E premte, 19.04.2024, 11:11 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Çmimi i bukës, qeveria ligj për miell falas nga shteti

E shtune, 01.03.2008, 03:11 PM


Projektligji i ri lejon ndërhyrjen në koniunkturën ekonomike. Ndonëse fillimisht kundër, kryeministri kthen mendje

Erald Kapri

Rritja e çmimit të bukës, por edhe të disa artikujve bazë në treg, ka prekur ndërgjegjen politike të qeverisë, e cila ndonëse ishte kundër ndërhyrjes në treg për të flustruar çmimet, duket se ka ndërruar mendje. “Kjo nuk është filozofia jonë”, - është shprehur kryeministri Sali Berisha në Kuvend kur iu kërkua nga deputetët opozitarë që të ndërhyjë në treg për të ulur çmimet e produkteve bazë të jetesës. Kryeministri është shprehur se çmimet janë rritur për shkak të lëvizjeve ndërkombëtare në tregje dhe qeveria nuk mund të cenojë tregun për shkak se nuk është pjesë e politikës së saj qeverisëse që të prekë forcat e tregut, por do të kompensonte rritjen e çmimit për shtresat në nevojë. Ky qëndrim politik ka ndryshuar për shkak se qeveria ka nisur, për herë të parë bëhet kjo gjë, një projektligj në Kuvend, i cili rregullon marrëdhëniet për rezervat e shtetit dhe ndërhyrjen me këto rezerva për të normalizuar situata ekonomike që shkaktuara nga rritje çmimesh. Aktualisht Rezerva e Shtetit, drejtori që varet nga Ministria e Brendshme, ofron ndihmën e saj me materiale ushqimore etj., sa herë që kërkohet nga ministri, por vetëm në situata të jashtëzakonshme dhe në emergjenca civile. Kjo balancë do të prishet pasi qeveria, me projektligjin e ri, krahas rregullimit të funksionimit të Drejtorisë së Rezervave, ka sanksionuar që në probleme ekonomike të shkaktuara nga koniunktura ndërkombëtare, kryeministri me firmën e tij mund të ndërhyjë duke dhënë material qoftë edhe falas, deri në kapërcimin e situatës. Me pak fjalë, në rast se përsëritet kriza e miellit, qeveria, me ligjin e ri, mund të japë miell për furrat e bukës për të mos rritur çmimet deri në rregullimin e situatës në treg. Ndonëse kjo filozofi e ndërhyrjes në treg me rezerva kombëtare është cilësuar nga kryeministri fillimisht si bolshevike, pasi vetëm në kohën e diktaturës përdoreshin këto skema, ajo po konkretizohet me ligj të veçantë. “Ne kemi rezerva të konsiderueshme, por jo në materiale apo kushedi çfarë, por sot kemi rezervën valutore më të madhe që ka pasur ndonjëherë vendi. Kjo quhet rezervë”, - është shprehur kryeministri Berisha.

Projektligji

Tashmë ndodhet në Kuvend për t’u shqyrtuar dhe projektligji i ri “Për rezervat materiale kombëtare”, duke e përcaktuar rolin e tij si misionin e përdorimit të rezervave të shtetit, të cilat janë nënkuptuar dhe shtrirë në shumë fusha. Projektligji ka përcaktuar se rezervat materiale kombëtare krijohen për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e popullsisë, të ekonomisë dhe mbrojtjen e vendit, në situata të gjendjes së jashtëzakonshme, gjendjes së emergjencës civile, veprimeve terroriste, veprimeve ushtarake në gjendje lufte, të cilat sjellin dëme të menjëhershme e të rënda për jetën, për shëndetin e popullatës dhe të gjësë së gjallë, për pasurinë, për trashëgiminë kulturore dhe për mjedisin. Rezervat materiale kombëtare përdoren edhe për dhënien e ndihmave humanitare, në përputhje me normat e së drejtës ndërkombëtare. Rezervat kombëtare përbëhen nga: mallrat rezervë, që financohen nga Buxheti i Shtetit; mallrat që vijnë si ndihmë humanitare; mallrat që kalojnë në pronësi të shtetit nga kundërvajtjet administrative dhe kryerja e veprave penale; si dhe asetet që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe që administrohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale Kombëtare.

Mallrat

Në Rezervat e Shtetit, mallrat rezervë janë mjetet e punës, lëndët e para, materialet, produktet e gatshme, vlerat e tjera materiale që financohen nga Buxheti i Shtetit për të përballuar situatat e përshkruara në këtë ligj. Mallrat rezervë ndahen në tri kategori. Lista përbërëse e mallrave rezervë, në lloje e sasi, e ndarë sipas grupeve, miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Nomenklatura, sasia dhe gjendja e mallrave rezervë shtetërore kanë karakter sekret. Projektligji sanksionon se freskimi i mallrave do të kryhet sipas planit të propozuar nga drejtori i Përgjithshëm i Rezervave Materiale Kombëtare. Të ardhurat që krijohen nga shitja e mallrave rezervë mbeten në dispozicion të administratës së rezervave të cilat vijon që të përdoren për plotësimin e sasive të artikujve të shitur.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora