Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Daniel Gazulli: Kanë thanë për At Gjergj Fishtën

| E enjte, 29.12.2011, 04:05 PM |


KANË THANË PËR

AT GJERGJ FISHTËN:

 

(Me rastin e 71-vjetorit të vdekjes

30 Dhjetor 1940 – 2011 )

 

Përgatiti: DANIEL GAZULLI

Lezhë, Dhjetor 2011.

 

“Shkëmb i tokës dhe shkëmb i shpirtit shqiptar, ky është si të thesha "monopoliteti" gjenetik i artit të Fishtës, kështu do t'i thesha me dy krahasime paralele gjithë poezisë që na ka falur ky vigan i kombit.”

Lasgush Poradeci

 

“At Fishta, ky gjeni me rrajë në tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtnore të kombeve të Europës, u ngjit deri ndër majat ma të nalta të kulturës.”

Prof. Dr. Norbert Jokl

 

“Kot përpiqen grekët e sotem të gjejnë në letërsinë e tyre një vepër më të plotësuar se ‘Lahuta.”

Faik Konica

 

Fishta ishte intelektuali i kërkesave tona historike.

Engjëll Sedaj, HD, 1993/1, fq. 41

 

Shqipnia pat nji fat të madh e të jashtëzakonshëm, shka nuk patën popujt e tjerë, veç mbas qindra vjetësh të një jete letrare, pat ma të madhin përmbi të gjithë, atë që u pshtet në popull të vetin e në gjuhën e tij e që me vjerrsha të veta ndezi flakë zemra në popull, pat gjeninë poetike në Fishtën.

Maksimilian Lambertz

 

“Lahuta e Malsisë’ mund të qendrojë përkrah veprave poetike ma të shqueme të popujve të tjerë.”

M. A. Freün von Godin

 

Shqiptarët në Jugosllavi, duke mësuar përmendësh “Lahutën e Malcisë”, përvetësuan arsimin kombëtar, kur ky mungonte.

Zekeria Cana, HD, Numër i posaçëm, 1996, fq. 50

 

Fishta nuk ishte vetëm mësues dhe apostull, por edhe vizionar e profet i ideve të mëdha për çlirimin kombëtar me dimensione më të gjëra të humanizmit europian.

Engjell Sedaj, Numër i posaçëm, 1996, fq. 69

 

Fishta pra, pat meritimin ma të madh edhe në këte vepër kombëtare (alfabeti që kemi sot), e cila u plotësue në Kongresin e Manastirit ku …. ishin mbledhë mezja e shqiptarëve e ndër 53 vota, Poeti u zgjodh me 49 vota kryetar i komisionit, tue pasë si nënkryetar shoqin e vet të pandamë, Luigj Gurakuqin, me të cilin liddei me idealet e nalta atdhetare.

At Benedikt Dema, Botim përkujtimuar, fq. 367, 1941

 

Fishta, bir i popullit, ka naltue si dikur Homeri ndër grekë e Lukreci ndër romakë, gjuhën shqipe në dinjitetin e artit.

Prof. Kolë Prela, Botim përkujtimuar, fq. 292.

 

Edhe ndër bisedime ma të zakonshme, ja kishte për të thanë dishka të re, ja se ata shka asht e ditun kishte për ta pru në formë përherë të re, përherë të pëlqyeshme.

At Anton Harapi, Botim përkujtimuar, fq. 56.

 

Kush e takoi njëherë të vetme s’mund ta harrojë ma. Kush e njohu ma për së afërmi, s’mund ta largojë nga zemra ma. Kush jetoi e bahskëpunoi me të, s’mund e s’mund ta zevendësojë me kurrnji tjetër. Ky asht At Gjergj Fishta.

Pal Dukagjini (At Daniel Gjeçaj), HD, nr. i posaçëm, 1996

 

E kanë quejtë mbret i polemikës shqiptare. Ai qé ndër të parët që u vu të qortojë me forcë mentalitetin e vjetër me qellim që t’i hapte rrugën së resë, përparimtares.

Polemikës së Fishtës i jep shpirt satira.

Prof. Mark Vuji, Filozofia arsimore, fq. 41

 

Polemika e Fishtës ka si yll polar përmirësimin e vendit moralsiht, …. çfarosjen e veseve, luftën kundra atdhetarëve me barkun kodër ….

Lefter Dilo, Botim përkujtimuer, fq. 269

 

Tue pa se këto ngadhnjime të idealit po rrëxoheshin tradhëtisht rroki penden, e ngjeu në gjakun e zemrës dhe shkroi mbi “Hyllin e Dritës” atë artikullin fatal: “Nji komedi e pandershme e XX qindvjetë”.

Në kulmin e idhnimit në një vend thekson, ndoshta pak kjartë, por fort drejtësisht, indiferentizmin e ndërkombtarëve në një kohë kur Shqipnija e shkretë, q’atëherë ndërtue prej sish, po shpartallohej, shkruen: “Gjaku i shqiptarit derdhet rrëkajë, gjaja e shqiptarit hupë ndër thoj të ma të fortit, e Mëkamësit e Europës, kur të mos kenë me zhgatërrue ndonji pshtjellim policash e faturash së veta, pa farë kujdesi rrinë, a tue rrëshitë me rrakela nëpër lame çimentojet, a tue luejtë dojkë e topash”.

Kje nji bumbe për veshët e Ndërkombtarëvet që gjindeshin në Shkodër. U dogj fort.

At Justin Rrota, Botim përkujtimuer, fq. 152.

 

Kritika e djeshme nuk mundi ta kuptojë se mohimi s’është kritikë e që urrejtja nuk është vlerë.

Agron Gjekmarkaj, HD 1996/12, fq. 136.

 

“Hylli i Dritës”, botue prej At Gjergj Fishtës, mund të krahasohet denjësisht me çdo revistë letrare, filozofike e shkencore …. Si një ndër ma të mirat që botohet në Europë.

Antonio Calducci

 

Unë nuk kam pa ende një shtat e një fytyrë ma mikelanxheleske se shtatin dhe fëtyrën e Fishtës sonë. Një model i denjë për Buonarotin e pavdekshëm.

Dom Lazër Shantoja

 

Mjaftonte nji emen që t’i kujtonte nji flije, nji ngadhnjim, nji virtyt, nji faj, nji padrejtësi, atëherë me e pa si ndërrote ngjyrë fytyra e tij, si ndizej, si skuqeshin sytë e tij shqiponjë, si merrte në dorë puplen e shkruente.

Gjon Kamsi, Botim përkujtimuer, fq. 71.

 

Kurrë në jetën time s’kam pa nji fytyrë burri ma klasike, as kam kundrue sy ma të gjallë e ma ekspresivë, ma të fortë e ma depërtues. Para këtyne syve, peneli e ngjyrat mund të paraqesin organin e të pamit, por me kurrënji mënyrë s’mbërrijnë të shprehin si duhet shpirtin e forcën që del nga ata dy diej drite ….

Prof. Umberto Giunti, mjeshtër pikture,

Akademia e Arteve, Siena, Itali.

 

P. Fishta njifet si poeti ma populluer i shqyptarëvet, si poeti ma i përzemërt i këtij populli …. Si këtë kemi edhe nji të madh tjetër: Rabindramath Tagore.

Dr. Ervin Stranik, Neevs Ëiener Journal, 6.10.1922

 

Kurrë gjuha shqipe nuk shprehu më shumë forcë se sa me gojën e Fishtës.

Abas Eermenji

 

“Koha e ardhshme ka me dijtë me e çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e Tij të jenë përkthye ndër gjuhë ma të përhapuna.”

Prof. Dr. M. Lambertz