E merkure, 24.04.2024, 04:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Pirro Loli: Poetet me shenjë

E premte, 16.12.2011, 08:52 PM


POETET ME SHENJË

 

(ESSE)

 

NGA PIRRO LOLI

 

Nuk ka poet të madh në botë që me t’i kujtuar emrin, të mos të të vijë në mend “një shenjë”, (një simbol, personazh, situatë, detaj, gjetje ...) që ka mbërthyer imagjinatën njerëzore. Kjo shenjë ata i bën krejtësisht të dallueshëm nga të tjerët. Homeri ka shumë shenja, por mbahet mend ai detaji kur Priami plak puth duart vrastare të Akilit, Dante Aligeri mbahet mend për rrathët e Ferrit, Servantesi për Don Kishotin, Shekspiri për Hamletin, Gogoli për “Shpirtrat e vdekur”, Naimi për “Lulet e verës”, Ndre Mjeda për”Andrra e jetës”, Ismaili për “ Pallatin e ëndrrave”, Reshpja për “Vetmi” etj. etj.

Shahrazadja te “Një mijë e një net” arrin t’i shpëtojë kokëprerjes dhe përdhunimit duke i treguar mbretit çudira  1001 net me radhë; në fund ajo i tregon atij për djalin e lindur nga ai...Me ngjarje krejt të veçanta, fantazira të pabesueshme, kapërcime, lojëra, befasira, marrëzira, rrëfime absurde  është mbushur krejt letërsia e madhe. Nuk harrohet rrëmbimi i Helenës së Trojës, incesti i Edipit, “Eneida “ e Virgjilit”, Zambakët e tokës së vdekur”e Eliotit....

Atje ku preket realja me imagjinatën për t’i zgjeruar kufijtë e shprehjes, atje ku ata përveçohen dhe gjejnë vetveten, atje kur zhyten nëpër makthe për të shprehur të pamundurën, poetët shenjohen si për së sipërmi, nga hyjnia. Ata i afrohen Krijuesit dhe, nga sendi i veçuar priren te kuptimi panteist. Situatat krijojnë karakteret, mendimi krijon situatat e pastaj lënda kërkon një formë të re.

Disa poetë me shenjë mistifikojnë dhe numurat. D.Aligeri kishte numrin tre. Trinitetin, ferrin, parjsën dhe purgatorin, tercinat e tij ...Shtatën ka P.Selani. Nuk e di pse shtatë. Ai e tha. Si një numër magjik më duket; që lidh gjakun e kuq me zemrën, me zemrën që troket; po zemra dhe trëndafilët i takojnë asaj...”Shtatë net më lart qaset e kuqja tek e kuqja/ shtatë zemra më thellë troket dora në portë/shtatë trëndafila më vonë zë e gulçon buronja...

 

Origjinaliteti forcon besimin e lexuesit dhe nuk ka rëndësi në është e vërtetë ajo që lexojmë psh, te “Pallati i ëndrrave” i Kadaresë, nuk na intereson sulltani a tirani, as bash-ëndrra e tij, nuk vrasim mendjen se ç’është kjo  “E kuqja e demave” e Mirës, nuk na intereson moslidhja logjike e ngjarjeve, ficsioni, por ankthi, dashuria, xhelozia, arti. Rëndësi ka mënyra se si është shkruar. Bota e Kafkës, Hermanit, Xhojsit, Malvill-it është e mbushur me mistere dhe absurde. Dhe nuk ka faj shkrimtari për këtë, vetë bota është mister dhe, sa më e ndërlikuar bëhet, aq më misterioze lind letërsia. Metaforat nuk shpiken, ato veç formulojnë lidhjet e dy imazheve që kanë ekzistuar gjithmonë. Poetët me shenjë e kanë të stërholluar shkallën e abstraksionit,( me këtë unë nënkuptoj edhe shkrimtarët) Disa janë kaq të përveçëm në gjetjet e tyre sa, nëse do të rrekesh t’i imitosh, identifikohesh me ta. Domethënë, digjesh.

Letërsia dhe arti stimulon tek autorët ndjesinë e individualitetit, përveçësisë. Vetëm origjinaliteti e shkëput atë nga turma. Bashkëkohësia homogjene tenton ta tërheqë  individualitetin nga vetja. Turma nuk e honeps personin e veçuar që tenton të ngrihet mbi të dhe kërkon t’ia ulë hundën, t’ia kolektivizojë jetesën dhe metaforën, bukën dhe ujin e t’ia ketë në kontroll krejt veprimtaritë e tij. Vepra letrare e artistike mund të mos u shpëtojë krejtësisht kafshimeve të turmës kolektiviste, por kurrsesi, as pushtuesit, tiranitë e diktaturat, nuk mund t’i mohojnë vulat e personit. Kështu tek ne,”Sibilat” e Bogdanit, ” Këngët e Milosaos” e De Radës,, “Bukuria” e Naimit,”Mrizi i Zanave” e Fishtës,  ,apo te letërsia e re, “Vetmia” e Reshpes, “Anima mundi” e Zeqos, “Lule nate” e Shllakut, “Lumi i vonuar” i Martikos, “Libri i gabuar” i Lekës, “Epifania” e Kelmendit, proza e Z. Çelës, M. Meksit, Tufës, Kyçukut, Zhidit, Ajetit, këto e të tjera dëshmojnë më së paku një letërsi origjinale në rritje të sigurt.

*  *  *

Tek poeti i shquar elementi irracional është esenca e  origjinalitetit, kaq e dukshëm dhe e domosdoshme kjo, sa vjen si thelb dhe barazohet me unin poetik duke e kthyer ekzistencën e autorit gati në mosqenie. Ky element e tjetërson realitetin, i jep lëndës një formë të re, i ndryshon thelbin e ndjeshmërisë dhe si përpjekje shpirtërore utopike, kthehet në energji poetike. Elementi irracional e bën poezinë të mprehtë dhe enigmatike. Poeti i talentuar nuk sheh vetëm imazhin e një realiteti shqisorondiesor, por sidomos misterin që mbështjell jetën e njeriut nga lindja në vdekje. Duke prekur të panjohurën, që shpesh jepet si mungesë, si hije, heshtje a boshllëk, ke zgjeruar kufijtë e njohjes. Afrohesh te fryma, te mistikja, hap një “kozmos” tjetër, metafizikën. Kjo poezi e re vjen si syth me energji të brendshme; është e zonja, jo vetëm të ndeshet me muret e trashë të arsyes, por, mbështetur në një liri të re krijimi brenda vetvetes, krijon premisa dhe rrit antigenet e veta kundër të njohurës rutinore. Ose kundër vetvetes. Kjo siguron vazhdimiësinë e poezisë moderne, ose terrenin e një lirie të paprovuar më parë.

I tillë ishte, psh, Fernando Peso-ja, më i veçanti ndër poetët modernë...Që, ”në natën e tij të brendshmei përgjon kufomën e tij, që shpirtin e ka hije të një pranie të shuar, që ndjenjat i janë bërë gjurmë, që  fantazia i shkon përtej “yjeve kur nata zë e ftohet”...Peso-a është një poet që dhe shenjën e ka me shenjë. Përqafuar me një demon të zi që herë e çonte te qenia që po shkatërrohej si një tokë me erozion të përditshëm e “ herë te kalbëzimi i shpirtit, ankth i asaj që pandehja se isha..”     Tek ai ndahen, alternohen, njësohen vazhdimisht qenia dhe shpirti, kujtimet dhe ëndrrat, netët dhe dëshirat, sendet dhe hijet, objektet dhe imazhet, realitetet dhe përfytyrimet në një dramë të përhershme, tek secila e tek të gjitha, poeti rri varur skajesh, apo midis duke kërkuar me dhimbje një vetvete ose një të vërtetë tjetër. “Larg meje brenda vetes gjalloj/veçmas atij që jam..” Pesso-a krijoi një poezi shenjuese, mbushur me mister e terr të zi; ai lëroi fushën e pamatë të natës së tij si në natën e njerëzimit, ku mbillte kufomën e vet, ku shpirti i tij si shpend i zi plagosur, çoroditur e humbur  nëpër mjegulla , gjen vetëm gjurmë, hije e shenja e, befas, bije në hon duke lënë pas një klithmë të thiktë ekzistenciale…

Ndoshta është poeti më konçiz. Si lëndë shpirtërore, irracionalizmi i tij rreh formëzim tjetër që ia çliron poezinë nga peshat e tepërta. Si pemët që bukurinë e kanë te veshja, trupi dhe gjethnaja, në atë masë që nuk e ndjejnë rëndesën. Ai është një organizëm poetik, mbrujtur me zëra të brendshëm, klithma të çuditshme që mbeten përherë në ajër si gjurma shpendësh që sapo u zhduken. “Ma ka ënda të ulërij brenda kokës sime”, e atje brenda kokës, regjistruar në një disk planetar, i dukej se kish të gjitha ulërimat e botës por…, ai donte ta ndalonte atë disk ulëritës, por shpirti i tij kumbonte më tepër, trishtueshëm; ai donte ta ndalonte shpirtin të udhëtonte me të, ai kërkonte shtigje ku të mos kishin fluturuar zogj të tjerë, por.., por… kudo e kurdoherë përplasej me pamundësinë.

Poeti i vërtetë nuk kërkon kurrë t’i ikë vetvetes, ama, ai e di se, matanë shtigjeve, ka një hapësirë diellore të pafund, ka një thellësi deti të pacak, ka një lartësi të kaltër qiellore,  -   hapësirën e ëndrrave. Realiteti duhet të infektohet me realitetin ëndërror(term i Borgesit). Kjo “sëmundje” është toka e premtuar e poezisë moderne, njëkohësisht laborator lëvizës për eksperimente të pafundme, ”infeksion” ky që shëron monotoninë vdekjeprurëse dhe shterpësinë e gjuhës poetike duke kërkuar një estetikë të re. Prandaj realiteti i poetit është bota mugullore, hënore, iluzore, pra, bota e përfytyrimeve fantastike. Dhe dallon e shquhet Peso-a sepse deshi të ishte magji e ligjërimit, por,…e çuditshme(!): as përkon me vetveten, as bëhet tjetër, ai, mbeti një  heshtje e varur midis...; e vërteta e tij poetike nuk është as bota e brendshme, as ajo e jashtme, por një përbrendësi e pafund, që, gjithashtu është një e përtejme

e paskaj.

Si pafundësia..Ose shënjesa.

*  *  *

Naimi ynë është vlerësuar nga ne më tepër si luftëtar i çlirimit, i gjuhës, shkollës, ideolog më tepër se poet. Jo më kot populli e ka quajtur “Naim Shqipëria”, por, ne i kemi shpërfillur degën më të njomë asaj peme shtatlartë,  lirikën e tij aq mistike te”Lulet e Verës”, “Ëndërrimet” ”Eros–dashuria”dhe “Fletorja e Bektashinjve”, pikërisht atje ku Naimi është poet i shenjuar. Mbi të gjitha Naimi është poet i zemrës, domethënë, i ndjenjës. I zemrës së trishtuar. Zemra për të është ndjenjë, element irracional universal. Zemra e tij është mjet dhe qëllim e lidhur me Zotin, me dashurinë, me natyrën dhe bukurinë e përgjithëshme. Naimi i hap të tëra fletët e zemrës; ajo është froni i Zotit, syri i tij, shpirt i gjithësisë dhe i bukurisë, fole e dashurisë, elementë këta të lakmuar për të gjithë poetët modernë. Ndaj Naimi nuk është kurrë i vjetëruar. Po të vësh re të gjitha poezitë lirike më të ndjeshme, drita e dritëzës së tij, është e fshehura dhe mistikja. “Herë flet me pëshpëritje, mengadalë/ her’ me fjalën trupëzuar, herë pa fjalë/ prandaj zemërës kjo gjuhë/ i është dhënë/ Që t’i thotë asaj të fshehtën e pathënë...

Shenja e poetit dallohet qartë, anipse poet i shpresës dhe i besimit ai është i zbetë, i  trishtuar, jo nga tuberkulozi që e treti, i mpakur e i terur e i shkrirë, jo nga qiriri gjithmonë i ndezur në natën tonë, por nga hallet e mëdha të njeriut krijues. Pa dyshim dhe kombit shqiptar. Kozmosi e  gjithësia që ka një zemër, Shqipërinë. Këto halle e brenga janë më të dukshme kur nuk shprehen, por që lëngojnë së thelli zemrës së tij( vini re epitetet shoqëruese) e burgosur, e pikëlluar, e shkretë, e plagosur, e vrarë, e copëtuar...,apo fjala që e shoqëron : bilbil i heshtur, zhuritur, plakur, mpakur, natë pa agim, balta e brengës, kotësi e kotësive etj...

...Dhe të fshehtën që ka brenda shkoqur thotë/Kaq të fshehta i thotë era trëndafilit/ nxjerrin shfaqin kaq të fshehta dhe çudi/Që t’i thot’ asaj të fshehtën e pathënë...

*  *  *

Poetët e shquar e dinë paimitueshmërinë e tyre, e, ndonjëri si Paul Selani, të paralajmëron: “ Mos e kërko buzës sime tënden gojë/as të huajën përpara portës/dhe lotin në sy... E diku gjetkë: “Vetëm besëprerë ndihem besëplotë, unë jam një ti, kur unë jam unë”... Paul Selani, një nga sythet më të spikatur i poezisë moderne; poet poliglot, shkroi në gjermanisht dhe e bëri tingëllimin magjik, aq origjinal sa duket se brufullon një endje absurde, befasuese e aventureske. Metafora e tij është një kod i çuditshëm irracional për ta parë atë copë botë ndryshe nga e tëra e ndryshe nga të tjerët. Dikush e ka quajtur “Guernica”e poezisë moderne sipas shëmbëlltyrës së tablosë së Picassos që tregon shkatërrimin e qytetit nga nazistët. Poezia e tij është me shenjë dhe ndryshon krejtësisht nga çdo krijim tjetër mbi Aushvicin...nga ai “qumësht zift zbardhimi buz’ mbrëmjes pijmë, ne pijmë dhe prapë pijmë..”; metaforat e tij gjakësore ku në kampet e shfarosjes flokët e praruar të femrave bëhen hi, ku ngrihen lopata pirgjesh e varresh, ku derdhet qumështi i zi, ku dallgët e shpirtit të njeriut ngrihen si deti e rrahin me urrejtje brigjet, por ... shuhen si kripa; metaforat e tij herë herë shfaqen në ajër si notat e Bach-ut, Vagner-it, Hein-es e tingëllojnë si “Kënga e këngëve” biblike; Paul Selani, ndryshe nga çdo poet, banon në një shtëpi dhe luan me gjarpërinj; egocentrist si Rembo, Valery, Esenin që i kishte përkthyer mjeshtërisht, ai është i ndërgjegjshëm për unin e tij poetik e deklaronte” Ju papërjashtim, pa asnjë përjashtim, jeni të shtëpijshëm nga brenda gjuhës ndezullimeve tuaja mes librave tuaja...,ndërsa unë jam për-jashtë-sor...” Poezia e tij shpesh është e parrokshme, enigmatike, por vetë ai këshillon: “ Nëse lexuesi vret mendjen se nuk e kupton, ai duhet të vrasë të zakonshmen që të fillojë të kuptojë..(Estetë të ndryshëm kanë ngritur problemin e moskuptimit. Që, mendoj se për një nivel mesatar,  tashmë është  i tejkaluar sepse: nëse poezia të çon diku, dikur që nuk ke qenë, atje dhe atëhere kur...e  të detyron të përfytyrosh diçka të pabesueshme, mahnitëse, mjegullore por tërheqëse, atëherë, a nuk është ky kuptimi?)

Selani i zgjeroi kufijtë e poezisë edhe teorikisht dhe synoi që të na japë thelbin e një koncepti të pathelbët...Poezia i djeg etapat tona..., ajo flet gjithnjë dhe përjashtimisht në vetën e parë për llogari të gjithtjetrit..., është e një-veti-shme... dhe , duke thënë se “po flas për poezinë që nuk ekziston”, njëkohësisht, tentoi ta përkufizoi atë..”poezia shfaqet vendi ku tërë metaforat dhe tropet nxitojnë për t’u vendosur brenda shtratit të absurdit”.

Në dritën e utopisë...Ai të kujton Platonin që lëvroi fushat e mendimit filozofik dhe, për çudi kryqëzohen të dy në një paradoks: Platoni braktisi poezinë për filozofinë dhe tha”unë nuk bëj filozofi”, Selani braktisi filozofinë për poezinë dhe tha”unë nuk bëj poezi”, mendim ky, që tronditi në themel mendimin estetik e që përplasi filozofë dhe estetë të shquar si Hejdegger, Derrida, Levinas, Steiner etj.

Mos është koha për të ndryshuar kahjen e rrugëtimit të filozofisë dhe poezisë?...

*  *  *

Frederik Reshpjen e ka shenjuar fjala poetike, ose e anasjellta, fjala atë. Lirika e tij, aq e brishta, aq e vetmuara si pëshpërimë në gjumë me atë fjalën e zgjedhur që aty dritëzon, aty hijezon, krijon një simbiozë të çuditshme ngjyrash e hijesh. Më duket se lënda e tij poetike skicon vegime të çuditshme e  merr atë trajtë që do ai  sipas një kodi të fshehtë e misterioz që vetëm ashtu mund të shprehej, vetëm ashtu mund të tregojë dhimbjen e njeriut. Ose të Krishtit. Kaq e lehta , kjo poezi e Fredit, por seç ka një mur ngjitur , një ledh që e pengon dhe e kërcënon  të çelë;  e ashtu si syth, flet më tepër. Kaq afër dhe kaq larg liria dhe fjala e tij. Kërkojnë njëra tjetrën e, sapo afrohen për njohje e për paqe, shkrepin xixa e kthejnë shpinën. Dhe fjala e tij mblidhet në vetvete sikur futet nëpër kanatat e natës për të çelur në një mëngjes pa ngrica. Te ky fjala është në mishin e vet. Reshpja e kap fjalën në stadin e saj më të volitshëm, si gjahtari që shënon gjahun vetëm me shkrepjen e sigurt. Fjala e tij përsillet lirshëm si lëndë e ujët, psherëtin, qan, lutet, këlthet. Dhe i tërë vargu dridhet si epileptik. Vetmia  është dhe liria e tij e me një shqetësim tronditës ai, më tepër qan se këndon botën dhe njeriun shqiptar. Syth i njomë e rebel, engjëll lirik dhe demon cinik, ai ka mbirë mbi degët më të shëndetshme të poezisë sonë. Çdo poet i shquar krijon edhe paraardhësit e vet( Borges) A mund ta themi se te “Vetmia” e F.Reshpes jeton e kaluara e lirikës sonë, Naimi, Lasgushi, Mjeda... por,  që t’i takojë ky vend i shenjuar, në të duhet të mëtojë dhe lirika cilësore bashkëkohore, fjala vjen te Leshanaku, Leka, Shllaku apo tek më të rejat si e nesërme fjala vjen te Ledia, Yllka apo Manjola..Nëse e pohojmë këtë, atëherë flasim për sythin ripërtëritës të genit poetik, për sythin si zgjim, zbulim, pse jo dhe si pohim i të nesërmes. Frederik Reshpja është shpërfillur nga mediokriteti i kulturës sonë, ndërsa ai si bohem bënte jetën e tij poetike. Ai shkroi në  palcën e miteve e të baladave, në penën e tij sendet zbuten e mermerët flasin. Fjala  lëviz e vdes në erë, ai e njihte miken e vjetër. E priste. Kishte vdekur disa herë , në burg e në spital, në tavolinën ku humbiste pa një lek në xhep por, kur fliste për poezinë zmadhohej, zbutej, përlotej e të ngopte me dije e çudira për vargje e poetë të dashur. E njihte Krishtin, qe takuar me të. E dinte se qe i pavdekshëm dhe i palavdishëm. Priste të ikte. E dinte se do të shkonte  Dhe shirat po i linte të kyçura”. Erdhi dhe iku pa zhurmë. Pranë Krishtit. I pakunguar. I keqi i kokës dhe i miri i botës. Kryqëzuar nga vetvetja si të gjithë poetët e mëdhenj...I ndërgjegjshëm se   Çdo natë e ka një statujë timen brenda”...

Dhe ajo statujë,

larë me natë, dikë pret.

Ndoshta...

*  *  *

Poeti ecën në erë dhe në erë e njeh veten. Nuk ka tavan për erën. As për poezinë. Kështu më tha një i porsavdekur i veçantë. Mahmud Dervish quhej. Nga Palestina ish, më i shquari poet bashkëkohor i popujve arabë e , jo më kot, e kanë quajtur si frymëmarrja e popullit të vet. Ka marrë dhe kurorën e Festivalit ”Netët e Strugës”

Ç’ më thua për identitetin, e pyeta

Është vetëmbrojtje, tha ai - fëmijë e lindur, dhe sajesë, por trashëgimi, jo e jo...

Poeti është një shumëfish. Brenda tij jeton një e përhershme, e thelbësore e padukshme. E re. Dhe i përket çështjes së viktimës. Poeti me shenjë e ka të stërvitur zemrën për t’i ushqyer me gjak brirët e metaforës. Poezia mund të humbasë/ mikpritjen, një fill drite që shkëlqen/në zemrën e kitarës/  Ose Krishtin që çan përmes me një kalë të veshur me pajimet e brishta të metaforës...

- Nëse unë vdes përpara teje, (më tha)/ dëshira ime është e pamundur.

- Është larg e pamundura?

- Nuk e di, ndoshta sa poezia e dhimbjes...por ëndrra i drejton hapat e mia...

Ai pëshpëriti diçka për mallin. Për pamundësinë e poezisë në kohën e gjëmës. Ose për Palestinën. Sytë i kish të kaltër. Dhe lotin. Malli im është betejë, tha ai... Nuk ikte dot nga kjo botë pa thënë “lamtumirë”(titulli i poemës së fundit). Më 2008 iku. 9 gusht ishte. E, para se ta mbyllte lotin tha: “Lamtumirë, lamtumirë poezi e dhimbjes!

*  *  *

Po ëndrra nuk i ngjan ëndrrës. Ëallace Stevens-i të fut në një botë tjetër dhe të fton të të bëjë dhe ty pjesë të saj. Unë e besoj. Metafora e tij të huton dhe, fillimisht, të detyron t’i rikthehesh, derisa, befas, sheh se të janë zgjeruar kufijtë e njohjes emocionale. Lexon p.sh, “Njeriu i borës”e të bëhet se nëpër trup të fryn një borinë, ai njeri ka mendje dimri, ai sheh nëpër degët e pishave si qarkullon ai lëngu i shkrirë i borës. I bardhë. I bardhë. Nëpër dregëza bore. E ndjen dridhjen e tij të bardhë..., atë ngërçin e akullt të dëllinjave. Dhe vezullimin e diellit të janarit që nuk i  ngroh dot bredhat. Njeriu i borës nuk ka ndonjë dert në zërin e dimrit, nuk ka gjë me fërfëllimën e ndonjë gjetheje të vetmuar; a mos është ky zëri i tokës mbushur me erë që fryn për mua dhe për ty. Ti thua kjo është filozofia e jetës dhe çdo qenie e pret borën e vet. Ndoshta! Unë dua ta ndjek deri në fund metaforën... Duke mos qenë asgjë, shohim vetëm gjërat që janë. Brenda trupit tonë, natyrisht. Dhe asgjënë që është na thotë poeti.

Shpesh poeti me shenjë arrin pika iracionaliteti e abstraksioni deri përtej fuqisë së tij për ndryshim. Prezent i rrezikuar si në një lojë e  thjeshtë me vetveten ose me vdekjen a me zjarrin. E thotë: “Ndriço vetëm, ndriço lakuriq, ndriço si bronc, /që nuk më pasqyron fytyrën dhe asnjë pjesë thellë/qenies sime, ndriço si zjarr që s’pasqyron asgjë.”  Për të, Zeusin e lindën retë, jo njerëzit dhe është i besueshëm dhe në logjikën e zogjve kur “pyesin ëmbël përpara fluturimit,: sa reale janë lëndinat me mjegull!? Dhe ata e ngatërrojnë rrugën e Zotit që u thotë mos bëj këtë e mos bëj atë e del poeti tregon drejtimin: “vesa nën këmbë do t’ua zbulojë/nga cila anë vijmë e ku shkojmë..”

 

PIRRO LOLI

Tiranë, gusht 2011.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora