E enjte, 28.03.2024, 10:51 PM (GMT)

Editorial » Mehmetaj

Gani Mehmetaj: Intervistë me Presidentin e Kosovës Dr. Ibrahim Rugovën (27 nëntor 2002)

E diele, 11.12.2011, 11:02 AM


 

Presidenti i Kosovës Dr. Ibrahim Rugovës

 

NDËRKOMBËTARËT KANË MIRËKUPTIM PËR PAVARËSINË E KOSOVËS

 

Ne duhet t'i afirmojmë të gjitha vlerat qoftë historike, qoftë autoktone, apo të traditës sonë, që i kemi. Për fat të keq ne kemi pasur izolimin 50-vjeçar. Vlerat tona që bota i ka çmuar shumë dhe kanë qenë shumë të njohura, të shënuara në të gjitha librat kryesorë, në enciklopeditë e botës, ne duhet t'i afirmojmë. Vlerat tona duhet t’i kultivojmë, t'i mbrojmë, sepse janë pjesë e kombit, e identitetit tonë si shtet dhe si shoqëri.

 

Intervistoi: Gani Mehmetaj

 

Me presidentin e Kosovës dr. Ibrahim Rugovën biseduam për 90-vjetorin e Pavarësisë, për statusin përfundimtar të Kosovës, për emërimin e Bob Dolit Ambasador Nderi i Kosovës në SHBA, për kalimin e kompetencave nga UNMIK-u te institucionet vendëse, për himnin kombëtar, për flamurin dhe elementet e tjera të shtetësisë, për krimin e organizuar në rajon e në Kosovë, për papunësinë reale dhe atë të fryrë etj.

 

Në një ambient të qetë dhe pas një pune të lodhshme të ditës, presidenti Rugova na priti në rezidencën e tij. Nga pamja dukej i qetë dhe i gatshëm që të flasë për të gjitha problemet e pyetjet që ia shtruam.

 

Zoti President, sivjet është 90-vjetori i shpalljes së Pavarësisë. Çka kanë arritur shqiptarët gjatë kësaj kohe dhe cila është perspektiva e tyre në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi?

 

Presidenti Rugova: Në këtë përvjetor, në këtë 28 Nëntor, është një vit jubile, pra 90-vjetori i Flamurit, që i themi ne kështu, të gjithë. Shqiptarët kanë arritur mjaft, nëse mund ta themi një vlerësim më reprospektiv. Shqiptarët janë forcuar gjithkund, në të gjitha viset e tyre. Në këtë ditë, siç e dini, u krijua Shqipëria e sotme. Nuk dua të hyj tash në elaborimet historike. Po flas për kohën më të re, vitet e 90-ta e këndej. Pra, shqiptarët e Kosovës, shqiptarët në Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi, organizuan dhe krijuan veprimet e tyre. Dhe, siç e dini, hapat që u ndërmorën në Kosovë - Referendumi për Pavarësinë e Kosovës e akte të tjera - të gjitha këto, vunë baza për Pavarësinë e Kosovës, për ç’gjë të gjithë shqiptarët janë dakord. Edhe atëherë, kur u bë Referendumi, ishin të pajtimit që Kosova të jetë e pavarur. Mund të themi se Pavarësia e Kosovës do të qetësonte popullin e Kosovës dhe do të qetësonte rajonin. Shqiptarët në Maqedoni janë pjesë e rëndësishme; mund të themi poashtu në Preshevë dhe në Mal të Zi. Për të gjithë me rëndësi është integrimi në Evropë, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Shqipëria pas vitit 90, përkundër problemeve të tranzicionit e të tjera, ka arritur mjaft. Në përgjithësi se pas asaj që ndodhi, pas mrekullisë në Kosovë, ka një perspektivë të ndritur, nëse mund ta themi me një fjalor më të vjetër, apo një perspektivë të mirë. Pra, mund të jemi të kënaqur me këtë që kemi arritur dhe kërkesat e synimet që i kemi për të ardhmen falë atyre burrave që i kanë nisur ato procese. Është Dita e Flamurit, dita më e rëndësishme, dita e dytë më e rëndësishme pas 28 Nëntorit të Gjergj Kastriotit - Skënderbeut.

 

Kemi shumë arsye që ta festojmë Ditën e Flamurit

 

A mendoni se sivjet kemi më shumë arsye ta festojmë këtë ditë dhe ku do të jeni ju më 28 Nëntor?

 

Presidenti Rugova – Po, gjithësesi për shumë arsye që i thashë. Është një jubile 90-vjetori. Të gjithë, pra, kudo që jemi, do ta festojmë. Unë vetë do të jem në Prishtinë dhe do të marr pjesë në disa manifestime që parashihen këtu, në kryeqytet.

 

Kohëve të fundit, çështja e statusit përfundimtar të Kosovës në qarqet ndërkombëtare po debatohet gjithnjë e më shumë, duke forcuar idenë se Pavarësia e Kosovës është zgjidhja më e mirë. Ju për këtë zgjidhje keni qenë qysh nga fillimi. Cilat janë gjasat dhe përparësitë e Kosovës së pavarur?

 

Presidenti Rugova - Gjithësesi ky është përcaktim i popullit. Siç e dini, në bazë të referendumit të Kosovës, ne kemi punuar vazhdimisht, të gjithë në Kosovë - natyrisht me përkrahjen e të gjithë shqiptarëve dhe miqve tanë në botë - që Kosova të jetë e lirë, e pavarur dhe demokratike. Natyrisht, kjo është një prej objektivave të institucioneve të Kosovës - të punojmë për pavarësi sa më shpejt aq më mirë. Mund të them se ka gjithnjë e më shumë mirëkuptim ndërkombëtar, sepse për 3 vjet e gjysmë pas luftës Kosova ka progres shumë të madh. Për të çuar më tej këtë progres gjithësesi do të ndihmonte pavarësia. Proceset do të shpejtoheshin, sidomos në rrafshin ekonomik, sepse do të kishim qasje në institucionet ndërkombëtare. Natyrisht, kohëve të fundit, siç po vëreni edhe vetë, duke vlerësuar zhvillimet pozitive në Kosovë, ka një interesim gjithnjë e më të madh që kjo çështje të zgjidhet sa më parë. Pavarësia e Kosovës do të qetësonte Gadishullin Ilirik, apo siç i kanë thënë më vonë Ballkanin. Them se ka mirëkuptim për këtë çështje, dhe tash puna është te hapat që do të bëjmë së bashku me miqtë tanë.

 

Bob Doll, senatori legjendar i SHBA-ve, ka punuar më shumë se një dekadë për Kosovën

 

Kohë më parë, me dekret presidencial emëruat senatorin Bob Dol, Ambasador Nderi dhe përfaqësues të lartë të Kosovës në SHBA. Pati reagime, por në instanca më të ulëta. Cilat do të jenë emërimet e ardhshme?

 

Presidenti Rugova - Ky ishte një nder për mua dhe nderim që populli i Kosovës i bën një njeriu. Unë e kam quajtur Dolin senator legjendar të SHBA-ve, që për më shumë se një dekadë ka punuar për Kosovën. Ai do t'i përfaqësojë interesat tona në SHBA. Është një titull nderi, pra ambasador nderi, që për herë të parë e kemi aplikuar. Natyrisht ka pasur reagime të vogla, por në përgjithësi nga populli është pritur mire. Është pritur mirë edhe nga senatori Dol, edhe në SHBA është pritur mirë. Te puna e reagimeve, besoj se ishte më shumë një çështje e diskutimit e kompetencave sesa e kontestimit. Nuk dëshiroj tash ta marrë përgojë një figurë aq të madhe amerikane, mund të them botërore, edhe shqiptare, sepse Bob Dol ka punuar dhe ka pranuar të punojë për Kosovën. Në të ardhmen mund të shkojmë hap pas hapi, të bëjmë edhe emërime të tjera. Do të shikojmë edhe mundësinë që, së bashku me UNMIK-un, të hapim përfaqësi zyrtare në SHBA dhe në vende evropiane. Këtë do ta bëjmë në koordinim me zotin Shtajner. Ndërsa, titujt e ambasadorit të nderit, janë në kompetenca të Presidentit.

 

Ndërkombëtarët thonë vazhdimisht se kompetencat do të kalojnë në institucionet vendase.  Megjithatë, ato po kalojnë aq ngadalë dhe me aq vështirësi?

 

Presidenti Rugova – Shikoni, ne jemi shumë të kujdesshëm në këtë raport. Ne jemi përcaktuar, edhe në dokumente që janë aprovuar, që këto kompetenca gradualisht të barten te institucionet e Kosovës. Ju e dini që pushteti lokal, ai i pari që ishte themeluar pas luftës, pati kompetenca të kufizuara. Tash do të ketë më shumë kompetenca pas zgjedhjeve të dyta lokale. Poashtu, edhe kur është fjala për institucionet qendrore, mund të themi, me UNMIK-un kemi (te ne ende ndoshta fjala konflikt merret e rëndë) një konflikt interesash në kuptimin pozitiv. Pra, si ta bëjmë më mirë, si të funksionojnë më mirë institucionet tona. Por kjo është në plan. Duhet të gjejmë forma bashkëpunimi të institucioneve të Kosovës me UNMIK-un. Për dy vjet kemi pasur KPA-në, pra Këshillin e Përkohshëm Adminsitrativ, a Qeverinë e Përkohshme, si dhe Këshillin Tranzicional, që unë e quaja në atë kohë Parlamenti i vogël. Ndërsa tash është një Parlament i madh. Prandaj, bartja graduale e kompetencave është çështje që do ta diskutojmë dhe jemi duke e diskutuar. UNMIK-u është dakord. Është çështje e kohës kur do ta bëjmë këtë, por jemi duke punuar gjithësesi. Institucionet e Kosovës duhet të kenë kompetenca gjithnjë e më shumë. Për rrjedhojë, UNMIK-u do të jetë në rolin monitorues në zhvillim e sipër të gjërave, një monitoring që do të na ndihmojë. Ka nganjëherë keqinterpretime, por është një konflikt interesash, që është pozitiv, sepse kemi bërë progres të madh edhe ne në Kosovë. Një progres të madh kanë bërë edhe institucionet. Çështja është që dikush dëshiron që kjo të bëhet më shpejt. Kështu që, me UNMIK-un kemi konflikt interesash, siç i thonë në botë.

 

Zoti President cili është vlerësimi juaj për punën e institucioneve shtetërore të Kosovës dhe për raportet me UNMIK-un, KFOR-in, dhe institucionet tjera ndërkombëtare?

 

Presidenti Rugova - Institucionet qendrore të Kosovës tash funksionojnë përgjithësisht mirë, edhe pse ende nuk është bërë një vit që nga formimi i tyre. Mund të them se, si President i Kosovës, garantoj për funksionimin demokratik të këtyre institucioneve. Institucionet janë në kompletim e sipër: administrata e Kuvendit të Kosovës, administrata e Presidencës, administrata e Qeverisë, ministritë e ndryshme. Siç e dini, janë këto procedura administrative që nganjëherë duhet t'i përfillim dhe marrin pak kohë derisa të kryhen. Kuvendi tashmë ka filluar aprovimin e ligjeve sistemore. Ka në plan shumë të tjera: janë duke u përgatitur ligjet për të gjitha fushat. Qeveria ka vepruar në kuadër të kompetencave në shumë fusha. Ndërkaq, raportet me UNMIK-un (i përmenda më parë) janë shumë të mira. Tash institucionet e Kosovës do të marrin gradualisht më shumë kompetenca. Me KFOR-in, që është një organizatë ushtarake e cila merret me sigurinë dhe mbrojtjen e Kosovës, kemi marrëdhënie shumë të mira, sepse, siç e dini, nga fillimi ka ndihmuar shumë Kosovën, ka kryer madje edhe punë humanitare, sociale, etj. Unë them se do të kemi bashkëpunim të mirë me NATO-n përgjithmonë. Këto raportet janë shumë të mira, të shkëlqyeshme. Përsëri po them me UNMIK-un janë konflikte interesash.

 

"Kur ka ra Kushtrimi n’ Kosovë" ma kujton Simfoninë e Nëntë të Bethovenit

 

Në fushatën përmbyllëse në Prishtinë u promovua himni i cili nga disa breza këndohej me ëndje, Flamuri i Dardanisë tashmë është i popullarizuar. A janë këto përgatitje për elementet e shtetësisë që duhet t'i kemi për t'u anëtarësuar në OKB dhe për të krijuar identitetin tonë shtetëror?

 

Presidenti Rugova - Po, gjithësesi. Në fushatën parazgjedhore, në tubimin përmbyllës në Prishtinë, bëmë një promovim a propozim që ajo kënga e cila quhej "Kushtrimi i Kosovës", apo dikush i thotë "Kur ka ra Kushtrimi n’ Kosovë", të bëhet himn i Kosovës. Ajo është këngë të cilën e kanë kënduar burrat gjatë viteve 1908-1910. Është një tekst i denjë me të gjitha elementet artistike, muzikore, që mund të jetë himni i Kosovës. Këtë gjë sigurisht që do të shikojmë; duhet të pasurohet dhe do të bëhet një tekst i mirë. Mua nganjëherë ma kujton muzikën e Bethovenit, Simfoninë e 9-të. Është një këngë që ka dalë nga njerëzit, nga populli, dhe që është kënduar. Do ta shikojmë mundësinë, tash në kuadër të kompetencave të institucioneve tona, që ta legalizojmë dhe ta bëjmë himn të Kosovës, pra himn shtetëror. Shpeshherë ne e përziejmë çështjen kombëtare me atë shtetërore. Në kuptimin amerikan çështje kombëtare është çështje shtetërore. Te ne janë konceptet më të përziera. Natyrisht edhe për flamurine e Kosovës -- të Dardanisë, siç po i thonë në mënyrë të popullarizuar - edhe për të do të shikojmë përmes procedurave që të legalizohet. Sepse, për t'u pranuar një shtet duhet t'i ketë edhe simbolet e veta, shenjat e domosdoshme që shprehin identitetin e atij shteti dhe të atij vendi. Pra, edhe kombi në kuptimin shtetëror do të jetë në bashkësinë e popujve të lirë të botës.

 

Ju vazhdimisht keni insistuar në elementet e autoktonisë së Kosovës. Një pjesë e mediave, sa nga padituria e kompleksi i inferioritetit aq nga njëanshmëria, këto elemente i ka marrë në mënyrë joserioze. Me çka mund të dëshmohemi para të tjerëve, nëse jo me origjinalitetin tonë?

 

Presidenti Rugova – Pajtohem me ju. Gjithësesi duhet, si çdo popull, t'i theksojmë vlerat tona të traditës, si dhe vlerat moderne, dhe t'i afirmojmë ato, sepse bota nëse dëshiron të marrë nga popujt e tjerë, dëshiron të marrë edhe prej nesh. Prandaj, popujt e mëdhenj janë të mëdhenj, sepse dëshirojnë të marrin edhe nga popujt e vegjël. Ne duhet t'i afirmojmë të gjitha vlerat që i kemi, qoftë historike, qoftë vlerat autoktone, apo të traditës sonë. Për fat të keq, ne kemi pasur izolimin 50-vjeçar. Vlerat që bota i ka çmuar shumë dhe kanë qenë shumë të njohura, të shënuara në të gjitha librat kryesore, në enciklopeditë e botës, ne duhet t'i afirmojmë. Unë kam folur këtu më shumë në kuptimin shtetëror. Pra, edhe si shtet duhet t'i afirmojmë, jo vetëm si dije apo shkencë. Kemi pasur sistemin e kaluar, kur është thënë se këto janë punë të shkencës, që ka qenë një manipulim me popullin e me shkencën. Vlerat tona ne duhet t'i afirmojmë, t'i kultivojmë, t'i mbrojmë, sepse janë pjesë e kombit, e identitetit tonë si shtet dhe si shoqëri. Mund të ketë keqinterpretime, sepse nuk janë mësuar njerëzit, sidomos që shteti t'i mbrojë vlerat e kombit.

 

Tolerancën dhe bashkëpunimin ndërshqiptar e keni theksuar vazhdimisht. Megjithatë tek-tuk ka fërkime të grupeve të ndryshme, fatkeqësisht edhe vrasje politike, ku po pësojnë veprimtarët e LDK-së. Si e komentoni këtë?

 

Presidenti Rugova - Gjithësesi ne të gjitha këto duhet të vendosim, siç e theksoni ju, bashkëpunimin shqiptar brenda Kosovës, pastaj ndërmjet shqiptarëve kudo që janë. Këto duhet t'i vendosim në baza demokratike. Gjithësesi tolerancë, një mirëkuptim për njëri-tjetrin, qoftë në kuptimin politik, të grupeve politike, pastaj të grupeve të ndryshme shoqërore, poashtu edhe njerëzore. Mirëpo, për fat të keq, po ndodhin këso vrasjesh, siç ishte rasti i fundit, me vrasjen e kryetarit të komunës së Therandës Ukë Bytyçit. Njerëz që nuk kanë tolerance, jo vetëm politike, por edhe njerëzore, i bëjnë këto. Ato grupe duhet t'i pranojnë normat demokratike të jetës, sepse populli i Kosovës është përcaktuar për ato norma. Ata duhet t'i pranojnë rregullat e jetës demokratike, në shoqëri dhe në shtetin e Kosovës. Ndryshe, së bashku me UNMIK-un, duhet t'i marrim të gjitha masat që këto t'i ndërprejmë dhe aktorët e krimeve të këtilla të dalin para drejtësisë së Kosovës. Është më e shëndetshme për shoqërinë e Kosovës dhe të gjithë duhet ta pranojnë këtë: ata që bëjnë krime duhet t'i nxjerrim para gjyqit. Ajo është në të mirë të popullit të Kosovës, të së ardhmes së Kosovës. Duhet të funksionojmë si shoqëri me ligj, sepse vetëm kjo është perspektiva dhe qëndrueshmëria. Edhe si qytetarë edhe si institucione duhet t’ua presim rrugën vrasjeve.

 

Krimi i organizuar është i pranishëm në gjithë rajonin-Kosova nuk është e izoluar

 

Krimi i organizuar, megjithatë, është i pranishëm në Kosovë. Ka rrezik të shëndrrohet edhe në ind kancerogjen. Si mund t'i dalin ndesh institucionet tona?

 

Presidenti Rugova - Shikoni, krimi i organizuar, për fat të keq, është i pranishëm në krejt rajonin tonë, siç i themi Gadishulli Ilirik, apo siç e quajtën më vonë Ballkani. Ka krim në krejt rajonin, në shoqëritë e tranzicionit, ka edhe në Kosovë, do të thotë është i ndërlidhur nuk është i izoluar në Kosovë. Gjithësesi, ne si institucione kemi filluar të merremi me këtë problem, UNMIK-u më shumë , policia e UNMIK-ut, gjyqësia. Edhe ne e kemi vëmendjen e vazhdueshme. Duhet të bëjmë çmos që disi ta ndërpresim këtë krim të organizuar, sepse është shumë i rrezikshëm për të ardhmen e Kosovës. Poashtu, ka përpjekje nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga Unioni Evropian, SHBA-të, që vendet e rajonit të kenë një bashkëpunim kundër krimit. Do të thotë, këta janë hapat e pare. Sepse, pa u bërë këta është shumë vështirë të luftohet krimi i organizuar. Për fat të keq, kufijtë janë ende të paqarkullueshëm, ju e dini pozitën e Kosovës. Gjithë ky mosqarkullim i kufijve e rrit krimin e organizuar dhe tregun e zi. Janë duke u ndërmarrë disa hapa në nivel të krejt rajonit që të bëhet diçka në zvogëlimin e krimit të organizuar. Kosova do të jetë ndër vendet e para që do të udhëheqë kundër këtij krimi, qoftë edhe t'u ndihmojë vendeve përreth. Duhet të bëjmë më shumë. Për fat të mirë Kosova, për shkak të mentalitetit të popullatës, nuk i pranon shumë krimet. Krimi mund të depërtojë në disa segmente, por duhet t'i ndalet hovi, duhet të merren masa.

 

Papunësia është problemi që do të theksohet edhe në të ardhmen. Cilat janë mundësitë e Kosovës që të absorbojë këtë armatë të të rinjve që kërkojnë punë?

 

Presidenti Rugova – Për çështjen e papunësisë po flitet shumë këto ditë në mjetet e informimit. Shtrohet nga grupe të ndryshme politike, nga shoqëria civile. Ka 3 vjet e gjysmë që kemi dalë nga lufta; çdo gjë ishte shkatërruar në Kosovë. Mund të themi se, edhe në fushën e punësimit, të ekonomisë, kemi një progres. Sot gjysma e ekonomisë është private. I jam shumë mirënjohës dhe e përkrah sektorin privat. Është një ecje shumë e shpejtë. Ne në Kosovë kurrë nuk kemi pasur një ekonomi me 100 mijë të punësuar. Pra, këtu nuk përmendet administrata lokale, administrata qendrore. Tani e kemi themeluar Fondin e Pensioneve. Duhet të gjejmë fonde ta forcojmë fondin në mënyrë që të mbeten ekstra mjete, në mënyrë që njerëzit në moshë të dalin në pension, të jenë të siguruar, dhe të vijnë të rinjtë në vend të tyre. Çështje tjetër është privatizimi. Në fillim të procesit mund të ketë transformime të ndërmarrjeve, reduktim të numrit të punëtorëve, etj., por shumë shpejt mund të ketë shtim të punësisë. Investimet hapin vende të reja të punës, duke transformuar ekonominë e Kosovës. Edhe një vrojtim: ne ende nuk kemi një koncept për atë se çka është papunësia. Për shembull, ne kemi një bujqësi, më duket 90 për qind e saj është private. Njerëzit jetojnë prej saj. Tashmë kanë filluar një progres i madh në bujqësi. Nuk është më thjesht bujqësi ekstenzive, por është intenzive. Ata njerëz, nesër, me standarde evropiane dhe të SHBA-ve, nuk mund të numërohen të papunë. Ne ende kemi konceptin e sistemit të kaluar: nëse dikush nuk është në një zyrë apo në një fabrikë, është i papunë. Pra, janë shumë elemente që duhet t'i vlerësojmë. Përndryshe, po të ishte ashtu, të themi që krejt janë të papunë, do të ndodhte diçka tjetër. Nuk dua të justifikoj. Për shembull, Agrokosova duhet të privatizohet. Është një gjigant si Trepça, si Ferronikeli, si kapacitetet energjetike. Edhe ajo ofron punësim. Shikoni 10 për qind apo 20 për qind e tokës shtetërore ka mbetur djerrë, toka tjetër punohet në mënyrë të mrekullueshme. Prodhojmë. Edhe industrinë e mesme apo ndërmarrjet e mesme duhet t’i privatizojmë. Sektori privat është shumë dinamik. Objektiv është ky: krijimi i vendeve të reja të punës. Natyrisht, edhe për këtë duhet një stabilitet. Nuk mund të bëjmë vazhdimisht shamatë. Populli i Kosovës është i shquar për një qetësi, stabilitet; di çka kërkon në momentin e caktuar. Duhet të kujdesemi të gjithë për një stabilitet politik. Në rend të parë, institucionet shtetërore të Kosovës, shoqëria civile dhe qytetarët. Jo për t'i bllokuar gjërat, por duke kërkuar t'i avancojmë proceset, që janë kusht për një zhvillim ekonomik, nga i cili duhet të përfitojnë të rinjtë e Kosovës, që përbëjnë pjesën më të madhe të popullatës.

 

Si e komentoni shpalljen e Bashkimit të Mitrovicës nga administrata e UNMIK-ut, përkatësisht Shtajneri?

 

Presidenti Rugova - Unë mirëpres hapat që ka bërë UNMIK-u, pra z. Shtajner, që është kryeadminsitrator i Kosovës. Janë hapa pozitivë për normalizimin e jetës në qytetin e Mitrovicës. Poashtu, ne të gjithë duhet t'i përkrahim këta hapa dhe shpresoj e jam i bindur se të gjithë qytetarët e Mitrovicës do t'i përkrahin me veprime e sjellje të matura. Gradualisht gjendja do të normalizohet në Mitrovicë. Kjo që ka bërë z. Shtajner, të cilën ne e përkrahim, është një dëshirë e gjithë qytetarëve të Mitrovicës -që qyteti të ketë një jetë normale, zhvillim ekonomik normal. Ju e dini se Mitrovica është qytet industrial dhe ne duhet ta aktivizojmë ekonominë e Mitrovicës e të gjithë Kosovës. Këtë duhet ta bëjmë gradualisht.

 

Box1

Nuk dëshiroj tash të marr përgojë një figurë aq të madhe amerikane, mund të them botërore, edhe shqiptare, sepse Bob Dol ka punuar dhe ka pranuar të punojë për Kosovën. Në të ardhmen  mund të shkojmë hap pas hapi, të bëjmë edhe emërime të tjera. Do të shikojmë edhe mundësinë së bashku me UNMIK-un, që të hapim përfaqësi zyrtare me SHBA-të dhe me shumë vende të tjera evropiane. Këtë do ta bëjmë në koordinim me zotin Shtajner. Ndërsa, titujt e ambasadorit të nderit, janë në kompetenca të Presidentit.

 

Box2

Jemi duke e diskutuar bartjen e kompetencave graduale. UNMIK-u është dakord. Është çështje e kohës dhe e momentit si do ta bëjmë këtë, por jemi duke punuar gjithsesi. Institucionet e Kosovës duhet të kenë kompetenca gjithnjë e më shumë, dhe natyrisht UNMIK-u do të jetë në rolin dhe në zhvillim e sipër të gjërave, do të jetë në rolin e një monitoringu, që do të na ndihmojë. Ka nganjëherë keqinterpretime, por është një konflikt interesash, që është pozitiv.



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora