E marte, 19.03.2024, 02:47 AM (GMT)

Kulturë

Selim Nëngurra: Një za i ri poetik shpresëdhanës

E merkure, 21.12.2011, 07:59 PM


NJË ZA I RI POETIK SHPRESËDHANËS

 

Nga Selim M. Nengurra

 

Që poezia asht mbretnesha e artit të shkruem nuk ka dyshim. Por shumëkush shkruen vargje, jo poezi. Poezi shkruejnë vetëm talentet e lindun, që ma vonë, gjatë jetës, përsosen pa rreshtë, tue

u pajisë me përvojat, gëzimet, dështimet e zhgenjimet e jetës. Kur të gjitha  këto, të grumbullueme në mbrendësitë dhe labirintet e shpirtit, sa nuk ka ma vend, shpirti i poetit bahet vullkan dhe shpërthen me llavën e vet në vargje, që s’njohin ma të ndalun, porsi burimi i ujnave të lumejve që burojnë në Alpet tona shqiptare.

 

Ka tashma dy tri vite kur pata rastin të lexoja në saidin zemrashqiptare.net, dy tri poezi të nji autoreje deri atëhere të panjohun, pothuej krejt anonime për lexuesin shqiptarë, dhe për çudi, menjiherë pata krijue bindjen se ishte fjala për nji talent të madh të vargut, që ndoshta shumë shpejt do të dëgjohej kudo flitet shqip. Ishte autorja Myrvete Mehmeti, mërgimtare shqiptare, e lindun në Mitrovicë në vitin 1970. Si shumë shqiptarë, me hallet e jetës, edhe Myrveten jeta dhe situata politike, që mbretnonte në ato vite të errta në Dardani, të mberthyem nga falanga serbe e Millosheviçit, e detyroi të largohej nga vendlindja, për t’u strehue së pari në Slloveni. Ky shtegtim shpejt iu ba nji ODISEJADË. Nga këtu kaloi në Austri, ma vonë në Holandë, Gjermani e tash disa vite jeton në Norvegji. Nanë me tre fëmijë, dy vajza e nji djalë, tue u përballë jo tashma me vorfni, sepse sa për bukën dhe shpenzimet e banimit ato i ka të sigurueme nga shteti dhe komuna, si çdo qytetar në këtë shtet, kjo grue e re shqiptare përplaset me hallet e tjera të jetës, sepse jeton me ankthin a do ta gjejë agu në banesën e saj ku e ka xanë mbramja. Për shkaqe e probleme të veçanta, i asht terheqë mbrapa nga shteti Norvegjez lejeqendrimi, që ia kishte dhanë Norvegjia para 8 viteve. Tash ajo përplitet me këtë problem, sepse nuk e ka të mundëshem këthimin në Atdhe.

 

Si duket Myrveten, talente e lindun për t’u ba poete e përmasave kombtare, së paku në mesin e dardanëve, edhe jeta e mesoi dhe ia imponoi që të shfrente brengat në vargje, të kundërshtojë padrejtësinë me vargun poetik, t’i gëzohet së mirës po me vargje, të shijojë natyrën dhe bukuritë e saj nëpërmjet vargut, t’i këndojë dashunisë, që ndoshta i ka mungue dhe nuk e ka shijue, së paku jo në atë nivel që ajo e ka andërrue, por Myrvetja i kërkon ate në vargje. Kjo poete, për motive personale, tronditjet që i ka shkatue jeta i mban të mbylluna në thellsitë e shpirtit dhe ka zgjedhë heshtjen në komunikimin me të tjerët. Edhe po ta takojsh, edhe në shoqni ma të gjanë, ajo nuk flet, ajo hesht. Kam zgjedhë heshtjen për me folë, thotë ajo, dhe njeriu ban çudi kur e dëgjon.

 

Kishim para disa ditëve një tubim për formimin e Lidhjes të Shkrimtarëve dhe Krijuesëve e Artistëve shqiptarë në Norvegji. Për fat, njeni nga organizatorët e tubimit, e kishte ftue edhe zonjen Myrvete Mehmeti. Aty isha edhe unë, si njeni prej nismëtarëve i idesë për të themelue Lidhjen e Shkrimtarëve shqiptarë në Norvegji.

 

Mbasi u tubuem disa dhjetra krijues, unë, ashtu pa farë procedure të veçantë, por spontanisht, hapa tubimin. Mbas diskutimeve edhe të krijuesëve të tjerë, si z. Ramiz Kuqi, z. Imri Trena etj., etj., kaluem në leximin e disa pjesëve nga krijimtaria jonë. Lexuen të gjithë diçka, pa u zgjatë. Pothuej të gjithë ishin krijime të mira, por poezia që lexoi me aq modesti Myrvete Mehmeti, ishte pa ma të voglin dyshim brilante, ishte aq me vlera, sa unë u gëzova që mbas saj nuk pat të tjerë për të lexue. Nuk hahet turshija mbas mjaltit, thotë nji fjalë e popullit.

 

Më lindi ideja e dëshira që Myrveten ta zgjedhnim Kryetar të Lidhjes, jo për tjetër, por për poezinë me aq vlera që na dhuroi.

Rrethana të natyrës rutinore të këtyne lloj tubimesh, ku njohjet kanë rolin kryesor, nuk na e dhanë këte mundësi.

 

Provova ta propozoja për Nenkryetare, por Myrvetja, tepër e urtë dhe modeste, paksa u hutue me propozimin tim, po ajo, me shumë modesti, tha se nuk mund të pranonte. U zgjodh kryesia dhe ajo tash ka mandatin për me çue veprimtarinë e Lidhjes përpara dhe me dëshmue vlera krijuese. Me randësi asht se edhe Myrvetja asht aty me vargun e saj befasues.

 

Edhe Myrvetja, sikur të tjeret, na dhuroi librin e saj të parë, "ATY KU JANË TË NGUJUARA LUMNITË".

 

Libri asht i ndamë në tre cikle: 1. Duert e dashunisë; 2. Drita e çastit të fundit; dhe 3.Rruz`ujza.

 

Redaktori Prend Buzhala për librin thotë: Ky liber sugjeron dialoget e shenjtë... me dashuninë, të bukuren, përgjërimin, me ecjen e shenjtë nëpër hapsinat e shpirtit...

 

Dhe ka të drejtë redaktori, sepse vërtetë në vargun e Myrvetes dashunia asht temë supreme, që madhështon në vargun poetik të saj. Me nji mjeshtri të rrallë, do të thoja gati të papame, poetja,

tue i këndue dashunisë, i këndon jetës dhe të bukures.

 

Tue lexue unë tash vargjet e Myrvete Mehmetit, në librin e saj, që ma dhuroi, shoh se në ato vargje ka nji embrion, i cili qendron i mbyllun në trajtën e vet. Aty ka vetëm nji qellim: Ti këndohet dashunisë... që do të thotë, t’i këndohet jetes e të bukures. I këndon poetja edhe fatit;

 

Ne duer s`patem kurrë.

Patem veç qiellin në sy

e krojet e Mirushes në gji.

 

Dhe po sikur punëtori në arë mbas lodhjes, kur lëshon nji ofshamë dhe mbush mushknitë me ajr per energji të reja, edhe poetja vazhdon:

 

... nji jetë t`vonueme,

që kerkon e mohon aq shumë,

dhe nji botë iluzionesh.

 

Shfryen mllefin në zhgënjimin e saj për mosrealizimin e iluzioneve, per të cilat ajo, po sikur çdo njeri, ka të drejtë.

 

Ishin këto vargjet nga vjersha " TË ISHA ERË ..."

 

Në poezinë " PARADOKS " poetja kundërshton jo me klithma, por me heshtje, pse edhe mengjeset nuk janë ma sikur ishin?!

 

Natyra është kaq e çuditshme!

njiherë shperthen si mrekulli e gjallë

pastaj ha veten e vet, në nji këso stine.

" HESHT " asht vjerrsha tjetër që meriton vemendje:

 

Hesht zemer, hesht!

qenë njiqind e nji lumni

që linden per ty.

 

Asht shumë interesant kanga " ENIGMË PASQYRE ", pastaj " RRUZ ÙJZA " etj., etj., vargje brilante të kësaj poetje për të cilen, padyshim që do të degjohet dhe padyshim se shumë nga poetet tashma të deshmuem do të flasin me "xhelozi", por do të përulen me respekt para saj.



(Vota: 14 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora