E enjte, 25.04.2024, 12:38 PM (GMT+1)

Mendime

Çlirim Uça: Shqiptarët në vitin e madh, 2012?!

E enjte, 29.12.2011, 02:59 PM


SHQIPTARET NË VITIN E MADH, 2012 ?!

 

Nga Çlirim Uça

 

Ndërkohë që viti i një jubileu të madh ka zanë t’i numërojë ditët në minus, në vitin 2012 shqiptarët hyjnë, të paktën me dëshirën dhe detyrimin për të festue: NJËQINDVJETORIN E PAMVARESISË.

Të gjithë kanë deshirë t`i gëzohen kësaj feste, mbasi asht ngjarje e shënueme për brezat e tashëm.

Se si do të jetë kjo festë dhe sa do të festohet, mbetet të shihet. Por që na jemi të paarsyeshëm edhe në festime, edhe kjo dihet.

Thanë me gjuhën e gurit që godet, që asht reale, aq sa edhe të dhemb, shqiptarët kanë humbë rastin historik për të festue dinjitetshëm ditën e tyne të madhe: Ditën e Shekullit.

T’u thaftë goja, mund të me thonë ata të kupolës se kometës politike dhe pluhni i tyne që u shkon mbas.

Ndoshta mund të befasohen edhe disa të ngritun vonë nga gjumi, si pasojë e shkuemjes vonë në shtrat.

Nëse të dytët janë të zhurmshëm, atëherë le të mendojnë me thellë: çfarë kemi për të festue atë ditë?

Përgjigjja ime: Dështimin tonë të madh si komb njëqindvjeçar!

Mbas këtij pohimi, e kam për barrë të përpiqem ta argumentoj fjalën time.

 

Nantëdhjetë e nandë vjet u rrokullisen mbi trupin e Atdheut, si nantëdhjetë e nandë gurë mbi shpatin e një mali, tu sjellë shumë pasoja, që mjerisht nuk janë të krahasueshme me ato që lanë gurtë gjatë rrokullisjes mbi shpatet e malit. Natyrisht në gjithë ketë rrokullisje vitesh, nuk ka mund të mos këtë edhe pak fat në fatkeqësi: të vinte edhe ndonjë gja e vogël. Mbledhë të parat dhe krahasoj me të dytat, me lehtësi do të përfundosh: Shqipnia dështoj në sendërtimin e idealeve të themeluesëve të saj.

Por ne lë të festojmë atë ditë, si shpresë të se ardhmes.

 

Për ata që mendojnë ndryshe, faktet dhe argumentet e pohimit tim janë këto:

- Përkundër begative natyrore të rralla që zoton vendi, ai megjithatë mbeti vendi me i vorfën në rajon dhe kontinent, ku qytetarët nuk krijojnë mirëqenie e ardhmëni, por që nga lindja munden të konsiderohen si prodhime eksporti për tregun e jashtëm të punës.

Në krejt historinë e Shtetit Shqiptar, në mënyrë sistematike asht ushtrue shkelja e të drejtave të njeriut. Mjerisht kjo e keqe shoqnore burimin kryesor e ka pasë në oborret e pushtetarëve shqiptarë. E trishtueshme që kjo e keqe po vazhdon edhe sot në kohën e demokracisë.

- Komunikimi, si vlerë jetike, për një shekull lirie mbet jashtë rolit që mund t’i nënkuptohet. Në kohën e Mbretit, atë e ndalonte e drejta mbretnore; në kohën e Diktaturës, e ndalonte e drejta ideologjike. Për klasën politike dhe jetën institucionale, sot ajo asht gjuhë e pohimit dhe mohimit; e mashtrimit dhe gënjimit, por jo edhe e argumentimit dhe mirëkuptimit. Thanë thjeshtë: për pushtetarët, pa përjashtim krahu, ajo sot asht kthye në gjuhë të denjë sa për të folë për lisa dhe fshisa.

Deformimi i Komunikimit mbetet plaga me e madhe e shoqnisë shqiptare; kodi njëshekullore i pa gjetun asnjëherë.

- Shqiptarët dolën tanësisht të dështuem në krijimin e shërbimeve të mirëfillta institucinalo-shoqnore. Përjashto njëfarë përparimi tetëdhjetëvjeçar në arsim, kulturë, shëndetësi dhe diçka në sport, tash, prej njëzetë vitesh, edhe këto janë në ramje e sipër, vendi nuk ka krijue shërbime që do të mund të çmoheshin as simbas kritereve ma të ulta. Sado që na duket i madh numri i kundërvajtjeve dhe krimeve, që ndodhin në vend, megjithatë i duhet njohë popullit shqiptar merita e vetëpërmbajtjes. Ai jeton me shërbime mizerable.

- Shteti shqiptar nuk ka arrijtë të krijojë koncept sigurie njerëzore dhe kombëtare. Në të shumtën e kohës pasiguria ka burue nga vetë pushteti. Ai ka vra, pre, varë, poshtnue, përdhunue, internue, rrëmbye qytetaret e tij dhe për një shekull të jetës së Shtetit Shqiptarë, asnjë qeveri dhe pushtet nuk ka kërkue të vendoset drejtësia në vend, tue ndëshke keqbasit.

Këtë nuk e ka ba as pushteti demokratik, ani pse i ardhun në pushtet me premtime të atilla. Ma shumë se sa të sillte drejtësi për ata dyzetë e pesëmijë viktima të ish pushtetit të me parëshëm, ata kanë tolerua anarkinë, madje tue u ba edhe vetë aktorë të nëntokës kriminale. Po t’i shtojmë numrit të viktimave të komunizmit edhe numrin e atyne të mbretnise, anarkisë së fundme “demokratiek”, e ke të kotë ta mohosh edhe shëndetin mendor të rrënuem të popullit shqiptar. Nuk janë pa ketë lidhje edhe rastet e shumta të krimeve që ndodhin në jetën e përditëshme.

 

- Jo rrallë qeveritarët shqiptarë të kupolës kanë shitë interesat e vendit të tyne; kanë qenë miq të anmiqëve tanë kombëtar fqinjë. Ata madje kanë guxue t’u shesin atyne edhe pjesë të Atdheut tonë.

- Jo në pak kohë Shqipnia e pavarun asht dëshmue edhe si faktor i destabilitetit rajonal. Roli dhe pozita e saj prej lepuri, ka rritë oreksin e ujqëve fqinjë.

- Shteti i Pavarun Shqiptar nuk e ka përmbushë detyrimin kombëtar të përkujdesjes dhe përkrahjes ndaj popullit të vet të mbetun nën sundimin e huej. Përjashto një ndihmë shumë të vogël për Kosovën, asgja nuk asht ba për pjesët tjera. Kjo na del edhe e vetëkuptueshme: çfarë mund të bajë hallexhiu për të tjerët?

- Shteti Shqiptar nuk ka krijue traditë dhe kulturë ekologjike. Shkatërrimi masiv i natyrës po e shndërron Atdheun tonë në një bisht të gadishullit arabik.

- Në arenën ndërkombëtare udhëheqja shqiptare i ka krijue vendit të vetë një imazh shumë, shumë të keq., madje me të keq se edhe Serbia me luftërat e saja me natyrë gjenocidi.

- Shteti Shqiptarë do ta festojë njëqindvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë me Historiografi të dështueme, me gjuhë faktesh dhe argumentesh me tregue të shkuemen e vendit. Si pasojë e kësaj, breza të ri do të vazhdojnë të rrugëtojnë nëpër rrugë të pa ndriçueme.

 

Çfarë do të ndodhë në v. 2012?

 

- Kriza mendore e kryeministrit shqiptar do të thellohet.

- Do të thellohet edhe kriza ekonomiko-sociale. Ekonomisë shqiptare të randueme me borxhe do t’i zihet për ditë e ma shumë fryma.

- Kriza politike, e shprehun në urrejtje dhe luftë me çdo kusht, për ta mbajtë dhe rrëmbye pushtetin, do të marrë përmasa shqetësuese. Mes për mes kësaj atmosfere do të vjen një ditë Dita e 28 Nandorit 2012-të.

- Fantazmat e vitit 1913 janë tue pa andërr të kthehen me 2013-të.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora