E enjte, 25.04.2024, 04:54 AM (GMT+1)

Editorial

“Kosova fitoi, tani radhën e ka Çamëria”

E premte, 29.02.2008, 09:31 PM


“Çamëria është nyja e fundit e pazgjidhur e çështjes kombëtare shqiptare”.
 
Nga: Ferdinand Dervishi

Dy historianët britanikë, Miranda Vikers e Xhejms Petifer, ndjekës dhe analistë të zhvillimeve më të fundit në hapësirën shqipfolëse, janë të drejtpërdrejtë në mendimet e tyre dhe njëkohësisht, lehtësisht e logjikisht të pranueshëm. Madje, janë aq të mirinformuar për çështjen çame sa duket ky do të jetë edhe strumbullari i subjektit të tyre për librin e radhës. “Tashmë e shohim shumë të gabuar që Shqipëria të ndërmarrë hapa të tjerë para se të ketë zgjidhur çështjen çame. Çamët kanë pritur sa të bëhet Kosova më vete, tani është radha e tyre. Nëse nuk zgjidhet tani, problemi nuk do të zhduket, ai është si kanceri që përhapet pambarim... “, artikulojnë mendime që kërkojnë kohë të përthithen.
Zotërinj, ju thoni se pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës shqiptarët duhet të zgjidhin çështjen çame, ndërkohë që mes dy vendeve zyrtarisht asnjëherë ky problem nuk është shtruar, madhe nuk është guxuar të përmendet edhe nocioni “Çamëri”. Mos bëhemi pak të nxituar?
Aspak. Mendojmë se tashmë është radha dhe njëkohësisht koha e duhur që Shqipëria të zgjidhë çështjen çame. Pra, situata ka ndryshuar dhe ai është një problem që duhet ta zgjidhë Shqipëria. Deri tani shqiptarët kanë heshtur dhe logjikisht grekët kanë thënë se nuk ka një problem çam. Kurse tani është koha kur shqiptarët duhet t’i kërkojnë qeverisë së tyre të ndërhyjë, por gjithmonë duke e trajtuar këtë si një çështje e shkeljes së të drejtave të njeriut. Shteti shqiptar duhet të flasë i pari. Qeveritë shqiptare dhe greke duhet të bëjnë hapat e parë të bashkëpunimit. Për fat të mirë debati ka nisur edhe në Athinë, jozyrtarisht, në disa qarqe akademike. Madje ne kemi kontaktuar me këto qarqe të përfshira në debate jozyrtare. Jemi në kohën kur politika zyrtare greke thotë se nuk ka Çamëri, kjo duhet të kapërcehet dhe opinioni, që ka nisur të evoluojë në këto rrethe akademike, është shenjë e mirë.
A ka të ngjarë që një pretendim i tillë të çojë në incidente të rrezikshme që në ndonjë rast mund të sajohen artificialisht, pasi Ballkani e njeh mirë këtë lloj mënyre të përfituari?
Po kjo nuk është një çështje e ndryshimit të kufijve. Kjo është një detyrë morale dhe ndërkombëtare, pra mes dy shteteve, Shqipërisë dhe Greqisë. Deri tani këtë problem e ka mbajtur larg frika e Shqipërisë së Madhe. Zgjidhja e çështjes çame nga ana tjetër do të ndikojë edhe në futjen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, pasi një nga kushtet është që të mos ketë çështje të pazgjidhura mes shteteve anëtare. Greqia ndërkohë duhet të shfuqizojë ligjin e Luftës. Grekët thonë se, ky veprim nuk është i rëndësishëm, por mendojmë se duhet bërë, pasi është i lidhur edhe me probleme psikologjike.
Nuk mendoni se çështja çame mund të zgjidhet nga ndonjë gjykatë ndërkombëtare. Pra, vetë çamët të kërkojnë të drejtat e tyre përmes një organi, që me vendimet e veta detyron Greqinë dhe Shqipërinë të njohin dhe përmbushin kërkesat e tyre?
Nuk është kjo zgjidhja. Aktualisht ne kemi dijeni se çamët janë duke lëvizur energjikisht në kërkim të të drejtave të tyre. Ata i kanë paraqitur kërkesat e tyre pranë Këshillit të Evropës dhe më tej janë duke ndjekur mundësinë e një gjyqi ndërkombëtar, por komuniteti ndërkombëtar po rri mënjanë. Dhe mënjanë do të rrijë përderisa Shqipëria dhe Greqia të vazhdojnë të heshtin. Kujtojnë se mbase çamët do e harrojnë një ditë plagën e tyre... Por shpërngulja e çamëve drejt kufijve shqiptarë është një padrejtësi që tashmë duhet të pranohet. Grekët kanë pretenduar se çamët ishin kolaboracionistë të nazistëve gjermanë, por të tillë kanë qenë fare pak. Pra, e vërteta thotë se rreth 99 për qind e popullsisë çame nuk ka pasur asnjë lidhje me nazizmin. Gjithsesi rrënjët e një veprimi të tillë të grekëve me popullsinë çame lexohen më herët. Në vitet 1920-1930 çamët sërish janë përzënë nga trojet e tyre, sepse grekët pretendonin që ata ishin turq. Pra, dëbimi i tyre nën akuzën se ishin bashkëpunëtorë të nazistëve ishte vetëm një pretekst për të përmbushur një politikë të vjetër.
Aktualisht ajo pjesë e popullsisë çame që arrin të mbajë mend tokat e veta nga i kanë shpërngulur forcërisht strukturat policore e ushtarake greke, ose janë larguar nga kjo jetë, ose janë duke u larguar.
Pyetja është: Nëse do të vijë një ditë e bardhë për popullsinë çame, kush do i njohë këto prona, qoftë vetëm në terren? Mos jemi duke u bërë vonë?
Kjo nuk ka për të ndodhur. Historia botërore ka treguar se kurrë, gjatë shpërnguljeve të ngjashme, nuk janë harruar pronat e lëna pas. Dimë se çamët u kanë rrëfyer brezave se ku janë pronat e tyre, se ata ruajnë edhe dokumente të vjetra, madje edhe çelësat e shtëpive. Ata nuk e harrojnë vendin edhe pse vdesin, gjithsesi kohë për të humbur nuk ka.
Përfundimisht si e shikoni ju zgjidhjen?
Hapi i parë që duhet të bëhet është ai i pranimit nga qeveritë e Tiranës dhe të Athinës se ka një çështje çame. Më tej duhet të njihet historia e vërtetë e tyre. Një tjetër hap që duhet të kapërcehet është që qeveria greke t’u kërkojë ndjesë publike çamëve. Nuk ka ndonjë gjë të jashtëzakonshme këtu. Ndjesa që Japonia zyrtare i kërkoi Kinës për veprimet e dhunës gjatë Luftës së Dytë Botërore, mund të shërbejë si model. Më tej Greqia duhet t’i japë fund regjimit diskriminues të vizave për çamët. Ata duhet të shkojnë në Greqi lirshëm dhe duhet të ndihen edhe si qytetarë grekë. Natyrshëm që qeveria greke duhet të ndërmarrë një operacion dëmshpërblimesh... Disa çamë do të preferojnë të rikthehen në ish-tokat e tyre, disa të tjerë jo dhe gjithçka mbyllet me pak dëshirë të mirë. Nuk ka për të ndodhur një fenomen i papërballueshëm.

Me penë në dorë për 20 vite pranë Shqipërisë

Miranda Vikers (Vickers) dhe Xhejms Petifer (James Pettifer) për herë të parë kanë shkelur tokën shqiptare si turistë në vitin 1988. Sipas tyre, kjo ishte pikërisht koha kur ata të dy vendosën të fokusoheshin në studimin e historisë së Ballkanit dhe veçanërisht asaj shqiptare. Në vazhdim misioni i tyre do të përzihej edhe me atë të gazetarit edhe me atë të historianit. “Kemi mbajtur shënime në ditar, kemi takuar njerëz gjithandej në trojet shqipfolëse, i kemi vëzhguar nga fare pranë edhe në ditë të vështira për mbijetesën dhe këto shënime i kemi konvertuar në libra të ndryshëm. Në stadin aktual ndihemi më akademikë dhe jo më gazetarë. Tani jemi duke studiuar aspekte të veçanta të zhvillimit të historisë shqiptare”, përmbledhin me pak fjalë dy britanikët qenësinë e tyre pranë kombit tonë. Nuk e pranojnë me plot gojën, por duket se problemi i Çamërisë duhet të jetë objektivi i ardhëm i punimit të tyre të përbashkët. Kjo sepse pikësëpari lëvizjen për zgjidhjen e çështjes çame dy historianët e shohin si hap të parë të pashmangshëm që rrjedha e historisë duhet të përtypë.

Vlerësim për Demaçin
Përgjatë bisedave të tyre dy historianët britanikë vlerësojnë Adem Demaçin si një nga shqiptarët më pozitivë. “Demaçin duam ta shohim një ditë president të Kosovës”, shprehin të dy të njëjtin mendim apo dëshirë. Sipas tyre, Demaçi është një nga figurat historike që ka bërë më shumë për kombin e vet. “Ai është Mandela i shqiptarëve, ai ka sakrifikuar më tepër se gjithë të tjerët, është i pakorruptueshëm ose plotësisht i ndershëm. S’është thjesht një politikan, por edhe një shkrimtar, i respektuar brenda dhe jashtë vendit si dhe qytetar nderi i Kroacisë...”, nuk reshtin së radhituri dy historianët.


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora