E premte, 19.04.2024, 02:22 AM (GMT+1)

Kulturë

Daniel Gazulli: Rrëfime kosovare (I)

E diele, 11.12.2011, 03:58 PM


DANIEL GÀZULLI

 

RRËFIME KOSOVARE 1

 

(Falnderoj të gjithë ata prej të cilëve mblodha rrëfimet në vijim)

 

1 - KAFJA DHE GRATË

 

            Ka qenë traditë në anët tona që kur shkonin për kryeshëndosh, të baheshin bashkë burrat e fisit, a të lagjes, apo edhe të katundit, kur shkohej në një katund tjetër.

            Kështu mblodhi edhe Bajram Keqi ka një për shtëpi prej fisit të tij e u drejtue për në Terzì, si i thonë një katundi aty rrazë bjeshke, kund dy orë në kambë.

            Për kryeshëndosh shërbehej kafe, sidomos kur miqtë ishin të largët, pse kafja nuk ka qenë krejt e zakonshme, si sot: edhe ajo ishte pre e vorfnisë së përgjithëshme.   

            Kur vdekja nuk kishte qenë veçanarisht e randë, due me thanë, kur kishte ardhë simbas radhës e kishin përcjellë fëmijtë burra prindin, nuk mungonte edhe ndoj hidh e prit, se në anët tona bash kanë jetue me u tregue ma i shkathtë se tjetri në fjalë.

            Si morën filxhanat në dorë, një djalë i Keqëve, Halimi, dhandërr në Terzì, gjithmonë me mendimin se kafja mund të ishte e nxehtë, e thithi si me zhurmë, çka tërhoq vëmendjen e të pranishmëve. I ri ishte e mund të mos ia vinin ore, po i zoti i shtëpisë, që e hiqte veten punë e madhe, nuk mund ndej pa e ngucë:

            - E dashke fort, lum djali i Keqëve. Rueju prej saj, se grate e kafja, po i thithe fort, të prishin shëndetin.

            Bajrami e nguci me gju djaloshin të mos përgjigjej, po i riu si i riu, ia pat aty për aty:

- Kjo mundet me ndodhë kur bie rrallë në te. Po unë, ka dashtë Zoti, kafen e pij përditë, e kur e pi përditë të mësohet edhe trupi me te, kurrë një send nuk të ban. E tash, prej vjeshtës që shkoi, kam një bijë tuejen që më ngrohë përnatë, e thith sa duhet.

Bajram Keqi e nguci përsëri me gju nipin, po kësaj here si të donte me i thane: Të lumtë goja, se çka kërkoi gjet.

 

2 - DUER TË ASHPRA

 

Aso kohe ndodhte që e merrje grua vajzën e botës edhe pa e njohë.

Lirim Selca nuk asht që nuk e kishte njohë të fejuemen e tij, por gjithmonë nga larg, deri atë ditë që doli nga burgu për herë të dytë, u martuen mbranda jave dhe ikën bashkë mërgimtarë në Zvicërr.

Ikën se, ndërsa delte prej burgut, i kishte thanë toger Bozhoja:

- Pa u rrue tri herë, prap këtu do të të sjellim.

Si burri e grueja, sidomos Teuta, krejt e re, pa i mbushë të njëzet vitet, ma shumë se me ba dashuni, u pëlqente të përkëdheleshin.

Lirimit i banin përshtypje duert e ashpra të së shoqes, po asaj nuk ia kishte thanë asnjëherë, se mos frenohej mandej me e përkëdhelë.

Të ashpra i kishte duert Teuta, se kishte ba çdo punë që ban një  grue, ashtu edhe çdo punë që ban një burrë: kishte prashitë e kositë, kishte pre dru e ba mur. Ishte e vorfën familja e saj, nuk ua kishte ngenë duerëve të lëmueta të grave delikate.

Mbas disa muejsh që ishin në Zvicërr, u rregullue me punë në një fabrikë qelqi.

Grueja e pronarit, një trup sportiv e që ndoshta edhe ishte marrë ndonjëherë me ndonjë sport të randë, vinte një herë në muej dhe matej me punëtoret kush ia thyente krahun tjetrës.

Dikush thonte se e bante për sport, dikush thonte edhe se donte me provue cilat punëtore ishin të forta e me i mbajtë në punë, cilat nuk ia vlente me i mbajtë.

Sa me i thye krahun, ajo ua thente të gjithave, kujt ma lehtë e kujt pak ma vështirë.

Atë ditë kërkoi që të fillonte me punëtoren e re.

U ulën në dy anët e tryezës, i shtërnguen duert fort, aq sa po u dridheshin, deri sa zoja nuk pat ma forcë e shpina e dorës së saj u përplas për teryezë. Ishte hera e parë që ndodhte në dymbëdhjetë vjet.

- Më fal - i tha Teuta, tue mendue se ia kishte përplasë pak si shumë dorën mbi tryezë.

Zoja e shikoi drejt e rreptë, nuk ia mbushi aspak synin, prandaj i tha Teutës:

- Edhe një herë.

I shtërnguen përsëri duert, fort, gjithnjë e ma fort, e Teuta e la edhe t’i përkulej krahu pakgja. Zoja po bërtiste me një çirrje me të shti frikën, po dikur iu prenë forcat dhe shpina e dorë së saj u përplas përsëri për tryezë.

Atë ditë zoja e pronarit nuk u mat me punëtoret tjera. Mori çanten prej lëkure tigri dhe iku pa u thanë as ditën e mirë.

 

3 - KUR KUVENDI BJERR UDHË

 

Keq Doda, burrë me mend e kuvend, kishte shkue në një rast vdekje në Treplanë.

Aso kohe, tue qenë miqësia larg, ndodhte që i vdekuni mbahej edhe deri të mbasnesërmen pa u varrosë.

Burrat, tek rrinin në odë, kapnin kuvende gjithfarësh, po gjithësesi, që t’i kishin hije një ndeje të përmortëshme.

Mirëpo atë ditë biseda filloi e po bahej edhe me za të naltë, po flitej për gjithçka, mbarë e mbrapsht.

Erdhi puna e u kthye morti në një treg bagtishë e tagjishë dimnore. Askush buk po donte me dijtë se vetëm një dhomë përtej ishte i shtrimë, për ditë të fundit në mes tyne, Sokol Zeneli.

Kur vërejti se biseda e tregtisë kishte marrë tepër zjarr, Keq Doda u çue në kambë e iu drejtue burrave në odë:

- Pazari i mirë u koftë, se unë nuk kam kurrisend as me shitë e as me ble, prandaj po shkoj, pa humbë kohë këtu, në dekë të dashamirit tim Sokol Zeneli, se boll jam koritë pa i shkue ende.

 

4 - PUSHTETI I GRUES SHTATZANË

 

Lirim Selca, si gjithë mërgimtarët, do ta fillonte me gjana të vjetra me e plotësue shtëpinë.

I pari e kishte rradhën një krevat dopio: e shoqja nuk kishte si flinte ma nëpër divana, mbas tre muejsh pritej të bahej nanë për herë të parë.

I thanë se kishte një me e shitë Rexhep Salihi.

Nuk ia pat qefi të merrej me të, po nevoja e shtynë me shkue e me e takue.

            Rexhep Salihi nuk njihej për kurrnjësend të mirë: trupmadh e i fuqishëm, e kishte nisë e po e soste jetën tue mashtrue, vjedhë e deri tue grabitë me dhunë. Ndër mërgimtarë flitej fort keq për të e secili i shmangej.

Po nevoja si nevoja e i shkoi te shtëpia.

Po, i tha Rexhepi, e shes. Gjashtëqind franga”.

Lirimi e shikoi me vemendje krevatin, i pelqeu, edhe çmimi iu duk i arsyeshëm, po i kishin thanë se Rexhepi shiste lirë, se pa mundë i kishte, prandaj i hodhi një fjalë ashtu kot: “A nuk janë shumë”?

“Në daç e merr, në daç e len!”, foli ai harbutçe, si ishte në natyrën e tij.

Lirimi u mendue. Nuk i kishte gjashtëqindë frangat, ndoshta po ia jepte me këste, e papritë u kujtue: “Po një raft për rroba, a thue e ke”?

Po, iu gjejgj Rexhepi. E po ta la në çmim të krevatit, 600 franga të dy. Por nuk e kam këtu. Ta sjell nesër te shtëpia”.

“Rexhep, u morem vesht – i foli Lirimi – Tash edhe njëgjasend. Me ma lanë pagesën në dy këste, sot treqindë franga, treqindë të tjerat mbas një muej, kur të marr rrogën”.

“Qoftë ba!” – iu gjejg Rexhepi dhe Lirimi pagoi treqind franga dhe mori krevatin.

“Raftin e kam nesër, kështu?” – ia kujtoi edhe një herë Rexhepit

“Unë jam Rexhep Salihi! – ngriti zanin ai – Fjalën time nuk e ve kush në dyshim!”

“Edhe unë jam Lirim Selca!” – ia ktheu tjetri, edhe pse nuk kishte pikë dëshire me u matë me Rexhepin.

Kaloi dita, kaloi java e besa edhe muej, po raftin Lirimi nuk e mori.

Takoje sot e takoje nesër, kujtoja tash e kujtoja ma vonë, po Rexhepi as dukej se kishte në mend me i sjellë ma raftin.

Si kaloi muej, një të djelë nadje, Rexhepi ia behi te shtëpia e Lirimit dhe pa i përshëndetë as ate e as të shoqen, Teutën, grithi: “Paret! Hajt!”

Teuta, tue mbajtë dorën në bark se po i lëvizte fëmija, ia pat aty për aty: “Raftin!”

Rexhep Salihi shtangu. I kishte mbetë vështrimi tek barku i rrumbullakosun i grues, dhe pa thanë asnjë fjalë, doli.

U kthye përsëri mbas dy minutash. “Mirë, tha, m’i jepni kur t’i keni”.



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora