Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ëngjëll Musai: Intervistë ekskluzive me Frank Shkrelin, pas dhënies së titullit nga Komuna Shkrel

| E hene, 02.01.2012, 08:58 PM |


Intervistë ekskluzive me Frank Shkrelin, pas dhënies së titullit nga Komuna Shkrel

 

“Shkreli dhe Malësia e Madhe janë identiteti im”

 

Nga Ëngjëll Musai, Drejtor i “Telegraf”

 

Lajmi se Komuna e Shkrelit në Malësinë e madhe i ka dhënë ditët e fundit titullin “Qytetar Nderi” zotit Frank Shkreli, ishte i gëzueshëm jo vetëm për Frankun, por edhe për ne, stafin e gazetës “Telegraf” dhe lexuesit e saj të shumtë. E them këtë me bindje, pasi Franku është një mik i ngushtë i gazetës sonë, të cilin e kemi të pranishëm në faqet e gazetës sonë shumë shpesh, me shkrime ekskluzive që ai vërtet i shkruan nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por që kanë një rezonancë të gjerë dhe që rrokin problematika të thella që kanë të bëjnë me fatet e demokracisë dhe të ardhmen e popullit shqiptar. Duke ia njohur meritat në vijimësi, që kur ishte shef e drejtor i “Zërit të Amerikës” e deri më sot, pasi e uruam për titullin, zhvilluam këtë intervistë, ku Franku, me fisnikërinë dhe çiltërsinë që e karakterizon, shpalos me sinqeritet dashurinë e madhe që ka për Shkrelin, për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që ndodhen. Është një dashuri prekëse dhe frymëzuese që na bën edhe më të vetëdijshëm në një ditë të shënuar, sikurse është sot Dita e Flamurit.

 

- Zoti Frank, si e pritët dhënien e titullit  “Qytetar nderi” nga Këshilli i Komunës dhe çfarë përbën për Ju Shkreli dhe në përgjithësi krahina e Malësisë së Madhe ?

 

- Ishte absolutisht e papritur. As në ëndërr nuk e kisha parë një gjë të tillë, por i jam mirënjohës dhe dua të falënderoj nga zemra Kryetarin e Komunës Shkrel, zotin Ferdi Sterkaj dhe të gjithë anëtarët e Këshillit të Komunës për këtë nder dhe respekt që treguan ndaj meje me titullin “Qytetar Nderi”.  Është absolutisht një ndjenjë e thellë emocionuese që një grup përfaqësuesish të kësaj krahine, të cilët as nuk më njohin personalisht - me përjashtim të Kryetarit Sterkaj, të cilin e kam takuar njëherë shkurtimisht në Amerikë, kanë vlerësuar punën dhe veprimtarinë time si të denjë për titullin “Qytetar Nderi”. Kjo, për më tepër, sepse familja ime vjen nga Shkreli i Malësisë së Madhe. Një copë tokë afër Kishës së Shkrelit, ende identifikohet si toka e Lukë Tomës (Shkreli) gjyshit tim. Shkreli dhe Malësia e Madhe, për mua janë identiteti im. Dhe më kanë mbajtur në lidhje të përhershme shpirtërore me këtë tokë dhe me Shqipërinë dhe shqiptarët kudo. Çdo gjë tjetër ishte e pamundur. Rrugëve të botës, mbiemri më dallonte se prej nga e kam origjinën. Dhe megjithëse është e vështirë për të huajt të shqiptohet mbiemri Shkreli, familja ime kurrë nuk e mori në konsiderim ndryshimin e mbiemrit, por e ruajtëm si një simbol dallues dhe krenar të prejardhjes tonë. 

 

- A krijoi tek Ju ndjesi ky çmim dhe a ndiheni krenar që kontributi Juaj ndjen vlerësim për zonën, e cila e ka ndjerë më shumë presionin e diktaturës komuniste?

 

- E vërteta është se e ndjeva veten tepër të emocionuar.  Lajmi nga zoti Sterkaj për çmimin erdhi gjatë Festës së Falënderimeve këtu në Amerikë dhe për fat në shtëpi ndodhi e gjithë familja, pasi fëmijët kishin ardhur për këtë festë, kështu që e bëri Ditën e Falënderimeve, edhe më domethënëse dhe shumë të kënaqshme. Unë jam tepër krenar për zonën e Malësisë së Madhe. Ishte kjo krenari  dhe tradita familjare që, megjithëse si refugjat rrugëve të botës, më detyroi të isha i interesuar dhe i angazhuar që të kontribuoja sado pak për lirinë e atij trualli – pasi banorët e Shkrelit dhe të gjithë Malësisë, plotësimin e nevojave të tyre i gjenin gjithmonë në liri. Fatkeqësisht, diktatura komuniste zhduku burrat më të mirë të kësaj treve, duke goditur më së shumti ato zona të Malësisë së Madhe, ku liria ishte e rrënjosur në shpirtin dhe në frymën e malësorëve, të atyre malësorëve  që megjithëse, të varfër e shpesh të uritur, por të lirë, e ndienin krenarinë e emrit shqiptar.

 

- Shkreli është edhe vendlindja e të parëve të tu. A ndiheni i mallëngjyer dhe a mendoni se ëndrra e të parëve tuaj, për demokraci, sot është bërë realitet?

 

- Asnjë sistem qeverisjeje në botë nuk është i përsosur. As demokracia në Amerikë, as ajo në Shqipëri, nuk janë të përsosura. Unë jam shumë i mallëngjyer dhe i kënaqur për ato që ka arritur Shqipëria dhe Malësia deri më tani. A ka shumë për t’u bërë? Absolutisht, po.  Por sot, po të ishin gjallë gjyshi, babai dhe nëna, ata do të kishin mundësi të vizitonin lirisht vendlindjen e tyre në Shkrel, pa i pyetur njeri – një “privilegj” ose e drejtë që atyre iu mohua për gjatë komunizmit. Ne kishim dy vendbanime, në Shkrel ku e kishim origjinën dhe në Amull afër Ulqinit. Kështu që, deri në vitin 1948, kur u prishën Enveri me Titon, ata shkonin e vinin lirisht, duke kaluar verën në Shkrel e dimrin në Amull. Kështu që, pasi ata nuk kërkonin shumë, veçse të ishin të lirë, ëndrra e të parëve për liri e demokraci, besoj është realitet.  Mos të harrojmë se në Shqipëri, ndoshta si në asnjë vend të Evropës Lindore, kemi të bëjmë me plagë të rënda të lëna pas nga komunizmi dhe si të tilla, do i marrë vendit më shumë kohë për t’u “shëruar” nga kjo doktrinë e huaj, që i solli vendit dhe kombit një katastrofë të tmerrshme.

 

- Ju jeni shprehur edhe më parë për kontributin e “Zërit të Amerikës”. Si e ndieni veten kur një gjë të tillë e dëgjoni pas 20 vitesh edhe nga popullsia e komunës së thellë të Shkrelit?

 

- Dikur ishte një periudhë që nuk dinim se kush dëgjonte “Zërin e Amerikës”. E dinim se po të kapej njeri duke dëgjuar lajmet e “Zërit të Amerikës” dënohej rëndë, prandaj kishte momente kur mendonim se nuk dëgjohej për këtë arsye. Shpesh edhe autoritetet qeveritare amerikane propozonin shkurtimin ose eliminimin e programeve shqip pasi nuk kishim asnjë provë se dëgjohej, ndryshe nga të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore, nga ku kishte të dhëna për dëgjim masiv, gjatë luftës së ftohtë. Tani e dimë se edhe në rrethanat e rrepta të regjimit enverist në Shqipëri, malësorët dhe shqiptarët në përgjithësi kanë ndjekur rregullisht këto programe, pasi donin më shumë lirinë se kishin frikën.  Unë dhe kolegët e mi, shpesh ishim në depresion në fund të ditës, pasi kishim punuar rëndë për të përgatitur programin më të mirë që kishim mundësi, pa ditur nëse na dëgjonte njeri. Sikur regjimi komunist, edhe pa ditur, na dënonte edhe ne në Uashington duke na mohuar të drejtën për të ditur nëse na dëgjonte njeri.  Prandaj, në mendimin tim, banorët e Shkrelit, të Malësisë së Madhe dhe të gjithë Shqiptarët, ishin edhe ata heronj të luftës së ftohtë dhe mbrojtës të lirisë, pasi ata në rrethanat që ju i dini më mire, merrnin guximin të dëgjonin programet e “Zërit të Amerikës” kundrejt kërcënimeve dhe dënimeve reale.

 

- A mendoni se, atë që ndoshta nuk e bënë organizmat e bënë në mënyrën më të mirë valët e VOA, e cila me misionin e saj ndihmoi për rrëzimin e diktaturës komuniste në Shqipëri?

 

-  Besoj e kam thënë edhe më parë, “Zëri i Amerikës”, gjatë luftës së ftohtë ka luajtur një rol kyç në informimin e botës komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë. E them këtë për pjesën tjetër të Evropës Lindore, pasi isha i angazhuar në atë kohë me programet drejtuar atij rajoni në gjuhë të ndryshme. Disidentë të njohur europiano-lindorë, si Vaclav Havel e Lech Walesa, e kanë pranuar rolin kritik të transmetimeve radiofonike perëndimore, përfshirë edhe ato të “Zërit të Amerikës”, në rrëzimin e regjimeve komuniste anë e mbanë Evropës. Por unë nuk do të thoja se “Zëri i Amerikës” ishte i vetmi faktor që kontribuoi, më në fund, në rrëzimin e komunizmit. Ishin faktorë dhe personalitete të brendshme dhe të jashtme, si: presidenti Reagan, Papa Gjon Pali i Sytë, madje, edhe Mikhail Gorbaçov, të cilët luajtën role kyçe, secili në mënyrën e vet.  Por mbi të gjitha, ishte dëshira e pashuar e popujve të shtypur të Evropës Lindore për liri e demokraci, përfshirë edhe Shqiptarët, për të hequr qafe një sistem që sipas Uinston Çurçillit i kishte shpallë luftë qytetërimit anë e mbanë botës.

 

- Cili është mesazhi Juaj për Këshillin e Komunës Shkrel, ku të majtë dhe të djathtë kanë votuar në mënyrë unanime për dhënien e këtij çmimi?

 

- Duke i falënderuar edhe njëherë nga zemra për këtë çmim të dalluar, Kryetarit dhe Këshillit të Komunës Shkrel u uroj bashkim dhe bashkëpunim, respekt për njëri -tjetrin dhe punë të mbarë për të mirën e banorëve të Shkrelit dhe të Malësisë së Madhe. Demokracia, qoftë në nivel kombëtar, qoftë në nivel vendor, siç është komuna e Shkrelit, nuk është një sistem as i perfeksionuar, as i lehtë. Por, në “demokracinë”  e malësorit dikur janë rrah çështjet në log të Kuvendit dhe pastaj shumica ka fituar davanë dhe është marrë vendimi. Demokracia, mbi të gjitha, kërkon harmonizimin e mendimeve, qëllimeve dhe të vullneteve për të mirën e përbashkët.  Uroj që në këtë frymë të punoni për të mirën e Shkrelit dhe të mbarë kombit shqiptar. Besoj se kjo do të ishte edhe porosia e të parëve. Edhe një herë u falënderoj nga zemra për nderin që më bëtë!

 

 

 

Intervista/ Flet për “Telegraf”, kryetari i Komunës Shkrel, Fredi Sterkaj

 

“Franku meriton më tepër se një titull “Qytetar Nderi”

 

- Zoti Sterkaj, ju këto ditë  keni nderuar me një çmim një nga personalitetet e shquara shqiptare, të njohur edhe në Shtetet e Bashkuara, z.Frank Shkreli. Si ju lindi kjo ide?

 

- Ideja për të dhënë titullin “Qytetar Nderi” zotit Frank Shkreli në kuadrin e Festës së Flamurit, lindi bashkë me gazetarin e “Zërit të Amerikës” për Qarkun e Shkodrës z.Pëllumb Sulo, duke vlerësuar kontributin e z.Shkreli për konsolidimin e demokracisë në Shqipëri dhe rritjen e imazhit të shqiptarëve kudo që ndodhen, e kryesisht komunitetit shqiptar në SHBA. Duke qenë se, kontributi i tij si dhe institucionit që ai ka drejtuar ka qenë thelbësor në informimin mbi lëvizjet demokratike dhe gjithashtu, një inspirim i madh për të gjithë ne, nuk mund ta anashkalonim apo ta linim në harresë. Përkundrazi e ndiem si një obligim për ta bërë këtë vlerësim në një ditë të shënuar, sikurse është Pavarësia Kombëtare, ditë kur ngrihen në piedestal ata që kanë kontribuar më shumë për çështjen kombëtare. Mendojmë se  Frank Shkreli e meriton këtë nderim.

 

- Cili është konkretisht kontributi i zotit Shkreli dhe i familjes së tij. A mund të na thoni diçka më shumë për lexuesit?

 

- Z.Shkreli rrjedh nga një familje tradicionale e me shumë vlera nga krahina e Shkrelit. Kjo krahinë në vite ka qenë e përkushtuar ndaj vlerave kombëtare dhe për këtë mendoj se një rol të rëndësishëm ka pasur fakti i lidhjeve të forta me perëndimin për arsye të emigracionit, e veçanërisht me SHBA. Franku dhe familja e tij nuk i kanë shkëputur asnjëherë marrëdhëniet me vendin e origjinës së tyre, Shkrelin, duke kontribuar në ndërtimin e disa veprave publike e fetare në shërbim të komunitetit tonë e në veçanti me ndihmën për ndërtimin  e Kishës së Shkrelit. Në këtë kuadër dhe nga sa thashë më lart për këto kontribute të paçmuara për krahinën tonë, si dhe për mbarë shqiptarët, Këshilli i Komunës Shkrel vendosi ta nderojë zotin Frank me këtë çmim, si një shprehje e vogël e mirënjohjes së komunitetit tonë.

 

- A ishte unanim Këshilli i Komunës në dhënien e këtij çmimi?

 

- Kjo është një pyetje me vend dhe unë po ju përgjigjem me kënaqësi se, si rrallëherë, kemi qenë unanim në marrjen e vendimit për Frankun. Për një figurë kaq të rëndësishme jo vetëm vendimi i këshillit ishe unanim, por të gjithë anëtarët e këshillit ndihen krenarë me një bir të kësaj krahine dhe bashkëkombës kaq të shquar.

 

-  Z.Kryetar! Sa e rëndësishme është për Ju promovimi i  figurave të krahinës së Shkrelit?

 

- Si i zgjedhur i banorëve të kësaj komune dhe në bashkëpunim me Këshillin e Komunës, për ne është shumë e rëndësishme që të vlerësohen të gjitha figurat e personalitetet e ndryshme të krahinës tonë, për kontributin që ata kanë dhënë për krahinën e për kombin. Këtë e bëjmë bazuar në një strategji të qartë dhe praktikë të mirë në vite që kemi krijuar si komunë për vlerësimin e këtyre figurave që kanë nderuar emrin e Shkrelit me veprat e tyre. Moslënia në harresë e kontributit të tyre është një detyrim për ne dhe gjithashtu, që vepra e puna e tyre të jetë shembull i mirë për brezat e ardhshëm.

 

- Cilat janë resurset e kësaj krahine në turizmin malor dhe cila është thirrja që ju i bëni në radhë të parë figurave të zonës, por edhe gjithë biznesit dhe qytetarëve shqiptarë apo agjencive turistike ?

 

- Komuna jonë shtrihet në Qarkun e Shkodrës në rrethin e Malësisë së Madhe. Pozicioni i saj gjeografik është shumë i favorshëm për zhvillimin e turizmit malore duke përfituar dhe nga infrastruktura e shkëlqyer e ndërtuar vitet e fundit e gjithashtu afërsia me zonat urbane, me qytetin e Shkodrës. Zonat me të njohura për zhvillimin e turizmit malor janë Razma, e cila është e njohur për resurset e saj malore dhe kurative, për një zhvillim infrastrukturor shumë të mirë. Një zonë tjetër shumë e veçantë dhe e shkëlqyer në Komunën tonë është Boga, e cila me luginën e saj të mrekullueshme dhe klimën tepër të veçantë u jep pushuesve mundësi të pafundme për ta shfrytëzuar në maksimum në të gjitha drejtimet. Duke parë këto mundësi të mrekullueshme për të pushuar dhe për të investuar, Komuna Shkrel fton të gjithë të pushoni në këto zona dhe gjithashtu, të investoni duke gjetur tek ne një mik të mirë dhe një aleat në shërbimin tuaj. Për më tepër, unë, si Kryetar, ju ftoj të merrni informacion në Web-in tonë, Komuna Shkrel dhe gjithashtu, pranë zyrës tonë në Komunë për zhvillimin e turizmit. Që nga marrja e përgjegjësisë për të drejtuar Komunën e Shkrelit unë personalisht dhe bashkëpunëtoret e mi jemi duke punuar me ritëm të shtuar dhe orar të zgjatur për ta rregulluar edhe më tepër infrastrukturën dhe për ti avancuar shërbimet ndaj banoreve. Komuna e Shkrelit sot projekton të ardhmen mbi bazën e vlerave territoriale dhe shfrytëzimit të mençur të potencialeve ekonomike dhe natyrore, duke krijuar kështu një klimë të favorshme për fuqizimin e biznesit. Kjo strategji ka rritur mundësitë për punësim dhe tërheqjen e investimeve nga brenda dhe jashtë vendit. Shkreli është një hapësirë, një mundësi më shumë drejt zhvillimit.

 

QYTETAR NDERI I KOMUNËS

 

Z. Frank Shkreli

 

Me këtë motivacion:

 

Përfaqësues i një familje të nderuar në Shkrel të Malësisë së Madhe, që me përkushtim dhe atdhetarizëm vazhdon të punojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve, kudo ku ata jetojnë si dhe për të lartësuar traditat më të mira të Malësisë dhe Kombit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Duke punuar për një periudhë të gjatë në Radion "Zëri i Amerikës", ai dha një kontribut  të shquar në luftën kundër komunizmit dhe për të frymëzuar bashkëkombësit në përpjekjet e tyre për demokraci.

 

Frank Shkreli ka qenë gazetar dhe redaktor në “Zërin e Amerikës”, seksioni shqip nga viti 1974 deri në vitin 1984. Më pas po tek “Zëri i Amerikës”, zoti Shkreli ka qenë shef i seksionit shqip (1984-1985). Nga viti 1985 deri në vitin 1990 ka shërbyer këshilltar i lartë programacioni në divizionin europian të “Zërit të Amerikës”. Ju kujtojmë që në këtë periudhë, duhej punuar në kushtet e Luftës së Ftohtë. Nga viti 1990 deri në vitin 1994 ka qenë zëvendës drejtor i Euroazisë në “Zërin e Amerikës”, divizion ku përfshihej edhe Bashkimi Sovjetik që ndërkohë u shpërbë. Nga viti 1994 deri në vitin 2003, zoti Shkreli ka qenë drejtor i divizionit Europian të “Zërit të Amerikës”, divizion nga i cili, përveç gjuhëve të ndryshme evropiane, varej, veç të tjerash edhe seksioni shqip i kësaj radioje. Frank Shkreli ishte pjesë e delegacionit të parë diplomatik amerikan në Shqipëri në Mars/Prill të vitit 1991, me ç'rast u hap ambasada amerikane pas pothuaj 50-vjetësh dhe morën pjesë si vëzhgues në zgjedhjet e atij viti. Ai ka vizituar shpesh Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e delegacioneve të ndryshme të Shteteve të Bashkuara. Pas daljes në pension nga detyra qeveritare, pas 30-vjetësh, z. Frank Shkreli shërben si drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, një organizatë jo-qeveritare që punon për mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për promovimin e paqes dhe zhvillimit ekonomik në trojet shqiptare në Ballkan, e vetmja organizatë shqiptare lobiste me prezencë në Uashington DC.

“Telegraf”, 28/11/2011