Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Nora Zogaj: Gjyshja ime e dashur..

| E shtune, 31.12.2011, 12:57 PM |


Nora Zogaj

 

Gjyshja ime e dashur..

 

?...Më mësove të ec, të hedh hapat e para në jetë, kur ti mezi hiqje zvarrë tuat. Më mësove të jem e duruar, kur ti brenda teje rënkoje nga dhimbjet e sëmundjet. Më mësove të dua njerëzit, kur ti vetë vuaje nga mospërfillja e tyre.

Më mesove të jem e edukuar kur të gjithë të thërrisnin “plakë”, më mësove të jem e gëzuar, kur ti vuaje nga hidhërimi që të kishin shkaktuar bijtë e tu, të ikur larg . Më mesove të dua më shumë mamin dhe babin, kur ti bëje rolin e tyre. Më mesove të bëlbëzoj fjalën "mami", më mesove të dua jetën kur ajo të kishte sjellë ty shumë goditje. Më mësove të ngrihem pas një rrëzimi, kur tashmë fuqitë e tua ishin të shteruara nga ngritjet e detyruara të jetës. Më mësove të jetoj, kur ti ishe në vitet e fundit të saj...

Më kujtohet kur më krijoje kukulla prej lecke e ndërsa mua më pelqenin më shumë ato që më blinte mami në dyqan. Kur më qortoje për gabimet ndërsa unë ta ktheja “ti nuk je ime më që të më thuash se ç'duhet të bëj”. Kur më këndoje ninulla dhe unë të imitoja zërin e stonuar. Kur më tregoje përralla dhe unë qeshja me dialektin tënd jugor. Kur më gatuaje gjellën time të preferuar, ndërsa unë të thoja që dua të blej një çokollatë. Më kujtohet fytyra jote lutëse, kur më thërrisje që të mos luaja më, sepse ishte errësuar. Ndërsa unë, ta ktheja thjesht me një “ohuuu dhe ti nëna”.

Më kujtohet kur buzeqeshje sa herë që une flisja ndonje gjë të mençur, ndërsa unë të pyesja paturpërsisht për dhëmbët e rënë...

Më kujtohet kur më këshilloje që të vishja xhupin kur dilja përjashtë, ndërsa unë hiqja edhe trikon që kisha veshur. Kur bëje punët e shtëpisë ndërsa unë hyja me këpuce në tapet. Më kujtohet kur gatuaje bukën dhe unë shpërndaja miellin nëpër shtëpi . E më pas vrapoja për ti shpëtuar ndëshkimit tënd ndërsa ti mundoheshe të më ndiqje pas, me frymëmarrjen tënde të mundimshme. Më rrite si nënë pa pasur përparësitë e saj...Më ushqeje pa pasur qumësht ne gji... Më vije në gjumë me mundime pa fund. Pyes veten si ia bëje kur unë qaja pa pushim? Si më qetësoje? Ti luaje rolin e një nëne, por përballoje mundin e një gjysheje... Në një moshë kur forcat dobësohen, fillojnë të të braktisin dhe ti forcat e fundit të jetes tënde i dhe edhe per mua.

Sot pas kaq shumë vitesh kuptoj që gjoksi yt pa qumësht ishte i mbushur plot me dashuri, dashuri që të ushqen dhe të rrit më mirë se çdo ushqim, dashuri që të lumturon më shumë se cdo dashuri tjetër. Kur isha e vogël nuk e dija që ai zëri yt i stonuar do ishte melodia më e bukur që do dëgjoja në jetë... Nuk e dija që ninullat e tua do ishin më të bukura se tingujt e Moxartit apo Bet'hovenit. Nuk e dija që thirrjet e tua do ishin të vetmet që do u përgjigjesha me dëshire. Nuk e dija që lutjet e tua për të veshur xhupin do ishin përkujdesjet më të medha që kam marrë ndonjëherë në jetë. Nuk e dija që qortimet e tua do ishin më të butat që kam dëgjuar, kukullat e tua do ishin më të dashura se çdo kukull. Nuk e dija që në asnjë restorant nuk do të gatuante gjellë aq të mira sa të tuat... Po ta dija....nuk do kërkoja kurrë çokollata, as ëmbëlsira, as akullore...

Nuk e dija që buzëqeshja jote do ishte më e magjishmja, më e bukura, më e dashura, më e sinqerta, më qetësuesja, më e domosdoshmja për mua. Po ta dija, do të të kerkoja te mos vrenjtëshe kurrë. Nuk e dija që do doja kaq shumë të kthehesha pas në kohë. Po ta dija ...do jetoja cdo sekondë, s'do flija fare në dreke, dhe as nuk do rrija të luaja derisa të errej. Nëse do dëgjoja sërish zerin tënd “vishu se bën ftohtë” , do i lutesha Zotit të mos shkrinte akujt. Nëse do shihja sërish fytyren tënde të buzeqeshte do vuaja edhe vetë për të të bërë ty të lumtur.

Sot nuk e di pse të dua kaq shumë, nuk e di pse mami është xheloze për ty, nuk e di pse njerëzit habiten që unë të dua kaq shumë. Mbase mbase e di...ata nuk kanë pasur kurrë gjyshe si TI.