Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fotaq Andrea: Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit

| E diele, 18.12.2011, 09:04 PM |


ORIGJINA SHQIPTARE E TROTUAREVE TË PARISIT

 

Sipas një artikulli të botuar në revistën franceze “L’Illustration” të vitit 1913.

 

Nga Fotaq Andrea

 

Vetëm pak muaj pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, danezi Franz de Jessen do të ishte ndër gazetarët e parë evropianë që do të vizitonte Shqipërinë e pavarur dhe do të botonte në organe të ndryshme të shtypit të kohës, veçanërisht në dy numra të revistës franceze “L’Illustration”, një reportazh të gjatë mbi vendin tonë. Në shkrimin e tij titulluar “Shqipëria e re”, botuar më 14 qershor 1913, ai i bën një përshkrim të bukur udhëtimit nga Durrësi për në Tiranë, i impresionuar në mënyrë të veçantë nga peizazhet e qeshura, gjithë dritë e pjellori, me pemishte, luadhe e korije. “Trandafili i egër, shkruan ai, kulpëra dhe jaseminet e lulëzuara parfumojnë flladin e detit...” dhe vetë “Tirana ka një hijeshi që vështirë ta përshkruash. Mbrojtur nga veriu prej malesh të larta, ajo është krejt e përfshirë në gjelbërimin e rrepeve të saj, të maneve e qiparisave dhe të kopshteve pafund, ku mpleksen portokalli, limoni, dafinat dhe mërsinat. Kudo ujë, burime, ujëvara”.

Këtë bukuri të natyrës shqiptare, veçanërisht tiranase, gazetari i mirënjohur evropian nuk mungon ta shohë në antitezë me klimën e rënduar politike në vend, ku krahas Qeverisë së përkohshme të Ismail Qemalit në Vlorë, vepronte në mënyrë separatiste, mbështetur nga autoritetet serbe etj., edhe shtatmadhoria e Esat Pashës, e cila sapo kishte filluar të ngrinte një administratë të veçantë në Shqipërinë e Mesme. Figurën e pashait toptanas, autori e trajton në reportazh si një ushtarak ironik, veshur me petkun e një diplomati, por që “kombinon në vetvete manierizmat orientale me ashpërsinë e një bejlurçini prusian”.

E megjithatë, përtej paraqitjes realiste të klimës politike të tensionuar, autori trajton në pjesën e dytë të shkrimit një çështje me interes të veçantë, titulluar : “Origjina shqiptare e trotuareve të Parisit”. E shohim këtë herë gazetarin danez Jessen të lërë çifligun e Esat Pashës dhe intervistat e tij ironike e të mjegulluara, e të marrë rrugën për në Selenicë të Vlorës, ku ndodhen minierat e serës, “që me sa duket, përfaqësojnë - siç nënvizon shënimi hyrës redaksional -, industrinë e vetme ekzistuese në Shqipëri”. “Është me interes të vëmë në dukje, thuhet po në këtë shënim, se janë pikërisht këto miniera shqiptare – të shfrytëzuara që prej njëzet vjetësh nga një Shoqëri franceze –  që shërbejnë për mirëmbajtjen e trotuareve të Parisit”.

 

Është e njohur që Shqipëria e pavarur e fillimit të vitit 1913, mbisunduar nga prodhimi i vogël zejtar, nuk numëronte më shumë se 33 ndërmarrje prodhuese me kapacitet tepër të kufizuar. E megjithatë, Jessen parapëlqen ta nisë shkrimin e tij duke theksuar se “Minierat e Selenicës kanë qenë të njohura në mbarë antikitetin, por shfrytëzimi i tyre metodik ka nisur nga dita kur Kompania franceze u vendos në vend”.  Dhe ai jep arsyen e një interesimi të tillë: bitumi që përpunohet në Selenicë të Vlorës është një mineral tepër i pastër, “puro”, siç thuhet në kësi rasti. Përdoret sidomos, vijon ai, për shtrimin e rrugëve dhe të trotuareve moderne.

Por çka paraqet edhe më shumë interes në artikull, është fakti që kapaciteti prodhues i kësaj miniere, rreth 5.000 ton serë në vit e rëndit Selenicën tonë në vendin e dytë në botë për prodhimin e këtij minerali me vlerë, pikërisht menjëherë pas minierave të përngjashme të ishullit Trinidad. “Nuk ka pothuaj në botë, vë në dukje autori, qendra të tjera për një prodhimtari kaq të madhe”.

Ky rekord shqiptar në prodhimin e këtij minerali nuk ka si të mos të na sjellë ndër mend edhe rekordet tona të famshme botërore në prodhimin e kromit apo edhe të mineraleve të tjera, me të cilat është aq i pasur vendi ynë, ashtu sikurse është i pasur edhe me ujëra, det, ajër mali e fushe, dhe fuqi të re punëtore. Veçse, për fatin tonë të zi, këto rekorde faktike dhe këto kapacitete të fuqishme do të vinin përherë duke u sfumuar e bastarduar, duke shkuar madje gjer edhe në ngrirje të plotë, nga efekti paralizues e rrënues i politikave të brendshme, vazhdimisht violente, përplasëse dhe tensionuese në vend, gjer edhe skllavëruese të shpirtrave të njerëzve tanë, që asnjëherë nuk ua panë hajrin jo më këtyre rekordeve prodhuese, por as edhe lumenjëve e burimeve të shumta, apo Rivierës sonë bukuroshe të përgjumur. Politika të tilla të brendshme klanore, mesjetare dhe tërësisht antishqiptare, me interesa vetëm meskine e egoiste, që shpalosin gjatë fushatave zgjedhore demagogjinë më të përkryer lajkatare, dhe rrjedhimisht më të urryer, edhe vetë diellin po e skllavërojnë sot në dheun shqiptar me rekordet e famshme të ndotjes së mjedisit në vend.

Por le t’i kthehemi gazetarit Jessen të vitit 1913 në minierën e Selenicës, ku nëpërmjet tre fotografive të veçanta, me vlera historike, pasqyron çaste nga puna për përpunimin dhe transportimin e kallëpeve të serës në formë rrotullash. Pasi paraqet formacionin gjeologjik të vendodhjes së mineralit, përbërjen, shtresëzimet, thellësinë, dhe në mënyrë të veçantë përhapjen e tij të skajshme – gjë që kërkonte funksionimin e njëkohshëm të mjaft kantiereve të pavarur nga njëri-tjetri –, autori ndalet në mënyrën e rrëzimit të masës së zezë minerale sipas metodave përdorur gjerësisht në minierat e qymyrit të kohës, veçanërisht nëpërmjet shkuljes me kazëm e qysqi. Më pas, minerali transportohej me anë thasësh gjer tek galeritë e vagonetave apo të çikrikut, dhe që andej nxirrej jashtë. Minerali i nxjerrë, ndahej në dy kategori : një pjesë, e cilësisë së parë, që stokohej si e destinuar drejtpërdrejt për shitje, dhe pjesa tjetër e destinuar për pastrim, që çohej në furra nëpërmjet shinave, një element ky i vënë në dukje për të përcaktuar njëfarë shkalle mekanizimi e modernizimi të kësaj miniere.

 

Pas pastrimit në furra, sera e lëngshme derdhej në kallëpe cilindrikë, ku ftohej dhe krijonte rrotulla të pastra sere prej 25 kg secila. Këto rrotulla transportoheshin më pas me mushka gjer në portin e Vlorës, përgjatë një itinerari prej 18 km. Këtë mjet primitiv transporti, që e detyronte Shoqërinë franceze të shfrytëzimit të mbante në ruajtje një numër të madh kafshësh ngarkese, autori e përligj me vetë karakterin e terrenit, jashtëzakonisht i thyer e i gërryer dhe ku, përveç shtigjeve të ngushta në faqe kodrinash, mungonin tërësisht rrugët. Mjetet e transportit modern, vijon autori – duke patur këtu parasysh ndërtimin e një hekurudhe –, nuk janë vënë në përdorim për shkak të kostos së lartë të shpenzimit paraprak që do të nevojitej në këtë rast.

 

Miniera e Selenicës drejtohej në atë kohë nga Moris Bernard, inxhinier i diplomuar në Shkollën e Minierave të Parisit, i cili kishte edhe rezidencën e vet po në Selenicë. I vetmi francez në vend, thuhet në artikull, ai përfaqësonte me shumë dinjitet veprimtarinë franceze në atë skaj të Shqipërisë, duke pasuar në këtë detyrë mjaft inxhinierë të tjerë, e ndër ta, Moris Bardier-in, në atë kohë Drejtor i Shoqërisë franceze të Minierave të Parisit.

Në përfundim të artikullit, autori do të theksojë se nga porti i Vlorës sera shqiptare do të përcillej në tregjet evropiane me avullore të posaçme apo anije të tjera të shoqërive të lundrimit, të cilat kishin lidhje me portin e Vlorës. “Dhe në këtë mënyrë, përfundon artikulli, bitumi i Selenicës shqiptare mbërrin në rrugët dhe trotuaret pariziane”.