E premte, 19.04.2024, 08:55 PM (GMT+1)

Mendime

Mark Xholi: Femra shqiptare "skllave" e dëshirës për ekzistencën!

E hene, 02.01.2012, 08:54 PM


Femra shqiptare "skllave" e dëshirës për ekzistencën!

 

Nga Mark Xholi*

 

Të ngujohesh, të vdesësh dhe të humbasësh jetën, të verbohesh apo të mos kesh mundësi të shkollohesh si bashkëmoshatarët e tu, të jetosh në izolim dhe me frikën e panikun ndaj vdekjes, të përjetosh ankth dhe të mos gjendet dikush pranë për të thënë, të hash ushqimin dhe të ndjesh neveri ndaj tij, të luftosh me vehten dhe mundimin, të heqësh zitë e ullirit dhe të jetosh e dërrmuar dhe e brengosur gjithë jetën, të ecësh dhe të bësh të njëjtën rrugë çdo ditë, e cila përfshin aksin "dhomë-kuzhinë-dhomë", të jetosh ferrin e Dantes dhe të mos dish të tregosh vuajtjet e mëdha që heq, të fillojnë goja të mbyllet nga halli e mërzia, të qash dhe të fshish lotët nga frika se po të shikon dikush, të gjendesh përballë gacës dhe të përdorësh mashën për orë të tëra, e për një çast të mendosh se e mira është të qëllosh vehten me të, të vjen të vjedhtë nga gjithçka, urren çdo gjë e çdokënd, qoftë edhe pa arsye, kjo është jeta jote, nuk e ke zgjedhur ti, por ajo të ka rënë për hise ty! Kësi përjetimesh gjenden në mozaikun e heshtur të atyre femrave, të cilat nga ligjet e Kanunit të Lekës mësohet të jenë bërë viktima të pafajshme. Faji nuk njeh përmasa, e pafajshmja as nuk njihet! Shteti nuk mund të organizojë dhe të bëjë diçka më tepër, ndërsa femra vazhdon të ndihet si në kohë të lashta, e diskriminuar dhe e dhunuar, me të drejta të kufizuara. Absurdi është se ligjet e shtetit shqiptar dhe ligjet ndërkombëtare i njohin të drejta të barabarta njerëzve, qoftë femrave apo meshkujve, e nga ana tjetër funksionimi i ligjeve të Kanunit famëkeq ia mohon femrës shqiptare këto të drejta, në çdo aspekt të jetës së saj.

 

Në këtë reportazh të përgatitur nga prof. dr. & publicisti Mark Xholi dhe me regji të Fran Shtjefnit, sjellim përpara lexuesit të gazetës sonë një pjesë të dhimbjes së përjetuar nga ato femra dhe gra të penalizuara nga ligjet e mbrapshta të Kanunit. Së bashku me grupin e xhirimit kemi vizituar disa vende në veri të vendit, ku edhe kanuni njeh përmasa zbatimi dhe praktikimi më të mëdha, ku kemi intervistuar dhe bashkëbiseduar me njerëz të këtyre zonave, që patën kurajon të na tregonin se sa shumë gra dhe femra kanë vdekur, janë ngujuar dhe vazhdojnë të jenë të tilla, se sa vajza të reja kanë zgjedhur rrugën e emigrimit për t'i ikur vdekjes së thirrur nga babai apo vëllai, apo edhe nga hasmi. Një banorë i Shalës, K. tregon se si një vajzë nga ky fshat është vrarë brutalisht nga babai i saj. Vajza do të vritej nën vëzhgimin e të gjithë njerëzve të fisit, të cilët do të duartrokitnin aktin e bërë nga babai-prind, i cili dërgon nderin e familjes në vendin e vet. Ngjarja e ka zanafillën që pasi vajza martohet me një nga djemtë e zonës dhe pas ndjekjes së ritualeve tradicionale të lidhjes së krushqisë mes familjeve, ndodh që dhëndri pas martesës bën me dije se vajza të cilën kishte marrë për grua nuk ishte e virgjër. Menjëherë babai i saj merr përsipër, që vajza e tij të mos vritej nga burri, por nga vetë familja e saj. Dhe babai së pari kërkon falje tek familja e dhëndrit, ndërkohë së dyti thërret gjithë pleqninë e fiseve që të bëhen pjesë për vendosjen e nderit të familjes së tij, duke vrarë vajzën e tij në mes të fshatit. Duke mësuar më tej për ngjarjen e ndodhur, menjëherë kalojmë tek viktimat e tjera femra nga kanuni dhe nuk kemi të ndalur duke dëgjuar dhe duke reflektuar me vehten tonë, se si ka mundësi, sot në shek. XXI në një pjesë të Europës të ndodhin gjëra të tilla, veçse ndotëse dhe të paimagjinueshme për shoqërinë?! Ngjarja tjetër lidhet me zonën e Bogës në Dukagjin, ku kryetar i familjes, pas vdekjes së të atit është djali i madh, i cili është 30 vjeç. Para 5 vitesh, vajza e kësaj familjeje M., asokohe 20 vjeç kërkon të vazhdojë studimet në një universitet. Ajo pengohet nga i vëllai V. asokohe 25 vjeç, me arsyetimin e mjaftueshmërisë së nxënies deri në shkollën e mesme dhe me panevojshmërinë e vazhdimit të studimeve të larta si shkak edhe i imoralitetit që ka brenda auditoreve të arsimit të lartë. Më në fund, vajza nga mërzia merr guximin e madh, të cilin pak e aspak femra të këtyre zonave mund ta merrnin përsipër, arratisjen. Ajo arratiset, ikën nga shtëpia! Dikush i kishte premtuar fejesën dhe emigrimin, ku atje ku do të shkonte mund të vazhdonte studimet e saja, për të cilat ajo aq shumë dëshironte. Ajo ndjek këtë rrugë, në momentin që po bëhet gati të nis jetën e re, vëllai i saj V. kishte informacionet e duhura. Një ditë përpara nisjes së tyre nga aeroporti i Tiranës, ai vret të fejuarin e motrës së tij, dhëndrin e ardhshëm të shtëpisë dhe sjell motrën në krahinën e Bogës. Që nga ajo ditë, nuk dihet fati i vajzës së shkretë. Disa thonë se është e mbyllur në shtëpi, ca thonë e ka vrarë i vëllai, ka edhe zëra se ajo është mbytur vetë në pusin e shtëpisë, siç ka edhe prej të paktëve që pëshpërisin se i vëllai e ka nisur në emigracion tek disa të afërm për të humbur gjurmë dhe për të vendosur heshtjen në këtë zonë, kësisoj duke ruajtur edhe nderin e moralin e familjes. Sigurisht, ngjarje të tilla përveç tronditjes që mbajnë me vete, janë të ditura nga të gjithë ne shqiptarët, por kur shkon dhe i prekën vetë hallet dhe vuajtjet e tyre mbinjerëzore, emocioni dhe ndjenja e pafuqisë tënde për të frenuar ndodhi të tilla janë të pashmangshme. Bashkohesh edhe ti me mjerimin, e bashkë me të gjen pikëllimin!

 

Fenomene të tilla janë të trajtuara gjatë në libra, analiza e opinione, reportazhe dhe emisione të ndryshme televizive. Nga këto ligje kanunore kemi mjaft gjakderdhje, por në reportazhin tonë kemi vendosur profilin e femrës, vajzës, gruas përballë kësaj shënjestre antinjerëzore, e cila ka pikëlluar dhe dëmtuar individë të ndryshëm. Edith Durtham mes të tjerash për Kanunin dhe ligjet e tij është shprehur: "Lekë Dukagjini duhet të ketë pasur një personalitet imponues që ka ndikuar kaq shumë te njerëzit, aq sa shprehja "Kështu ka thënë Leka", ka më tepër forcë detyruese se sa të Dhjetë Porositë e Biblës, mësimet e Islamit e të Krishterimit, Ligji i Sheriatit dhe i Kishës, të gjitha duhet t'i nënshtroheshin Kanunit të Lekës… Fama e tij midis fiseve që ende ruajnë emrin e tij, ia ka kaluar edhe famës së Skënderbeut." Kjo tregon se Kanuni ka qenë dhe vazhdon të jetë i pamëshirshëm ndaj atyre që shkelin ligjet e shkruara prej tij. Në ligjin 31, tek libri i tretë në kapitullin për Martesën, Kanuni thotë shprehimisht se vajza edhe nëse është e vetme, pra pa prindër, nuk ka asnjë të drejtë të mendojë për fejesën dhe martesën. Për martesën e një vajze kanë të drejtë të merren vëllezërit dhe kushërinjtë e saj. Ajo nuk ka asnjë tagër për të marrë pjesë dhe për të ndërhyrë në lidhjen e krushqive. Fatin e saj do ta zgjedhin të tjerët për të, ajo nuk ka asnjë të drejtë të merret me këtë gjë. Gjithashtu, po në këtë kapitull, por në pikën 40 thuhet se "fejesa dhe martesa duhen bërë me shkusi", pasi nuse pa shkusi nuk bëhet kush, se bie ndesh me ligjet kanunore. Mes të tjerash në Kanun thuhet se vajza duhet të ndjekë fénë e saj dhe se nuk lejohen lidhje krushqie me fé të ndryshme. Kjo tregon se sa absurde dhe të padrejta, por edhe paragjykuese e racionale na paraqiten këto ligje, që jo vetëm nuk i qëndrojnë kohëve të sotme, por mbi të gjitha sjellin dëme duke nisur nga konflikti e duke përfunduar deri tek problemet e ekzistencës jetike.

 

Femra një krijesë e brishtë dhe e përdhosur nga disa rregulla të quajtura "tradita shqiptare" e shdërruan femrën heroike shqiptare në një shërbëtore kokëulur dhe të bindur ndaj ligjit të burrit, mashkullit të familjes, ligjeve të kohës, por mbi të gjitha ligjeve kanunore. Kështu, ajo gjendet prej shekujsh e pambrotjur dhe e nëpërkëmbur. Nuk mjaftojnë as imazhi mediatik i disa konferencave, as lobimet ndërkombëtare, as reformat ligjore për barazinë gjinore për të vendosur së paku pakëz drejtësi, se për barazpeshë gjinore asqë bëhet fjalë. Në mes dy botësh, asaj të emancipuarës perëndimore ku femra gëzon të drejta dhe privilegje dhe asaj të vjetrës ku femra urdhërohet e poshtërohet, femra shqiptare e mbërthyer edhe nga fryma patriarkale vazhdon të shërbejë si "mashë" e shoqërisë në shërbim të interesave maskiliste. Edhe në vendimmarrje gruaja na shfaqet jopërfaqësuese. Femrat shqiptare nuk përbëjnë as 5% të parlamentit shqiptar, ndërsa për to dhe hartimin e ligjeve në mbrojtje të tyre flasin burrat, kinse të merakosur për të drejtën femërore dhe balancimin gjinor!

 

Gjithsesi, gjatë intervistave dhe takimeve tona në zonat e thella malore morëm vesh se shumë të ngujuar përveç emigracionit kishin ndërruar edhe destinacionet brenda Shqipërisë, pra janë shpërndarë gjeografikisht, veçmas në zonat e Lezhës, Mirditës, Laçit, Milotit, por edhe në veri-lindje të vendit. Kështu, e thënë ndryshe shumë familje  ishin ulur nga mali për të gjetur mbrojtje në ndonjë fushë a luginë të vendit, përgjatë bregut a nëpër pjesë malore të tjera nëpër Shqipëri të banuara sa më në distancë të largët nga hasmi apo dhunuesi. Jeta e vështirë ka bërë që shumë të mbajnë frymën gjallë nga emigracioni, por edhe të vetë-punësohen në blegtori e bujqësi, duke bërë punë të rënda, pse jo edhe gra që zëvëndësojnë qerre, lopë e bagëti. Thjesht, gra që edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira për mbijetesë duan të jetojnë, si gjë e cila veç Zoti e dhuron dhe e merr atë natyrshëm, kur të jetë shkruar nga Ai. Duart e këtyre grave, mbulesat shpesh në kokë dhe pamja fizike e tyre flet për një mallkim të madh që ligjet e kanunit po bëjnë ndaj tyre. Mjerimi duket qartë sa ai i tradhëton lotët e tyre, të cilët kanë momente që nuk përmbahen dot më dhe bien si currila uji. Fundja, edhe vuatja ka kufinj.

 

Një ngjarje tjetër tronditëse, e cila do t'i nxirrte edhe më në dukje ligjet ndëshkuese kanunore, ishte ajo e 15 tetorit të këtij viti. Në bazë të rregullave kanunore, vajza nuk ka tager të lidhet me një djalë, e aq më pak me një djalë të besimit të ndryshëm nga ajo e familjes së saj. Kështu, i ati i vajzës P., pasi kishte marrë vesh lidhjen e vajzës së tij I. me një djalë të besimit musliman vrapon me shpejtësi në drejtim të Shkodrës për ta goditur dhe dhunuar atë në mes të qytetit në sytë dhe praninë e opinionit të gjërë, i cili qëndron indiferent karshi ngjarjes, pasi çdo ndërhyrje në një situatë të tillë do të thotë vdekje për to. Kështu, veç ndërhyrja e uniformave blu ndaloi autorin që të kalonte deri në rrezikimin e jetës së vajzës së tij. Por për çfarë morali bëhet fjalë këtu? Për çfarë nderi bëhet fjalë? Absolutisht, gjithçka duket absurde! Një femër ka të drejtë të jetojë, studiojë e punojë dhe të kërkojë vetë fatin e saj. Kjo vajzë e gjorë, edhe sot pas një muaji gjendet në izolim total. Pas daljes së saj nga spitali i qytetit të Shkodrës, një shoqe e saj do të bëhej motër për të, pasi ajo merr përsipër në fshehtësi totale ta ndihmojë dhe ta strehojë. Deri kur? Deri në një ditë sa ajo të mos gjindet nga i ati dhe të afërm të tjerë për ta vrarë. Kështu, pjesë e fenomenit të rrjedhur nga ligjet e kanunit është edhe historia e kësaj vajze, e cila detyrohet të fshihet, ndoshta edhe jo shumë kohë, pasi do të gjendet në udhëkryq, për aq kohë sa asnjë organizëm institucional nuk merr në mbrojtje fizike jetën e saj, o të vdesë ose të largohet nga vendi i saj. Kështu, edhe kjo vajzë e mjerë nuk do të mund të sfidojë më shumë jetën në izolim. Vdekja e thërret dhe ajo nuk është më shumë se 20-vjeç, shumë e re për të humbur jetën, ndërkohë që bashkëmoshatarët e saj gjenden aty ku përpara ca kohe ishte edhe ajo, në auditoret e universitetit. Një situatë delikate dhe tragjike!

 

Si shembuj të ngjashëm i fshehjes nga ligjet antinjerëzore kanunore ka sa të duash në vendin tonë. Në këtë reportazh mësojmë se shumë emigrantë tanë kanë ikur nga vendi si rezultat i problemeve të shumta kanunore, nga të cilat kërkohet veçse gjaku i tyre, thua se është një fjalë goje apo bisedë spontane e jo një jetë njeriu që humbet, zhduket dhe tretet për hiçgjë send. Pavarësisht kalimit të viteve dhe zhvillimit të mentalitetit shqiptar, Kanuni i Lekë Dukagjinit mbetet sërish një nga rrugët e padevijueshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes shqiptarëve. Që prej viteve '90, pra për rreth 20 vjet, në Shqipëri numërohen rreth 5200 vrasje si pasojë e mentalitetit të vrasjeve kanunore për nderin dhe marrjen e gjakut.

 

"Femra është mbretëreshë e botës, por skllave e dëshirave" - thotë Balzaku. E kështu, nga rrëfimet e shumta që morëm në zonat veriore të vendit, por edhe nga statistikat se sa femra janë dhunuar apo diskriminuar e vrarë si rezultat i zbatimit të kanunit, me plot gojën themi se dëshira e vetme e këtyre femrave është vetëm jeta në këtë tokë. Ata e çmojnë jetën, ndaj duam të besojmë se ato nuk do të mbesin skllave të kësaj dëshire minimale, edhe pse për to është gjithçka. Jeta këtyre femrave u mohohet, vdekja ju pohohet, ndërsa vuajtja ju shtohet! Ata duan të ekzistojnë, duan në jetë të qëndrojnë e sakrifikojnë, pasi ndryshe "Pse Zoti i dha jetë në këtë Botë"?. Mos vallë Ai ia dha për t'ja marrë kush tjetër? Jo. Ata duhet të jetojnë, pasi kjo është një e drejtë që nuk mund t'i mohohet nga askush. Kësisoj ne mbesim me shpresën, që femrat tona të jetojnë dhe punojnë, të fejohen dhe martohen, të krijojnë familje e katandi sipas dëshirave të tyre jetësore. Nga ana tjetër, shpresojmë që mekanizmat e shtetit të veprojnë sa më me efikasitet në parandalimin dhe minimizimin e rasteve të tilla, ku ligjet e kanunit dalin fituese ndaj ligjeve të shtetit.

 

Populli shqiptar duhet të mobilizojë gjithë potencialin fizik e mendor në ndalimin e gjakderdhjes, kësaj epidemie që vjen nga thellësitë e shekujve për të sfiduar kulturën dhe qytetërimin tonë si shtet europian. E ardhmja e fëmijëve tanë është jeta pa armë. Nënat dhe motrat tona, si krijesat më të ndjeshme të shoqërisë njerëzore, si burimi i jetës që është vlera më brilante e të gjithë qënieve, duhet të ndikojnë fuqishëm tek djemtë, baballarët dhe vëllezërit, që të ndalojnë vrasjet mizore, dhe të dëshmojmë para Europës moderne se jemi qytetarë të denjë të këtij komuniteti. Partitë, organizatat dhe shoqatat duhet të udhëhiqen nga interesat kombëtare dhe bazamenti i këtyre interesave, padyshim është forcimi i unitetit kombëtar. Vallë a mund të ketë unitet, kur ne shqiptarët vrasim njëri-tjetrin?! Edhe komunitetet fetare duhet të ushtrojnë ndikimin e tyre hyjnor në emër të zotit që të shpëtojnë Shqipërinë nga vrasjet barbare të gjakmarrjes që po këputin qindra jetë njerëzish. Rinia shqiptare, pjesa më vitale e kombit, gjaku i së cilës është tepër i çmuar, duhet mësuar që t’i ruajë armët për të mbrojtur trojet e të parëve, dhe jo për të vrarë njeri-tjetrin. Kërkoni dashuri se do ta gjeni. Arma më e fuqishme është dashuria. Ne shqiptarët nuk kemi qenë e as nuk jemi barbarë. Bota i njohu paraardhësit tanë, si burra të besës e bujarisë. Duhet të jemi trashëgimtarë të denjë. Kësisoj duhet t'i themi ndal vrasjeve dhe ngujimit e fshehjes, që rrjedhin si zbatim i ligjeve kanunore.

 

*Prof. dr., publicist & gazetar



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora