E merkure, 05.10.2022, 08:45 PM (GMT+1)

Kulturë

Ylli S. Hoxhaj: Projeksione drite… Thirrje laokoontiane…

E shtune, 31.12.2011, 01:58 PM


….. Projeksione drite…

Thirrje  laokoontiane…

 

(Shënime për librin e Nuri Dragojt:“Rreziku i   shkombëtarizimit”)

 

Nga Ylli S. Hoxhaj

 

Veçori të stilit dhe të  krijimtarisë

 

Nuri Dragoi ka kohë që përfaqëson personalitetin e intelektualit bashkëkohor  të përkushtuar , që me  botimet e tij publicistike, historiografafike , studimore dhe artistike ; si dhe me veprimtarinë e tij aktive si organizator dhe drejtues i Shoqatave Atdhetare, është tashmë një nga  Trumbetarët e mirënjohur popullorë të çështjes kombëtare, mbarëshqiptare. Krijimtaria e tij, tanimë ka kaluar  mbi dhjetëra  botime të plota, që qarkullojnë  te lexuesit shqiptare, këtu e ne Kosovë, madje edhe tek shumë nga  shqiptarët e diasporës; në Evrope dhe në Amerike. Kjo ndodh, sepse librat e tij janë bërë pjesë e punëve dhe e  detyrave  tona atdhetare.

Si publicist dhe  prozator, ai, që në fillesat e krijimtarisë së tij,  diti të  pleksë stilin e gazetarit dhe me atë të letrarit. Vëllimi me tregime ”Më thuaj  kush je ?”, ishte magjia e parë  ku u mbrujt brumi i tij  artistik, nga ai mori tharmin e gjuhës poetike, për ta   gatuar atë me të gjitha krijimet e mëvonshme, edhe kur ato do të jenë vepra historike, studimore dhe publicistike. Kush lexon me  kujdes veprat e tij, e ndjen ketë dukuri dhe kënaqësi, duke shijuar një leximin të rrjedhshëm , te këndshëm, të një gjuhë plotësisht artistike.

Në kërkim të gjetjes së profilit të tij krijues, Nuri Dragoi vazhdon të  provojë veten në disa gjini e zhanre të krijimtarisë, duke i kapërcyer cilësisht këto prova dhe duke na dhënë  vepra të denja  e tepër të dobishme: për kohen dhe  të ardhmen e shoqërisë dhe të  kombit tonë.

Prirjet e problematikes së tij janë çështje të rëndësishme të jetës  shqiptare , të historisë së djeshme dhe të sotshme, janë tema të patrajtuara , ose te  harruara, nga koha, tema, që kërkojnë jo vetëm guxim e talent, por edhe erudicion dhe kompetencë:

Po krijimtaria e  tij hyn edhe në zonat më të nxehta e më të dhimbshme të shoqërisë e të kombit shqiptar: Ai i futet temës së identitetit dhe mbrojtjes së çështjes kombëtare: ashtu si dikur Noli, Konica, Mitat Frashëri  e plejada e  atyre intelektualeve që morën mbi supe çështjen e madhe të  bashkimit kombëtar dhe luftën e ashpër kundër synimeve të pandërprera gllabëruese dhe  shkombëtarizuese  të fqinjëve  shovinistë  veriore dhe jugorë. Me një këmbëngulje të admirueshme, e me një angazhim të pathyeshëm atdhetar,... si një barometër i vërtetë, ai ndjen  dhimbjet dhe rreziqet e mëdha shovene ndaj Shqipërisë. Dhe nuk hesht , dhe nuk rresht: duke u nxjerrë në dritën e diellit të vërtetat, e duke damkosur komplotet, intrigat, pazarllëqet dhe synimet e mbrapshta , nga të cilat nuk duan të  heqin dorë, qarqe antishqiptare, madje edhe  qeveritarë shovene  greke e serbe.

Kur kishte plasur  skandali i dhunimit të varreve dhe të blerjes së eshtrave të fshatareve shqiptare në Kosinë; në kulmin e kësaj maskarade dhe poshtërimi anti-shqiptar, N. Dragoi,  për gati dy javë, (flakë për flakë ), përgatiti dhe botoi librin pamflet: ” Eshtra që akuzojë…- Zhvarrimet në Përmet – turp i politikës”.( 2006)…Libër  që mbetet  i vetmi, në llojin e vet.

Në vazhdim të kësaj problematike, në vitin 2009, boton librin tjetër” “Shqiptarët dhe grekët-realitete historike”…  Një libër  i denjë, për ta pasur  lakmi çdo akademik.

Dhe ja, këtë mot, (2011), fatmirësisht, Ai na vë në dorë librin e ri , me të njëjtën problematikë: “Rreziku i shkombëtarizimit”.

Në një vështrim  nominativ (titujt e veprave), kanë një maturi përshkallëzimi intelektual e paksa diplomatik:

Libri shtron për lexuesin fakte e referenca historike, të lashtësisë e të realiteteve aktuale, për të gjetur rrugët e zgjidhjes efektive… Këtu autori është edhe historian edhe  shqiptar i ditëve të sotme që përjeton pasojat dhe rreziqet e mëdha që kanosin copëtimin e  Shqipërisë…  Ka aty edhe  revolte të ligjshme, siç ka dhe dhimbje e zhgënjim  të madh. Ka  aty fakte e argumente që nuk i tund as tërmeti e as Dovleti…  Por , autori, në  favor të  një zgjidhje të dobishme , diplomatike e njerëzore, e detyron veten të jetë historian korrekt  dhe  një shqiptar bashkëkohor.  Por instinkti grek i pabesisë, nuk pranon as historinë , as kohën e bashkëjetesës evropiane. Të verbuar nga lakmia dhe pabesia , kanë mbetur te “vrima e fundit e kavallit ”, si një kambanë e mjeruar dhe e shurdhuar, në mërinë e babëzinë e priftërinjve primitivë- eshtra-grabitës…

Libri i ri që në titull është një thirrje: Ai u flet  të gjithëve të zgjohemi nga  shkujdesja. I fshikullon ata që heshtin e që u takon të flasin: pushtetarët e qeveritaret që kanë rënë pre e pazarllëqeve, servilizmit, inferioritetit dhe miopisë, përballë dinakërisë greke: duke nënshkruar ligje antishqiptare, në favor të  shkombëtarizimit, duke u bëre favore të padrejta e të pa merituara… Fshikullon  historianet, akademiket,  intelektualet që heshtin , kur duhet te dalin në  balle të çështjes kombëtare.

Në një vështrim historik, thirrja e librit të risjell para syve  Figurën mitike të Laokoontit, që i drejtohej Trojës, 5 mijë e ca vjet më parë: “Mos i besoni Kalit të drunjtë!”…Mos i besoni!..” Edhe atëherë  ordhitë greke u derdhën mbi një qytet të lakmuar, për ta grabitur dhe uzurpuar me të gjitha mjetet dhe marifetet: Thirrja e trojanit Laokoont  ishte  thirrja e një tribuni. Dhe të gjithë e dimë si ndodhi: Trojanët, të trullosur nga fitoret mbi akejtë, të mpirë edhe nga legjendat e mitet për “ Kalanë e pamposhtur Trojane”, të mësuar me indiferencën dhe të ndarë e të përçarë për interesa personale e politike,  “në pro dhe kundra”,  nuk i besuan asaj Thirrje shpëtuese, madje e mallkuan dhe  e anatemuan atë.

Por edhe Troja gjarpërinjtë i kishte pasur  brenda, siç kishte edhe Tribunët : gjarpërinjtë  vinin vërdallë midis turmës indiferente…Kush ishin gjarpërinjtë?...horrat, mbështetësit e rënies së Trojës… Kështu ka ndodhur dhe  ndodh gjithnjë në gjëmat e mëdha: Mbushet  vendi me gjarpërinj që,  të shumtit heshtin, vegjetojnë e punojnë, dhe pakë prej tyre, ata më të padurueshmit, e më të eturit, nxjerrin  gjuhën me   fishkëllima të kobshme... Sa shumë të tillë kishte Troja… Dhe, kështu e lanë Laokoontin ta mbysnin gjarpërinjtë e Hadit, së bashku me fëmijët e tij. Edhe ata gjarpërinj i kishte dërguar Hellada. Trojanët nuk e vlerësuan rrezikun, dhe e paguan kobshëm.

Por, trilli i llahtarshëm i historisë së Trojës, nëpërmjet klithmës së Laokoontit është kthyer në një mësim unikal, aktual  e universal, për tërë njerëzimin. Kambana që bie, nuk bie për shurdhin, po për ata që kanë veshë e sy, sepse shurdhëria gjithnjë ka pjelle  tragjedi si të Trojës. Por, fatkeqësisht shurdhëria ka infektuar shumë….

Zjarret dhe hiri i Trojës, Thirrja e Laokoontit rend përjetësisht nëpër Planet,  midis kombeve dhe shteteve, si dëshmi e një gabimi fatal të  atyre që e nënvleftësojnë rrezikun, dhe mashtrimin.

Fenomeni  Laokoont, veçanërisht për shqiptarët dhe Shqipërinë, ka qenë dhe mbetet nyja  Gordiane  e historisë tragjike dhe e pasojave fatale për fatet e kombit. Shqiptarët , në psikikën e tyre  morale e shoqërore, ndaj rrezikut dhe së keqes, janë si dy pika uji me Trojanët, apo ndoshta  e njëjta pikë:

“ Shqiptari është popull fanatik i lirisë,- thotë dijetari gjerman Fallmerajer.-Është popull me vullnet të fortë, por me gjykim të shkurtër, pasi pushtimet e njëpasnjëshme nuk i kanë lënë kohë të mendohet gjatë.” (f. Rr. Shk. f5 )…

Është edhe kjo një arsye që përball çështjes së ruajtjes së  identitetit ndaj stuhive të pareshtura për t’i shkombëtarizuar, shqiptaret kane pasur e kanë orakujt dhe Laokoontët e tyre, në të gjitha periudhat e përflakura të historisë. , Orakuj e kombit, dihen,… janë Rilindësit e mëdhenj: Abdyli, Naimi, Samiu, etj. Ata  ngritën, ideuan dhe programuan Shqipërinë, si ishte dhe si do të bëhet. Por bërja e Shqipërisë nga shqiptarët nxiti lakminë e armiqve të saj…Në këtë përleshe, lindën Tribunët, Laokoontët e kohës, që paralajmëronin, njësoj si Trojani:..“Mos i besoni Kalit!” “Mos e merrni brenda.”

Në vitet më pas  erdhën: Fan Noli, Faik Konica , Mitat Frasheri e të tjerë, që u flisnin të vërtetën shqiptarëve dhe  evropianëve për të bërë Komb e shtet shqiptar, në kundërshtim me synimet e pashtershme  gllabëruese greke e Serbe:

Në letrën që i dërgonte Kryeministrit Gledston, më 1897, Faik Konica i shkruan:“…Teorikisht  ka  mundësi që ky komb të vdesë, por është jashtë çdo mundësie që ky komb të asimilohet nga një popull tjetër… Ne kemi frikë vetëm nga grekët, me që ata kanë një armë vetjake, dinakërinë. Duhet të kihet parsysh se dinakëria e tyre është tepër e madhe, ajo është e pamatshme për nga madhësia, sepse me anë të saj ia ka dalë mbanë, jo vetëm të mashtrojë, por edhe të sigurojë simpatinë e njerëzve më të mëdhenj , që i nderon universi...” ( Rr.shk. ,  f. 219)

Edhe Noli, që më 1909, njësoj si Laookonti, parashikonte e paralajmëronte rrezikun e ngjarjeve fatale, që fatkeqësisht i gjejmë në ditët e sotshme: “ Hapni sytë kur bisedoni, apo lidheni me greket, se ata janë pasardhësit e Odiseut dhe ruani me heroizëm Kishën tuaj, se një ditë , papritur e pakujtuar do t’u shkasë nga dora , dhe s’ kini për ta marrë kurrë. Rrënjët e kishës greke janë si të arçarit, që përhapin kudo vetëm helm…. Ruhuni shumë, se rënia ekonomike sjell rënien morale, e rënia morale, sjell rënien kombëtare….”( Rr. Shk. f. 21 )

I kemi përpara syve  sot parashikimet profetike të Nolit, 110 vjet më parë: shqiptarët po detyrohen të ndërrojnë emrin, kombësinë  dhe identitetin religjioz,  nën shpërblimin e një pensioni grek:… ”3000vjet histori shiten për 300 euro; njëzet mijë familje marrin pension nga Athina, për të braktisur kombin e tyre, si asnjëherë në histori.  “Greqia akoma nuk ia ka kthyer borxhin Korçës, për helenizimin e saj  të plotë …dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë e ta pengojë”,-deklaron një deputet minoritar.(Rr. shk.   f. 36),…e dhjetëra e dhjetëra dëshmi të kobshme..…

Me parashikimet profetike të Nolit të madh, në vitet që rrodhën,  janë bashkuar me veprimtari konkrete  edhe zërat e dishepujve të tij: Akdemikët: Kristo Frashëri, Aristidh Kola e Pëllumb Xhufit; Sabri Godo, Rexhep Qose, Daut Gumeni, Myslim Pasha, Kastriot Bezatit, Abdi Baleta, Nuri Dragoj ,Kreshnik Spahiut,  At’ Nikollë Markut,etj, etj.  Në Librin e Nuri Dragoit, tërë kjo klithmë, mbarëkombëtare e mbarë intelektuale, ka jehonën  e veprimtarisë aktive e vepruese.

Realitetin e sotëm e  shtron, me shqetësim, edhe  Ismail Kadareja: …”Shqipëria është e sëmurë,- thotë ai,-dhe …mund të thuhet, se asnjëherë doza e ndotjes morale në Shqipëri, nuk ka qenë kaq e lartë sa sot…. Asnjëherë  nuk është bërë përpjekje që kundërshqiptarizmi të shpallet haptas si doktrinë kombëtare…”( Rr.shk. , f.332).

 

****

Në stilin e tij rrefimtar, autori, përpos individualizmit, përdor me shumë sukses tipizimin, si një mjet efikas i krijimtarisë artistike e  publicistike: Mjaft figura historike, shqiptarë dhe të huaj, personalitete që i ka bashkuar çështja kombëtare,  vijnë si karaktere që, sa individualizojnë  fakte jetësore, aq edhe tipizojnë karaktere njerëzore. Janë personazhe, që në të shumtën e rasteve  vuajnë pasojat e lakmisë, apo dehjes shkombëtarizuese:

 

(Referohu : Studentja  Ana; motrat me dy kombësi; 8 fëmijët me tetë prindër;……….. Venizello,… Kryemknistri Grej dhe Mehmet Konica,… vjedhësi i varreve, etj..)

 

Siç thamë, fenomeni “ Laokoonti”, veç pjesës së parashikimit, ka edhe pasojën e ndëshkimit, apo më saktë, pjesën kriminale. Grekët dërguan gjarpërinjtë    dhe e mbytën Lajmëtarin. Ata nuk e kanë harruar zanatin e vjetër të Ndrios (kujto: Udha e shkronjave), pra zanatin e krimit. Historia jonë e dëshmon këtë  me dhjetëra raste:….

(Kujto: Naum Veqilharxhi, Papa  Kristo Negovani, At Stath Melani, Petro Nini Luarasi, etj)… Dhe në ditët e sotme kjo ndodh  pa shumë stërmundime:... të vjen Mesazhi në celular dhe:  atje më tej,  gjendesh i humbur, i aksidentuar, i zhdukur.)

 

Në librin ” Rreziku i shkombëtarizimit” të Nuri Dragoit, ndihet qartë, kërcënimi , për të mbyllur gojën; njësoj si në Trojën antike. Në faqen 19 gjejmë këto shënime: “Ishte thjesht një paralajmërim për vrasje: Teksti i plotë i mesazhit ishte ky:” hiq dorë, nëse nuk dëshiron të    fusim të gjallë në varret e boshatisura të Kosinës…Ky kërcënim,-thotë autori,- më ishte përsëritur disa herë, në forma e mënyra të ndryshme.” ( Rr.shk. f.19)

I vetëdijshëm për këto pasoja, autori deklarohet qartë për ta çuar përpara me përkushtim  punën e deritanishme. Ai nuk kërkon të ndezë  urët e zjarrit dhe  konfliktet ndër-etnike. Ai kërkon të vlerësojmë rrezikun, të hapim sytë dhe veshët dhe secili të bëjë më të mundurën, për përgjegjësinë qytetare që ka para kombit, duke marrë përsipër edhe risqet, qofshin ato edhe jetësore: “…Në thelb,- deklaron autori,- kam synuar të mos shaj errësirën, por të ndez një kandil, për të shtuar një projeksion drite”.( Rr.shk.,f.22). Këtë mesazh, unë e kam kuptuar si pasaportën e këtij Libri.

Së fundi e përgëzojmë  përzemërsisht Nuri Dragoin  për ketë sukses  e kontribut të  ri, dhe i urojmë shëndet e krijimtari të mëtejshme, po kaq të dobishme dhe, edhe më  cilësore.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora