E merkure, 05.10.2022, 06:59 PM (GMT+1)

Kulturë

Odise Kote: Mumja…

E hene, 02.01.2012, 07:57 PM


Mumja…

 

Tregim

 

Nga Odise Kote

 

…isha me fat që në sediljen e avionit më kish rastisur të fluturonte me mua, një nga ato bukuritë hyjnore që hasen rrallë në jetë. Bukuria si dhe mencuria e vërtetë është shumë e thjeshtë dhe e kuptueshme për të gjithë.

   Rrinte para meje si një perëndi antike !

Po kthehesha me një Lufthansa nga Gjermania në Shqipëri, prej aeroportit Konrad Adenhauer, në linjën Bon - Milano - Tiranë dhe mendova se isha i përkëdheluri i ditës. Surpriza e kish tejkaluar cdo parashikim dhe mbetej vetëm të prekja dhuratën e zotit. 

  U rehatova në sedilje, vendosa kufjet në vesh për të rikrijuar harmoninë e mrekullisë së imagjinuar hyjnore mes muzikës së Vagnerit dhe bukurisë që kisha në krah. Në fakt dëshiroja të hiqesha kinse indifferent ndaj saj, për të krijuar sfidën e alarmit të mosvlerësimit tek vajza me flokë të gjatë e të zinj, të dendura si një shkurre tropikale që i zbrisnin deri poshtë ijeve. I druhesha fjalëve të para të bisedës, pasi e dija fare mirë se përshtypja fillestare është tmerrësisht ndikuese tek femrat.

-…Jetlir Muzaka – u prezantova.

-……- heshtje.

-…jam piktor…piktor me emër e po kthehem nga një ekspozitë tepër e suksesshme  që cela me disa kolegë në Bon…-vijova të flas me idenë e ngjalljes së kureshtjes tek vajza.

    Nuk foli.

    Të bukurave u falet cdo gjë, justifikova.

    Busti i saj i bronxtë në profil nuk lëvizi. Asnjë damar nuk shquhej, të paktën sa për të parë vrushkullin e gjakut se si rridhte nëpër trupin e saj. As qerpikët dhe as dy- tre fije kacurelash që zbrisnin si të rebeluara poshtë vathëve të bardhë nuk lëvizën.

Vathë të bardhë platini, me siguri, mendova, të vënë enkas për këtë udhëtim, për të krijuar kontras me fytyrën e flokët. 

   Lufthansa mori vrull për t’u ngritur nga pista gjigante e aeroportit me një dridhje të lehtë. Ky është casti kur gjithë pasagjerët ajrorë të botës ndjejnë një sëmbim të vogël në gjoks e mbyllin sytë, ose së paku shtrëngojnë fort mbështetëset e sediljes. Në momentin kur avioni merr lartësi, lirohet dhe frymëmarrja së bashku me ankthin e brendshëm e fytyra e njeriut rikthehet në gjendjen normale të paranisjes. E vështroja fytyrën e vajzës gjatë atyre sekondave të ngritjes së avionit dhe për cudi ajo nuk pësoi asnjë rrudhje apo tkurrje. As frymëmarrje e shpejtuar, as clirim prej ankthit.

      Përkundrazi, m’u duk më natyrale se në castin e parë kur e vura re të ulur në krahun e majtë të sediljes, me pamjen nga dritarja e avionit, e lidhur me rrypat e sigurimit, si të ishte një manekin i vendosur enkas nga stjuardesat si mësim tregues për qëndrimin në avion apo dhe veprimet në raste të ndryshme gjatë fluturimit. Megjithatë ajo ishte e bukur.

Sepse nuk është e bukur ajo që të tjerët vlerësojnë për të tillë, e bukur, është ajo që ne na pëlqen të jetë e bukur.

Unë dëshiroja në atë fluturim që ajo vajzë përkrah meje të ishte e bukur !

       Nuk e humba shpresën, duke menduar se avioni sapo qe nisur dhe për rreth tre orë e gjysëm fluturim ne do ta kishim të gjithë kohën e nevojshme të paktën për t’u njohur si dy pasagjerë që fluturonin sëbashku në të njëjtën sedilje, në një ditë funddhjetori 1999. Për tre ditë, shekulli i ri, apo Milleniumi sic ishte modë të flitej gjithandej, do të niste aventurën e tij. Për këtë shkak, por dhe për ndjenjat e thella të mallit që më patën pushtuar asokohe, të fshehura aty ku dinin të rrinin në pritje ato, po kthehesha në atdhe për ta festuar pikërisht shekullin e ri me miqtë, të dashurit e të afërmit.

     Udhëtoja shpesh, dhe i kisha ikur tinëzisht ftesës së gjermanes Keti Flygel për ta pritur sëbashku Milleniumin.

-…do ikësh .?.- më pyeti e cuditur Keti sikur unë të bëja gabimin më fatal të botës.

-…ka gjëra që na pëlqejnë …- pëshpërisja unë.

-…atëherë…?

-…po ka ca të tjera që i duam shumë…

-…edhe…-puliste sytë.

-…ka dhe të tjera pas të cilave dashurohemi…

-…ja pra…- dhe përplaste duart si shenjë triumfi.

-…epo ka dhe ca të tjera pa të cilat nuk jetojmë dot…- i jepja fund lojës do të rrish – s’do të rrish të atyre ditëve..

     Keti asnjëherë nuk u mësua me faktin se unë isha një piktor shqiptar. E ngatërronte Shqipërinë me Italinë, dhe shpesh më thoshte se kot mërzitesha nga kjo gjë. Madje për darkën e Milleniumit, ajo më premtoi se do të gatuante makarona, pasi kishte siguruar një recetë super speciale nga një restorant italian që gjendej matanë lumit Rin, në pjesën romane të Bonit.

       Qesha së brendshmi me naivitetin e Keti Flygelit dhe desha t’ia tregoj këtë histori vajzës që gjendej në krahun tim. Sepse sic kumtonte Demokriti i lashtë, bukuria është dic shtazarake nëse nuk përshkohet edhe me mencuri.   

       Hoqa dorë shpejt nga ky mendim.

U kujtova që ende ajo nuk kishte folur asnjë fjalë dhe nxitova të shpreh gjithë vëmëndjen time.

-…më falni…- thashë me një zë që m’u duk se nuk dilte prej meje, po prej ndonjë vazoje porcelani që e mbajmë në dorë me frikën e tmerrshme të thyerjes së saj.

…Nuk është turp, miliona njerëz në botë…nëse vuani sadopak nga agoraphobia… kam një hape dhe mund t’jua jap – mbarova më në fund gati në torturim, frazën.

    Futa dorën në cantën e vogël që e mbaj të lidhur në mes dhe nxora prej andej hapen kundër frikës së fluturimit, agoraphobisë.

    Ia zgjata.

Asnjë përgjigje.

Asnjë reagim.

Asnjë lëvizje.

Desha të zemërohem, por sic dihet bukuria e frenon cdo zemërim.

    U ngrita prej vendit me idenë për të shkuar deri në fund të avionit e që më pas të kisha mundësinë ta shihja i përqëndruar e përballë fytyrën e saj. Shpresoja të zbuloja misterin e heshtjes së saj. Ecja dhe nuk po e kuptoja shkakun se përse ajo qënie aq e bukur njerëzore nuk fliste, nuk reagonte e nuk jepte asnjë shenjë.

    Vonova disa caste në një bisedë të shkurtër me stjuardesën e shërbimit duke e pyetur gjoja kureshtar për vendndodhjen, lartësinë dhe shpejtësinë e fluturimit, ndonëse gjithë këto parametra ishin në monitorin përballë, vetëm e vetëm të krijoja kohën e ndarjes nga vajza e bukur e sediljes time. Ndoshta pas kësaj kohe ndarjeje, shpresoja se do të ndodhte dicka.

     Kur u ktheva vura re se ajo qëndronte sërish e palëvizur. Qëndronte në të njëjtin pozicion që e kisha parë kur hyra në avion. Sytë e saj të mëdhenj blu, me ca pikëza si jeshile në mes ishin ngulur si thika në një pikë të vetme.

Në shpinoren e sediljes para.

Isha i sigurt se ajo nuk ishte as memece dhe as e metë, pasi e dëgjova kur lehtas formoi një “thank you” për stjuardesën që ofroi kafen dhe cajin tradicional të fluturimit.   

     Nuk e mbaj mend se ku e kisha lexuar apo dëgjuar një shprehje për femrat e vështira dhe enigmatike që më kishte mbetur e ngulur si një gozhdë në kujtesë.

Ose si sytë e saj në shpinoren e sediljes përballë.

Sekreti i një femre është të fshehë sa më shumë nga vetja e saj dhe të tregojë sa më pak për të tjerët, m’u kujtua sentenca e thirrur me ngut prej kujtesës.

     Mbylla sytë. Në gjumë dhe në errësirë cdo gjë është e bukur. Vendosa të rrezikoj. Bukuria e tërheq grabitësin më tepër se sa ari. Nxorra cantën speciale ku mbaja të fshehur të gjitha gjërat më me vlerë. Aty kisha pikturën time më të bukur, atë që kishte fituar cmim dhe në bienalen e Frankfurtit, Statuja e Pritjes.

Sendet kanë gjithmonë domethënien e tyre, dhe ajo pikturë ia kishte trazuar mendjen cdo vizitori. Kështu kishte shkruar kritika e kështu besoja dhe unë. Ajo pikturë ishte si një pasqyrë që paralajmëronte.

      Besoja.

      E vura përballë saj.

-… e shikon…?

Heshtje.

-…  ajo pret…yjet kanë rënë mbi duart e saj të lidhura kryq mbi kryet e heshtjes…

Memecëri.

-…ka shekuj kjo statujë pritjeje …gdhendur në mermer të bardhë dhimbjeje…

Besova se lëvizi një qerpik.

-…e dëgjon ankthin e erës që thërret dikë hapësirave…?

Hon.

-…pse nuk vjen…po rrjedhin shumë shira…?

Fund.

-… Statuja e Pritjes… gdhendur në mermer të bardhë fjalësh…oh…

     Nuk di sa do të kisha vazhduar me marrëzinë time, sikur prej altopalantëve të mos dëgjohej zëri i komandantit të avionit, që na njoftonte sipas traditës se po mbërrinim në Milano e duhej të përgatiteshim për uljen. E ripaketova pikturën “Statuja e Pritjes” në cantën speciale që e marr gjithmonë me vete dhe ashtu i pezmatuar nisa të numëroj sekondat deri në castin kur rrotat e avionit të preknin tokën e aeroportit.

      Avioni u ul lehtë, pa u ndjerë, që vlerësohet një ulje e suksesshme  dhe pasagjerët duartrokitën. Vetëm vajza përkrah meje nuk lëvizi. Qëndronte si para tre orësh e gjysëm, në castin që e pashë sapo hypa në avion.

       Do ta kisha harruar vajzën e cuditshme sikur ajo të mos më ndiqte thuajse një hap larg në castin kur iu afrova punonjëses së sportelit në aeroportin e Milanos, për të pyetur se me c’linjë do të fluturonim për në Tiranë.

-Tani me Alitalia-n,  – më tha ajo korrekte – ju e dini, udhëtoni shpesh.

- Vërtet …? – dhe fjalët e saj sikur më cliruan nga gjithë ai ngërc që më kish mbërthyer trurin.

- Ju kam parë…

- Faleminderit – dhe desha të vazhdoj bisedën sepse ndjeja uri për të folur me njerëz.

- C’profesion keni …? – pyeti sërish sportelistja, një vajzë bullafiqe, që me sa duket kërkonte një lidhje mes profesionit dhe udhëtimeve të shpeshta.

-Jam piktor…- ngrita zërin. Ndërsa kjo këtu – dhe tregova vajzën e sediljes që tani ishte një pëllëmbë larg supit tim, - kjo ka profesion Mumjen.

Mumjen e Egjyptit !

Sportelistja bullafiqe qeshi me të madhe.

Mumja mbeti aty.

U ndava prej saj dhe sepse ndjeva një therrje në zemër.

E di që cdo ndarje është një pjesë e vogël e vdekjes.

Hypa në Alitalia për t’u kthyer në Tiranë.

Atë ditë isha pa fat.

Isha thjesht një njeri në pragfillimin e shekullit të ri që pa një të plasaritur në fasadën e bukurisë …



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora