E premte, 19.04.2024, 04:05 AM (GMT+1)

Mendime

Përparim Demi: Më vjen turp!

E shtune, 31.12.2011, 01:59 PM


Më vjen turp!

 

Nga Përparim Demi

 

Do doja që këtë vit ta mbyllja me një shkrim të bukur, që ti përshtatet momentit festiv të vitit të ri. Do desha të shkruaja diçka simbolike, letrare, artistike, ku të provoja e ditëve të zakonshme të mos merrte pjes. Momenti i veçantë gjithmonë kërkon diçka jo të zakonshme. Ndoshta prisja të frymëzohesha nga kjo dhe të thellohesha duke hyrë në një diskutim folozofik mbi jetën, mbi natyrën njerzore, mbi perspektivën shqiptare etj. Por ja që vërej se e përditshmja akoma më mbaka lidhur, s’më lë të fluturoj si ma do qejfi. Ma bëni hallall, ndoshta për herë të fundit.

Me vjen turp si shqiptar, kur një ”diplomat” i jonë diskutohet, në sferat zyrtare apo të kulturës së vendit ku jetoj, për mediokritetin, injorancën, paaftësinë e tij personale. Kur nuk kam përgjigje për pyetjet, që më drejtohen nga të njohurit e mi intelektualë, lidhur me arsyen e mospërfaqësimit të kulturës shqiptare në aktivitete të ndryshme që zhvillohen këtu, ku marrin pjesë aktivisht mjaft vende të tjera ballkanike.

Tashmë është një fakt i njohur se marrëdhëniet midis dy vendeve ka zbritur ne nivelin e deklaratave steriotipe që përsëriten vazhdimisht në mënyrë automate, pa asnjë përmbajtje reale. Po kështu ne të diasporës shqiptare këtu, e kemi humbur gradualisht lidhjen me shtetin amë nëpërmjet ambasadës tonë pa ambasador. Rrogëtarët shqiptar që na kanë ardhur këtu veç ambasador nuk kanë qenë. Ata kanë punuar mjaft për veten e tyre dhe aspak për ne, aspak për ngritjen e imazhit të Shqipërisë, aspak për të forcuar lidhjet, aspak për të krijuar lobin shqiptar në këtë vend të madh të Ballkanit, si një anëtar me të drejta të plota votimi në parlamentin europian.

Kam dëgjuar mjaft biseda televizive me ambasadorët e vendeve të huaja, të Amerikës, të Anglisë, të Danimarkës, të Norvegjisë, të Francës apo Austrisë dhe Kinës etj. Të ka lezet shpirti kur i dëgjon si flasin. Shumica përdorin direkt gjuhën rumune të mësuar gjatë ushtrimit të mandatit të tyre këtu. Më mahnit niveli i tyre i lartë intelektual, njohuritë e gjëra dhe kompetenca e tyre në fusha të ndryshme, veç profesionit të tyre prej diplomatit. Gazetarë të njohur u bëjnë pyetje për ekonominë dhe politikën e shtetit rumun, janë të interesuar të dinë opinionin e këtyre përfaqësuesve të huaj lidhur me probleme të ndryshme të këtij vëndi. Përgjigjet janë të nivelit, origjinale, të rezervuara kuptohet, por në objekt dhe pa zbukurime. Fjala e tyre merret në konsideratë nga shumë analistë të njohur të vendit dhe ka raste që bëhen pika referimi në diskutimet apo shkrimet e tyre të publikuara.

Unë as mund të ëndërroj që një diplomat shqiptar të ketë opinion të tijin mbi gjendjen apo problemet e Rumanisë, pale pastaj që opinioni i tij të merret në konsideratë nga qarqet intelektuale politike të këtij vendi. Kjo do e kapërcen shumë filmat më të dobëta SF që kam parë gjatë jetës time. Nuk besoj se ndonjë gazetar i këtij shteti ja di emrin, për ta ai është pa emër. Në aktivitetet e rralla që bën ambasada jonë, në fakt vetëm një ka mbetur (dita kombëtare), ftohet ministri dhe vjen portieri i ministrisë, dhe për këtë më vjen turp. Kjo ditë bëhet ngjarja më e madhe e ambasadës për atë vit, për të cilën ambasadori i vogël do shkruaj raporte muaj të tërë. Do shkruaj me fantazinë e tij të shfrenuar se sa personalitete të shquara e nderuan dhe sa fjalë të bukura thanë për të, e më pas dhe di?ka për Shqipërinë e për marrëdhëniet e ”ngrohta” midis dy vendeve ”miq”.

Ky vit që shkoi nuk na pruri një ambasador të ri këtu – na pruri një shef kuadri që më në fund doli nga bodrumi i ministrisë së jashtme për të parë pak dritë. Një jetë të tërë rrëmoi i ziu mes shkresave, shërbeu sa mundi, i buzëqeshi të gjithëve sa pati fuqi, gëlltiti të gjitha fyerjet dhe poshtërimet, me të cilat shefat ja nxinin jetën, para 90-tës dhe pas saj. Rezistoi sa mundi dhe si mundi kohërave të turbullta, më në fund arriti, u bë mbret i vogël mes katër mureve të ambasadës. Mjerë dy vartësit e gjysmë që ka. Atyre do ua nxjerrë të gjitha të zezat që ka hequr, që kur zbriti nga mali e deri më sot. Për ditë shihet në pasqyrë dhe përsërit me zë të lartë shprehjen prezantuese ”AMBASADOR ...FUQIPLOT i shtetit shqiptar...”, aq të këndshme dhe të ëmbël  për të, sidomos ajo pjesa e dytë, që lidhet me fuqinë. I buzëqesh vetes, me kënaqësi fuqiplote kësaj radhe, se e meriton. Sipas mendimit të tij e meritonte me kohë, por ja ç’ti bësh, mirë që i erdhi dita tani. E meriton për gjithçka që ka bërë, një jetë të tërë, kushedi sa veta ka marr në qafë duke buzëqeshur, sa shpatulla ka rrahur, sa fjalë ka pëshpëritur në veshët e shefave, sa letra ka dërguar .....atje ku duhet. Një intrigant i vogël i padukshëm për vizitorët, me punë të madhe, që mbajti mbi shpatulla godinën e vjetër të Ministrisë së Jashtme. Çinovnik-u i Gogolit s’është kurrgjë para tij, është pa talent, dhe ka të drejtë në këtë pikë, se në kohën e Gogolit nuk ekzistonte PARTIA. Sot po, veç se çinovnik mund të përkthehet në rastin më të mirë dhe ambasador në shqip, kur duhet. Nuk bën ndonjë gabim të madh përkthimi, pasi gjithë puna lidhet me fuqinë, aty të mbërthen ai dhe s’të lëshon.

Shumë shkruhet për shpenzimet e diplomacisë në gazeta. Kot e kanë. Këto punë janë të ambasadorit, ai vendos, ai e di punën më mirë. Është diplomat i lartë biri i botës, e ha diplomacinë me bukë në vend të gjalpit që në mëngjes, ”hajde baba të të tregoj arën”. Mirë, ka pak punë dhe ministria me paratë, por baza është fuqiploti mes katër muresh. Ai e grin llogarinë dhe në gjumë i di ku do shkojnë parat, ehu sa plane bën, sa hesape ka.....jo gruaja, jo djali.... S’po them më tepër se është sekret shtetëror kjo punë, punë diplomacie jo shaka. Diçka di dhe shoferi, por sa të hapi gojën, fësht e qit përjashta menjëherë fuqiploti, nuk bëhen shakara me të, e lë pa punë, e bën gënjeshtar, imoral hajdut etj.

Ndodhia e këtij viti. Një ”diplomat” shqiptar pa kulturë punëson një shofer me dy fakultete që zotëron katër gjuhë të huaja. Këtu takohet shteti shqiptar me emigrantin. Pakultura pas gjashtë muajve e pushon nga puna shoferin me kulturë se nuk i përshtatet dhe sjell një shofer tjetër nga Tirana. Emigranti me kulturë, një dalë i ri simpatik, i edukuar, i pamolepsur nga mentaliteti anadollak, bëhet i papërshtatshëm për moskulturën jo se nuk di gjuhën, apo se nuk i njeh rrugët e Bukureshtit, por se nuk pranon të ndotet me pisllëqet e vogla ”diplomatike”, nuk bashkpunon për shpërdorimin e parave të taxapaguesave shqiptarë, nuk kontribon në rritjen e mirqënies së ” FUQIPLOT-it” punëdhënës. Tani që i erdhi shoferi nga Tirana, anomalia u korigjua, ?do gjë shkoi në vëndin e vet. Tani që të dy, dyshja dipllomat – shofer, janë njëlloj. Të dy nuk njohin gjuhën, të dy si dinë rrugët e Bukureshtit, por kanë diçka shumë të rëndësishme, merren vesh mes tyre me të njëjtën gjuhë.

Mesa duket, një ambasadë e mirë shqiptare është një ambasadë e heshtur, ku njerëzit të rinë urtë dhe të shohin FUQIPLOT-in në sy. Të shohin punën dhe të ulin kokën, se ndryshe ua pret ai - Pashai. Ai s’ka ç’tu bëjë të huajve që flasin një gjuhë allasoja që nuk ua merr vesh hiç, por shqiptarëve ua gadit qejfin, mos ja kini gajlen fare. Kështu ëndërron i ngarkuari fuqiplotë, kur e zë gjumi ditën në atë kolltuk të madh që ka zyra. I strukur në fund të kolltukut, i mbledhur galiç si në bark të nënës, me gishtin e madh në gojë, buzëqesh në gjumë. FUQIPLOT, FUQIPLOTI diplomat  sheh ëndrra të bukura pa mbarim.

Kur ka hall fshatari, të zë për krahu me ta dhënë kafen me zor. Hej ç’na polli me këta far diplomatësh. Si nuk u gjet në gjithë atë Shqipëri një i hajrit. Nuk pretendoj të na nderoj, por të paktën mos me na zënë turpi faqe botës. Do zoti mos e kopioft këtë marifet dhe Kosova që po e ngren diplomacinë e saj të re.

 

Ndjehem i ofenduar

 

Unë ndjehem i ofenduar nga shteti shqiptar, pasi e konsideroj si mospërfillje ndaj nesh kur na dërgon njerëz të tillë me na përfaqsu. Kam dëgjuar se dhe shteti rumun ndjehet i ofenduar për këtë rast. E konsideron si kundërpërgjigje, si kundërvënie, si një çështje politike. Ndoshta ashtu janë punët e marrëdhënieve të ftohta. Kur ngrohen, dërgon një ambasador të rëndë, kur punët ftohen nxjerr një hallexhi nga bodrumi të ruaj ambasadën. Pra ajo puna e marrëdhënieve midis popujve, preokupimi ndaj diasporës, shkëmbimet e kulturës, traditat historike të përbashkëta, janë qiqra në hell. Janë vjersha që diplomatët shqiptarë i përsërisin që ditën e parë kur vijnë dhe deri në fund nuk mësojnë dot një vjershë tjetër, se s’kanë tjetër jo për gjë. Ndoshta nuk u dërgon ministria një vjershë të re, ndoshta dhe në arshivën e ministrisë nuk ka literaturë tjetër për diplomatët e gjorë, që mbetën me një vjershë të shkretët.

Të dashur lexues ndoshta ju bëra kureshtarë dhe doni të dini emrin e tij. Nuk po jua them dot, se as unë s’ja di, nuk ka emër, është pa emër. Kur na e prunë na thanë se ky fshatari këtu është FUQIPLOTI, dhe nuk thanë si ta quajmë. Unë jo se nuk ja gjej një emër, se emra di plot, bile mjaf të bukur për kësi rastesh, që ti vijnë për hak. Por pse ta marr unë këtë përgjegjësi që ta bëj me emër, mirë është dhe pa të. Vërjani ju si ta doni, po e patët merak, prapë mirë do jetë.(Bukuresht, 30.12.2011)



(Vota: 11 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora