E premte, 19.04.2024, 05:35 PM (GMT+1)

Mendime

Blerim Çoçaj: Pajtimi i (pa)mundur

E shtune, 17.12.2011, 08:58 PM


Pajtimi  i (pa)mundur

 

Kandidati për President,Seremb Gjergji, premtoi se  do të jetë faktor pajtues për rritjen e mirëkuptimit dhe pajtimit ndërmjet faktorëve politik në Kosovë. Sipas tij, me anë të pajtimit politik, do të rriten investimet, punësimi dhe mirëqenia ekonomike e sociale. Kjo platformë politike në shikim të parë  duke shumë fisnore dhe humane, por  në aspektin praktik, pavarësisht vullnetit të mirë, do të jetë shumë e vështirë  të realizohet.

 

Nga Blerim Çoçaj

 

Poeti Gjergj Fishta është figura më e madhe dhe më e fuqishme e letërsisë shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë. Emri i tij, më shumë është i lidhur në mënyrë të pashlyeshme me një nga krijimet më mahnitëse në mbarë historinë e letërsisë shqiptare, konkretisht poemën epike “Lahuta e Malcís”. Përveç, me krijimtari letrare Fishta, ka analizuar dhe shkruar edhe për zhvillimet politike të asaj kohe në Shqipëri. Ai ishte fort i zhgënjyer  me  zhvillimet politike të viteve ’20 në Shqipëri. Në një dorëshkrim, ai  shpreh zhgënjimin e tij, për përçarjet e faktorit politik. Fishta i trembej   edhe copëtimit të trojeve shqiptare, që lirinë e pavarësinë e kishin kthye në një “vlerë” për nevojat e tyre, dhe jo për të mirën e shqiptarëve. Afër një shekull pas shqetësimeve të Fishtës, situata politike në Kosovë dhe  Shqipëri, fatkeqësisht nuk ka ndryshuar për të mirë.  Madje, kur e lexon me kujdes dorëshkrimin e para 80-të vitesh të Fishtës, të krijohet përshtypja se Ai,ende është ’gjallë’ edhe fizikisht në mesin tonë, por që  fshehurazi është duke na vëzhguar dhe shkruar  për ngjarjet aktuale politike dhe shoqërore  të vendit. Të gjithë qytetarët shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe ata që jetojnë në diasporë nëse dëshirojnë të informohen për zhvillimet politike dhe  shoqërore të vendit të tyre, nuk kanë nevojë të përcjellin mediat elektronike dhe ato të shtypit. Mjafton të marrin në dorë dhe të lexojnë dorëshkrimet e Fishtës,Konicës... dhe aty do të njoftohen për të gjitha zhvillimet aktuale në Kosovë e Shqipëri. Edhe pse këto dorëshkrime janë shkruar  para një shekulli, zhvillimet aktuale politike në trojet shqiptare, i kanë fuqizuar dhe  po i japin peshë edhe më shumë. Kosovë dhe Shqipëri edhe sot përballen me probleme të njëjta. Politikanët më shumë se kurrë vazhdojnë të jenë të përçarë,ndonëse bashkimi i tyre më së shumti i duhej qytetarëve të ardhmes së  dy vendeve. Tri vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ende po përballet me shqetësimet e viteve ’20-ta të Fishtës. Ajo po përballet me rrezikun e ndarjes së Mitrovicës. Ky rrezik i ndarjes sot është bërë problem edhe tek faktori ndërkombëtar. Serbët kërcënojnë me shpalljen e pavarësisë së pjesës veriore të Mitrovicës,ndërkaq shqiptarët e Luginës së Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit në shenjë “hakmarrjeje”,kanë paralajmëruar se njëjtë do të veprojnë edhe ata nëse një gjë  të tillë e bëjnë serbet  në Kosovë.  Bashkimi Evropian,ndërkaq po i përdorë të gjitha mekanizmat për të zgjidhur çështjen e Mitrovicës. Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt, shkoi aq larg sa që propozoi  që veriu i Kosovës, të hidhet për diskutim në tryezën politike në Bruksel. Faktori politik  këtë situatë të rëndë të Mitrovicës, po e shikon në prizma të ndryshme. Ata nuk po i bashkon as ky problem serioz i ndarjes së  Kosovës. Secila parti politike këtë çështje po e përdor para opinionit vetëm  për konsum të brendshëm. Ata në vend të  bashkimit janë përçarë dhe bërë pikë e pestë...

 

***

 

Kandidati për President të Kosovës, Seremb Gjergji,javën e fundit shpalosi platformën politike të tij, për postin e të parit të vendit. Ai këtë platformë e mbështet në pesë shtylla. Në këtë platformë Gjergji,premton shumë angazhime për t’ia siguruar vendit një të ardhme më të mirë. Ai,në këtë platformë politike parasheh një element shumë interesant, fisnor  por edhe human. Seremb Gjergji si kandidati për President, premton se  do të jetë faktor pajtues për rritjen e mirëkuptimit dhe pajtimit ndërmjet faktorëve politik në Kosovë. Ai është i bindur se vetëm me anë të pajtimit politik, do të rriten investimet, punësimi dhe mirëqenia ekonomike e sociale te të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Por, a do të mund t’i pajtojë politikanët  edhe nëse vije  në krye të  shtetit, Seremb Gjergji ?

 

***

 

Shkrimtari Anton Çetta në vitet ’90-ta kishte arritur të pajtonte me mijëra familje të hasmëruar dhe dukuria e keqe e gjakmarrjes pothuajse ishte zhdukur krejtësisht deri kah mesi i viteve ’90. Ai nuk kishte provuar asnjëherë që paralelisht me familjet e hasmëruar të pajtojë edhe faktorin politikë të asaj kohe, edhe pse përçarjet e tyre i shkaktonin dëm Kosovës. Shkrimtari Çetta mbase e dinte se një përpjekje e tillë do të kishte qenë e pamundur të ketë sukses. Përçarja e fundit të ASHAK-ut, është treguesi më i mirë se ky ‘fenomen’ në mesin tonë nuk është për shkak mungesës së shkollimit dhe emancipimit, por  është një  problem gjenetik.  “Le ta dijë bota mbarë se Gjergj Fishta s´është më shqiptar!“. Kjo metamorfozë e  Fishtës, fatkeqësisht ende është e gjallë. Ai këtë metamorfozë nuk e kishte përdorë për shkak se i vinte turp se ishte shqiptar, por pikërisht për shkak se ishte i  zhgënjyer deri në palcë me përçarjet e asaj kohe të faktorit politik. Përkundër zhgënjimit, as Fishta nuk kishte bërë përpjekje që të pajtojë faktorin politik të asaj kohe. Kandidati për President të Kosovës, Seremb Gjergji,është i pari që ka premtuar dhe paraparë në programin e tij, që të pajtojë faktorin politikë. Në platformën politike,Gjergji nuk tregon për mënyrën apo metodën që do ta përdorë për të arritur këtë qëllim. Pak besoj se do të mund të ketë sukses në këtë qëllim, edhe nëse do të mund  të vijë në krye të shtetit. Janë  shumë arsye që bëjnë të vështirë dhe të (pa)mundur pajtimin e politikës në Kosovë. Liderët politik deri më tash kanë treguar se mund të ulen vetëm me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe të pajtohen për interesat  e tyre të  ndërsjella politike, por  jo edhe për çështje të tjera, që janë në interes të vendit. Partitë politike në vend përveç që kanë probleme mes vete, ato përballen edhe me përçarje të brendshme. Nuk ka subjekt politik në Kosovë që nuk funksionon me anë të fraksioneve. Ato brenda ‘shtëpisë ‘ së tyre janë ndarë në dysh. Përçarjet e tyre të brendshme çdo ditë e më shumë po marrin përmasa shqetësuese për stabilitetin politik të vendit. Pajtimi i tyre thuaja se është bërë i pa mundshëm. Kushtetua e Kosovës, parasheh qartë se Presidenti, duhet të jetë person unifikues i liderëve dhe partive politike, por jo edhe të problemeve të brendshme. Dy ish-presidentët Fatmir Sejdiu dhe Behxhet Pacolli, pikërisht për shkak të përçarjeve dhe ndarjeve të partive politike,”fluturuan” nga Zyra e Presidentit, pa ju dhënë as mundësi më e vogël, që  të tregohen se janë persona unifikues. Platforma e kandidatit të parë të  pavarur për President, Seremb Gjergji,për pajtimin e politikës në shikim të parë  duke shumë fisnore,humane dhe e domosdoshme, por në realitet dhe në aspektin praktik, pavarësisht vullnetit të mirë, do të jetë shumë e vështirë të realizohet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora