E enjte, 28.03.2024, 11:12 PM (GMT)

Mendime

Shefik Shkodra: Bie kambana edhe për një hap më tej!

E shtune, 31.12.2011, 12:58 PM


BIE KAMBANA EDHE PËR NJË HAP MË TEJ!

 

NGA SHEFIK SHKODRA

 

Koha ecë “si uji në rrjedhë”. Ajo nuk prit asgjë as nuk kursen askënd. Pra, është forcë  natyrore. Dhe është fenomen që s’i del kush para. Nuk mund ta shëroj e as ta ndaloj me armët më të sofistikuara që ka shpik njeriu. Për asnjë hap e për as një rënie ore, po, për asnjë rrahje zemre. Nuk shmang ritmin e vet as për qefe e as për dhimbje e pikëllime. Njeriut i ka mbetur ngashënjimi. Është sikur mahnitje për gjëra që na mashtrojnë dhe është hidhërimi për gjërat që na irritojnë, që na preokupojnë, që u japim rëndësi e i përkushtohemi, nëse (nuk) arrihet qëllimi. Në realitet duhet ta bindim dhe ta ngushëllojmë vetveten sa u jemi përkushtuar punëve dhe përgjegjësive tona gjatë një periudhe kohore, gjatë një viti. Dhe e pëlqejmë veten e e aprovojmë pozitivisht sikur krejt i kemi bërë ato që është dashur të bëhen. Dikush e ndjen barrë të rëndë ecjen.

Po, një është e vërtetë, edhe ata që kanë bërë punë pa hile e edhe ata të tjerët, që rangohen në margjina të vlerave njerëzore, njësoj sikur edhe ata që janë gjetur veç në aranzhime të të ligave, që të gjithë janë robërit e kësaj kohe. Shënojnë ikjen e moskthimin më, bashkë me të mirat e të ligat. Secili për vete më në fund. Ne i themi – Viti i ri! Diçka për të renë.  

*

Ev, ev! Sa mirë që e përmendëm vitin e ri. Është problem hapësira kohë dhe hapësira gjeometrike. Dhe, bie kambana kalendarike për një hap më tej. Për dikë viti është i gjatë, mezi pret të përfundoj. Për disa është shumë i shkurtër, u vjen keq që perëndoi, sepse kanë punë të afatizuara. Njëherë dëgjon: Sa  kënaqësi! E menjëherë, sa turp! Sa hipokrizi! Sa neveri! E sa, sa, sa të tjera habi...kur njeriu çdo ditë dëgjon fjalë nga më të ndryshme injorantësh. Dhe, ku dhe kur do të përcaktonim injorantin? Jo, pse ai nuk di, sepse dijen nuk mund ta barazojmë as tiparet me njëri tjetrin. Por, tipi injorant shfaqet, atëherë kur nuk e di veten sa “mund ngre”, do të thotë, sa e ka të zhvilluar koeficientin (përafërsisht) e mendjes. Të dijë të rezonojë dhe t’i fus në përdorim mendtë e veta. Dhe mendimet e tij të reflektohen te të tjerët (nëse ka mend për të tjerët). Do të thotë, si të tilla të hyjnë në  përdorim të mëtejmë në shoqërinë më të gjerë. Që të zënë vend për diçka të dobishme. Që të kenë një përmbajtje, më në fund çfarëdo qoftë, veç mësimit për kriminalitetin, plaçkitjen dhe korrupsionin. Nga ky emër i fundit çdo ditë dalin persona me afera do të thotë, po sikur është diçka e rëndomtë...

*

Mundet edhe kështu, kur s’ka më mirë, po realisht nuk është e kënaqshme. Ndryshe që aprovohet krejt me të mirë. Themi kështu ngase kërkohet më shumë punë në të gjitha sferat e jetës. Bie fjala edhe në arsim. Në radhë të parë duhet respektuar shumë gjëra rreth nesh e edhe zbatuar, bie fjala ligjin, rregulloret... Një konkurs për pranim me specifika, krejtësisht të definuara me përzgjedhje cilësish (me që kështu po thuhet e edhe duhet të jetë), të respektohet pikë për pikë. Arsimi nuk  është kurrfarë biroje për inkuadrim dhe punësim të kujtdo dhe të çfarëdo qoftë, ka rregullat dhe parimet e veta për qeverisje sa më të mirë. Ka shumë çka thuhet edhe është thënë. Shembujt janë jo aq të mirë deri më tash në veprimtarinë e kësaj fushe. Këtu, si në shumë vende të botës, është bërë dukuri akute konsumimi i lëndëve narkotike nga rinia. Shëndeti i rinisë bie, rritet kapitali i tregtarëve, i xhelatëve. Nxënësi jonë duke qenë i kontaminuar si i ri, nuk mund të korrigjohet aq lehtë, nëse ndërmarrja kundër këtyre dilerëve është zero, flasim për mese ku frekuenton rinia. Tashmë, këtë e sheh çdokush.

As fushat tjerat nuk mund të zihen në gojë shumë për të mirë për këtë fund viti. Është folur mjaft për shumë sfera. Baza materiale e qytetarit tonë, ta zëmë apo punësimi,  shëndetësia pa kurrfarë mbështetje e beneficioni për qytetarët. As Liga pensioniste nuk pajtohen që të mbeten gjithmonë lypsarë. Nuk mund të flitet aq as për çmimet në këtë gjendje që ka Kosova e as për tregun në përgjithësi. S’qon peshë fare një analiza e përgjithshme kulturore, as në ato mini-qendrat e as në kryeqendër. Shumë pak mund të krenohemi edhe me rrjedhën dhe avancimin në segmentin politik. 

*

Eh, erdhi viti i ri! O viti i ri! – janë britma fëmijësh. Në grumbuj të fëmijëve e me këto bërtima, si dhe me lojërat e tyre ndodhen edhe të rritur. Veç lojërave të rëndomta, të rriturit i mësojnë, se si duhet të përdoren mjetet plasëse. Po ata janë nxitësit më të mirë të fëmijëve edhe me mjetet plasëse piro(teknike)mane. Plasjet në befasi mund t’ua shkatërrojnë nënave fëmijën në bark. Munden edhe atyre zemër ligsht, ruana Zot, me ua kupë zemrën në vend. Munden edhe t’ia heqin ndonjë pjesë apo gjymtyrë të tërë, për të mos thënë, kokën. Ata janë eksplozive të kalibrave të mëdhenj. Sa topi, sa ndonjë raketë. Ndodhin këto para e pasi të bjerë kambana për një pjesë të kohës që njerëzit e limitojnë kohën me shifra. Derisa ndonjë fëmijë mund të dëmtohet e të sakatohet, dikush veç pasurohet nga shitja e pakufizuar e këtyre mjeteve bukur shqetësuese. Një javë para dhe një pas kësaj ‘feste’ oborr e sokak, ndoshta edhe kulmet e shtëpive janë të mbuluara me copëza të asaj teknike plasëse. Kudo vetëm erë squfuri si gazrat kur i hidhnin policia e Serbisë për demonstratat e dikurshme nëpër rrugët e qyteteve tona.  

– Erdhi viti i ri. Kohë e re, sigurisht me ndryshme, kështu luten njerëzit. Dikush pret që sa më shpejt të takohet njëherë me të dashurën, të dashurin, e dikush edhe të martohet. Të takaohen njerëzit familjarë prej nj ane në anën tjetër të botës. Dikush mban shpresë, të gjej një vend pune, sa për t’i mbajtur fëmijët me një kore buke. Dhe ndonjë tjetër, natyrisht, që t’i gjej vend parave dhe ta ruaj kapitalin që “e ka fituar” vitin që iku.

*

Pak moralizim për këtë fund dhe vijimin e kohës kalendarike: Ruana Zot prej të gjitha të këqijave e prej llojeve të karaktereve të ndryshme, si prej qenve rrugaç, prej shtihanëve, prej panlaverëve, prej gjelave të plehut, prej poetëve të shumëzuar (gjysmakë e analfabet), prej minjve të gjirizit; po ruana Zot edhe prej llafeve në politikë, prej çmimeve që i ngritin kush si do, krejt anarki. Ruana Zot edhe prej drogës që, për çdo ditë po na shërbejnë mirë e më mirë, sidomos nëpër shkolla, bile edhe te ato filloret, që i mendojmë ata fëmijë si shumë të njomë, ruana Zot i madh edhe prej hajdutëve natën e ditën. Kemi disa palë hajdutësh, por ata më të rëndë janë, ashiqare dhe nëpër vende publike, për të mos thënë të pushtetit (të siguruar e të mbrojtur), dhe këta që ecin si qentë e çartur katundit e qytetit. S’lënë vend ku nuk e fusin turirin. Nxitu mëndën këtyre udhëheqësve tanë e ta forcojnë ligjin, më mirë të themi, ta zbatojnë atë. Jo për mbrojtjen e vetvetes, por për mbrojtjen e të gjithëve. E më parë le të heqin dorë prej të ligave (nëse ndodh) nga ata të burojnë, si bie fjala, gjykatat t’i lënë të pavarura e t’i sigurojnë në punën e tyre. Për vitin në vijim, urime i (e) nderuar kudo që je, duke mos aluduar asnjëherë në udhëheqësit institucional hakmarrës, xheloz e përbuzës! Po, duke iu bërë thirrje, që të gjitha mëkatet e bëra deri më tash t’i llogaritin edhe njëherë, gjatë ndonjë pushimi dhe të reflektojnë ndryshe në të ardhmen(?). Të mos u japim hapësirë atyre përreth (maniakëve analfabet) që na shkelën gjithherë e edhe tash kështu po veprojnë. Më së shumti prej kërkushëve ruana Zot! Amin!



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora