E merkure, 05.10.2022, 07:31 PM (GMT+1)

Kulturë

Halil Haxhosaj: Vepër me vlera shkencore, letrare dhe historike

E shtune, 31.12.2011, 01:58 PM


VEPËR ME VLERA SHKENCORE, LETRARE DHE HISTORIKE

 

Dr. Besim Muhadri: “Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit”, studim, botoi SHB “Pjetër Bogdani”, Has, 2008

 

NGA HALIL HAXHOSAJ

 

Besim Muhadri para disa ditësh mori gradën shkencore të Doktorit të shkencave filologjike në Tiranë mu me temën për poezinë e Din Mehmetit. Me poezinë e këtij poeti tonë të madh kombëtar, është marrë edhe disa herë të tjera dhe gjithmonë ka shënuar diçka të re në poetikën e tij. Andaj edhe libri që po e marrim për ta trajtuar, ka një vlerë të tillë, sepse ishte temë e magjistraturës të krijuesit Besim Muhadrit.

Për poezinë e Din Mehmetit janë shkruar shumë shkrime, studime, recensione, por edhe analiza, tema diplomash në shkollat e mesme, në ish shkollat e larta pedagogjike, në fakultete, e tjerë, por kohëve të fundit, poezia e Din Mehmetit është bërë objekt interesimi e studimi edhe për tema magjistraturash dhe doktoranturash në të gjitha viset mbarëshqiptare të të gjitha universiteteve shqiptare. Besa, kjo poezi ka zgjuar interesim edhe te studiues të huaj, sepse është e prezantuar në disa antologji në gjuhë të huaja, por edhe është e përkthyer. Me të drejtë quhet nga shumë analistë e studiues edhe poetika mehmetiane. Është e tillë sepse autori i saj poeti Din Mehmeti, ia ka arritur të kultivojë një stil të posaçëm, të veçantë, por edhe të tillë që ta marrë këtë epitet

Studiuesi dhe autori i librit “Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit”, Besim Muhadri, ka bërë një përzgjedhje tejet interesante, pse jo edhe studimore dhe analitike të poezisë së Din Mehmetit, duke u ndalur në segmentin pothuajse më dominues dhe më të përhapur në opusin letrar të këtij poeti, në dhunën dhe lirinë. Dhe kësaj pune, pra këtij studimi, ia ka arritur me sukses, sepse në të dyja rastet ka marrë grada shkencore të magjistrit e tash së voni edhe të doktorit të shkencave filologjike.

Veprën e mbarështron në tre kapituj që janë shtyllat kryesore të ndërtimit të saj. Dhe kështu vazhdon një strukturim tjetër në mikrostrukturim që ngjizet me metodat hulumtuese, por edhe analizuese e interpretuese. Kjo formë e shtjellimit të lëndës si tematikë e dominuar, shtrihet në gjerësinë dhe thellësinë e studimit. Andaj, përpjekjet e autorit Besim Muhadri nuk janë të ngurta, madje as të tkurrura e të njëanshme, por ato, përkundrazi, evoluojnë, japin rezultate dhe ngjizën me domethënien dhe qëllimin studiues. Dhe vetëm kështu, me metoda e qëllime të një analize domethënëse arrihet edhe deri në embrionin, qelizën, indin dhe organikën poetike e metaforike të poezisë së Din Mehmetit. Të gjitha këto, por edhe synimet e tjera, autori i veprës i bën me një kujdes, disiplinë, analizë e qasje empirike e shkencore. Por këtë e bën duke notuar nëpër figuracionin e poetikës së poezisë së Din Mehmetit, e cila është e veçantë, është tjetër, është interesante, është moderne e me tone bashkëkohësie. Madje, synimet e tilla, gjithmonë janë të frytshme, janë të pëlleshme, janë me rezultate të mira, por edhe me konkluzione të arritura.

Mikrostrukturimi i kësaj vepra të Besim Muhadrit kalon nëpër disa hallka që në një formë janë edhe stadiume dhe tema qëllimmira për analizën e vargut, poetikës, figuracionit, tematikës dhe përkushtimit kombëtar të poezisë së Din Mehmetit. Edhe shtrirja kalon nëpër stadet e luftës, dhunës, por edhe sakrificës për fitoren e madhe të lirisë. Kështu, sipas Muhadrit, vargu, poezia, tematika, por edhe figuracioni mehmetian janë metoforikisht, e pse jo edhe simbolikisht të mbarsura me këto elemente. Por, prapëseprapë, kjo poezi nuk është teorikisht retorikë, por ajo depërton, mëveshët, brumoset dhe shtrihet në efektet figurative, bashkëkohore dhe moderne të poezisë së këtij stili.

Ky është, pra, stili poetik mehmetian, i cili që nga aspektet e përgjithshme të një tematike me motive dhe frymëzim nga këngët e traditat popullore, depërton duke u ngjizur me figurat e babait, nënës, atdheut, kreshnikëve, zanave e orëve, dragonjve e kuçedrave, bajlozëve e shtrigave, kullave të fshatit, heronjve, luftëtarëve e të tjerave në simbolikën ekzistenciale. Andaj kolektivja dhe individualja si koncepte poetike janë komponente të dalluara dhe tejet të rëndësishme në këtë poezi. Kjo poezi prej fillimit e deri në fund të saj ( e them kështu sepse Din Mehmeti më nuk krijon pasi që iku në amshim) shpalos edhe aspektet e revoltës kombëtare duke u skalitur dhe frymëzuar në aspektet dhe kontekstet historike, të cilat ishin ato çfarë ishin në historikun e shqiptarëve. E gjithë kjo rrugëton nëpër rrathët e konceptit poetik të dhunës e lirisë, të luftës e qëndresës, mëveshur me metaforat e dhimbjes dhe sakrificës, sidomos në luftën e fundit, kur edhe vet poeti ishte gati i sakrifikuar. Pra, nga këtu del edhe sintagma poetike “Poeti dhe liria”, që shumë lehtë mund të jetë, apo do të ishte, edhe poeti e lufta, poeti e plaga, poeti e vdekja, poeti e sakrifica, poeti e..., sepse nëpër jetën tonë ankthi e ekzistenca ishin pjesë kombëtare e jona, ishin pjesë historike, ishin mësim dhe lindje me vdekjen nënsqetull për fitoren dhe për lirinë e mbetur peng shekuj me radhë. Kështu, ankthi i ekzistencës shqiptare është bërë klithmë kënge, është bërë klithmë poetike dhe refren i gjatë i këngës së lirisë, e cila shpesh shijohej vetëm si ëndërr e bukur në netët e gjata të robërisë shekullore. Të gjitha këto ishin lëng i përshtatshëm për ta ngjyer penën e vet poeti, këngëtari, por edhe rapsodi e besa edhe luftëtari, heroi e dëshmori. Këto dhe nuanca të tjera të gjendjes sonë historike shndërrohen në metafora poetike të vargëzimit mehmetian, të cilat i gjen, i strukturon dhe i analizon me sukses, me mjeshtri e shkencërisht, studiuesi, dr. Besim Muhadri, në veprën e tij “Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit”. Tërë kësaj, ky studiues ia arrin me sukses sepse jo vetëm që e njeh detajisht poetikën mehmetiane, por ai poashtu e njeh thellësisht, madje e ka studiuar e hulumtuar emperikisht edhe poezinë shqipe në përgjithësi e sidomos këtë bashkëkohore e moderne në veçanti. E gjitha kjo, madje edhe rezultatet e këtij libri me kaq potencë shkencore, ia shtojnë dhe ia rrisin diapazonin e studiuesit dhe analizuesit të mirëfilltë bashkëkohor.

Përveç këtyre dhe të tjerave që janë paraqitur dhe trajtuar në librin e dr. Besim Muhadrit, e vendosin atë në vendin e duhur, madje edhe e rangëzojnë aty ku duhet, si duhet, si e ka merituar dhe cilat janë rezultatet e tij. Dhe këto rezultate nuk do të mungojnë kurrë, madje vlerat studimore do të shtohen patjetër dhe do të avancohen edhe më shumë.

Edhe kulla, edhe deti, edhe ëndrra, edhe zhgjëndrra, edhe mbijetesa, edhe lufta, por edhe shpagimi i fitores së saj, janë simbolikë, jo vetëm e poetit Din Mehmeti, por edhe e të gjithë personazheve të tij lirikë, subjektivë e të tjerë. Këto dhe shtresime të tjera të ngulitura në poetikën e këtij poeti, studiuesi dhe krijuesi Besim Muhadri, arriti t’i ndriçojë, arriti t’i strukturojë, arriti t’i analizojë dhe t’i ngriti lartë duke e vendosur atë në majat e poezisë së sotme shqiptare moderne dhe bashkëkohore. Këtë e bëri duke u furnizuar me një literaturë të duhur dhe të përzgjedhur shkencore, e cila i ka mundësuar ta shterojë dhe të nxjerri prej saj frytet e përzgjedhura që janë thënë për poezinë mehmetiane.

Andaj vepra “Dhuna dhe liria në poezinë e Din Mehmetit” e Besim Muhadrit, por edhe studimi tjetër me të cilin e mori gradën e doktorit të shkencave, do të jenë një material adekuat, madje edhe i çmueshëm për studentët, studiuesit, por edhe për lexuesit e tjerë që janë të interesuar ta njohin edhe në këtë aspekt veprimtarinë letrare të poetit tonë të madh, Din Mehmeti.



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora