Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Gani Mehmetaj: A po shuhet kinematografia në Kosovë?

| E premte, 30.12.2011, 03:03 PM |


Alarmante

 

A po shuhet kinematografia në Kosovë?

 

Nga Gani MEHMETAJ

 

Kinematografia shqiptare në Kosovë është në agoni. Filmi të ne po vdesë: filmat digjital, studentor dhe amator nuk mund të plotësojnë boshllëkun e filmit të metrazhit të gjatë as të shfaqen në kinema. Kinematografia në Kosovë që nga fillimi pati vështirësi e probleme, por mbijetoi dhe korri suksese edhe në kohë tejet të vështira, bëri emër dhe krijoi plejadë kineastësh edhe në gjendje okupimi e sulmesh nga të gjitha anët. As më parë “Kosovafilmi”, e vetmja shtëpi për prodhimin dhe distribuimin e filmave nuk shquhej për prodhimtari inkurajuese (pra nuk kishte numër të shumtë të filmave), megjithatë bëheshin filma artistik e dokumentar, vizatimor e të shkurtër me përkushtim profesional, merrnim pjesë në festivale kombëtare e ndërkombëtare, vlerësoheshin me çmime të para e të dyta, dhe shkruhej e flitej për ta për mirë a për keq.

Qe nga viti 2009 nuk u dha asnjë film artistik vendës në kinema, nuk u dha asnjë film artistik origjinal në televizion, ndërsa gjasat të përmirësohet kjo gjendje nuk po duken.

Arsyet pse kinematografia shqiptare në Kosovë është në grahmat e fundit janë të shumta, mirëpo nuk është mungesa e lekëve sëmundja kryesore nga e cila vuan kinematografia në veçanti e kultura në përgjithësi. Janë shumë faktorë të tjerë që e përcaktojnë këtë gjendje komatoze. E para, menaxhimi i keq i parave të kulturës. E dyta, jo profesionalizmi dhe diletantizmi i atyre që e bënin ndarjen e kulaçit për filmin. E treta, klientelizmi i kabineteve ministrore të deritashme, që stimulonin apo i ngufasnin institucionet varësisht nga direktivat partiake a grupore, duke e dëmtuar rëndë kulturën. E katërta, mungesat e arsimimit të duhur (shumica e ministrave të kulturës dhe e përbërjeve ministrore në kulturë ishin pa shkollim superior, të ardhur nga mjediset provinciale orientale drejtë e në kreun e institucionit më të rëndësishëm kombëtar). E pesta, qëndrimi përbuzës e shpërfillës ndaj filmit dhe ndaj kulturës ishte pasojë e mosnjohjes dhe moskuptimit, prandaj provincialët e pagdhendur silleshin në mënyrë armiqësore ndaj krijuesve e institucioneve të kulturës. E gjashta, të mësuar me improvizimet në kulturë, filmi improvizimet nuk i duronte.

Është fatkeqësi që pas luftës me ndonjë përjashtim në krye të ministrive të kulturës dhe të institucioneve u emëruan njerëz të dështuar, që s’mund t’i caktonin asgjëkund, prandaj shefat e tyre mendonin se kultura është më me pak zarar. Çuditërisht përbërjet kabinetore, pra këshilltarët, zyrtarët e lartë dhe të tjerët ishin po aq të pa ditur sa edhe shefat e tyre, kështu që ishte vështirë që dikush t’i jepte mend tjetrit, përderisa nuk i kishte as për vete. Por ta keq menaxhonin paranë publike dhe ta shpenzonin pa mëshirë ishin mjeshtër, me gjithë mangësitë arsimore.

Ligji për kinematografi ishte dështim. Grushtin përfundimtar kinematografisë ia dha Ligji për Kinematografi, i cili në fakt u përpilua dhe u mendua ta stimulonte kinematografinë, të bashkëpunonte me fondacione ndërkombëtare, të vilte taksa dhe të shtonte fondin e filmit. Mirëpo, pastaj gjendja degjeneroi. Nenet e propozuara e të aprovuara nga komisionet që e njihnin filmin, pësuan ndryshime në mënyrë klandestine nga grupe që e menduan vetën në krye të institucioneve të kulturës e të kinematografisë, prandaj gjërat i bënë tërkuzë me lidhje të nëndheshme si urithet.

Së pari me ligj synuan ta shkatërrojnë Kosovafilmin, institucionin kryesor që i prodhoi të gjithë filmat deri me 2005, për të bërë një producent tjetër- Qendrën Kinematografike, që s’ishte as mushkë as kalë. Pretendonin ta bënin producent, pra t’ia jepnin atributet e Kosovafilmit, por pa prodhuar filma; donin ta bënin donatorë, por më paratë e huaja, sepse para të veta nuk kishte, as nuk do t’i ketë.

Të gjitha kabinetet e deritashme ministrore në kulturë në vend të bënin përpjekje ta nxirrnin kinematografinë nga gjendja e agonisë, pjesën më të madhe të energjisë e shpenzuan ta ngufasnin çdo veprimtari të Kosovafilmit. Të gjitha kabinetet e kulturës deri me tash përpiqeshin t’i krijonin privilegje QKK-së që s’i takonin as me ligj, pa i kërkuar asfare llogarie për paratë e dhëna për projektet që s’janë gjëkund, ndërsa ligji kërkon që brenda gjashtë muajsh të jepet llogari dhe të merren masa ndaj producentëve të pandërgjegjshëm. Të gjitha kabinetet e deritashme i bënin qejf vetës duke renditur sukseset në kinematografi, ndërsa nuk e kishin para vetës asnjë film artistik. Dhe krijoheshin situata groteske: kemi disa festivale ndërkombëtare, por s’kemi asnjë film, ndërkaq, kushti elementar kur organizon festivale ndërkombëtare të filmave artistik është të kesh edhe filma për garë. Mendojeni një kampionat apo Kupë që do ta organizonte Franca bie fjala, ndërsa s’ka ekip të veten për prezantim! Kjo situatë groteske na ngjanë çdo vjet dhe ne bëjmë sikur nuk është ashtu.

Ligji për Kinematografi ishte një dështim, sepse në te nuk rregullohej kinematografia, por krijohej një huti e paparë. Më shumë i ngjante një rregulloreje për QKK-në. Athua të jetë kjo arsyeja pse përbërja e re e Ministrisë së kulturës synon ta plotësojë këtë ligj? Dyshoj, megjithëse do të doja ta kem gabim. Përbërja e Komisionit për plotësimin e ligjit për kinematografi nuk premton avancim jo vetëm pse i takon një torishte partiake, ashtu si përbërja e kaluar që i takonte torishtës tjetër partiake, por sepse nuk e kanë asnjë kineast në përbërjen e vet, u mungojnë njohësit e kinematografisë dhe nuk e përfillën asnjë emër të filmit. Duan të vendosin për fatin e Kosovafilmit, ndërsa nuk e ftuan në asnjë takim drejtorin e këtij institucioni. Duan të vendosin për kinematografinë, ndërsa nuk e njohin ligjshmërinë elementare. Me zyrtar të ministrisë nuk bëjnë ligj për të qenë, pos nëse mendojnë se ne kemi kohë që për çdo stinë ta bëjmë e ribëjmë Ligjin për Kinematografi. Duket me atë qëllim ia nisën.

Përbërja e tashme qeveritare nuk pati gisht në gjendjen e rëndë të kinematografisë, ajo s’mund të shahet, por as s’mund të lavdërohet për ndonjë përpjekje për të ndryshuar diçka. Ministrat dhe ministritë e kulturës nga padija e tyre e skajshme, por edhe nga hasmërinë e pakuptueshme ndaj një institucioni e plagosën për vdekje kinematografinë e Kosovës dhe Kosovafilmin. Producentët e tjerë as i ngjallën as i shuan, ato u shuan vetvetiu me të marr ca lekë nga QKK-ja.

Ministria e Kulturës me përbërjen ministrore e ka në dorë t’ia jep grushtin përfundimtarë, apo ta ngjallë kinematografinë e Kosovës dhe Kosovafilmin. Të parën, pra shuarjen e kinematografisë shqiptare në Kosovë mund ta bëjë shumë lehtë, vetëm të mos bëjë asgjë dhe ajo vdesë vetvetiu, apo Komisioni e fut edhe ndonjë nen në Ligjin e plotësuar për kinematografi dhe filmi shuhet. Për të dytën, pra për ngjalljen apo kthimin nga agonia të kinematografisë së Kosovës dhe të Kosovafimit i duhet shumë punë, përpjekje e sinqertë dhe profesionalizëm. Nuk mjaftojnë vetëm lekët që aq shumë i kursejnë për kinematografi.

Në cilën anë do të jetë kabineti i tashëm i kulturës- mbetet të shohim, por nuk do të ishte mirë as nga profesionistët dhe as nga njerëzit e kulturës në përgjithësi që të mbeten vrojtues pasivë të degjenerimit të filmit dhe të kulturës. Me një peticion të para katër vjetësh që e nënshkruan kineastët, aktorët dhe krijuesit e shpëtuan Kosovafilmin nga shuarja që e pretendonte një ministër i pagdhendur. A duhet sërish të organizohet një peticion i këtillë, apo përbërja e tashmë do të jetë më e ndërgjegjshme, mbetet te shihet. Por s’bën të heshtim.

Megjithatë mendoj se shuarja e kinematografisë dhe shuarja e Kosovafilmit, ashtu sikurse ka tendenca edhe nga Komisoni i tashëm për plotësimin e Ligjit për Kinematografi nuk i shkon për shtatë Qeverisë, përkundrazi, do të ishte veprim në kufijtë e krimit. Sepse, të shuash një institucion sikurse është Kosovafilmi jo vetëm nuk i bënë nderë asnjë qeverie, por do të flitej gjatë në të ardhmen se aksh qeveria e shoi institucionin më të rëndësishëm të kulturës në vend, sepse nuk diti të veprojë ndryshe, apo sepse i dëgjoi këshillat e atyre që s’marrin vesh nga kinematografia.

Kinematografinë shqiptare në Kosovë dhe Kosovafilmin e plagosën për vdekje përbërjet ministrore pas shkuarjes së ministrit Brajshori, ndërsa kabinetit të tashëm të Ministrisë së Kulturës i mbetet ta përfundoj punën e palavdishme të ministrive të mëparshme, apo ta ngjallë kinematografinë e Kosovafilmin, në mënyrë që të vazhdoj aty ku mbeti. Ndërkaq, kinematografia të ne ngeci aty ku ngeci Kosovafilmi.

 

(Autori është producent dhe drejtor i Kosovafilmit)