E premte, 29.03.2024, 12:01 AM (GMT)

Speciale » Basha

Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (V)

E premte, 30.12.2011, 02:02 PM


PËRPJEKJET E GAZETËS “PËRPJEKJA KOSOVARE” NË MËRGIM (V)


 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha

sabile_basha@hotmail.com

 

“PËRPJEKJA KOSOVARE”, NR. 15, VAZHDON LUFTËN MEDIATIKE

 

Sikurse numri 14 i Gazetës “Përpjekja Kosovare”, po ashtu edhe nr. i 15-të, ka të njëjtën format dhe të njëjtin dizajn. I tërë numri është i shtypur në formatin A-4, dhe ka të njëjtin ballinë të dizajnuar me hartën e Shqipërisë Etnike, dhe Shqiponjën dykrenore.  Letra  është e thjesht ku janë shtypur shkrimet, fletët janë të kapura me kapëse, dhe nuk shkruan për ndonjë redaksi dhe anëtarët e saj. Shkrimet edhe në këtë numër nuk kanë emra autorësh, por nuk kanë as iniciale e as pseudonime. Në ballin të gazetës, veç hartës e shqiponjës jepet edhe e dhëna se kjo gazetë është Buletin i Komitetit “Lidhja Kosovare”, e cila Lidhje është edhe anëtare i Bashkimit Federalist të Komuniteteve Etnike Evropiane. Jepen edhe të dhëna për Drejtimin: 189-10 33rd Avenue, Flushing, N.Y., U.S. America. Dhe vazhdon 811 Jenny Lane, Aurora, Illinois. U.S. America.

“Përpjekja Kosovare”, mban numrin 15, dhe ceket se botohej në mërgim, me 10.7.1974. dhe fillon me shkrimin “Kongresi i Parë Botnuer i Lidhjes Kosovare”.

 

Mbajtja e Kongresit të Parë i Lidhjes Kosovare

 

Kongresi i Parë i Lidhjes Kosovare u mbajt me 24 dhe 25 nëntor 1973, në hotelin e bukur Conrad Hilton të Chicagos. Kongresi i parë u angazhua me këmbëngulje dhe qëllim suprem i tij ishte që të mbrojë Kosovën dhe t’iu dal krah kosovarëve.

Ky kongres ishte vulosja e punës dhe e flijimeve që bëjnë kosovaret, dhe bashkë me ta të gjithë shqiptarët vullnetmirë, brenda dhe jashtë Kosovës, për me iu dal në krye që shqiptarët nën Jugosllavi të bashkohen në një administratë, të drejtuar nga shqiptarët vetë dhe në gjuhën shqipe, në një administratë të zonjën me vendos ajo vetë për fatin e saj. Nuk u çuditem aspak, kur pamë në këtë kongres  kosovarët dhe të gjithë shqiptarët të shfaqin të njëjtat ndjenja, të njëjtat dëshira, për Kosovën dhe Çamërinë, për bashkimin dhe mbledhjen e të gjithë shqiptarëve  nën krahët e fuqishëm  të Shqiponjës dykrenore, në Shqipërinë Etnike, të lirë e demokratike[1].

 

Pjesëmarrja në Kongres

 

Në kongresin e Parë Kosovar sipas të dhënave që i jep gazeta, thuhej se në të merrnin pjesë delegat të shumtë si : nga Turqia,  nga Franca, nga Gjermania, nga Kanadaja, nga Detroidi, nga Njujorku, dhe nga New Jersey. Në kongres dhe gjatë tërë punës sa zgjati ai, binin ne sy numri i madh i qelesheve të bardha dhe veshja kombëtare e tyre që kishin vu atdhetaret dhe që të mallëngjenin tej mase. Në mesin e shumë miqve vend të rëndësishëm zinin dhe që e nderuan kongresin me pjesëmarrjen e tyre dhe e përshëndetën në të njëjtën kohë ishin: Kryetari i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”, Profesor Abas Ermenji, i cili kishte ardhur enkas nga Franca për me qenë në mesin e kosovarëve, në këtë Kongres aq të rëndësishëm, profesori bëri një analizë të gjatë për historinë e Shqipërisë dhe të Kosovës.[2]

Gjatë punës së kongresit u kryen edhe disa lutje fetare që i kryen hirësia e tij Baba Rexhepi, i Teqesë Shqiptare Bektashije të Detroitit, i Përndershmi At Ambros Martini, i ardhur nga San Franciscoja i Kalifornisë, edhe i Përndershmi Hafëz Muhamet Jumniu, i ardhur nga Vjena e Austrisë. Atë Ambrozie kishte sjellë edhe përshëndetjen dhe urimet e kryekapelanit shqiptar At Daniel Gjeçajt.

Kongresin e parë të Lidhjes Kosovare më vonë e kishin përshëndetur  edhe z. Qazim Prodani në emër të Kolonisë Shqiptare të Turqisë, z. Nimet Malo, në emër të grupit Çamë në mërgim, zonja e nderuar Fiqirete Shehu, e veja e kapitenit nga Çamëria fisnike, Haki Rushit Shehut, Dr. Ali Koprenska, anëtar i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipënija e Lirë”, Dr. Nihat Bakalli, drejtor i Radios “Zëri i Shqiptarëve të Lirë” të Ballit Kombëtar, z. Ahmet Zherka, z. Xhemil Meqo, z. Ismet Lesko, z. Rizvan Banka dhe të tjerë.

Mbas përshëndetjeve të shumta dhe fjalimeve që mbajtën pjesëmarrësit, kongresi zgjodhi udhëheqësin e vet. Kryetar u zgjodh i Përndershmi Hafëz Isuf Azemi dhe sekretar u zgjodh Skender Taniku, Mustafa Henci dhe Sami Tetova.

Për angazhimin dhe punën e madhe që kishte bërë Lidhja Kosovare, u paraqit edhe referati kryesor nga Profesori i nderuar Luan Gashi, që njëherë ishte edhe sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Kosovare. Të gjithë të pranishmit ishin të entuziazmuar dhe të gjithë në një mënyrë apo tjetër u mundonin që të angazhoheshin në mbarëvajtjen e punëve të kongresit. Në kongres diskutuan edhe : Abdyl Henci, Skender Taniku, në emër të kosovarëve të Turqisë, Mustafa Henci, Kadri Bajrami, Rexhë Gashi në emër të kosovarëve nga Franca, Qazim Kërrqova, Fahredin Nushi në emër të kosovarëve të Kalifornisë dhe shumë të tjerë.

 

Telegramet qe arritën ne kongres

 

Në kongres u lexuan edhe shumë telegrame të cilët i kishin arritur brenda kohës së mbajtjes së kongresit. Telegram urimi kishte arritur nga Shtëpia e Bardhë, nga Ministria e Jashtme Amerikane, nga guvernatori i Shtetit të Ilionisit. Telegrame urimi kishin dërguar edhe senatorët amerikan : J.W. Fulbright, Adlai Stevenson, Philip Hart, Barry Goldwater, Robert W. Mitchler, Deputetët  ZZ. Edward J. Derwinski dhe L.C. Arends, Kryetari i Bashkisë së Chicago-s z. Richard Daley, Kryetari i Bashkisë së New York-ut z. John Lindsay, Partia Republikane Amerikane (Dega e Rinisë), Kryetari i Misionit Amerikan (mbas lufte), në Shqipëri dhe ish-drejtori i Shkollës Teknike z. Harry T. Fultz, Bashkimi Federalist i Komuniteteve Etnike Evropiane si edhe shumë parti dhe organizata në mërgim të Evropës Qendrore dhe Lindore. Mbas këtyre urimeve , Prof. Luan Gashi lexoi përshëndetjet e dërguara nga prof. Vasil Andoni, Sekretar i Përgjithshëm i Ballit Kombëtar dhe nga prof. Zef Pali dhe z. Halil Maçi[3], anëtar të Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar.

Në vazhdim të punës në Kongres u vendos që kongresi ti dërgoi telegrame falënderimi kryetarit të ShBA-ve, z. Richard Niksonit, Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara z. Kurt Wadheim, edhe Ministrave të Punëve të Jashtme të Anglisë, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Nga organizatat shqiptare që vepronin në mërgim telegrame urimi kishin dërgua, Komitetet Krahinore të Ballit Kombëtar që vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Francë, në Angli, në Gjermani, në Australi, në Zelandën e Re. Telegrame urimi kishin dërgua edhe individët që tërë jetën ia kishin kushtua çështjes së Kosovës si : i Perndershmi Imam Vehbi Ismaili, Kolonel Muharrem Bajraktari, z. Dervish Duma, z. Gjon Pjetër Gjomarkaj, anëtarë i Komitetit Kombëtar demokratik “Shqipënija e Lirë”, Kosovarët e Izmirit, prof Hysni Hoxha, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare në Arabi e shumë të tjerë anë e kënd globit.

 

Zgjedhet kryesia e re e “Lidhjes Kosovare”

 

Kongresi në ditën e dytë të punimeve i kushtoi rëndësi punimeve në Komisione, të cilat paraqiten Rezolutën Politike, Kartën e Primeve , Statutin e Lidhjes dhe vendimin për shtypin dhe financat. Pas një analize dhe debati që u bë rreth këtyre materialeve, kongresi i miratoi një zëri.

Pastaj në vazhdim, kongresi propozoi dhe zgjodhi Komitetin e Ri Qendror. Për sekretar të përgjithshëm  u zgjodh prof Luan Gashi, ndërsa anëtar u zgjodhën : Abdyl Henci, Hafëz Isuf Azemi,  prof. Hysni Hoxha, dr. Faton Gashi, Dr. Isa Sejdia, Skender Taniku, Mustafa Henci, Ndue Camaj, Ajet Rushiti dhe Kadri Bajrami.

Duhet cekur se edhe gratë shqiptare gjatë punës së kongresit nuk qëndruan duarkryq. Të prira nga zonja Nevrije Daut-Azemi, ato gjatë pushimit të drekës së ditës së dytë të kongresit, përgatitën specialitetet të ndryshme nga kuzhina shqiptare, dhe i qerasën pjesëmarrësit me drekë të begat në hotelin Aurora.

Në sesionin e pasdites së ditës së dytë të Kongresit, iu kushtua vëmendje e veçantë gjashtëdhjetë vjetorit të shpalljes së pavarësisë kombëtare, Ditës së Flamurit. Fjalën kryesore në kongres për rendësin e kësaj dite e mbajti profesori i nderuar Abas Ermenji. Në fjalën e tij ai u përqendrua në luftërat e mëdha që kishin bërë shqiptarët nëpër shekuj dhe pas kësaj ai ceku edhe detyrat të cilat e presin shqiptarin në të ardhmen.

Diskutimit të prof. Ermenjit iu bashkua edhe kroati  Tomiç, i cili u tregua mbrojtës dhe mik i madh i shqiptarëve. Kryesisht ai u përqendrua në shkeljen e të drejtave që iu bëheshin kosovarëve nga ana e pushtetit jugosllav. Po ashtu në kongres foli edhe Dr. Karol Lipa, udhëheqës polak dhe kryetar i Federatës Polako-Hungareze.

Në fund të diskutimeve, në mbrëmje vonë, zonja Zarije Qani-Telha nga një grup i vajzave e djemve kishte përgatitur një program artistik enkas për pjesëmarrësit e kongresit. Nga të pranishmit, programi u prit me duartrokitje.

 

Përfundimi i Kongresit

 

Kongresin e parë të Lidhjes Kosovare e përmbylli, udhëheqësi i porsazgjedhur, Prof. Luan Gashi. Ai të pranishmëve iu drejtua se ky kongres është i pari kongres botëror që po e mban  Lidhja Kosovare. Të gjithë të pranishmit që kanë marr pjesë në këtë eveniment të madh kombëtar në një mënyrë na kanë nderua neve dhe veten e tyre. Ata të cilët nuk kanë mundur të jenë prezent këtu, na kanë ftua dhe na kanë urua punë të mbar dhe na kanë përkrah dhe na kanë premtua se edhe në të ardhmen do na përkrahin dhe do të jenë mbështetës të mëdhenj të çështjes sonë kombëtare. Mbi të gjitha, në kongres prof. Luan Gashi tha se urimet më të sinqerta dhe më të përzemërta iu janë bërë Kosovës dhe popullit të saj trim që po qëndron dhe po reziston në trojet e veta.

 

Gjashtëdhjetë vjetori i copëtimit të tokave shqiptare

 

Profesori në fund të kongresit bëri një lloj rekapitullimi për të gjitha ngjarjet historike dhe aktuale që kishin ndodhur në tokat shqiptare. Në mes tjerash ai shtoi ”se janë mbushur këtë vit gjashtëdhjetë vite qysh se e ndanë, e cunguan Kosovën trime nga trupi i Shqipërisë së pambrojtur”[4] Profesori u ndal për të bërë në pika të shkurtra termin “Kosovë”, duke theksuar se me fjalën “Kosovë” kuptojmë mbarë tokat e mbetura nën Jugosllavi. Ky dhe dhe ky mëmëdhe, nuk është një ishull në Jugosllavinë e krijuar me copa kombesh, por është vazhdim i Shqipërisë, është vazhdim i kombit Shqiptar, i cili nuk i ka rrëmbye kujt asnjë pëllëmbë toke, por është copëtua vetë në Kongresin grabitqar të Berlinit, së pari në Konferencën e padrejtë të Londrës, më vonë[5] thotë profesori.

Vazhdon profesori për të elaboruar padrejtësitë e shumta që iu bënë këtij populli liridashës se edhe tani e themi me zemër të plasur se më 1913, nuk doli një “Lidhje e Prizrenit”, për t’i tregua botës vullnetin dhe qëndresën e nevojshme. Për fat të keq, kombi i ynë, i ndarë nën pushtime ushtarake të ndryshme, pësoi tragjedinë më të madhe, pa mund me bë luftën më të madhe për shpëtimin e Kosovës dhe të Çamërisë[6]. Për të vazhdua, më vonë  profesori, se, tragjedia e popullit shqiptar nuk përfundon këtu, por qeveritë që parakaluan në skenën e Shqipërisë politike nuk qenë në gjendje për të mbrojtur tokat që u grabitën nga ajo, por përkundrazi ndodhi edhe ajo që Jugosllavisë iu falën edhe pjesë të tjera të Shqipërisë si Shënë Naumi dhe Vermoshi, vetëm e vetëm që në duart e tyre të kenë edhe më tepër fuqi. Shtrohet pyetja athua vallë, nuk mjaftonte e keqja që na kishte ndodhur më 1913, por i shtonim edhe telashe të tjera këtij kombi fisnik.

 

Angazhimi i Ballit Kombëtar dhe i Komitetit “Shqipëria e Lirë”

 

Në kongres, profesori në vija të shkurtra prezantoi edhe angazhimin e madh që kishte bërë Organizata e “Ballit Kombëtar” në mërgim lidhur me organizimin e Lidhjes Kosovare, dhe po ashtu bëri prezantimin e angazhimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” për ndihmën që kishin dhënë për Lidhjen Kosovare.

Në mes tjerash, thuhej në kongres, se i ra hise Ballit kombëtar, i cili u krijua menjëherë pas pushtimit fashist të 7 prillit 1939, nga i biri i Abdyl Frashërit, Mithat Frashërit, me e naltësua mbi qatin e qëndresës Flamurin e Shqipërisë Etnike. Edhe të gjithë miqtë dhe armiqtë, ata që panë dhe ata që sdeshën me pa, me sa shpirt, me sa vrull, me sa flijime, e mbrojtën Ballin Kombëtar thanësin Kombëtare. Jo vetëm se u shtri në Kosovë, tue zgjua dhe tuje shkund botën për provën e madhe, jo vetëm që dërgoi ushtrin e rinisë së tijë në luftën kundër çetave të gjeneralit Mihajloviq si edhe kundër komunistëve serb, por tronditi botën me gjendjen e Kosovës, me të drejtat e Kosovës.[7]

Në diskutim e sipër referuesi të pranishmëve iu tregoi edhe një fakt tjetër shumë të rëndësishëm, kur Mithat Frashëri në një konferencë shtypi që e kishte organizua më 1949, në Londër, e prishi ngase nga udhëheqësit e konferencës ishte lutur që mos të flasi për Kosovën. Edhe sot, thotë profesor Luan Gashi , Komiteti “Shqipnija e Lirë” që e udhëheq  Prof. Abas Ermenji, e ndjek po të vyejtën rrugë. Në çdo mënxyrë, në çdo arrestim dhe ndjekje e përndjekje që ndodhë në Kosovë, në këtë komitet ngritet zëri me këmbëngulje ndaj të gjitha padrejtësive që ndodhin atje.

Nga e tërë kjo që u tha më lart, vijm në përfundim sikur anëtarët e ballit Kombëtar, po ashtu edhe anëtarët e Komitetit “Shqipnija e Lirë” po ashtu edhe “Lidhja Kosovare”, kanë dhënë prova dhe janë betuar dhe iu kanë qëndruar konsekuent deri më sot, që çështjen kosovare me e ba çështjen e parë të përpjekjes kombëtare[8]. Dhe nga zemra dhe me përulësin më të madhe profesori iu falënderua të gjithëve.

 

Mëkatet e Partisë Komuniste

 

Në kongres vëmendje e veçantë i’u kushtua mëkateve dhe qëllimeve destruktive të Partisë Komuniste që vepronte në Jugosllavi. Gjatë diskutimit u tha se fajin kryesor që Kosova ka ngel nën thundrën jugosllave dhe nën pushtetin e Titos e bartë Partia Komuniste e Shqipërisë.

Nuk është e vërtet se qëllimet e PKJ-së nuk kanë qenë të njohura gjatë luftës së Dytë Botërore. Ngase qysh në Konferencën e Mukjes u zbuluan qëllimet grabitqare të kësaj partie. Dhe vetëm në këtë rast u bindën atdhetarët se në anën e atdheut po qëndronte vetëm Balli Kombëtar me qëndrimet e veta. Dhe kjo luftë idesh nuk shkoi gjatë dhe u shndërrua në luftë civile dhe zgjati mase një vit.

“Atëherë ishte shovinizëm, për shqiptarët  me e mbajt e me e kërkua Kosovën, kurse ishte patriotizëm vetëm për Serb e deri për Komunistët e Jugosllavisë mos me e lëshua Kosovën. Ka ngel një njollë e pashlyeshme  në histori fakti që brigada komunistesh shqiptarësh me yll në ballë shkuan dhe shtruan çetat kryengritëse në Kosovë për me ia dorëzua pa mundime Mareshalit të Beligradit tokën e braktisur nga regjimi komunist  i Tiranës. Jo vetëm kaq, po në këtë tokë të martirizuar u pushkatuan me dhjeta mija djelmosha shqiptar, ndër ta edhe kolonel Fuat Dibra[9] dhe sa e sa oficer akademistë, që kishin të vetmin faj se donin me e bashkua Kosovën me Shqipërinë.

 

Formimi i Lidhjes Kosovare

 

Në këto kushte e rrethana lindi dhe u formua organizata në mërgim “Lidhja Kosovare”. Lidhjen Kosovare e formuan të gjithë ata që luftuan dhe rezistuan në luftën për liri dhe bashkim kombëtar të Shqipërisë. Me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, nuk përfundon edhe lufta në Kosovë. Populli i ndarë për gjysmë ishte i pakënaqur, andaj gjenerata e gjenerata vazhdonin qëndresën e tyre. Duhet kujtuar me pietet edhe dëshmoret e rënë si prof. Ymer Berishën, Haki Tahën dhe qindra e mija të tjerë që dhanë jetën për Shqipërinë e Bashkuar.

Sipas profesorit Luan Gashit, Lidhja Kosovare në mërgim lindi kur mbi 50.000 mijë të vrarë nga regjimi komunist i Beligradit kërkonin një zë të vetëm në mërgim, kërkonin një dorë vëllai për t’iu dalë në ndihmë në shtrëngatën e gjakut të pashterur.

Me ndihmën e Ballit Kombëtar dhe të Komitetit Kombëtar Demokratik ”Shqipënija e Lirë”, kërkuam që të lidheshim me një organizatë ndërkombëtare që merrej me çështjet e pakicave etnike të Evropës. Në fund të vitit 1956 Lidhja Kosovare u pranua në Federatën e Komuniteteve Etnike Evropiane. Me pranimin e saj në këtë organizatë, u arrit edhe qëllimi suprem i saj që çështjen kosovare ta bëjë të njohur në botë. Nëpër mes këtij asociacioni ndërkombëtar Lidhja Kosovare, aty u tregoi gjendjen tragjike të të gjithë një populli dhe parashtroi me energji aspiratat e gjysmës së kombit shqiptar. Kauza e drejtë, guximi dhe veprimtaria e arritur në atë shkallë konsiderimi, sa që në Kongresin që u mbajt në Aosta, kjo Federatë të gjithë sytë e qindra kongresistëve u drejtuan kah Lidhja Kosovare. Ishte pesëdhjetëvjetori i robërisë së Kosovës. Me propozimin e Lidhjes Kosovare, për të parën herë në historinë e mërgimit iu dërguan protesta të gjitha Ministrive të Punëve të Jashtëm të botës, Kombeve të Bashkuar, Lidhjes Evropiane dhe shumë organizatave të tjera ndërkombëtare. Përshtypja dhe jehona që pati kjo protestë  detyroi që Ministri i Arsimit i Aostës tha gjatë darkës madhështore në Saint Vincent se vetëm Kosovarët paraqitën të fortë dhe të vendosur, me shpresën për një të ardhme ma të drejtë.[10]

Edhe pse në rrugën e zhvillimit dhe të organizimit, Lidhja Kosovare pati edhe peripecitë e veta, megjithatë, ajo në mënyrë të shpejt u përhap tek mërgimtarët, dhe në mënyrë të rrufeshme përhapi qëllimet dhe idetë e veta si tek mërgata po ashtu edhe tek vendet demokratike në botë. Lidhja Kosovare për ditë e më shumë zgjerohej dhe propagandonte dhe sensibilizonte problemet e shqiptarëve të robëruar në Jugosllavi.

 

Situata politike në Kosovë

 

Referuesi për gjendjen politike në Kosovë nuk u ndal edhe gjatë ngase theksoi se atë situatë ne të gjithë edhe pse jemi larg atdheut ne e përcjellim me vëmendjen më të madhe. Këtu do të ceki vetëm se ndarja e tokave shqiptare në tri republikat e Jugosllavisë u bë me qëllim të caktuar. Qysh në fillim, regjimi i Beogradit kishte mendua keq me e nda elementin shqiptar në tri pjesë, për me pengua çdo përpjekje bashkimi të këtij elementi si bashkësi kulturore dhe etnike. Me shpalljen e Krahinës së ashtuquajtur Autonome të Kosovës, Beogradi vazhdon të mos e përfill ose ta përçaj edhe më tepër kompaktësinë Shqiptare. Po ta nderonte regjimi i Titos këtë kombësi, e pakta gjë që do të bënte do të ishte bashkimi i të gjithë shqiptarëve të Jugosllavisë në një administratë të vetme dhe njohja e të drejtave politike dhe kulturore të tyre me Shqipen si gjuhë administrate. Porse Beogradi , që shfaqet kundër kolonizimit në kontinente të tjera, brenda në Jugosllavi ushtron imperializmin e tij kolonial kundrejt shqiptarëve[11]. Por kjo gjendje nuk do të qëndroi gjatë ngase vullneti i popullit liridashës është tjetër fare.

Ndoshta pas rënies së Rankoviqit, dhe pas aksionit të mbledhjes së armëve dhe shpërnguljes së popullatës shqiptare për Turqi e ka pakua intensitetin porse kjo edhe duhet të jetë një arsye më shumë që pushtetarët duhet të kenë kujdes se një ditë do të ndryshoi gjendja tërësisht dhe athua vallë ku do të shkonin ata që i bënë keq këtij populli. Nga kongresi del edhe mesazhi se shqiptarët që jetojnë në tokat shqiptare në Jugosllavi nuk duhet të lëshojnë tokën e tyre[12]. Duhet të qëndrojnë aty ku janë, të punojnë aty ku janë, të luftojnë atje ku janë për të mbrojt lirinë, gjuhën, kombësinë dhe të drejtat e tyre.

Më 1913 nuk qenë të gatshëm shpirtërisht për të ndalu copëtimin e tokave të tyre. Në vitet që kanë me ardhur duhet të jemi gati, brenda dhe jashtë Kosovës, për me e ndreqë padrejtësinë e kryer 60 vjet më parë.

 

Fjalimi i Prof. Abas Ermenjit

 

Në Kongresin e Parë Botëror të Lidhjes Kosovare që u mbajt me 24-25 nëntor të vitit 1973, në Chikago të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një fjalë rasti e mbajti edhe Profesori i nderuar Abas Ermenji, kryetar i Komitetit Demokratik “Shqipërija e Lirë”, që zgjati mbi çerek ore. Fjala e profesorit u pranua me brohoritje nga të pranishmit dhe zgjoi interesim nga të huajt se me një gjuhë të argumentuar shkencore prezantoi historikun e shqiptarëve në përgjithësi dhe të tokave shqiptare të okupuara nga Jugosllavia në veçanti.

Në vazhdim, profesori tha se: ndjehet kryelarta që merr pjesë në Kongresin e Parë Botëror të Lidhjes Kosovare në mërgim. Sepse Kosova, për ne shqiptarët, është një Shqipëri tjetër, e mbetur jashtë kufijve politik të atdheut. Me fjalën “Kosovë” ne kuptojmë jo vetëm Fushën e Kosovës, po edhe rrafshin e Dukagjinit, Maqedoninë shqiptare dhe pjesët shqiptare në Mal të Zi. Të gjitha këto toka  përbëjnë pothuajse gjysmën e Shqipërisë Etnike. Me humbjen e Kosovës shteti shqiptar doli si një trup i këputur më dysh, si një krijesë artificiale, i ndarë prej pjesës më të shëndosh të tij si tokë pjellore dhe si element njerëzor. Dhe vetëm me bashkimin e Kosovës Shqipëria mund të gjejë ekuilibrin e saj të natyrshëm për tu bë një shtet i plotë dhe i qëndrueshëm në Ballkan.

Më vonë, profesori vazhdoi duke theksuar se siç e dini, Kosova pat qenë qendra e Lëvizjeve Kombëtare për Lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Pikënisja e ringjalljes kombëtare pat qenë Lidhja e Prizrenit, e cila u mblodh në Prizren sepse ky qytet shikohej si kërthiza e Shqipërisë. Veprimet ushtarake të Lidhjes së Prizrenit u zhvilluan sidomos në Kosovë, që ishte pjesa më e kërcënuar po edhe më e shëndosha e Shqipërisë. Kryengritjet më të mëdha shqiptare kundër Turqisë ndërmjet viteve 1909 dhe 1912, ndodhën në Kosovë, sepse Kosova ishte bërë flamurtarja e Shqipërisë. Mbledhja e 20.000 kosovarëve në Ferizaj, më 1908, e detyroi Sulltan Hamitin të shpallte Kushtetutën dhe t’iu lëshonte fuqinë Xhon Turqëve. Hyrja e 20.000 kosovarëve në Prishtinë dhe në Shkup, në korrik e gusht të vitit 1912, e rrëzoi qeverinë e Stambollit dhe e detyroi Turqinë të vinte në marrëveshje me shqiptarët duke iu njohur këtyre disa të drejta në të katër vilajetet. Ky qe edhe shkaku i Luftës Ballkanike e cila u organizua dhe e shpalli pikërisht për të ndalur  formimin e një shteti shqiptar dhe për të copëtuar tokat shqiptare.[13]Profesori në këtë kongres demantoi edhe të dhënat serbe, duke krijuar një histori të gënjeshtërt duke thënë se gjoja kosovarët janë të vajtur në Kosovë prej Shqipërisë së sotme, në shekullin 18-të, kur patë qenë shpërngulur patriku Pejës.. Kurse kosovarët ndodhen në ato vende qysh në agim të historisë. Në kohët e lashta, mu në qendër të Kosovës mbahej si shtyllë fisi Ilirian i Dardanëve, që iu ka dhënë emrin Dardaneleve. Prej vendeve të Kosovës patën dal disa nga perandorët më të shkëlqyer të Romës dhe të Bizantit si Konstantini i Madh që e njohu krishterimin si fe zyrtare, Justini dhe Justiniani i Madh.

Duke e përmbyllur fjalën e vet, profesori bëri një përmbledhje të historisë së Kosovës gjatë periudhave të ndryshme deri në ditët e sotme. Ai referoi se Kosova ka qenë gjysma e Shqipërisë ku është formuar kombësia shqiptare me gjuhën dhe karakteret e sotme, pas dyndjes së sllavëve në Ballkan. Se toponimet e atyre vendeve janë plotë me emra që tregojnë qenien e vazhdueshme të shqiptarëve në ato treva. Emrat e disa qyteteve  si Nishi dhe Shkupi (siç i quajnë shqiptarët), vijnë nga forma latine  nëpër ligjet fonetike të shqipes. Se pushtimi i Kosovës prej mbretërisë Serbe të dinastisë Nemanja, sidomos prej Uroshit të II Milutini dhe prej Stefan Dushanit, pat qenë një pushtim ushtarako-politik ose dinastie (si shumë pushtime të Kohës së Mesme), dhe spat mundur tua ndryshonte  fizionomin etnike atyre vendeve . Shpejt pas vdekjes  së Stefan Dushanit, familja princërore shqiptare e Balshajve i spastroi  viset e Kosovës prej sundimit sllav. Se legjendat dhe folklori serbë rreth luftës kundër Turqëve që u bë afër Prishtinës, më 1389, nën komandën e përgjithshme të Kral Llazarit të Serbisë, nuk provojnë asgjë për sa i përket bërjes etnike të Kosovës në atë kohë. Ajo luftë qe një kryqëzat ku merrnin pjesë të gjithë popujt e krishterë të Ballkanit dhe ku shqiptarët u dalluan ndër të tjerët. Se kemi shumë dokumente që vërtetojnë qenien e Shqiptarëve në Kosovë që prej kohës së mesme dhe gjatë gjithë sundimit turk.

Një pjesë të diskutimit profesor Ermenji ia kushtoi lëvizjeve dhe kryengritjeve në Kosovë për autonominë e Shqipërisë prej Lidhjes së Prizrenit deri më 1912. Në mënyrën më të drejt paraqiti martirizimin e saj prej ushtrive serbe gjatë Luftës Ballkanike dhe shpjegoi rrethanat e vendimit të padrejtë të Konferencës së Londrës më 22 mars 1913, që vulosën në një mënyrë robërinë e asaj gjysme të Shqipërisë.

Ndërsa periudhën e kaluar nën sundimin e mbretërisë Jugosllave ndërmjet dy luftërave botërore dhe të përpjekjeve të Jugosllavisë për kolonizimin e Kosovës nën mbulesën e një të ashtuquajtur “reformë agrare”, qëllimi i së cilës ishte shpërngulja e shqiptarëve  prej vatrave të tyre  dhe mbushja e atyre vendeve me serbo-malazezë. Regjimi i dobët shqiptar, i imponuar i Jugosllavisë , në dhjetor 1924, nuk ka mundur kurrë të hapte gojën për mbrojtjen e të drejtave të kosovarëve  deri sa u hodh jashtë, në prill 1939, prej Italisë fashiste. Paria tradhtare komuniste, që u krijua dhe u organizua gjatë Luftës prej agjentëve  jugosllav si një degë e pansllavizmit., nuk mund të fliste natyrisht kundër Jugosllavisë që ishte mbrojtësja dhe metropoli i saj. Kështu, pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova mbeti përsëri nën Jugosllavinë e ashtuquajtur “federale” dhe “socialiste” e cila vazhdoi vrasjet në masë, shtypjet dhe kolonizimet si në kohën e Mbretërisë. Vrasja e nja 60.000 mijë shqiptarëve , në fillimin e marrjes së Fuqisë prej partisë komuniste jugosllave dhe shpërngulja pastaj në Turqi e nja 350.000 të tjerëve ishte një nga periudhat më tragjike të historisë së Kosovës: Tragjedi që arriti kulmin e shtypjes dhe të krimeve më çnjerëzore kur në Beograd sundonte Rankoviqi.[14]

Ndërsa nga viti 1925 e deri më sot, kishte shtua profesori e vetmja organizatë ose parti që e ka vënë çështjen e Kosovës si një çështje jetësore për kombin shqiptar dhe që e ka paraqitur gjithmonë atë çështje si një pjesë të pandarë të problemit të Shqiptarisë ka qenë dhe mbetet Balli Kombëtar. Dhe jam kryelartë që të konkludoi, tha profesor Ermenji, se Komiteti Kombëtar- Demokratik “Shqipëria e Lirë” në mërgim, të cilën kam nderin ta kryesoi, e ka vënë gjithmonë çështjen e Kosovës shqiptarëve dhe botës së jashtme si një problem që kërkon zgjidhje, ashtu siç e pat vënë Balli Kombëtar në Mbledhjen e Mukjes në gusht të vitit 1943.[15]

Me këtë rast, profesori të pranishmëve iu bëri me dije se përveç qëllimit final që për shqiptarët e Kosovës, mbeti si i vetëvendosjes së popujve në bazë të parimeve të Kartës së Atlantikut dhe të organizatës së Kombeve të Bashkuara, përpjekjet e kosovarëve sot për sot duhet të përqendrohen në mbrojtjen e të drejtave politike, ekonomike, administrative e kulturore të shqiptarëve të Jugosllavisë brenda kuadrit të shtetit federalist jugosllav. Në një shkallë të barabartë me të drejtat që Kushtetuta Jugosllave iu njeh gjithë kombësive të tjera të atij shteti. Dhe këto të drejta nuk mund të mbrohen, shtoi z. Ermenji, deri sa shqiptarët e Jugosllavisë mbetën të ndarë, siç kanë qenë copëtuar, në një krahinë të ashtuquajtur autonome ngjitur republikës së Serbisë, në një tjetër pjesë të rëndësishme ngjitur republikës së Maqedonisë dhe në një pjesë të tretë që shkon me Malin e Zi. Përse ky copëtim administrativë ndaj shqiptarëve pyet profesori, kur asnjë kombësie nuk iu është bërë një ndarje e tillë. Kjo padrejtësi është bërë me një qëllim të caktuar përgjigjet ai, duke shtuar se këtë padrejtësi shteti jugosllav duhet ndrequr në qoftëse pretendon të jetë vërtetë federalist dhe njohës i të drejtave dhe lirive kombëtare. Pa bashkimin e të gjithë shqiptarëve  të Jugosllavisë, domethënë të atyre të Kosovës, të Maqedonisë, të krahinave të Malit të Zi, në një tërësi administrative më vete ose republikë autonome, e ashtuquajtura “zgjidhje e problemit të kombësive” aq fortë e trumbetuar në Jugosllavi, mbetet gjithmonë si një mit.

Dhe krejt në fund, profesori e përfundon fjalimin drejtuar të gjithë shqiptarëve me një thirrje duke iu drejtuar: Kosovarë, gjithë shpresat duhet t’i kini në punën dhe qëndresën e organizuar që mund të bëni ju vetë dhe që mund të bëjmë të gjithë ne. Asnjë popull nuk është çliruar pa luftë. Lirinë nuk ta falë askush; liria merret me forcë, me përpjekje dhe me gjak. Në këtë botë vetëm popujt e fortë çlirohen, mbahen dhe zhvillohen. Të dobëtit bien. Është turp për ne shqiptarët të biem poshtë në kohët e sotme, ne që jemi popull më i vjetër në Ballkan dhe që jemi tregua një nga popujt më luftëtar të botës gjatë tre mijë vjetëve histori. Pra përpara, me shpresë dhe me guxim. Nga ky Kongres i Lidhjes Kosovare në mërgim duhet të dali më i forcuar shpirti i qëndresës shpirti dhe organizimi i luftës për çlirimin e Kosovës. Kur dy milion shqiptarë të Kosovës dhe dy milion të Shqipërisë politike të bashkojnë forcat e tyre, armët e tyre, për një qëllim të vetëm, atëherë sigurisht do të thyhet zgjedha e robërisë dhe do të plotësohet dëshira shekullore e shqiptarëve për krijimin e Shqipërisë Etnike.[16] E mbyll fjalimin e vet Profesor Abas Ermenji.

 

Telegramet që i dërgon kongresi personaliteteve të kohës

 

Gjatë punës së kongresit u vendos që disa personaliteteve të njohura botërore t’iu dërgohen telegrame falënderimi.

Në mesin e të propozuarve ishte kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkelqesia e tij Richard Nixonit. Në telegram që i kishin shkruar pjesëmarrësit e kongresit në mes tjerash kishin shkruar edhe këto fjalë: “Shqiptarët në mërgim pjesëtar të grumbullit kombëtar Shqiptar në Jugosllavi, të mbledhur në Kongresin e tyre të parë botor në hotelin Conrad Hilton të Chicagos, më 24 dhe 25 Nëntor 1973. Ju përshëndesin me nderim edhe e çmojnë me të madhe zërin e lartë që keni. Duke folur në emër të mase dy milion vëllezërve tonë në Jugosllavi që nuk mund të hapin gojën, dëshirojmë, zotni Kryetar, t’ju shfaqim se sa të shqetësuar jemi për fatin e tyre, mbasi atyre u janë mohua ma të shumta  të drejtat njerëzore, qytetare dhe kombëtare qe kanë grumbujt e tjerë kombëtar në Jugosllavi. Kërkojmë ndërhyrjen tuaj shumë të çmueshme për me e përmirësua gjendjen e tyre”[17]

Telegram përshëndetës i dërguan edhe Kurt Waldheim, Sekretar i Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Po ashtu telegrame i dërguan edhe ministrave të Punëve të Jashtme të shteteve të Amerikës, të Britanisë së Madhe, të Francës, të Gjermanisë dhe të Italisë.

 

Kongresi miratoi Rezolutën e Lidhjes Kosovare

 

Në kongres veç diskutimeve e debateve që u zhvilluan në të, po ashtu u miratua njëzëri Rezoluta e parë të Lidhjes Kosovare.

Mbasi të pranishmit shqyrtuan gjendjen në Kosovë në përgjithësi, punët e kryera nga Lidhja Kosovare dhe veprimet e ardhshme, vendosi një zëri që të ndërmarri edhe këta hapa të mëtejshëm:

1. Edhe më tej të ndiçet me kujdes çdo zhvillim i gjendjes së brendshme në Jugosllavi;

2. Të vihet në dukje se autonomia si është sot, e mbërthyem republikës serbe dhe e ndamë nga krahinat e tjera shqiptare që gjenden pa liri, pa autonomi, në republikën Maqedone dhe Malazeze, përbën një tjetër copëtim të mase dy milion shqiptarëve që janë shkëput nga kombi i tyre 50 vjet më parë.

3. Të theksohet se me fjalën Kosovë nuk quajmë vetëm Fushën e Kosovës, por përmbledhim edhe pjesën shqiptare të Maqedonisë, Rrafshin e Dukagjinit si dhe krahinat shqiptare të përpirë prej Malit të Zi me qytetet bregdetare të Ulqinit e të Tivarit.

4. T’i njoftohet botës mbar padrejtësia e konferencës së Londrës, e cila më 22 mars 1913, vendosi ta ndaj përgjysmë tokën shqiptare, pa pyetur banorët shqiptar të asaj krahine, bile t’ue shkua kundër vullnetit të tyre dhe t’ue mos përfillë luftërat e tyre për liri, për vetë sundim dhe plotëni kombëtare.

5. Të caktohet ky mot, si “Vjet zije kombëtare”, për të kujtua gjashtëdhjetë vjetorin e cungimit të Shqipërisë, të padrejtësisë ma të madhe që është krye në Evropë.

6. Të njoftohet bota se imperializmi nuk ka ekzistua vetëm në Afrikë dhe në Azi, por ka ekzistua dhe ekziston ende edhe sot mu në zemër të Evropës siç ashtë rasti i ma shumë se dy milion shqiptarëve nën sundimin e Jugosllavisë dhe nën sundimin e Greqisë.

7. T’u kujtohet shqiptarëve nën Jugosllavi dhe të gjithë shqiptarëve në botë se të drejtat tona duhet t’i fitojmë na vetë me qëndresën tonë, me punën tonë, me sakrificën tonë, me përpjekjen tonë të vazhdueshme dhe zoti ka për të na ndihmua[18].

 

Karta e Parimeve të Lidhjes Kosovare

 

Po ashtu në Kongres u miratua edhe Karta e Parimeve që gjithsej u rrumbullakosua në pesë pika kryesore:

1. Lidhja Kosovare është një Lëvizje e gjanë që kërkon me i bashkua Kosovaret në mërgim dhe me i bashkërenditur përpjekjet e tyre për me mbrojt të drejtat kombëtare.

2. Qëllimi i Lidhjes Kosovare është me i dhanë zemër qëndresës së grumbullit etnik shqiptar në Jugosllavi për me mbrojt të drejtat e veta kundër shtypjeve të autoriteteve Jugosllave.

3. Lidhja Kosovare do të kërkojë që të gjithë shqiptarëve  në Jugosllavi ( domethënë Krahina autonome e Kosovës, krahinat shqiptare në Maqedoni, Krahina shqiptare në Mal të Zi, dhe krahinat shqiptare të ngjitura  Republikës së Serbisë, të mbledhura të gjitha bashkë), t’u njihet e drejta e formimit të një administrate autonome në një shkallë të barabartë me kombësitë e tjera, sipas kushtetutës së Shtetit Federativ të Jugosllavisë.

4. Lidhja Kosovare do të kërkojë që një bashkim  të këtillë të të gjithë shqiptarëve në Jugosllavi t’i njihej e drejta e vetëvendosjes së popujve, sipas parimeve të shpallura me Kartën e Atlantikut dhe të pranuar prej Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

5. Lidhja Kosovare fton çdo Kosovar, shqiptar në Jugosllavi, të marri pjesë në përpjekjet e saja për arritjen e këtyre qëllimeve.

Të gjitha këto dokumente të rëndësishme u pranuan një zëri nga të gjithë të pranishmit e Kongresit të Parë Botëror të Lidhjes Kosovare, të mbajtur në Chikago të Amerikës, në Hotelin Konrad Hilton, më 24 e 25 nëntor 1973.

 

Përmbajtja e Statutit të Organizatës së Lidhjes Kosovare

 

Në Kongres u miratua edhe statuti i Lidhjes Kosovare në të cilën përfshiheshin 15 pika nga angazhimet dhe veprimtaria e Organizatës së Lidhjes Kosovare. Këto ishin :

1. janë anëtarë të Lidhjes Kosovare, të gjithë shqiptarët që pranojnë edhe i binden me vullnet e me ndërgjegje Statutit edhe programit të Lidhjes Kosovare.

2. E përkrahin Lidhjen Kosovare të gjithë shqiptarët që duan edhe e kërkojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, në liri, pavarësi dhe  demokraci.

3. Lidhja Kosovare mbështetë dhe i rregullon veprimet e veta të brendshme në Partinë demokratike.

4. Kongresi është forumi më i lartë i Lidhjes Kosovare, i cili mblidhet çdo katër vjet.

5. Vendimet e marra në Kongres do të jenë rruga e lidhjes Kosovare dhe do të zbatohen nga organet që zgjidhen nga Kongresi.

6. organet e Lidhjes Kosovare janë : a) Komiteti Qendror; b) Degët; c) Ndërlidhësit dhe përfaqësuesit.

7. Komiteti Qendror, i dal nga kongresi, zbaton vendimet e Kongresit, sipas kushteve të tashme dhe të ardhshme të mërgimit.

8. Komiteti Qendror përbëhet prej gjashtëmbëdhjetë vetash, nga të cilët katër vende lihen hapët për me u plotësua në një kohë të volitshme me njëzë që Komiteti Qendror i sheh të përshtatshëm.

9. Komiteti Qendror cakton Sekretarin e Përgjithshëm edhe përgjithësitë e financës, të organizmit, të shtypit edhe të informatave.

10. Komiteti Qendror ngarkohet nga kongresi të caktojë Këshillin e gjerë të përbërë prej tridhjetë vetash, mbasi të jetë këshillua me degët dhe me ndërlidhësit.

11. Detyrat e Këshillit të gjanë është me ndihmua dhe këshillua  Komitetin Qendror në veprimtarin e tij.

12. Lidhja Kosovare ka edhe degët dhe ndërlidhësit edhe përfaqësuesit e vet në çdo anë të botës.

13. Aty ku ka ma shumë se pesë anëtarë të Lidhjes Kosovare, mund të krijohet Dega e Lidhjes Kosovare, e cila zgjedhë në gjirin e vet, Kryetarin, arkëtarin dhe sekretarin. Kryetari i degës ashtë ndërlidhës me Komitetin Qendror. Zgjedhjet në Degë do të bëhen çdo vjet.

14. Kongresi ngarkon Komitetin Qendror të caktojë Ndërlidhësit dhe Përfaqësuesit, të cilët edhe i udhëzon për punën që do të bëjnë.

15. Organi zyrtar i Lidhjes Kosovare është “Përpjekja Kosovare”.

 

Shtypi dhe Informimi në Lidhjen Kosovare

 

Lidhja Kosovare, shtypin e sheh si mjetin më të përsosur për të bërë sensibilizimin dhe propagandimin e punës së saj në opinionin e gjerë kombëtar dhe ndërkombëtar.

1. Lidhja Kosovare e sheh të arsyeshme t’i mbështes parimet e veta me anën e shtypit dhe çdo trajte të jetës komunikimi.

2. Organi zyrtar i saj është “Përpjekja Kosovare”

3. Ngarkohet Komiteti Qendror që të organizojë dhe të bashkërendojë veprimet për me i bë të ditur popullit shqiptar dhe botës  të vërtetën për gjendjen, ngjarjet dhe aspiratat e shqiptarëve nën Jugosllavi.

 

Financimi i Lidhjes Kosovare

 

 

1. Lidhja Kosovare i bënë thirrje çdo shqiptari të ndihmojë duke dhënë një pagesë të rregullt dhe në rast nevoje, të jashtëzakonshme, sipas fuqisë dhe vullnetit.

2. Ngarkon Komitetin Qendror, për administrimin e ndihmave, si të jetë nevoja.

3. Komiteti Qendror do të paraqes një pasqyrë të të ardhurave dhe të shpenzimeve, para çdo Kongresi, i cili do ti kontrollojë për pëlqim.

 

Urimet të cilat arritën gjatë punës së Kongresit:

 

Gjatë zhvillimit të punëve në kongres, kryesisë së saj dhe pjesëmarrësve iu arritën shumë letra dhe telegrame urimi.

 

Në mesin e  urimeve që kishin arritur po veçojmë vetëm disa nga ato si:

Nga Shtëpia e Bardhë:

 

“Ju faleminderit që me ftoni për të marr pjesë në Kongresin tuaj kombëtar më 24-25 nëntor . Më vjen keq që jam i zënë në ato ditë, por çmojë shumë festën tuaj.

Ju uroi me zemër qi të keni një Kongres me sukses”[19]

William J. Baroody, Jr. Ndihmës i Posaçëm i Presidentit

 

Nga Departamenti i Shtetit:

“Sekretari i shtetit ka porositur t’iu shfaq nga ana e tij se e çmon shumë qi e ftoni si mik nderi në darkën e Kongresit të Lidhjes Kosovare më 25 nëntor, porse i vjen keq që është i zënë atë ditë edhe nuk mundet me ardhur[20].

John A. Baker, Jr.

Drejtor i Zyrës së Punëve të Evropës Lindore

 

Telegram urimi Kongresit i kishte arritur edhe nga Kryetari i Bashkisë së Chicago-s

Në të shkruante: Më vije shumë keq që jam i zënë edhe nuk mundem me ardhur sonte te ju. Dashnorët e lirisë në të tërë botën i mbëshetisin dëshirat e Lidhjes Kosovare. Na në Chicago e kemi për nderë qi ju keni zgjedhë qytetin tonë për këtë hap shumë më rëndësi në udhën e lirisë. Me shumë të fala nga zemra.”[21]

Richard J. Daley

Kryetari i Bashkisë së Chicago-s

 

Urime nga Senatori J.W. Fulbright

“E kam marr telegramin tuaj të 24 nëntorit që ka të bëjë me gjendjen e mjeruar, në të cilën po vuajnë shumë Shqiptar në Jugosllavi. Ju faleminderit që më keni lajmua.”[22]

J.W. Fulbrght

Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit

 

Nga senatori Adlai E. Stevenson III

“Ju faleminderit shumë që më keni ftua në Kongresin Tuaj më 24-25 nëntor.

E dijë se kjo mbledhje do të ketë shumë rëndësi edhe prandaj kam dashur me gjithë zemër ta pranofsha ftesën e juaj të mirë. Për fat të keq, sipas programit që kam pas të bëmë më parë, kam me qenë i zënë atë ditë. Më vjen keq që nuk mundem me ardhur në një mbledhje kaq shumë të vlefshme, por shpresojë të mos ma merrni për të keq.

Ju faleminderit edhe një herë për ftesën tuaj”[23]

Adlai Stevenson

 

Nga Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte ardhur ky telegram urimi:

Kongresi i Lidhjes Kosovare kishte marr edhe nga Organizata e Kombeve të Bashkuara një përgjigje të nënshkruar nga Z, Jacob Th. Moller, drejtor i seksionit të të Drejtave të Njeriut. Kjo përgjigje thotë se në mbledhjen më të afërt të Komisionit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut do të paraqitet një shkurtim i shkresës që iu dërgua Komisionit nga ana e Kongresit të Lidhjes Kosovare. Nga një kopje e asaj shkrese ka me iu dërgua edhe të gjitha qeverive  të shteteve që janë anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara[24].

 

Nga letra e Z. Harry T. Fultz, ish drejtor i Shkollës teknike të Tiranës edhe mik i çmueshëm i Tiranës.

“... Me gjithë se kam dëshirë të madhe të jem bashkë me ju , largesa e madhe edhe vështirësitë e udhëtimit më ndalojnë me ardhur, prandaj ju lutem të më falni.

Gëzohem kur shoh se Lidhja Kosovare asht plotë  jetë dhe veprim edhe ashtë e zonja të organizojë dhe të mbledh një Kongres botëror në këtë kohë. Puna që po bëni ju le të jetë një shembull i mirë për organizatën dhe grupet të tjera shqiptarësh që punojnë për të mbajtur në këmbë unjisimin e Shqipërisë.

Ju uroi të gjithëve  që Kongresi i juaj të dali me faqe të bardhë edhe me plane për veprime të vlefshme në kohën e ardhshme.”[25]

Harry T. Fultz

 

Nga senatori PHilip A. Nart

“Ju faleminderit që më keni thirr në darkën e juaj më 25 të nëntorit. Nuk kam asnjë dyshim se do të ishte gëzim i madh për mua ta kalofsha atë kohë bashkë me ju, porse, për fat të keq timin, jam i zënë gjetiu, edhe më vjen me të vërtet shumë keq që nuk mundem me ardhur.

Ju faleminderit edhe një herë edhe ju uroi me gjithë zemër“[26]

Philip S. Hart

 

Nga deputeti L.C. Arends:

“Ju faleminderit shumë që më ftoni të jem mik në darkën e Kongresit të Lidhjes Kosovare, në Chicago, më 25 nëntor. E çmojë shumë ftesën tuaj.

Por më vjen shumë keq që nuk mundem me ardhur, mbasi jam i zënë me programe të mëparshme. Ju e dini mirë se kam qenë gjithmonë një nga ata qi e kanë përkrahur në Dhomën e Deputetëve  lirinë e Shqiptarëve, edhe prandaj do të isha i kënaqur, po të kisha mundur me ardhur.

Ju uroi me gjithë zemër.”[27]

L. C. Arends

 

Nga Këshilli i Kombësive  të Partisë republikane:

“Ju faleminderit që më ftoni në Kongresin Botëror të Lidhjes Kosovare. Për fat të keq, nuk mundem me ardhur, por ju lutem tu jepni urimet e mija nga zemra të gjithë atyre që vijnë në Kongres.

Le të shpresojmë edhe le të punojmë të gjithë për një Shqipëri  me të vërtetë të pavarur. Jam i sigurt se puna e pa kursyer e Lidhjes Kosovare ka me e bamë të vërtetë këtë ëndërr.”[28]

Laszlo Pasztor

Kryetari i Këshillit

 

Nga Partia Katundare Polake:

“ Partia Katundare Polake e përshëndet Kongresin e Parë Botëror të Lidhjes Kosovare edhe i dërgon urimet nga zemra për një veprim faqebardhë.

Rroftë Shqipëria e lirë demokratike edhe Lidhja Kosovare.”[29]

Boleslaw Krakovski

Kryetar i Degës së Chicago-s

 

Nga letra e të ndjerit Lutfi Spahiut:

“Ftesën që ma bëni për Kongresin Botëror të Lidhjes Kosovare e mora edhe me zemër ju falënderoi.

Për arsye shëndeti nuk mundem me marrë pjesë; i bindur se Kongresi ka për të pas rrjedhime të dobishme për të ardhmen e Kosovës e të mbar Shqipërisë, këtij i urojë suksese të plota.

... Si rrjedhim i përpjekjes së Shqiptarëve  e sidomos të atyre  të Kosovës, Shqipëria më në fund, e fitoi Independencën e vet, por mjerisht vetë Kosova mbeti nën një tjetër okupim ma të egër e më të rrezikshëm, nën okupimin serb. E pra Shqipëria pa Kosovë-burim jetësor për Atdheun- nuk mund të jetojë e lirë: bahet gjithmonë e kurdoherë preja e të tjerëve.

Kosovën dhe Kosovaret i njoh. I njoh edhe vetëmohimin e tyre, patriotizmin e tyre, përpjekjet e tyre për tu bashkua me Shqipërinë Nënë. Dhe dita e hareshme pa tjetër, herët a vonë, ka me ardhur, por shpejtimi dhe plotësimi i këtij ideali varet te përpjekja e të gjithë shqiptarëve  dhe sidomos te ajo e Kosovarëve vetë.

Duke ju dëshirua edhe një herë suksese të plota me këtë shteg ju dërgoi urime të përzemërta edhe për 28 Nëntorin”[30]

Lutfi Spahiu

 

Nga letra e Z. Gjon Gjonmarkaj, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike Shqiptare edhe anëtar i Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”:

“... Nuk po më rrihet pa ju dërgua solidaritetin , prezencën morale, përshëndetjet dhe urimet e Lidhjes demokratike Shqiptare dhe të Degës së Komitetit Demokratik “Shqipnija e Lirë” për Siqeli, për një sukses të shkëlqyer në punimet e Kongresit dhe të programit kombëtar të Lidhjes Kosovare.

...Si pjesëtar i bashkësisë etnike Evropiane, Lidhja Kosovare u bë zëshme e Kosovës së robëruar dhe e dy milionëve  shqiptar të veçuam me përdhuni nga Nëna –Shqipëri. Lidhja Kosovare jo vetëm që denoncoi botërisht padrejtësitë dhe persekutimet e vazhdueshme që bëhen kundër popullit të Kosovës kreshnike, por tregoi me fakte përpara miqve dhe armiqve  se nuk mund të ketë kurrë Shqipëri pa Kosovë dhe as Kosovë pa Shqipëri.

Forcat Kombëtare Demokratike Shqiptare, të mbledhura rreth Komitetit Kombëtar Demokratik “Shqipnija e Lirë”, në Lidhjen Kosovare shohin një rreze drite çlirimtare për Kosovën Shqiptare dhe nuk ka me mungua edhe sot e mbrapa përkrahja dhe bashkëpunimi i këtyre forcave deri sa të bahet i vërtet ideali i sajë.

Rroftë Kosova e lirë dhe e bashkuese me Nanën Shqipni!

Rroftë Shqypnija Ethnike!”[31]

Gjon Gjonmarkaj

 

Nga letra e z. Kolonel Muharrem Bajraktarit, Kryetar i Lëvizjes Indipendente:

“Në emër të bashkatdhetarëve të Lëvizjes Indipendente, urojmë Lidhjen Kosovare dhe Kongresin që mbahet më 24-24 nëntor 1973, për të drejtat e lirisë kombëtare të Kosovës, të Shqipënisë Ethnike, tuj shpresue qo Kongresi të ketë suksese në veprimet drejtë arratjes së çlirimit të Kosovës  dhe të shqiptarëve të robnuem.

Na, bijtë e Shqipes, vëllezënve të robnuem duhet t’u napim të gjitha ndhmat morale e materiale për të fitua lirinë kombëtare. Mjaftë makanë vuajtnën thundrrën epushtimit: e ardhmja pa dyshim ka me i bashkua me Nanen Shqipëri”[32]

Muharrem Bajraktari

 

Nga letra e Prof. Hysni Hoxhës, anëtar i Komitetit Qendror të Lidhjes Kosovare:

“... Shpirti fluturon nat vend ku jeni mbledhun ezemra qohet peshë për këtë nisjativë tëmadhe tue mbajt të parinë Kongres Botnuer, për të mbrojtur Kosovën e dashtun, që vuan nën zgjedhën jugosllave. Kjo jetë e zezë e djepit të Shqiptarizmës na plagosi zemrën enacoptoi shpirtin.

... Me vrasjen e Bajram Currit e mepushimin e Komitetit të Kosovës,pesdhjet vjetë më parë,pothuajse humbëm shpresat. Irëpo,në luftën e DytëBotërore,me daljen e të ndjerit Mithat Frashërit në skenën politike, përsëri shpresat u ngjallën.Mbasandej edhe ky hyll i fundit shkoi ena la,mirëpo, si i pari, e sii dyti,paskan lanë trashigimtar. Bijë të denjë për tëndjek rrugën e tyre. Qe, pra, ju atje në vendin elirë etëmadh demokrat jeni tue ba vepra madhore.

Ju shtrëngoi dorën eju uroj me zemër, ju shkoftë mbar puna për lirinë e Kosovës. Rroftë Shqipëria Ethnike.”[33]

Hysni Hoxha

 

Nga letra eZ. Ramadan Fetahut, ushtar i Ballit Kombëtar:

“... Ju uroi punë të mbar në Kongresin e parë që po banë Lidhja Kosovare.

Mbas gjithë këtyre përpjekjeve të gjata në mërgim, ky kongres do t’iu japi shpresë e zemër të gjithë Kosovarëve , kudo, si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Dita e madhe ka me ardhur, sepse përpjekjet dhe mundimet e Lidhjes Kosovare nuk kanë me shkua kot.

Rroftë Kosova kreshnike! Rroftë Shqipnija Ethnike!”[34]

Ramadan Fetahu

 

GAZETA “PËRPJEKJA KOSOVARE” EDHE NË GJUHËN ANGLEZE

Gazeta “Përpjekja Kosovare”, veç që botohej në gjuhën shqipe, mërgimtarët tanë që jetonin në shtetet perëndimore kishin marr për obligim që çdo numër të saj që botohej ta përkthenin në gjuhën angleze. Qëllimi i saj veç se dihej. E rëndësishme ishte që e vërteta të depërtonte në qarqet ndërkombëtare dhe sa më shpejt e më mirë të njoftohej opinioni ndërkombëtar për ngjarjet e tmerrshme  që ndodhnin në Kosovë. Gazeta “Përpjekja Kosovare” e përkthyer në gjuhën angleze, anëtarët e organizatës “Lidhja Kosovare” e kishin marr për obligim që ajo të shpërndahej në kancelarit e shteteve perëndimore. Po ashtu ajo shpërndahej tek të huajt, dhe në organizata të ndryshme ndërkombëtare. Shtypi veç që kishte luajtur një rol të madh tek të gjithë shqiptarët që kishin mërguar në Amerikë, Evropë, Turqi e Australi, me përkthimin e saj, ishte bërë puna më e mençur e mërgimtarëve se nëpër mes të saj arriti suksesin më të madh që çështja e Kosovës dhe problemi i saj i pazgjidhur të sensibilizohej edhe më shumë në qarqet ndërkombëtare. Mund të themi lirshëm se shtypi i mërgatës, i përkthyer në gjuhën angleze, pati një jehon dhe një ndikim të madh tek bota e lirë dhe e qytetëruar. Kjo ishte ajo që u fut thellë në ndërgjegjen e tyre, dhe trokiti pa ndërprerë që duhet zgjuar, për të përmirësuar gabimet e mëhershme ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.

 


[1] Kongresi i Parë Botnuer i Lidhjes Kosovare,“Përpjekja Kosovare”, nr. 15, 1974, 1.

[2] Po aty.

[3] Përpjekje Kosovare, nr. 15, 2

[4] Përmbledhje e Raportit të Sekretarit të Përgjithshëm Prof. Luan Gashit, në Kongresin e Lidhjes Kosovare, Përpjekja Kosovare, nr.15. 4. 1974.

[5] Gjashtëdhjetvjetori I coptimit, “Përpjekja Kosovare”, nr. 15. 4, 1974.

[6] Po aty.

[7] Balli Kombëtar edhe Komiteti “Shqipënija e Lirë”, Përpjekja Kosovare, nr. 15, 5, 1974.

[8] Po aty.

[9] Partija Komuniste, Përpjekja Kosovare, 15. 6. 1974

[10] Lidhja Kosovare, Përpjekja Kosovare, nr.15. 6, 1974.

[11] Gjendja në Kosovë, Përpjekja Kosovare, nr.15. 7, 1974

[12] Po aty.

[13] Fjalimi I Prof. Abas Ermenjit, Përpjekja Kosovare, nr.15. 9. 1974

[14] Po aty, f. 10.

[15] Po aty.

[16] Po aty, f. 11.

[17] Telegrafe dërgue nga Kongresi I Lidhjes Kosovare, Përpjekja Kosovare, nr.15, 12. 1974

[18] Rezoluta e Kongresit të Parë të Lidhjes Kosvare, 24-25 nëntor , 1973. Përpjekja Kosvare, nr. 15, 13-14.

[19] Telegrami i urimitnga Shtëpia e Bardhë, Përpjekja Kosovare, nr. 15, f.  17, 1974

[20] Telegram nga Departamenti i Shtetit, Përpjekja Kosovare, nr. 15, f. 17. 1974

[21] Telegra urimi nga Kryetari i Bashkisë së Chicagos, Përpjekja Kosovare nr. 15, f. 17. 1974

[22] Telegram urimi nga J.W. Fulbrght Kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Senatit, Përpjekja Kosovare, nr. 15. f.18. 1974

[23] Telegram urimi nga  senatori Adlai Stevenson, Përpjekja Kosovare nr. 15. f.18,1974

[24] Telegramnga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Përpjekja Kosovare, nr. 15, f. 18,1974

[25] Telegram urimi nga Harri Fulltzi, Drejtor i Shkollës Teknike

[26] Leter urimi nga senatori Philip A. Nart, Përpjekja Kosovare, nr. 15, f. 19, 1974

[27] Leterë urimi nga deputeti  L.C. Arends, Përpjekja Kosovare, nr. 15, f. 19. 1974

[28] Telegram urimi nga Këshilli i Kombësive të Partisë Republikane, Përpjekja Kosovare,nr. 15, f. 19. 1974

[29] Telegram urimi nga Partija Katundare Polake, Boleslav Krakovski, Përpjekja Kosovare, nr. 15, f. 20, 1974

[30] Telegram urimi nga Lutfi Spahiu, Përpjekja Kosovare, nr.15. 20,1974

[31]Nga letra e Z. Gjon Gjonmarkaj, sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike Shqiptare edhe anëtar i Komitetit Kombptar Demokratik “Shqipnija e Lirë”: Përpjekja Kosovare,nr.15 f.21. 1974

[32]Nga letra e z. Kolonel Muharrem Bajraktarit, Kryetar i Lëvizjes Indipendente:Përpjekja Kosovare, r. 15, f. 21, 1974

[33]Nga letra e Prof. Hysni Hoxhës, anëtar i Komitetit Qëndror të Lidhjes Kosovare: Përpjekja Kosovare,nr.15. f.21, 1974

[34] Nga letra eZ. Ramadan Fetahut, ushtar i Ballit Kombëtar: Përpjekja Kosovare, nr. 15, f. 22. 1974



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (III) Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (II) Sabile Keçmezi-Basha: Përpjekjet e gazetës “Përpjekja Kosovare” në mërgim (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja atdhetare në Anamoravë dhe poeti Beqir Musliu Sabile Keçmezi-Basha: Josif Bageri dhe karakteri kombëtar i gazetës ''Shqypeja e Shqypenis'' Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VIII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VII) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (VI) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (V) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (IV) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (III) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (II) Sabile Keçmezi-Basha: Trajtimi i çështjes së Kosovës në gazetën ‘’Qëndresa Shqiptare’’ (I) Sabile Keçmezi-Basha: Lëvizja ilegale atdhetare në Mitrovicë e rrethinë 1945-1990 Sabile Keçmezi-Basha: Formimi i grupit të NDSH-së ‘’Balli Kombëtar’’ në Tugjec, më 1954 Sabile Keçmezi-Basha: Karikatura - si formë e rezistencës në ilegalen shqiptare Alban Dobruna: Kontributi i femrës në pavarësinë e Shqipërisë Sabile Keçmezi-Basha: Karakteri kombëtar e demokratik i programeve të komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Sabile Keçmezi-Basha: Edhe gratë shqiptare në burgjet jugosllave

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora