E enjte, 28.03.2024, 10:40 AM (GMT)

Mendime

Blerim Uka: Kadare, nobelist me Prillin e thyer ?

E premte, 30.12.2011, 01:59 PM


Kadare, nobelist me Prillin e thyer ?

 

Nga Blerim Uka

 

Si lexues i veprës së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare, mendoj se ai autor e meriton çmimin Nobel për letërsi me romanin Prilli i thyer. Në atë roman ai e jep provën se ka një ideal të jashtëzakonshëm, apo siç thuhet në kriterin origjinal në suedisht "inom litteraturen har produceradt det utmärktaste i idealisk rigtning".

 

Të gjithë shqiptarët do të ishin krenarë për këtë gjë, edhe ata që e duan edhe ata që nuk e duan Kadarenë. Një çmim i tillë do ta vendoste gjuhën shqipe në nivelin botëror. Sipas meje, ata që e kanë propozuar deri tani Kadarenë kanë pasur qëllim të mirë, por nuk e kanë prezantuar mirë. Edhe i interesuari kryesor, vetë Ismail Kadare, ka treguar interes të madh dhe ka punuar pa lodhje në këtë drejtim por, sikur ata që e kanë prezantuar, nuk e ka ndjekur rrugën e duhur. Kjo është gjë shumë normale, një shkrimtar di të shkruajë, por nuk i di teknikat se si fitohet një çmim, gjë që i përket fushës së marketingut.

 

Që në fillim duhet pasur parasysh një element: Formulimi i kërkesës për çmimin Nobel për letërsi, nuk bëhet në mënyrë letrare por argumentative. Këtë fyçkël duhet ta kenë parasysh ata që i dalin në ndihmë aurorit në këtë drejtim por edhe vetë autori. Një nga argumentet që nuk duhet lënë pas dore jam unë, lexuesi. Fakeqëshisht, anëtarët e komitetit të këtij çmimi prestigjoz nuk e dinë këtë fakt apo argument sepse askush nuk ka ditur t’ua paraqesë. Gjithkush duhet ta ketë të qartë se anëtarët e komitetit në fjalë janë kartezianë. Dekarti ka influencë të madhe në mentalitetin suedez, madje ai i ka kaluar ditët e fundit të jetës së tij në Stokholm. Pra, një rezultat konkret duhet të jetë i dukshëm në mënyrën më të thjeshtë dhe të qartë.

 

Të shprehesh kundër komunizmit apo kundër Turqisë (perandorisë osmane) nuk ka shumë peshë për të marrë çmimin Nobel. Disa komunistë të bindur e kanë marrë atë çmin, një turk e ka marrë atë çmim. Me disidencën, nuk e bind dot komitetin Nobel kur bëhet fjalë për Ismail Kadarenë. Të jemi të mençur dhe të sinqertë (vetëm pesë minuta e jo më shumë, siç thotë kënga) e të pranojmë se Ismail Kadare ka qenë i privilegjuar gjatë komunizmit dhe është i privilegjuar edhe sot gjitkund në shoqërinë shqiptare. Të nisemi nga sinqeriteti dhe nga kjo pikë të bëjmë diçka të mrekullueshme. Pikerisht, Kadare duhet të bazohet në privilegjen që ka në shoqërinë shqiptare dhe më larg që ta çrrënjosë gjakmarrjen nga mentaliteti i popullit të tij në mënyrë që ky shembëll të rezatojë në gjithë njerëzimin.

 

I influencuar nga romani Prilli i thyer, unë lexuesi, kam refuzuar që të ketë ndërhyrës apo pajtimtarë në një rast të gjakmarrjes në familjen time. Mendoj se ndërhyrësit (apo pajtimtarët) janë shtyllat kryesore që e mbajnë gjallë këtë fenomen. Kanuni ua përcakton atyre një fitim. Aty ku ka fitime dhe interes, ka biznes. Pra, kush ka interes që të ketë gjakmarrje? Ky aspekt trajtohet në mënyrën më të mirë dhe më të fuqishme në romanin Prilli i thyer.

 

I frymëzuar nga Prilli i thyeri kam bërë një analizë kritike Kanunit, në mënyrën më modeste dhe të sinqertë, në blogun tim www.bloguiblerimukes.blogspot.com dhe në disa shkrime tjera në media të ndryshme, shumica e të cilave mund të gjenden në Internet me fjalët kyçe « Blerim Uka Kanuni ». Të mos keqkuptohemi aspak këtu: nuk dua të flas për veten time. Duke i lexuar, lehtë mund ta konstatoni se ato shkrimet më kanë sjellur shumë kërcënime dhe sharje publike.

 

Por, pikërisht, ai ideali i jashtëzakonshëm (për të cilin u fol më lart) që ka si qëllim çrrrënjosjen e gjakmarrjes nga mentaliteti shqiptar, nuk më lë të qetë. Ky shkrim i shkurtër, ku i bëj thirrje mentorit tim t’më ndihmojë, radhitet gjithashtu në gjestet e atij ideali. Konsideroj se po të mos e kisha lexuar Prillin e thyer, nuk do ta kisha këtë ideal aq të fuqishëm. Për këtë arësye mendoj se Kadaré duhet të jetë në korent sa i përket impaktit që shkrimet e tij kanë tek lexuesi dhe të bindet se e meriton çmimin letrar më prestigjoz në botë me të cilin do ta bëjë krenar edhe gjithë popullin e tij.

 

Jam i bindur se asnjë nga nobelistët e deritanishëm për letërsi nuk do të mund të rrinte indiferent po të mbijetonte gjakmarrja në shoqërinë apo në popullin e tyre siç ndodh në shoqërinë shqiptare. Askush nuk mund të thote se Kadare ka qenë indiferent. Prilli i thyer është argumenti e unë jam shpjegimi i atij argumenti. Romani në fjalë ka famë, është i përkthyer në disa gjuhë, futet në dhjetëshin e parë të veprave letrare më të njohura në botë kundër hakmarrjes (shihni nuancën me gjakmarrjen), ka shërbyer si bazë për një film në një kontinent tjetër. Kështu, autori dhe të gjithë ata që e përkrahin, duhet të binden me potencialin e këtij romani.

 

Imagjinoni fuqinë e një formulimi në propozimin e ardhshëm të shkrimtarit Ismail Kadare për çmimin Nobel: “Autori i ka dhënë fund zyrtarisht një fenomeni (gjakmarrjes) i cili ka egzituar për mëse 5 shekuj në mentalitetin shqiptar dhe ka marrë jashtëzakonisht shumë jetëra njerëzish. Ai fenomen, për një çerek shekulli është shuar me dhunë gjatë sistemit komunist, por është rikthyer në sipërfaqe. Imail Kadare me romanin Prilli i thyer, shkrimet tjera dhe aksionet e tij e ka çrrënjosur atë fenoment në mënyrë që të mos kthehet më kurrë në shoqërinë shqiptare.”

 

Romani Prilli i thyer është elementi kryesor ku shprehet ideali i fuqishëm i autori. Është mëse e logjikshme të mendohet se ai ideal nuk shuhet me botimin e romanit në fjalë. Pra, Kadare duhet të punojë në këtë drejtim për të përmbushur kriterin e fitimit të çmimit Nobel: të shkruajë artikuj, të japë intervista, siç i shkon përdore gjithashtu, në mediat kombëtare e ndërkombëtare, kundër gjakmarrjes, të marrë pjesë në manifestime konkrete kundër ketij fenomeni, e gjeste tjera.

 

Ja një listë, jo e plotë, e pikave që mund të trajtohen: Të shuhet me ligj e ashtuquajtura “Shoqarta e pajtimit kombëtar”; të dërgohen policë në të gjitha familjet ka ka njerëz të ngujuar për të treguar se shteti egziston; të publikohen në Internet të gjitha rastet e gjakmarrjes dhe emrat e kërcenuesve potencialë (siç bëhet në shtetet demokratike me pedofilët, për shembëll); ata që kërcënojne haptaz se duan ta mbrojnë nderin duke ngujuar femijë e njerëz të pafajshëm të burgosen në shenjë mase preventive; ata që marrin, japin apo përcjellin të holla për gjak, qofshin nga familja e të vrarit apo asaj kërcënuese të akuzohen për trafik me qenie njerëzore dhe uzurpim; të afërmit e kriminelit të konsiderohen të pafajshëm si nga ligji ashtu edhe nga mentaliteti, ndërkombëratët që e analizojnë gjakmarrjen pa e patur si qëllim zhdukjen e këtij fenomeni të konsierohen shpirngushtë e sadistë; e shumë pika tjera.

 

Si lexues mendoj se Ismail Kadare e meriton çmimin Nobel për letërsi me romanin Prilli i thyer nëse ai e kompleton atë që e ka filluar me atë vepër: çrrënjosjen komplete dhe të pakthyeshme të gjakmarrjes nga mentaliteti shqiptar. Këtu do të shihej qartë dhe lehtë fuqia e penës së tij. Atë që diktatura mund ta ndalojë për një periudhe të caktuar, shkrimtari me mjeshtrinë dhe idealin e tij të jashtëzakonshëm mund ta fshijë përgjithmonë. Siç u tha më lart, aspekti politik nuka ka rendësi. Prilli i thyer ka dhenë padyshim kontribut edhe gjatë komunizmit që fenomeni i gjakmarrjes të fshihet sa më shpejt nga jeta shqiptare. Por, rezultati duhet të jetë aq i thjeshtë dhe i aq i qartë sa që ta kuptojnë edhe fëmijët e sidomos ... fëmijët e ngujuar pa pasur asnjë faj.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora