E enjte, 01.12.2022, 02:48 AM (GMT)

Kulturë

Halil Katana: “Te thepi i hënës”

E enjte, 29.12.2011, 01:54 PM


“Te thepi i hënës”

 

-Liber me poezi i prof Haki Zllamit-

 

Nga Halil Katana, Tiranë

 

Për një libër me poezi, fjalën profesionale e kanë poetët. Unë do të flasë sot nga pozitat e një lexuesi që e dashuron poezinë, duke u përpjekur të kap në fluturim diçka nga mesazhet që përcjell autori në këtë vepër.

Që në fillim, dua të jem i sinqertë se unë kam një debolesë  për profesorin e letërsisë Haki Zllami me disa shokë të tij, si i paharruari Idriz Logu, Elez Qerim etj., të cilët ishin të parët që ngritën arsimin e mesëm në Tropojë. Në fakt nuk kam pasur të bëj drejtpërdrejt me këta mësues, se kur kanë ardhur këta isha larguar nga Tropoja, por edhe nga Tirana e kam ndjekur punën e tyre, kam dëgjuar famën e tyre dhe gjithmonë i kam admiruar, sepse nxënësit që mbaronin gjimnazin në Bajram Curri, ishin ndër më të mirët në Shqipëri. Dhe në qoftë se Tropoja është “Parnasi i poetëve”,- siç e ka cilësuar një miku im, shkrimtari Shpend Topollaj, një meritë të veçantë kanë këta profesorë e sidmos Haki Zllami, si profesor i letërsisë. Kultivues i kopshtit të poetëve tropojanë të sotëm unë e konsideroj profesorin e letërsisë Haki Zllami.

Profesor Hakiu mësoi të tjerët dhe pak shkrojti vetë. Tani, pas një akumulimi mjaft të gjatë shpërtheu si një vullkan me shpirtin e tij të madh, me profesionalizmin e pse jo, edhe me talentin.

Kjo vepër përmban 80 poezi, me një tematikë të gjerë e të larmishme, që përfshinë jetën që nga fëmijëria në pleqëri e në thellësi të brezave të kaluar. Tematikë që përfshinë vendet që nga Markaj, në bjeshkë, në tërë hapësirat etnike e deri te Kulla Ejfel e Parisit. Tematike që përfshinë probleme historike e shoqërore, nga shumë fusha. Secia prej peozive përcjell mesazhe dhe ky është qëllimi kryesor i autorit. Ai nuk ka shkruar poezi për të nanurisur, që merren me anën sipërfaqësore të gjerave, por poezi që të nxisin fantazinë e të vënë në mendime. Natyrisht kjo lidhet me pjekurinë e thellë intelektuale të autorit, me horizontin e gjerë kuturor,  me një botëkuptim të formuar, që i jep mundësi të depërtojë në thellësi të dukurive shoqërore, apo edhe historike.

Mesazhi më i fuqishëm që përshkon këtë vepër, është dashuria, jo në konceptin e ngushtë të saj, por në kuptimin e gjerë të këtij nocioni. Është dashuria për njerëzit dhe për tokën, për familjen, për shokët, për të voglin e për të madhin, për njeriun në përgjithësi, për vendlindjen, për bjeshkën e vrrinin, për Atdheun në përgjithësi. Në një kuptim edhe më të gjerë është dashuria për dijen, për arsimin e kulturën, për librin dhe për virtytet tona morale. Në shpirtin e këtij poeti, nuk ka vend urrejtja. Motivi i dashurisë e përshkon si një fill i kuq tërë këtë vëllim poetik.

Librin e fillon me dashurinë për mësuesin:

 

Mësues emër i dashur

Emër i respektuar

Emër në kujtesë

Kujtesa si thesar i çmuar...

 

Poeti mësuesin e ka vënë në krye për misionin e madh e të shenjtë që ka ai në gjithë botën. Mësuesi, -thotë poeti,- meriton respektin më të mirë, për të mos e harruar kurrë. Sepse mësuesi të pajis me dije, që është dhurata më e madhe e më e rëndësihme në jetë:

 

Mësuesi më bëri njeri

Të di se ç‘është jeta

Më mësoj për edukatën

Që është ushqim i shpirtit.

 

Dhe pasi ka kuptuar se ç‘është jeta, duke iu referuar përvojës së vet, autori i armatosur me dije mbi botën shpirtërore, kur ka mësuar, pra, të kuptojë se ç‘është jeta, vetëm atëhere ka filluar të ëndërrojë:

 

Dashurova me ëndrrat e para

E desha kur pashë ç‘është jeta

Ishte gonxhe trëndafili

Pikë në zemër më mbeti.

 

Shikoni sa metaforë e bukur: “ishte gonxhe trëndafili”, kuptohet gonxhe është lulja e sapoçelur, sapo ajo ka rënë në kontakt me rrezet e diellit. Pastaj: “Pikë në zemër më mbeti”. Dashuria u fut thëllë në zemrën e tij dhe aty mbeti. Nuk doli më prej andej. Në një poezi tjetër me titull “Dashurinë e thërret zemra” thotë:

 

Dashuria e vërtetë, ndjenjë hyjnore

Si përjetëim shpirtror e si betejë

Dashuria të ndez, flakë të kall.

 

Dhe dy vargje më poshtë kalon në një përgjithësim filozofik, kur thotë se dashuria, “me forcën e saj, botën rregullon”. Me këtë varg autori i ka dhënë dashurisë njerëzore vlera universale.

Në të gjitha poezitë e këtij vëllimi, autori shpalos karakterin e vet, shpirtin e tij të butë, që është i edukuar me ndjenjën e dashurisë. Në poemën “Fshati rrëzë bjeshke”, shprehet dashuria për vendlindjen, për fshatin Markaj.

 

Dashuria jote është si mjalti

Aroma jote si resi i gështenjvae

Je kënaqësia e qetësia e shprtit tim!

 

Në lirikën “Boll e mirë në atë stanishë”, shprehet bukuria mahnitëse e bjeshkës, të cilën autori  e mbyll me një pasthirmë rrënqethëse: “Ah stanishë, bjeshka e zemrës sime”!

Nuk mund ta quash vetën patriot, pa dashur vendlindjen, bjeshkën, livadhin e malin, ujit e burimeve dhe flladin e erës, por edhe murlanin e stuhitë, borën e madhe, dhe njerëzit duke ecur sipër saj me rrathë. Nuk ka thënë kot Çajupi: “Mëmëdhe quhet toka,/ ku më ka rënë koka”.

Në poemën epiko-lirike “Kosova është Dardani”- poeti shfaq vizionin e tij për trojet etnike shqiptare, dashurinë për këto troje. Dëgjoni si shprehet ai:

 

Ndala  zogjtë në fluturim

Ma falën cicërimën e ëmbël

M’u betua qyqja se do të pushojë vajtimin.

Dëgjova me qindra këngë, përkdhela me mijëra vargje

Nuk lash vend pa shkelur dhe prapë nuk u ngopa.

 

Kjo dashuri i jep autorit një forcë magjike që t’i ndalojë edhe zogjtë në fluturim, të bisedojë me ta, për ta bashkuar këngën e tij me këngën e tyre për trojet shqiptare, duke e veçuar qyqen kobëzezë e duke e bindur atë që të pushojë vajtimin.

Shumë, shumë bukur!

Ndjenjën e dashurisë e shikon të lidhur ngushtë me dhimbjen. Nuk mund të dashurojë ai që nuk e ndjen dhimbjen e tjetrit.

Autori shkon deri aty sa e ndjen edhe dhimbjen e shelgut e këtë dhimbje don tua përcjell njërëzve, që ta dëgjojnë ata, që vrasin. Atij i vjen keq kur sheh shelgun që e kanë gërvishtur dhe kullon lëng, i cili i duket sikur qanë e derdh lotë:

“Dua t’ia fshijë lotin, ta përkdhel e ta bëj të qeshë”.

Kaq e ndjeshme është zemra e këtij poeti.

 

Poezia e poetit Haki Zllami është e një stili krejt të veçantë.

Për të nuk ka shumë rëndësi rima, por ritmi. Kryesore për profesor Hakiun në poezi është figuracioni letrar. Në këtë vëllim poetik janë shkrirë me mjeshtri të veçantë të gjitha figurat letrare, duke i dhënë vlera të mëdha artistike. Janë metaforat, vet titulli “Te thepi i hënës” është është një metaforë e sofistikuar. Krahasimet: loti i shelgut si loti i nënës; e qeshura kot, si gjella pa kripë; fati qënka si rëra në grusht. Antitezat, apo kundërthëniet: Aq e kuptonim jetën, unë po ajo jo. E dinim se rrinim bashkë: unë jo, ajo po. Përsonifikimi është ndër figurat më të përdoruara në këtë vepër. A ka më bukur kur flet çakalla e mullirit të Currit, e cila don të tregojë histori.

E veçantë e këtij poeti është edhe lloji i vargut dhe strofat. Ato nuk janë uniforme, edhe brenda të njëjtës poezi. Kështu ka strofa me katër vargje, me tri, me dy me pesë etj. Ai nuk niset nga kriteri për të plotësuar vargjet në strofë me fjalë sa për numër, por nga kriteri përmbajtësor i çdo strofe, duke ndërtuar aq vargje sa duhen për ta shprehur të plotë idenë. Ai nuk e copëzon idenë në disa strofa, por as nuk fut fjalë boshe për të plotësuar sasinë e vargjeve.

Duke lexuar këtë libër ndodhesh gjithnjë i befasuar. Lexon një varg dhe vargu pasues të del krejt ndryshe nga ç‘e pret. Poeti e fut lexuesin në një pyll të dendur dhe i thotë: “tani orientohu vet, që të gjesh rrugën e daljes”. Duhet të vrasësh mendjen e të mundohesh jo pak që të kuptosh filozofinë e çdo poezie. Ky libër nuk përtypet lehtë, por të tërheq shumë e të mëson mirë.

Unë jam mrekulluar nga poezia e Haki Zllamit, nga përmbajtja e saj e thellë filozofike, nga ndjenjat e dashurisë e të humanizmit që përcjell dhe ideja e mesazheve të edukimit qytetar të brezave, për t’u sjellur në shoqëri si njerëz me karakter të pastër e me kulturë bashkëkohore, duke ruajtur vlerat dhe virtytet tona kombëtare.

Ky është misioni fisnik i mësuesit gjithë jetën.

Duke e mbyllur këtë diskutim do të dëshiroja t’i shprehja përgëzime Almaona Bajramit për parathënien e shkëlqyer, që i ka bërë kësaj vepre. Ndërsa autorit, jetë të gjatë e suksese të mëtejshme me vepra të reja.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora