbë , nuk ngopeshin me gjakderdhjen e shqiptarëve dhe nuk pushonin së vepruari kundër bashkëkombësve të tyre !

Nën ato rrethana , unë sapo kisha ardhur në shtëpi në orët e para të mëngjesit , i lodhur , dërmuar dhe i rraskapitur nga puna në një restorant , prej ku duhej t’ua siguroj kafshatën e gojës, librat dhe veshmbathjen fëmijëve të mi . Sa po kisha rënë në gjumë, dyert e oborrit të shtëpisë sime ia filluan të trokasin tmerrshëm, ku në bazë të atyre krismave të çmendurisë e dita se ato janë të milicisë serbe !

Gruaja ime e trishtuar nga ato krisma , doli tek dyert e oborrit dhe kishte pa se aty po trokisnin milicia serbe dhe po kërkonin që t’ ua hapte derën ! Udhëheqës i asaj patrulle ishte operativisti i njohur famëkeq , që quhej Vitomir Iliq, i cili e fliste shqipen pa asnjë gabim dhe që në shumë  raste në meset shqiptare prezantohej me emrin “Ilir”, gjoja si shqiptar !

Në pyetjen e gruas sime, se çka po kërkonin ata kaq herët në shtëpinë tonë, Iliqi i kishte thënë :”Kemi ardhur për ta marrë Demirin në bisedë informative !”

Gruaja iu kishte thënë:”Demiri nuk është këtu , nga se nuk ka ardhur ende nga puna!”

Iliqi, duke qeshur me një cinizëm udbashesk , ia kishte kthyer:

-          Hajt, zonjë, hajt! Mos u lodh të më gënjesh, nga se ne e dimë saktë edhe me minuta se kur ka mbërri Demiri në shtëpi! Ne , e dimë se ai tash është fjetur, por le të flenë !

-          Por, kur të zgjohet nga gjumi, thuaj le të vjen vet në Milici e të mos na detyrojë neve që të vijmë prapë këtu !”

Gruaja ime, u kthye brenda pa një pikë gjaku në fytyrë dhe më tregoi se çfarë i kishin thënë ata! Pas këtyre rrëfimeve , ishte e pa mundur që të flija , apo të pushoja në shtëpinë time dhe menjëherë u zgjova, u përgatita dhe shkove në Stacionin e Milicisë së Gjilanit.

Atje , po më priste operativisti Vitomir Iliq, bashkë me 6 milicë tjerë, që të gjithë ishin serbë.

Pasi i përshëndeta me një “Mirëmëngjes” të ftohtë, e pyeta Iliqin se për çka më kanë ftuar?

Iliqi , ia filloi të më tregoi se për çka më kishin ftuar:

-          Kemi informacione shumë të besueshme dhe të sigurta, se në shtëpinë tënde janë duke u mbajtur mbledhje ilegale të grupeve separatiste shqiptare!

Unë, mundohem që ta bindi Iliqin , se kjo dezinformatë është vetëm një shpifje e llojit të vet, nga se nuk ka të bëjë asgjë me të vërtetën !

Së pari, ti z. Iliq e di mirë se unë gjatë tërë natës punoj nëpër lokale hoteliere, sa për t’ua siguruar bukën fëmijëve të mi! Mbledhjet ilegale në shtëpinë time, nuk mund të mbahen pa prezencën time dhe gruaja ime nuk e ka atë mandat që të organizojë mbledhje në shtëpi, kur unë nuk gjendem aty !

Së dyti, ti z. Iliq e di shumë mirë se ku jetoj unë dhe në çfarë kushtesh jetoj! Unë kam vetëm një kuzhinë të vogël dhe një dhomë fjetje 4x4 metra katrore! Prandaj, nuk di se nga ju ka ardhur kjo informatë, kur as vet nuk kam vend të mjaftueshëm , lere më të mbajë aty mbledhje me grupe ilegale !

Kjo bisedë zgjati plotë 6 orë, ai duke pohuar një gjë të këtillë, e unë duke e mohuar se nuk është aspak e vërtetë !

Dikur, kur u lodh dhe e humbi durimin duke u marrë me këtë çështje, më tha:

-          Ti, nuk po e pranon, por njeriu që na ka informuar për këtë veprim, është njeri shumë i besueshëm, shumë i ngritur dhe shumë i arsimuar. Ai , nuk është njeri që shpifë e gënjen!

-          Po si mund të shpifë e të gënjen “Filan Filani”, që është jurist i diplomuar, ka qenë inspektor, ka qenë gjykatës e tash është edhe avokat ?! Po ti shko sot, e vazhdoje prapë  këtë aktivitet, e tani ne do të shihemi sërish me ty!

Suksesi dhe lumturia ime më e madhe në jetë, ishte momenti kur Iliqi nga mllefi e humbi kontrollin dhe ma tha emrin e mbiemrin e vërtetë të shqipfolësit , i cili më kishte shpifur e spiunuar !

Nga kjo ditë, nuk kaloi shumë kohë dhe lufta filloi. Prita deri sa mbaroi lufta dhe pas një kohe, i shkova në zyrë avokatit i cili më  kishte spiunuar tek Iliqi dhe i thashë:

- Lufta mbaroi. Tash jemi të lirë. Unë nuk kam ardhur për t’u hakmarrë, por kam ardhur vetëm që të tregoj se e kam kuptuar në detale se për çka më ke shpifur e spiunuar tek Vitomir Iliqi! Kjo të qoftë për nderë, kurse prej meje mos u frikëso kurrë, se unë nuk jam hakmarrës i sojit tënd !

 

Pse po lëshohen kartonët e gjelbër në vend të letërnjoftimeve z. Iliq ?

 

Pak para se të përfundonte lufta në Kosovë, më 1999, organet e sigurimit shtetëror serbë, kishin dizajnuar një projekt shfarosës për ata pak shqiptarë që kishin ngelur ende pa ikur nga Kosova , ku në mesin e tyre, isha edhe unë me familjen time .

Ata , kishin përgatitur disa kartona të gjelbër , në formë të letërnjoftimeve, për t’ua dhënë shqiptarëve të mbetur ende në Kosovë.

Ky projekt, sipas disa informatave që kishim ne, kishte të bënte me verifikimin e numrit të banorëve shqiptarë të mbetur ende në Kosovë, sidomos ata të Gjilanit me rrethinë, ku për ta ishin përgatitur dy gropa masive: njëra në “Gllamë” të Gjilanit, e tjetra në fshatin Moçare të Kamenicës, ku banorët shqiptarë të mbetur ende këtu, një ditë do të mblidheshin dhe do të ekzekutoheshin në mënyrë kolektive në ato gropa masive, ku pastaj do të mbuloheshin të gjallë e të vdekur me bagera e makineri tjetër !

Lufta vazhdonte . Ne shqiptarët që kishim mbetur ende në Gjilan, (siç e kemi zakon kur frikësohemi) mblidheshim e tërë lagja në mbrëmje tek njëri – tjetri këmbë për këmbe: burra, gra, pleq, plaka, fëmijë dhe bisedonim për vuajtjet që po i përjetonim, duke e shprehur këtu një dashuri të madhe ndërvëllazërore , ku të gjithë u bëmë “vëllezër e motra” të një familje !

Një mbrëmje, në një ndeje të këtillë, ndër të tjera, u shtrua edhe pyetja rreth lëshimit të “Kartonave të gjelbër” nga ana e organeve serbe .

Të gjithë filluan të debatojnë rreth këtij “kartoni”, duke e dhënë secili mendimin e vet, se për çfarë po na jepen ata kartona !

Unë vetëm heshtja dhe i dëgjoja me vëmendje mendimet e tyre ! Dikur, njëri që po i printe debatit dhe muhabetit, iu drejtua të gjithët pranishmëve kështu:

-          Po, pse bre vëllezër , po i thyeni dhëmbët kot, kur nuk dini asgjë?! Po, qe ku e kemi njeriun e shkolluar, i cili më së miri e di këtë punë, por ju nuk pa ja leni radhën dhe nuk po ia jepni fjalën!

-          Pa, hajde bre Demir, tregoju, se ti e di ma së mirë këtë punë!

Unë, duke menduar se vërtetë jemi në mesin e vëllezërve dhe motrave tona dhe duke menduar se së paku në këto ditë të luftës jemi unik dhe kemi besë me njëri – tjetrin, ia fillova që të ju tregoj, ashtu siç i kisha unë disa informacione rreth atyre “Kartonave të gjelbër” dhe rreth “Gropave masive” të cilat ishin përgatitur për likuidimin e të gjithë shqiptarëve të mbetur, në “Gllamë” të Gjilanit dhe në Moçare të Kamenicës !

Njeriu i cili kërkoi fjalën prej meje, iu tha të tjerëve:

-          A po e ndieni? A ju thash unë, se ju nuk dini asgjë, por vetëm flisni kot ?!

Kur u lodhëm mirë nga pagjumësia, dikur u shpërndamë të gjithë nëpër shtëpitë tona, sa për ta bërë një kokërr gjumë !

Të nesërmen , duhej që të shkojmë në vendin e caktuar të lagjes sonë, për t’i marrë ata “Kartona të gjelbër” , të cilët i shpërndante ekspedita policore me në krye operativistin Vitomir Iliq, alias “Iliri”!

Kur shkuam së bashku me gruan time dhe i morëm ato “Kartona të gjelbër”, duke dalë nga zyra, gruaja ime e pyeti Iliqin (pa lejen time) :

-          Allahile, Iliq , për çka po na i jepni këta kartona ?

Iliqi, i mllefosur para kolegëve të tij, nga fakti se gruaja ime e pyeti në gjuhën shqipe, ia ktheu përgjigjen në gjuhën serbe :

-          Eh, za to, pitaj svoga muzha, jer on bole od mene zna!( Eh, për atë, pyete burrin tënd, nga se ai e di më mirë se unë!).

Nga kjo përgjigje e Iliqit, u kuptua qartazi se njeriu i cili më kishte pyetur gjatë natës para mysafirëve si “vëllezër e motra”, nuk e kishte pritur mirë të agojë dita dhe kishte shkuar tek Iliqi, për t’ia dhënë informatat se çka ka folur Demir Krasniqi për “kartonat e gjelbër” dhe “Gropat masive “?!

 

Kush më largoi nga puna pas 38 vitesh dhe për çka ?

 

Lufta mbaroi. Kosova u çlirua dhe u demokratizua . Shqiptarët filluan të frymojnë e të jetojnë lirshëm .

Krahas bashkëkombësve të mi, jetoja krenar dhe këndoja lirshëm edhe unë, bashkë me nxënësit e mi të shtrenjtë dhe të shenjtë .

Ishte viti 2007, kur po përgatisnim programin kulturo – artistik për nderë të festës së Ditës së Shkollës Fillore “Abaz Ajeti” në Gjilan.

Mua, si arsimtarë i Kulturës Muzikore, mu caktuan nga Drejtoria e Shkollës, që t’i përgatis me nxënësit e mi vetëm 4 pika muzikore . Ashtu edhe veprova . Ua fillova ushtrimeve me një grup masiv prej më se 80 nxënësish dhe çdo gjë shkonte në rrugë të mbarë.

Për realizimin dhe përgatitjen e atyre 4 pikave muzikore, i përzgjodha gjithsejtë katër këngë nga historia jonë kombëtare , dhe ato ishin:

  1. Këngë për trimin legjendar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu ,
  2. Këngë për Ismail Qemajlin dhe ngritjen e Flamurit Kombëtar në Vlorë ,
  3. Këngë për komandantin legjendar Adem Jashari dhe
  4. Këngë për Agim Ramadanin, luftëtari i cili njëherë e përgjithmonë e rrënoi kufirin shqiptaro- shqiptarë .

Pasi ushtrova me nxënës plot tre muaj dhe i përgatita këto këngë si është më së miri, Drejtoresha e kësaj shkolle, z. Bahrije Millaku – Veseli, plot dy javë para se të mbahej koncerti i Ditës së Shkollës, organizoi “Provë gjenerale”, ku para nxënësve dhe disa kolegëve, më tha :” Këto këngë nuk bëjnë asnjëra dhe nuk mund të hyjnë në programin e Ditës së Shkollës, nga se këto këngë nuk po i duan këta!”...

Se kush ishin ata që nuk po i duan ato këngë, Drejtoresha kurrë nuk i tregoi ?!

Pasi m’u refuzuan këto këngë dhe mundi im tremujor më shkoi huq, unë nuk ndërmora asgjë për të përgatitur ndonjë pikë tjetër muzikore dhe hoqa derë nga programi festiv i shkollës.

Drejtoresha e shkollës, brenda natës, pa konkurs , pa lejen e organeve përkatëse , e thërret në telefon një vajzë të afërmve nga familja e atij që e kishte graduar me atë post dhe ia jep orët e mia, kurse mua pas 38 vjet përvojë pune në arsim, pas qindra aktivitetesh, qindra albumesh muzikore, pas dhjetëra librash të botuara nga krijimtaria ime, më hodhi në rrugë për gjithmonë dhe unë sot jetoj i pa punë, i pa të ardhura dhe nën mëshirën e të tjerëve , pa hak as hile .

Nëpërkëmbjen time, shkeljen e ligjit të punës dhe keqpërdorimin e detyrës zyrtare e ka vërtetuar edhe Gjykata Supreme e Kosovës , në Aktgjykimin e vet, nën shifrën: Rev. nr. 387/2008, ku ndër të tjera , shkruan:

“Refuzohet si i pa bazuar revizioni i të paditurës , paraqitur kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Qarkut në Gjilan, Ac.nr.195/2008 datë 18.06.2008.”

Dhe krejt në fund të këtij shënimi, po e përmbylli me një proverb popullor, të cilin shumë shpesh e kam dëgjuar nga më të vjetrit nëpër oda e ndeje të ndryshme, por të njëjtin e kam mësuar edhe nga këngët tona tradicionale popullore, ku thuhet:

“Daja për nip – nuk qet pushkë kurrë,

Por , nipi për dajën – herë do kurë, do të qet pushkë dhe do të hakmerret!”

Me këtë, dua të them se Serbia në Kosovë ka mbjellë farën e së keqes plot 100 vjet!

Andaj, nuk është çudi që nipat dhe mbesat e Serbisë, që kanë mbetur të flasin shqip në Kosovë, do të qesin pushkë dhe do të hakmerren edhe 100 vjet të tjera !



(Vota: 24 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora