E shtune, 20.04.2024, 07:55 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rrëfime kosovare (II)

E hene, 12.12.2011, 08:59 PM


DANIEL GÀZULLI

 

RRËFIME KOSOVARE 2

 

(Falnderoj të gjithë ata prej të cilëve mblodha rrëfimet në vijim)

 

5 – MAKINAT NDRROHEN

 

Tek ndërtesa e vjetër e Fabrikës së Bukës një italian hapi një këmishari. E filloi punën me dhjetë punëtore, shpejt u banë njëzet e kund mbas gjashtë muejsh numuri arrijti në katërdhjetë rrobaqepëse.

Kishin përgjegjëse një vajzë italiane, bukur të shtyeme në moshë, sidhe një mekanik, për rregullimin e ndonjë difekti, ashtu edhe për ndonjë shërbim elektrik.

Mekaniku, dy metër burrë, i randë sa mnjanonte makinën kur vinte nadje në punë, se e shoqja nuk bante kurrësesi kundërpeshë – peshonte po a jo 45 kg e i binte nën seqtull Selmanit.

Ndër punëtoret e para ishte edhe Drita. E shkathtë, e përkushtueme, ia mori shpejt dorën: si i thonë fjalës, i këndonte puna.

Dy vitet e para e pat jo pak vështirë, se i duhej me ba ma se një orë rrugë në kambë me ardhë deri aty.

Vitin e tretë bleu një Fiat “Ritmo”, prodhim i viteve ’80, që tashma rrallë mund t’i shikoje nëpër rrugë, se kishin përfundue te mbeturinat, por ajo aq e pat mundësinë: ia kishin lanë në dorë për 800 Euro.

Sa herë zbriste ajo prej makine, Selmani, mekaniku, qeshte me të madhe:

- Ha, ha, ha, ha, ha! Oj Dritë, shitja ndoj muzeu këte makinë, se po të shpërthen ndoj ditë në mes të rrugës! Ha, ha, ha, ha, ha!, çfarë shkatrrine.

Si për të përforcue fjalët e tij, i hidhte shikimin makinës së vet, që ia kishte sjellë i vëllaj prej Gjermani, një BMW hijerandë, që dikush thonte se ishte e bleme, dikush se ishte e vjedhun.

Një ditë Drita humbi durimin nga tallja e përditëshme e Selmanit:

- Selman! – i tha – Ma dëgjo një fjalë. Nuk ka me shkue shumë e unë kam me e ndrrue këte makinë. Po si do t’ia bajsh ti, mor qyq, me atë grue, që po të pësoi difekt makina, mundesh me e futë edhe në xhep të xhaketës. Qysh nuk e ke ndrrue tash 20 vjet?!

 

6. ERA E RANDË E HUDRAVE

 

Ishte ba diçka e zakonshme që mërgimtarët, të gjithë bashkë, të ndihmonin të njohun e të panjohun në Kosovë, sa herë gjendeshin ngusht. E ata ngusht tashma ishin të gjithë e për gjithçka. I kishin largue prej fabrikave e ndërmarrjave, kishin mbyllë shkollat, kishin vulosë mjerimin në zemër të Kosovës si kurrë ma parë. Janë të krisun, kishte thanë Milosheviçi, po vorfnia do t’i shtrojë.

Edhe atë mbramje prilli të vitit 1996 ishim mbledhë disa mërgimtarë bashkë në një bar të periferisë, jo larg Zyrihut, që kishim fillue t’i thonim “Bari ynë”, se tashma aty mblidheshim gjithmonë.

Kasemi po fliste me një za të mbytun për nusën e dajë Rexhepit. Ishte randë e do të operohej në Beograd, po i duheshin 3.500 marka. Po e thonte që të kontribonim të gjithë, po askush nuk e hapi gojën.

U zuna ngusht. Unë gruen e dajës së tij, Hasimen, e kisha pasë mësuese. Dija edhe se kishte një vëlla doktor e një që i punonte në bankë, po kushedi si e kishin hallin edhe ata që nuk e kishin ndihmue.

Kasemi tha se ai ishte keq me gjendje financiare, se i ishte dashtë të kontribonte për këtë e për atë. Vështirë të ishte ashtu, se Kasemi e kishte xhepin si kërmill, vështirë të fuste dorën aty me nxjerrë të holla për kend.

Unë i kisha ato pare, i kisha në bankë.

Nuk asht që rueja ndonjë kujtim të veçantë për mësuese Hasimen, sepse, veç të tjerash, bante aq shumë makiazh, sa më jepte bezdi.

Po gjithësesi, kishte qenë mësuesja ime e gjimnazit e tashti ishte pa punë, si pothuej gjithë mësuesit kosovarë, e i duheshin edhe gjithë ato pare për operacion. A mund ta lija me vdekë ish mësuesen time?

- Po ua jap unë – thash, tue pa se askush nuk po e hapte gojë. – Veç meqë asht daja yt, banja të qartë: Njëqindë marka i ka falas, të tjerat borxh. Të m’i paguej kur të mundet.

Desht Zoti e mësuese Hasimja u ba krejt mirë.

Kur u ktheva për herë të parë  më 1999 në Kosovë, mbas plot dhjetë vjetësh pa e shkelë vendlindjen, mora vesht se mësuese Halimja tashti jetonte në një vilë, që e kishte pasë një serb, se ishte ba drejtoreshë gjimnazi, kurse i shoqi, Rexhepi, ishte ba zevendësministër.

Qysh atëherë, verë për verë, shkoja me pushime në Kosovë, e verë për verë zotohesha se do të kërkoja borxhin tim, po kur gjendesha përballë tyne më zinte turpi, kurse ata as e morën mundimin qoftë edhe ta kujtonin se më kishin borxh.

Shkova rastësisht një ditë tek shtëpia e tyne. Ka qenë viti 2006. Shkova të merrja gruen e Kasemit për ta çue në aeroport, si më kishte porositë i shoqi. I rashë ziles dhe mësuese Hasimja doli deri në sheshpushimin e shkallëve të bukura të vilës dhe m’u drejtue:

- Çfarë dëshironi?

As më tha urdhënoni, as më dha të njohun, edhe pse ishim takue edhe herë të tjera e kishim kujtue vitet e gjimnazit.

Deshta t’i thoja se kisha ardhë me marrë gruen e Kasemit, po kur më priti ashtu, ndrrova menjëherë:

- Deshta të flisja pak me ju! – i thash jo me ton të ashpër, por, gjithësesi, zani po më dridhej prej nervave.

Ajo u afrue tek porta e oborrit, u ndal kund pesë metër larg meje, dhe më foli gati me bezdi:

- Më thuej, çfarë kishe?

- Në vitin 1996 u kam dhanë 3.500 marka borxh.

- Shko e bisedo me Rexhen – më tha, më ktheu shpinën dhe u drejtue për në shtëpi.

Çastin e fundit u kujtova përse kisha ardhë në të vërtetë dhe i thirra:

- I thuej Kujtimes të dalë, se do ta çoj në aeroport!

Ajo as ktheu kryet, po mbas pak doli Kujtimja me çanta e unë nuk mund të hyja as ta ndihmoja t’ia mbaja, sepse nuk më kishte hapë kush derën e oborrit.

Si çova Kujtimen në aeroport, u ktheva të gjeja Rexhepin. Dridhesha nga nervat. Mirë që nuk bana aksident rrugës. Dy herë më foli ashpër miku im Xhelal Nesimi, që e kisha marrë për qef në makinë të bisedonim e të çmalleshim, se ai ishte kthye sa mbaroi lufta në Kosovë, mbas plot dhjetë vjetëve mërgim, fill i vetëm.

Rexhepin e takuem tek po hynte me pi kafe në barin afër Ministrisë. U ndal dhe hijerandë na pyeti edhe ai:

- Çka dëshironi?

- ME folë me ju! – i thash me ton të ashpër, i tronditun nga shpërfillja e tij.

- Ani, fol, se nuk kam kohë! – ia pat ai.

- As unë jo! – fola me ton – Erdha me u marrë vesht për ato 3500 markat që më keni borxh.

Ai m’u afrue me kërcënim, kurse unë i largohesha, sepse nuk doja ta bezdiste era e hudrave, që për dreq kisha hangër atë ditë tek pimë nga një birrë me Xhalalin.

- Dhe ma thue këtu?! Ma thue në mes të rrugës, që të më nxjerrish namin e zi! – ngriti zanin ai, në vend që ta ngrija unë.

- Urtë, zotni Rexhep! – i thash e nuk po e ngrija aspak zanin – Shkova tek shtëpia juej e mësuese Halimja as ma çeli derën me hy mbrendë. Erdhe tek ju, si më porositi ajo, e ju nuk më ftuet as për një kafe. Urtë, e me më pague borxhin, mos hyn në borxh tjetër!

- Kush je ti, që po më kërcënon!? – m’u afrue edhe ma shumë zevendësminsitri e unë largoju të mos e bezdiste era e hudrave.

- Pse po i largohesh?! – foli ashpër Xhelali, që deri atëherë kishte ndejë krejt më një anë.

- Nuk deshta ta bezdiste era e hudrave, Xhelal, prandaj po i largohem.

- Qysh po e bezdis era e hudrave një njeri që asht i qelbun kambë e krye!?! – briti Xhelali.

Zevendësminsitri u ba verdh. Ia njihte kryet Xhelalit e u ba si pulë.

Po borxhin sot e kësaj dite nuk ma ka pague.

 

7. BURRË

 

Mbas zmbrapsjes së policisë së Zarkocit, drejt fshatit ishte nisë ushtria serbe, deri me tankse.

Burrat kishin marrë pyje e male. Në fshat kishin mbetë vetëm gra, fëmijë e ndonjë i moshuem e i sëmuet.

Si rrethuen gjithkahë fshatin, grupe të vogla u futen të kontrollonin nëpër shtëpia.

Gjetën vetëm shtatë burra, ose ma mirë me thanë gjashtë, se Sulë Galiqi ishte njeri i tyne.

Komandanti i operacionit dha urdhën të baheshin shpejt e shpejt hetimet cilët ishin, e mbasi i sollën një material të shkurtë, urdhnoi t’i sillnin, ashtu duerlidhun, tek shkolla, ku ishte vendosë komanda e batalionit ndëshkimor.

I rreshtuen të shtatit mbështetë për mur të shkollës dhe komandant Jovo Çuliçi, me letër në dorë, u thërriste emnat, e si merrte përgjigje, i shikonte gjatë në fytyrë. Dy të parëve nuk vonoi t’u jepte edhe dënimin: Pushkatim.

Mandej thirri emnin e Zef Gjet Lalit.

- Hoj! – u përgjegj një plak i mbledhun gati gërmuq, krejt i mbaruem, mbajtë mbi paterica, e me një za të hollë si za femne.

Major Çuliçi e shikoi me ironi.

- Përse nuk u përgjegje “Hou!”, si të tjerët, po me atë za të hollë grueje, “hoj!”?

- Pse grue jam – iu gjegj Zefi tue folë me zanin e tuj të natyrëshëm tashma. – Të isha burrë, do të isha në mal me të tjerët, me luftue kundër jush.

Majorit i kërceu delli në qafë dhe u ba shegë i kuq.

- Lirojeni këta qyrravecat tjerë! – thirri ai. – Kurse këtë qafirin ta pushkatoni tashti! Tashti!

Zef Gjet Lalit buzëqeshi dhe i shkeli synin atij që ishte pranë tij e po i zgjidhnin duert. “M’u ba të fala djemëve në mal” – i tha, por nuk pat kohë të shtonte ma shumë, sepse ndërkohë ishte afrue kapterr Drako dhe i vuni revolverin në gjoks.

Tri krisma të thata dhe Zef Gjet Lalit u mbështet për herë ë fundit për mur të shkollës, buzëqeshi dhe ra si bien lisat.



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora