Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Qazim Namani: Gjurmë të xehetarisë në rajonin e Vushtrrisë dhe Bollasicës

| E enjte, 29.12.2011, 02:56 PM |


Gjurmë të xehetarisë në rajonin e Vushtrrisë dhe Bollasicës

Nga Qazim Namani

Gërmimet arkeologjike dëshmuan se edhe në luginën e lumit Ibër, Soçanica ishte qendër urbane xehetaro-metalurgjike për eksploatimin dhe përpunimin e xeheve.[1] Rajoni minerar i Trepçës bënë pjesë në grupin e rajoneve më të pasura me minerale në Evropën juglindore. Ne po veçojmë të dhënat për gjurmë të xehetarisë në lokalitetet e komunës së Vushtrrisë dhe malet e Shalës të kësaj komune, e të cilat mund të ishin të lidhura në aspektin ekonomik dhe administrativ edhe me qytetin e Ulpianës.

Në rajonin e sotëm të Trepçës, ka mjaftë shumë gjurmë të eksploatimit të mineraleve. Në fshatin Mazhiç, në lokalitetin Lugu i birave dhe te Lugu i Rudarit, vërehen hyrje të galerive dhe zgjyrë. Gjurmë hasen edhe në gjytetin e Rashanit, Duboc, në fshatin Bare, Tërstenë, Gumnishtë, Skromë dhe fshatra tjera të komunës së Vushtrrisë. Në fshatin Gumnishtë, pikërisht në lokalitetin e quajtur Katunishta ka zgjyrë metalesh dhe themele të vendbanimit të lashtë. Në Qukën e këtij fshati janë gropat e mineraleve, Bira e Kasejt, Birat e pëllumbave, Kodra e gropave, Lugu i Hyjnicës që dëshmojnë ekzistimin e galerive të xeheroreve. Në kodrinën Boka të këtij fshati, rreth 200 m në juglindje të kishës së vjetër është një sondë vertikale e minierës.

Edhe në fshatin Majac të komunës së Podujevës ka gjurmë xehetarie. Në kodrinën e këtij fshati, në lokalitetin te arat e Rrahit ekzistojnë gropat që popullata e fshatit i quanë Gropat e Majdenit. Në arat e Rrahit janë gjetur tulla dhe tjegulla të ndryshme si dhe tuba të ujësjellësit të vjetër. Gjurmë të vendbanimit ka edhe në luginën e Klisyrës dhe në lagjen e Berishajve. Në oborrin e Daut Berishës në vitin 1974 gjatë hapjes së pusit në thellësi prej 3 m janë hasur gjurmë të një vendbanimi të djegur, kurse gjatë hapjes së themeleve për të ndërtuar shtepinë në thellësi prej 1.5 m janë hasur themele të vjetra me gurë të mëdhenj që dëshmojnë për një vendbanim të lashtë.

a. Gjurmë të zgjyrës në Bollasicë dhe në rrjedhën e burimit të lumit Llap.

Gjurmë të shumta të eksploatimit të xeheve ka edhe në Bollasicë, në lokalitetetet pranë burimit të lumit Llap. Në anën lindore të Bollasicës në kodrinën Quka e rovinave ka gropa të galerive, në anën veriore në qukën e gropave po ashtu ka gropa që dëshmojnë për nxjerrjen e mineraleve por vërehen edhe themelet e një kulle. Në lokalitetin Prollutnik por edhe në fshatin Shtitaricë ka zgjyrë metalesh dhe galeri.

Zgjyrë vërehet se ka edhe në livadhin e Dedisë dhe te lugu i Kullës së Bollasicës, pastaj në vendin ku bashkohen rrjedhat e ujit nga lugu i Kullës dhe Vrellës së Bollasicës dhe vazhdon teposhtë përgjatë rrjedhës së lumit në Marincë, Bollostenë, Tërnavuicë, Murgullë, Prepellaz, Pollatë e fshatra tjera të kësaj ane. Mbetje të zgjyrës janë dëshmuar edhe në fshatrat  në veri të Bollasicës tej kufirit të sotëm të Kosovës si: në Shtavë, Merrqi, Trebinje e fshatra tjera që vazhdojnë më tutje dhe lidhen me minierën e njohur të Rogoznës mes Mitrovicës dhe Tregut të Ri (Novi Pazarit). Edhe pse xehetaria në trevën e Kosovës nuk është hulumtuar, kjo nuk e mohon mundsinë e eksploatimit të mëhershëm të arit, hekurit e të argjendit në rajonet Albanik-Artanë.[2]

Burime tjera me përmbajtje të arit gjenden në rajonin e Artanës, në sendimentet aluviale të lumit të Marecit, afër Prekocit, përroi i Bostanit etj.[3]

Po thuaj në të gjitha këto lokalitete edhe sot mund të ndeshen mbetje punimesh minerare në formë hendeqesh, pusesh, galerish, pastaj produkte të shkrirjes së xehes, zgjyrë dhe gjurmë të vendbanimeve



[1] Qazim Lleshi, “Revista Kulturore Përparimi”, nr. 11-12, Prishtinë, 1964, fq.715,716

[2] Edi Shukriu, “Kosova Antike”, Prishtinë, 2004, fq.49

[3] Minir Dushi, A.SH.A.K., “MIneralet e Kosovës”, vëllimi II, Prishtinë, 2009, fq.66