Kulturë
Poezi nga Shefik Shkodra
E marte, 20.12.2011, 08:11 PM
SHEFIK SHKODRA
TAKIMI ME MIKUN
Pranoi të falat i nderuari mik!
Një mahi a dy si një libër i vogël
kur njehson kujtime e përjeton
ndoj rrëfim të ëndshëm dashuror
nga mëngjesi ecën prajshëm
në punët ditore ngarkesë e lehtë
kjo ngjan në takim me dashamir
e kupton seriozisht e të dëgjon
si loja e fëmijëve dikur në lëndinë
jo naive, po krejt çiltërisht
kur takohesh me dashamir
qeshet gjithë fytyra si dielli
qiellit të pastër me kaltërsi
gëzuar kafja e avullt në mëngjes
Mik i moçëm – mik i ri!
ZËRIT TË ÇJERRË
Me fjalë të çarturish s’ngritë gjëmë
s’e bën fetin as në skenën botërore
si do minj që rrinë n’dy këmbë –
qyteti i njeh shtihanët e gjorë
si rrahin gjoks e lëpijnë lëvdata
që s’u përket as më e vogla trohë
kur bie thërrmi mbetur nën tryeza.
Vetë do ‘gritha’ i vizatojnë n’zallë
hanë në një kavanoz e fryjnë bulshitë
larg kutërbojnë se ka nis sërish
qen’ i Panlaverit po jargon n’pleh
me gjithë turpin krenarisht po leh
me te do rrjepacak ngrehin turinjtë
e shurdhojnë me lamë-lame rrethit
u lënë flamën n’vesh dhe atyre pleqve
pa i kursye as njomakët ndër rrahe
pas tyre që shkojnë pa hile si në kor
ndjellin kobin në mes të shtëpisë
krejt gjindes ua ngjesin zhugën
i ndyjnë si të qelbëtit e gjithë botës –
kë qëllojnë të parin eracakët në turr
si t’ishin gjoli i të lënave t’mëhallës!
VERBUM VERBI
Melodike e notuar
nga bilbili fishkëllimë
jehonë për dashurinë
kush s’e ndien të zogut
s’e kupton as të korbit
E butë e ndjeshme
për qenien njeri
çdo kë josh
çdo lëndë thyen
formon qumësht – ëmbëlsirë
dhe acid që djeg e shkrin
çdo kë hidhëron
në raste tmerron
dhe çdo kë mbron
nga zënka ndalon
Kështu del me frymë
nga fuqia e brendshme
te dikush veç tinguj
shushuritës a rrokje
te ndonjë veç zanore
të turbullta e pa kuptim
të tmerrshme britma
kakofoni e mërzitshme
jo njerëzore po anomale
*
Grizhëza, kreu-kreu
dhe të gjithë imiton
(njeriun, kalin, lopën,
macen, dhinë…)
laraska ka veç dy rrokje
qeni veç një, monoton
si gomari dhe ftigani!