E enjte, 29.10.2020, 07:18 AM (GMT)

Speciale » Namani

Qazim Namani: Karakteristikat Gjeo-minerare në rajonin e Ulpianës

E merkure, 21.12.2011, 07:59 PM


Karakteristikat Gjeo-minerare në rajonin e Ulpianës

Nga Qazim Namani

Vendbanimi i Ulpianës u zhvillua rrënzë kodrinave të pasura me minerale të Malësisë së Gallapit dhe tokës pjellore të fushës së Kosovës.

Kodrinat xehetare pranë Ulpianës u formuan si rezultat i erupsioneve vullkanëike në kohë shumë të hershme. Si rezultat i ftohjes së masës së vullkanëeve  në këtë rajon u formuan muret masive të shkëmbinjve të llojit të Serpentinës dhe Andezitit.

Sasia e madhe e xeheve është masë e derdhur e llavës së Vullkanëve. Muret masive nëntokësore të shkëmbinjve në këtë rajon janë të llojit Serpentin dhe Andezit. Janjeva shtrihet në afërsi të këtyre mureve vullkanëike. Masa vullkanëike vazhdon shtrirjen në veri ku në disa vende janë hasur xehe të Andezitit dhe Serpentinës.[1]

Rajoni vullkanëiko-xehetar i Ulpianës ndërlidhet me rajonin hapësinor vullkanëik përreth si: Rajonin xehetar të Artanës, Vendenisit, Bervenikut, Justiniana Primës (Caricingradit), Vranjës, Kurshumlisë, Bollasicës, Trepçës, Soçanicës, Goleshit, dhe Malit të Zi të Shkupit.

Si rezultat i erupsioneve të reja në rajonin vullkanëor-xehetar në hapësirat e cekura edhe sot lehtë mund të vërehen majat e kodrinave vullkanëike si: Veletini, Kika, Mërkoja, Suka në Prapashticë, Quka e Brainës, Quka e Drazhnjës, Musinca dhe Maja e Mprehtë pranë minierave të Bollasicës, Zveçani, Sokolica pranë Soçanicës, Visoca në mes të Cërrnicës dhe Zhitisë pranë Gjilanit, Ostrovica dhe Kodra e Tupanit në Malin e Zi të Shkupit etj., Kodra këto të cilat kanë forma karakteristike të vullkanëeve.

a. Gjurmët e para të punimeve minerare në rajonin e Ulpianës

Gjurmët e para të veprimtarisë xehtare në rajonin e Ulpianës, Prishtinës dhe të Janjevës  na çojnë në mileniumin e tretë para erës sonë në brigjet e lumit të Graçanicës me rrethinë.

Formacionet e shkëmbinjve silicor (të quajtur gurëgacë) që kanë veti të copëtohen për ti përdorur si vegla të punës dhe për gjueti ishin mjaftë të kërkuar në periudha të hershme historike.

Kur këto formacione të shkëmbinjve njeriu i epokës së gurit nuk i gjente në sipërfaqe filloi ti kërkoi nën tokë. Pikërisht këto depërtime në thellësi të tokës përfaqësojnë zanafillën e punimeve minerare. Shfrytëzimet e para të xeheve të Gurëgacës, Bakërit dhe Hekurit janë të epokës parahistorike.[2]

Pranë këtyre kodrinave me shkëmbinj të serpentinit dhe tokës pjellore bazuar në gjetjet arkeologjike mund të pohojmë se jeta filloi që në shekullin V para erës së re në periudhën e epokës së re të gurit ku u gjetën dhe gjurmë të vendbanimeve.

Në gërmadhat e themeleve të shtëpive të vjetra në Badoc dhe rrjedhën e lumit të Graçanicës janë gjetur sopata dhe vegla tjera prej Serpentinit të lëmuar dhe prej Ahatit. Po ashtu në këtë vendbanim janë gjetur edhe copa amorfe të galenitit të cilat dëshmojnë gjurmë të zanafillës së eksploatimit të mineraleve dhe xeheve në këtë rajon.[3]

Edhe pse këto janë dëshmitë e para primitive të eksploatimit të xehetarisë, fillet e para të eksploatimit të hovshëm të kësaj veprimtarie duhet kërkuar në lokalitetet e para të vendbanimeve në shëkullin e V para erës së re në rrjedhën e lumit të Graçanicës dhe në rrethinën e Janjevës.[4]

b. Banjot e vjetra dhe ujërat termale

Ky rajon vullkanëik edhe në ditët e sotme përveç pasurisë minerare  është i njohur për ujëra të nxehta termale dhe  lëvizje tektonike që shpesh herë kanë shkaktuar edhe tërmete të fuqishme me pasoja fatale të njohura edhe përmes burimeve historike.

Në këto anë janë edhe sot të njohura disa burime sipërfaqësore të ujërave termale pranë të cilave që nga periudhat e hershme iliro-romake u ndërtuan banjo për kurimin e sëmundjeve të ndryshme. Si banjo të hershme mund të cekim Roma-banjën e cila pushoi së ekzistuari pas tërmetit të njohur në Dardani në vitin 518 të erës së re, kur gejzeri me ujëra termale u zhvendos në një distancë prej rreth 15 km në Siarinën e sotme. Përveç kësaj banje sot në këtë rajon janë të njohura edhe disa banjo tjera si: Banja e Kllokotit, Kushumlisë, Dobërçanit, Lluzhanit, Pejës etj. Përveq banjove janë evidentuar edhe disa dhjetëra burime me ujë të thartë. Vlenë për të cekur se hulumtimet e mëvonshme zbuluan në fshatin Prapashticë, në rrethinë të Ferizajit dhe në fshatin Burrnik ca elemente të Bitumen-asfaltit që kanë dalur në sipërfaqe te tokës.[5]

Hammeuma (Kurshumlia e sotme), ka gjurmë të lashta qytetërimi, që nga periudha romake. Në rrethinën e qytetit ekzistojnë tri banjo: Prolom, banja e Kurshumlisë dhe banja e Lukavës.[6]

Për ekzistimin e një banje të vjetër që nga koha romake në mes të Kushumlisë dhe Prepellacit shkruan edhe Mil. J. Nikollajeviq.[7]



[1] Nikola Colak, Ive Mazuran, “Janjevo”, Zagreb, 2000, fq. 13

[2] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Skara 1, Prishtinë, 1999, fq.84

[3] Emil Çershkov, Revista kulturore dhe shkencore “Përparimi”1-2, Prishtinë, 1964, fq.75

[4] Po aty fq.75

[5] Minir Dushi, “Xehetaria e Kosovës gjatë shekujve”, Dardania Skara 1, Prishtinë, 1999, fq.92

[6]  Gazeta, “Danas”, Beograd 01.07.03.

[7] Mil. J. Nikolajeviq, Severna stara Serbija, Beograd,  1892, fq.61



(Vota: 6 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora