Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Sami Repishti: Një e ardhme e ndritur shtrihet para jush

| E premte, 30.12.2011, 02:58 PM |


NJË E ARDHME E NDRITUR SHTRIHET PARA JUSH

Përshëndetje drejtuar rinisë shqiptare nga Prof. Sami Repishti

 

Të dashtun kolege e kolegë,

Më 29 nandor, pranë Univ. Europian të Tiranës, ashtë përurue punimi im (frengjisht) Dialektika e Rendit dhe Rebelimit tek Andre Malraux, i cili origjinalisht ka qenë teza ime e Masterit pranë City Univ. of New York. Punimi ashtë përkthye shqip nga kolegu i im, e mjeshtri i gjuhës shqipe, Fotaq Andrea.

Libri ashtë vue në shitje në Shqipëri.

Këtu poshtë ju dërgoj fjalën time përshëndetse për rininë e arsimueme shqiptare, e cila mbetet shpresa ime ma e madhe për të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët.

 

Të nderuem pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës,

Të dashtun studentë dhe studentesha,

 

Prania ime sot në këtë séancë për përurimin e librit tim, shkrue frengjisht dhe përkthye nga kolegu i im Fotaq Andrea, ashtë nji mrekulli e vogël që unë çmoj shumë. Nga breznia e viteve të para L2B, tue kalue mbi harkun 45 vjeçar të

diktaturës komuniste, unë i shtrij sot dorën breznisë së parë të pluralizmit që lindi dhe u rrit pa helmin komunist, e lirë nga frika e regjimit, dhe nga kultura e gënjeshtrës.

Si student nuk kisha ndigjue emnin “Andre Malraux“. Vitet e rinisë sime ishin të mbushuna plot me ngjarje të përgjakshme dhe kaotike. Në këto përleshje me nji fat që na imponohej, na u farketuem nga vuejtja, shtypja, poshtenimi. Sot, afër 70 vjet ma vonë, mund të them se kemi kalue provën tonë me sukses; na i qëndruem

besnikë vetevetes, nuk lejuem asgjasimin tonë moral as shpirtenor që na imponoi “fati”. Të okupuem, ne qëndruem shqiptarë të lirë. Të shtypun, ne qëndruem qenie të lira. Të poshtenuem, ne qëndruem kryenaltë. Rinia shqiptare nuk u mund!

Në vitin 1959, u detyrova të marr rrugët e mërgimit që nuk qetëson as shëron, por hyna në Botën e Lirë. Në ato vite pata “takimin” e parë me Andre Malron, intelektual i angazhuem, aventurier, romancier, mendimtar dhe kritik arti, në

mes tjerash. Në leximet e veprave te tia, unë njoha në shumë raste momentet e dehjes revolucionare, dëshirën e papërmbajtun me jetue me dinjitet, për vete e për të tjerët, kuptova nevojën e fortë të personazheve malroziane me thye kufijtë e “burgut paskalian”, me kundërshtue padrejtesinë e “fatit” që nuk meritohet, dhe u soldarizova me luftën e tyne. “Bukë e paqe edhe liri!” Cila ndërgjegje rinore reziston tundimin e nji premtimi kaq fisnik? Me nji rezervim: asnjiherë nuk ndjeva nevojën e justifikimit të aktit terrorist.

Mbetej pyetja nëse marksizmi ishte forma e vetme e protestës në ato vite të para L2B. Iu drejtova shkrimtarit. Ai u përgjegj: “Po! Në ato kohë vetëm vullneti revolucionar (jo vetëm marksizmi) do të mundësonte mobilizimin e

mbrendshëm”. Merita e madhe e Malros ashtë parandjenja letrare e ngjarjeve tragjike të shekullit 20.

Breznia e re ka fatin e madh me u rritë në Shqipëri -nji vend europian që përgatitet me hye në Europë “zyrtarisht”. Cilën Europë? Atë të renesancës, humanizmit, iluminizmit,- që shenjtënoi dyshimin dhe mohimin- ideve shoqënore

të shekujve 19 dhe 20; dhe sot, në Europën e lirë dhe të bashkueme, Europës së dedikueme ruejtjes dhe avancimit të idealit të njeriut të lirë e të jetës me dinjitet. Në këtë Europë, Franca ka luejtë, dhe akoma luen, nji rol qëndror si

votër ideshë përparimtare, pararojë në përpjekjet për zbulime të reja. Si rrjedhim, kemi paqen 66 vjeçare që gëzojmë sot. Megjithë vështiresitë, Europa e Bashkueme ecën përpara për të mirën e përgjithshme dhe, natyrisht, edhe tuejën.

Aspektet metafizike të raportit botë/njeri nuk do të zhdukën, as do të zgjidhen. “Conclure, c’est mourir!”- na këshillon A.Camus. Europa nuk perfundon! Europa do

të vazhdojë dialogun metafizik që imponohet. Por unë nuk mendoj se në Europe do të ketë vend për

 

2

“aventura politike” dhe “aksione të forta”. Ka arsye me shpresue se breznia e juej do të jetë ma e qetë, në nji botë ma të qytetnueme që nuk lejon përsëritjen e barbarisë së ideologjive mashtruese. Nga adoleshenca e para L2B, Europa ka hy

në fazën e “burrënimit” të pjekunisë me të gjitha shqetësimet që kjo moshë përjeton, kryesisht nevoja imperative për nji mision dhe për nji përgjegjësi.

Njeriu nuk mund të mendojë ma vetëm për vete; ai merr përsipër detyrimet e qytetarit në shoqëni. Kështu lind nevoja e solidaritetit njerëzor që pranon diversitetin, e përjashton uniformitetin. Ashtë nji angazhim që te rinia shqiptare duhet të marrin me ndërgjegje: me përqafue Europën!

Europa ashtë nevoja e papërmbajtun me jetue nji jetë intensive, në liri dhe dinjitet, nji jetë që karakterizohet nga dashunia për njerëzimin, sidomos për ata që vuejnë, shtypën, poshtënohen. Europa ashtë fryma e universalizmit që

ushqen bashkësinë njerëzore si vlerë autentike, prometheane. Europa si koncept i lirisë dhe drejtësisë për të gjithë, dhe në të gjithë botën, e që kultivon ndjenjën e dashunisë dhe paqes që predikoi krishtenimi për dymijë vjet, nuk ka

vend për aventura politike. Kjo Europë ashtë e ndërgjegjshme për nevojën e kërkimit të shtigjeve të reja që refuzojnë nënshtrimin ndaj “fatit“ të verbët.

Ky kërkim, shpjegon Andre Malro, ka qenë afirmimi europian i bindjes se njeriu nuk formohet nga nënshtrimi (fanatizmi oriental.SR), por nga nji seri e pafund refuzimesh, nji vumje në pyetje të vazhdueshme të Universit, pyetje që kanë gjetë shprehjen e tyne ma të mirë në Histori, kurdoherë që liria e njeriut triumfon mbi “fatin” e njeriut“.

Brezi i juej ka shembuj fisnikë që frymëzojnë. Rinia e viteve të L2B kaloi provën e saj me sukses: të etshëm për liri, të gatshem, për sakrificë, rinia shqiptare i tha Jo! shtypjes, jo pushtimit të huej, dhe pagoi çmimin e randë.

Rinia studenteske e dhetorit 1990 tregoi me guxim se nuk pranonte “diktaturën e proletariatit“, shtetin monster, kërkesën për bindje pa ngurrim dhe disiplinën e imponueme në emën të nji ideali te falimentuem. Thirrja e tyne “Liri, Demokaci!

Edhe ne si gjithë Europa” ashtë ndoshta thirrja ma kuptimplote e lëvizjeve politike në historinë e kombit. Ajo thirrje ashtë parulla e së ardhmes suej, e ju duhet të jeni kryenaltë që u zhvillue në universitetin tuej. Ngritni nalt flakën olimpike që u ndez më 8 dhetor. Ju që nuk njohët helmin komunist, frikën e terrorit të kuq dhe kulturën e gëënjeshtrës 45 vjeçare, përqafoni Europën!

Brezi i juej nuk duhet dekurajue nga eksperienca e hidhun e tranzicionit pluralist, i cili dështoi, sepse tradhetoi marshin drejt lirisë. Pasojat e diktaturës së çmendun 45 vjeçare, nuk janë zhdukë. Kërkesat për bindje dhe disiplinë ndaj “Rendit” që imponohet, vazhdojnë me efekte shkatërrimtare për vendin tonë. Kjo ashtë nji fazë kalimtare e anti-historike! Sepse në qoftë se Historia na mëson diçka, ai mesim ashtë marshi i pandalshëm drejt lirisë për të

gjithë. Këtë vlerë universale e thellësisht njerëzore, duhet ta përqafojmë.

Kjo ashtë Bibla moderne! Ky ashtë besimi i shekullit të ri, shekullit tuej. Nji e ardhme e ndritun shtrihet para jush në nji Shqipëri të lirë, të pavarun, demokratike, të bashkueme dhe europiane. Nji andërr? Jo! Nji botë që ju pret krahëhapun. Përqafojeni!

 

Falemnderit!

Ridgefield, CT. USA

29 nandor 2011

Lexim të kandshëm, Sami Repishti