E premte, 03.02.2023, 01:38 PM (GMT)

Kulturë

Cikël poetik nga Vullnet Mato

E enjte, 29.12.2011, 01:25 PM


Vullnet Mato

 

 

TRADHTIA NË MENDJE

 

Gruan e kam gjithnjë

brenda trurit,

ku vjen përqark

si nikoqire e mendjes sime.

Aty ankohet për ndonjë

gjakndezje burri.            

Qesh e më trazon

gatimet në mendime.

 

Fshin pluhurin cerebral

me ëndrra kotësie. 

Shkund mendësitë

e pa barabarta.

Kur harroj ia mbaj

të mbyllura dyert,

ajo troket aq fort,

sa më tundet kafka.

 

Dyshon mos ndoshta

ndonjë grua tjetër,

më ka hyrë brenda trurit

nga dritaret e syve.

Ndonëse e di

që më ka besnik të vjetër,

bëhet merak sidomos  

nga bëmat e fqinjëve.

 

Tek punoja në bibliotekën

e trurit të vogël

më gjeti një ditë

me një topolake të njomë,

kish hyrë lakuriq

nga televizori i dhomës

dhe me kërcime seksi

tundte belin e hollë.

 

Shtypi pultin ma nxori

nga truri pa vonesë

dhe për impulse maniake

më bëri vërejtje.

Tha: “Si gjithë burrat,

edhe ti ke tru të pabesë,

me kuçkat e botës

tradhton në mendje.

S’ka si të mos e dish

që këtë postulat,

Krishti e ka thënë

para dymijë vjetëve!“...

 

BUKURIA

 

Bukuria sa vjen

sytë po na rrëmben.

Gjithnjë e më tepër

po na shton magjinë.

Kot thonë,

mashkulli bëhet si qen,

përderisa femra i rrit

magnetit fuqinë.

 

Bukuria shkul

nga trupi pleqërinë,

bën të ndjehesh befas

banor në tropik.

Të ngjall dëshirën,

të shton energjinë,

të deh papritmas

me avujt erotik.

 

Syri që bredh kudo

pa kufizimin e lirisë,

zhvesh në rrugë femrën

më të paarritshme,

shijon format e linjës,

të përsosmërisë

dhe bëhet në çast

më uri të përbindshme.

 

Por vetëdija e mban lidhur

si qenin me zinxhirë.

Shyqyr, o zot,

ky shpëtim, shyqyr!...

 

BRENDA SHPIRTRAVE

 

Hyra brenda shpirtrave

të politikanëve.   

U futa në fshehtësi,

pa lejekalimin e vulosur.

Mu duk sikur hyra 

në shpirtrat e shejtanëve,

zienin nga mllefi 

dhe urrejtja e pasosur.

 

Te shumë shpirtra pashë

etjen për prona e biznese.

Rrallë kishin te fryma

thatësirën e shtetit.

Edhe kush avullohej

për erërat e rretheve,

bënte llogari prurjet

nga burimet e ryshfetit.  

 

Shpirtrat vuanin shpirtërisht

vetëm për fjalime,

të caktuara nga përçorët

e kopeve politike.

Kopjonin broshura,

porositnin dorëshkrime,

për të tundur ekranet

me sharje sa më bombastike.

 

Zbulova se kishin ngjashmëri

te fryma e prejardhur,

nga kryqëzimi i djajve 

me buallicat e vjetra.

Me origjinë të largët 

nga grahma e qoftëlargut, 

që vazhdon sot akoma

të na mbajë nën kthetra. 

 

NË PËRVJETORIN E LINDJES   

 

Dielli të më jepte në trup

pak energji nga rrezet,

qielli të më dërgonte në sy

ca vezullime yjore,

era të më dhuronte

pak freski nga mëngjeset,

Mund të bëhesha prapë

si në vitet rinore.

 

Shkëmbinjtë të më jepnin

në muskuj forcën,

ujëvarat shkathtësinë

e vrulleve kërcimtare,  

lëndinat dendësinë mbirëse

të barit te flokët,  

mund kthehesha sërish

te mosha djaloshare.

 

Lulishtet të më falnin

pak nga hijeshia e tyre,

çiftet të shtonin për mua

një puthje më tepër,

dashnorët të më jepnin

pak ngazëllim fytyre,

me siguri do bëhesha i ri

dhe i bukur patjetër...

 

FIZARMONIKAT

DHE SAKSOFONAT

 

Më zbrazen në shpirt

jehonat e një fizarmonike,

më derdhen në gjoks

oshtimat e një saksofoni

dhe nis më vallëzon

nëpër pistat e syve

koha kur gjoksi vajzëror

ndizte pasionin.

 

Behari më sjell

psherëtima nën yje, 

vjeshta çuçurima

puthjesh nën gjethe,  

me vegime nga ato

marrëzi djalërie, 

që ikën një herë

dhe prapë nuk kthehen.

 

Lumenjtë vrapojnë

nga brigjet dhe honet, 

të shuajnë tokat

që avullojnë nga vapa.

Çiftet e rinj turren

të ndezin pasionet

mbi hirin e puthjeve

që lamë ne prapa...

 

Koha dogji

zjarret e pasioneve tona,

por mendja dashuritë

kurrë s’i harroi. 

Ndonëse tani fizarmonikat

dhe saksofonat,

përcjellin jetën tonë

që u nis të shkojë...

 

LETRA E FSHEHUR NË HARRIM

 

Në mes librash tek shfletoja

gjeta një fletë dyshe të shkruar. 

Ca pika loti përmbi shkronja

fjalë zemre kishin mjegulluar.

 

Vetëtima kujtimi më ndezi në sy

ajo vajz’ marrëzisht e dashuruar.

Njomëzakja me shtatin e saj perri

më erdhi në përfytyrim e lotuar.

 

Ah, moj leshverdhë, flori i prerë,

ardhur befas nga koha në harrim,

me ç’fjalë ta vrava zemrën atëherë

që derdhe aq lot për shkakun tim?

 

Kush më bëri xheloz aso kohe,

për buzët e tua të trëndafilta?

Më vraftë zoti, që të bëra lotove

me dyshimet e mia të përcipta!

 

Të kisha këto mend qysh në rini,

o yll i këputur i asaj kohe të plakur, 

dhe dhembshurinë që kam tani,

veten me grushte do kisha rrahur...

 

Që ti të qeshje dhe në pleqëri

kur të kujtoje këtë lloj rrahje.

Se pendimi dhe falja te çdo njeri,

nënkupton dashurinë e madhe...

 

BABAI ME THJESHTËSINË E TIJ

 

Quhej Remzi Mato babai i ndjerë

dhe si mësues quhej thjeshtësia vet.

Nxënësve u jepte çelësa më vlerë,

për t’i hapur me duar rrugët në jetë.

 

U mësonte shartim e krasitje peme,

të thurnin me shtiza triko e çorap,

të qëndisnin me grep ornamente,

t’i bënin mandolina kungujt e gjatë.

 

Ndreqte mekanizma të çdo lloj ore.

Bënte fotografi pa rrymë elektrike,

kur binte mes oxhakut hëna diellore

stamponte mbi letër figurat filmike.

 

Bëri çikrikun vaditës në përrua,

bëri kopje njerëzore siç ishte vetë.

Pa lënë gruan të merrte diku hua,

bëri nëntë çiliminj shpejt e shpejt.

 

Bëmat pa fund të krejt veprimtarisë,

bëhen pak a shumë njëqind zanate.

Me to e me karakterin e thjeshtësisë,

ndihmonte këdo në punë e taksirate.

 

Por bëri dhe atë që nuk e bënte dot,

asnjë mësues shqiptar e minoritar, 

askush nga ata që quhen sarandiot,

dhe as vet Jugu e Shqipëria mbarë;

 

Me lapsa plumbi në shkollë katundi,

bëri mina vigane për shpërthime hata.

Minoi nga qielli Kanalin e Korfuzit,

fundosi në det anijet e fuqive mëdha.

 

Meqë incidentit nuk i dolën të zotët,

kordhëtarët vendor, stepur nga habia,

vranë mendjen kush e bëri proçkën.

Me siguri ai dhaskali që bënte çudira!...

 

Dhe pasi mori për zanatet e vërteta

rrogën mujore pesëmbëdhjetë franga,

për zanatin absurd që i dha gënjeshtra

mori pesëmbëdhjetë vjet në pranga. 

 

Tani babai im, i varrosur thjeshtë fare, 

përmendet me nderim profesori Mato.

A nuk meriton për mizoritë familjare,

dëmshpërblim si minahedhës nga Nato?... 

 

GJENERATA JONË E PALUMTUR

 

Ne ishim një brez

i lindur si përrenj,

për të vaditur thatësirën

e të gjitha moshave.

Por koha na ndali

pa u bërë lumenj,

për të ujitur kënetën

e korit të bretkosave. 

 

Ne lindëm për kurorat

e lavdive të munguara,

por klima na ndali

dhuntitë që në bisqe.

Për të kurorëzuar

lavditë e pamerituara,

na la në hije

rrezatime të fuqishme.

 

Vajzave u thaheshin buzët

për një puthje,

dhe u fishkeshin mollët

në shportëzat e pritjes.

Derisa fanatikët

këmbëkryq pa ngutje,

të ujdisnin me mblesët

çmimet e shitjes.

 

Djemve u përvëlohej

damari i gjakut rinor,

nga zinxhirët e moçëm

të ndrydhjes patriarkale. 

Për të shuar

urinë e zjarrit mashkullor,

duke shtrydhur testikujt

me erotik artificiale.

 

Guximtarët duhej

të kopsiteshin gjer në fyt,

me trupin dhe mendjen

peng për “sakrifica”.

Përndryshe rreptësia

e absurditetit utopik,

fajin e ndonjërit 

mund të lante me krisma.

 

Mendimtarët duhej

të merrnin doktrinën,

si vaksinë kundra

ndikimit të huaj si virus.  

Përndryshe shpata e orakullit

mprehej tinëz,

dhe u vringëllonte mbi koka,

për t‘i bërë sus!

 

Në dekadat vrastare

me përgjime dhe ankthe,

nxitej urrejtja mes nesh

dhe gjithë botës së lirë.

Derisa në tela me gjemba

rrethuar na mbajtën,

si Faraoni skllevërit 

e piramidës në shkretëtirë.

 

Tani që piramidën tonë

me forma të imituara,

fshesa kohore

nga sytë po na e fshin,

brezi ynë sheh në ekrane

ëndrrat e dështuara.

Gjenerata jonë e palumtur

në ikjen pa kthim...

 

DY BUZË DHE DY SY

 

Më flasin dy buzë,

më vështrojnë dy sy,

me shikimin drejt

në një fotografi.

 

Mimika e ngecur

në letrën e bromurit

Më thotë, u njohëm

në Epokën e Gurit.

 

Pastaj sy më sy

u pamë në Lashtësi,

kur shigjetat pa zë,

na gjuajtën në largësi.

 

Në Mesjetë u puthëm

fshehtas disa herë,

kur shpëtuam nga shpatat,

kokat pa na prerë.

 

Ndjenjat në Rilindje

i derdhëm nëpër letra.

U takuam në ëndrra,

folëm me zemra.

 

Në Kohën e Re dolëm

të uritur nga retë,

dhe bëmë si të çmendur

dashuri të vërtetë.

 

Do flasin ato buzë,

Do vështrojnë ata sy,

edhe kur të tretemi

të dy në përjetësi...

 

IDHULLI  I ADHURIMIT TIM

                        për Margarita Xhepën

 

Ti asnjëherë më parë

nuk kishe si ta dije,

se ke qenë idhulli poetik

gjatë përjetimit tim,

moj artiste me tri dallgë

të florinjta mbi krye,

nga valët e arta

të diellit në perëndim.

 

Në qytetit tim jugor

të pashë së pari në fëmijëri, 

kur ti vajzë e re

dogje skenën me vargje heroik.

Isha dymbëdhjetë vjeç

dhe u thash shokëve me habi:

“Ka ardhur e bukura e dheut

me zërin magjik! “

 

Netëve deklamoje

dhe luaje figura femrash,

ditën merrje diell

te pllakat e plazhit fëminor.

Duke lënë të mahnitur

turmën me sy zemrash,

kur dilje nga deti si nimfë

me xixëllim vezullor.

 

Më vonë gjalluan brenda teje

në filma e skena,

personazhet më tronditës

nga shpirt i kësaj bote.

Flisje me gojën e tyre,

merrje të tyret emra,

unë, i padëgjuari emër,

lumturohesha nga fama jote

 

Në kinemanë e sharrëxhinjve,

ku filma projektova,

të fola pa zë te perdja,

ku ti flisje gojarisht.

Pa ditur se do bisedonim si miq,

kur të vinte koha  

dhe do recitoje poemat e mia

në publik madhërisht.

 

Tani ti ke në bibliotekë

disa libra nga pena ime,

unë kam qindra role të tua

në raftet e trurit tim.

Moj e madhja artiste,

me tri dallgë thinjash mbi krye, 

perëndeshë e bukurisë skenike,

idhull për adhurim.

 

PO TË ISHA ZOTI VETË

 

Po të isha Zot i kozmosit të gjerë,

do shkëputesha pak nga yjet e tjerë,

te planeti Tokë do ndalesha të ndreq,

ca punë që kam lënë si mos më keq. 

 

Keqbërësve do ua bëja kockat magnet

t’i përpinte me forcë një tjetër planet.

Aty ku mungojnë kafshët dhe njerëzit,

të shqyenin si ujqërit njëri - tjetrin.

 

Të mirëve do u ndaja tokën barabar,

secili të kishte dynym dhe hektarë.

Te kjo pasuri që e zotëroj vetëm unë, 

lypja dhe vjedhja të kthehej në punë.

 

Zyrtarëve që u pjell miliona karrigia,

do u hiqja nga trupi prapanicat e dysta.

Vithet do ua bëja si brirë nga jashtë,

të uleshin vetëm në baltë e në kashtë.

 

Burrave që kujtojnë se u kam dhënë atyre,

muskuj për të dhunuar nënat e fëmijëve,

do u vija koqet te balli, sytë rrëzë kofshëve,

për t’i parë gratë andej me madhësi kolose. 

 

Luftuesit që mendojnë se këtë sferë qelqi,

kam krijuar si lodër zjarri për të vegjlit,

për ta djegur dhe krisur me gjyle e raketa,

do i fundosja në det bashkë me ato kleçka.

 

Ata që s’mbajnë tullumbacen time pastër, 

që u ndotin gjallesave frymën e përbashkët,

do i dërgoja ca kohë te Hëna e asfiksuar,

ta blinin nga Toka me flori ajrin e paçmuar. 

  

Pastaj do kthehesha te kopeja ime planetare

dhe Tokën vogëlushe do e mbaja si manare.

 

MBRËMË NË TELEVIZOR

 

Mbrëmë në televizor,

sytë m’i mbërtheu

një bionde 

me flokët rica-rica.

Një hënë mes reve

puplore krehur,

me dy yje te balli,

dy planete te cicat.

 

Për seksin e lirë

e të pambrojtur,

priste me gjuhën brisk

shtruar e butë.

Futej te fjalët rezervë

pa u ndrojtur,

për shenjat e fshehta

të njeriut në trup.

 

Kisha mprehur veshët

krejt i çmeritur,

të fiksoj çdo frazë

nga zëdhënësja e kohës,

që zbulonte enigmat

e botës së mbyllur, 

pasi kishte hapur

në ekran kasafortën.    

 

Dhe kur përvojën e saj

quajti më të mirën:   

“Dashurinë e kam

tek ai që më tërheq,

në shtëpi bëj

vetëm detyrën”,

thashë,

lum shtrati me magnet,

mjerë shtrati me dreq!

 

Sepse shtypjen e lashtë

me egërsi diktati,

seksi i bukur

i këtij shekulli plot qejfe,

po ia shpërblen

çomages së patriarkatit,  

duke i shkarë nga çarçafët

krejt në heshtje...

 

BILBILI I TRAFIKUT

KËNDON RREPTË

 

Më preu rrugën

një kalimtar plakaruq,

kur semafori çeli

syrin e kuq.

Bilbili i trafikut

këndoi rreptë,

më stopoi djathtas

tek një cep.  

 

Kërkoi patentën,

lejen e qarkullimit,

me sytë nga

dyndja e kryqëzimit.

Pastaj gatiti

specin djegës për mua,

që i kisha hedhur “fordit”

tri litra hua.

 

Kur mbështeti bllokun 

te xhami i parë,

pyeta veten

sa ditë pensioni do marrë.

“Diku e kam lexuar

këtë mbiemrin tënd”,

tha, duke më mbajtur

gozhduar në vënd.

 

Me mbiemër,

në italisht quhem debil,

që nxitova të kaloj

pa sinjal jeshil,

në shqip, hutaq

që më lajthit poezia

dhe rashë rob

te policia...

 

Polici ngriti kryet,

më kundroi buzagaz

duke më kthyer

të dy dokumentet pas.

“Këtë here po të fal,

o poet i vjetër,

veç mos të kapsha

një herë tjetër!...”

 

Në më kapsh,

mos më thuaj të kapa,

po më ndërse

qentë e rrugëve prapa,

të më shqyejnë pantallonat

kur të ndaloj,   

se gjoba më lë 

me gisht në gojë...

 

Tani kur kaloj

tek ai kryqëzim semafor,

polici buzëqesh,

përshëndet me dorë.

Por dhe unë vura mënd

se mirë e di,

policët e trafikut

nuk lexojnë të gjithë poezi.

 

LOTËT  PA NGJYRË

 

Mbahu shpirti im,

qëndro mos u këput,

si lotët e fëmijëve

kur duan bukë!

Lotët e valë

që duan nënën,

që duan zemrën

t’u ngrohë zemrën...

 

Lotët që kërkojnë

strehë në rrugë

që duan shtrat

të bien në gjumë,

që duan lodra,

që duan veshje,

që duan shokë,

dhe buzëqeshje.

 

Vuajtja në shpirt,

qarja në fytyrë,

rrjedh në sytë e tyre

dhimbjen e shkrirë.

Vogëlush i bardhë,

zezak vogëlush,

loti nuk ka ngjyrë 

askund tek askush…

 

Mbahu shpirti im,

lutu, o zot, o zot,

mos paçin fëmijët

vuajtje dhe lot!...

S’duroj dot t’i shoh

me sy duke qarë,

edhe po të pikonin

flori e margaritarë...

 

Ç’MË THA KALLASHNIKOVI

 

Tovarish grykëzjarrti,

Kallashnikov,

me dhëmbët në karikator

të mprehur brisk,

ç’dreqin kërkove

nga brigjet e detit Azov

të kullotësh mish njeriu

buzë detit Adriatik?...

 

-Kam mësuar flas shqip,

o allbanski poet.

Më pëlqen toka

dhe mishi i gjallë shqiptar,

qëkur më thirrët

në nëntëdhjeteshtatën vetë,

të ha ca trimosha

që koka erë u kish marrë. 

 

Jam krijuar vampir i hekurt

të pi gjak të nxehtë,

pastaj të ushqej

dheun e uritur me kërma.

S’dua të di se më urrejnë

njerëzit që duan jetë,

apo me shami të zeza

më mallkojnë nënat.

 

Ajo nënë që e do gjallë

fëmijën e vet,

le ta mësojë të mos ndërsejë

grykën time,

por t’i mbajë trutë

brenda kafkës të qetë,

se unë nuk jam krijuar

të mbaj fjalime.

 

Ç’faj kam se njerëzit

gjaknxehtë në Shqipëri,

nuk nxorën mësime

nga Afrika te Afganistani,

ku bëra rrallimin e kallinjve

të mbirë me tepri,

dhe ngopa tokën me varre, 

siç më tha shejtani?...     

 

Madje dhe tani kur flas,

ka ca kokëzjarrtë,

që avullojnë me shkulma

rreth e rrotull,

që më mbajnë fshehur,

si qenin në thark,

të leh krisma te njëri-tjetri

apo mbi popull. 

 

Unë pres

dhe dheu barkmadh pret.

Dua vetëm një yshtje

si pretekst,

të dy kundërshtarëve,

kur një më thërret,

t’u ha kokat

me shumë oreks...

 

STILOLAPSI

NGJYRË GURKALI

 

Stilolapsi im

ngjyrë gurkali,

shtoi gjithandej 

klasat paralele,

bluzat e bardha

shumoi në spitale,

mbushi udhët 

klube dhe hotele.

 

Stilolapsi im

mësimor i thjeshtë,

mbolli brazda

arave grunore,

rinoi uniforma

blu e blertë,

shtriu biznese

largësive skajore.

 

Stilolapsin im

në vite e hapësira,

shpoi galeri

tejpërtej malit,

radhiti libra,

sa mbaroi ngjyra.

Në xhep më mbeti

guri i kalit... 

 

SHENJTORJA E MJERIMIT

 

Nuk kam besuar

thëniet e vjetra,

se shenjtorët

bënin çudira e mrekulli.

Bëmat e tyre

më dukeshin legjenda,

pa fakte bindëse

për besueshmëri.

 

Kjo grua u ngrit

në lartësinë e vështrimit,

ku dielli rrezengrohës

shihet mbi tokë,

me shpirtin bamirës

të përkushtimit,

për vuajtjet njerëzore

që pikojnë lot.

 

Duke bërë që fatkeqët

pa shpresë shërimi

dhe zhelanët e braktisur

nga dashuria amtare,

të mbetur në rrugët

e botës së mjerimit,

ta quajnë veten bij

të Nënë Terezës shqiptare.

 

Ajo ishte bindja

me prova faktike,

se të bëhesh në botë

shenjtor i shërimit,

s’duhen përmasa,

apo fuqi magjike,

por zëmër vigane

që pulson për njerëzimin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora