E shtune, 20.04.2024, 09:29 AM (GMT+1)

Kulturë

Aleko Likaj: Nata e parë e martesës me shi

E diele, 11.12.2011, 03:37 PM


Aleko Likaj

 

NATA E PARE E MARTESES ME SHI

 

Dera e makinës u përplas lehtë nga pas. Marenglen Peka e mbante për dore nusen e tij të veshur krejtësisht në të bardha. Ajo buzëqeshte e sytë e mëdhenj blu të saj  kërkuan ato të djalit dhëndërr, nën ndriçimin e zbehtë të një shtylle neoni. Sapo e kishte nxjerrë prej andej. Makina, një “Varshavë” e vjetër dhe e tejpërdorur e komitetit të partisë, e kishte sjellë çiftin nga salla  e ceremonisë së dasmës, duke lënë pas në çakërrqejf nën avujt e alkoolit, dasmorët dhe të gjithë të ftuarit në atë gëzim.

- Sa qejf - tha ajo pa vazhduar mendimin, të cilin po e bluante në kokë në atë çast dhe u kujdes për fustanin e bardhë që ia shtyu një fllad i lehtë ere, i ngrohtë,  që lëpinte asfaltin si një qenie e padukshme. Në duar mbante një tufë me lule që ia kishin dhënë në sallë, kur u nis për në shtratin bashkëshortor.

U përplasën edhe dy dyer të veturës pasi i kishin thënë : «  Hajt, me trashëgime tani, e jetë të lumtur! Na bëfshit fëmijë të bukur! » Ishte shoferi i babait të Marenglenit, si dhe një kushëri i tij, që i kishin përcjellë për në folezën bashkëshortore.  U ndje gazi i saj dhe tymi i lehtë që la pas, e në çast u zhduk pas kthesës.

Dhëndërri i ri zgjati kokën dhe e puthi në faqe nusen e tij. Vajza qeshi me një kukurisje të mbytur femërore. Ndjehej shumë e lumtur. Flokët gështenjë dukeshin krejtësisht të zeza.

Djali këtë rradhë tregoi çelësin e shtëpisë, që mbante nëpër duar. Ana qeshi lehtë, pa të keq, duke e shtrënguar në krah. Pastaj diçka i çuçuriti në vesh dhe të dy hodhën hapat drejt hyrjes së pallatit, pesë metro më tej.

- Vajzë të lind nëna, por ama, grua të bën burri –tha Ana Gjika, dhe qeshi sërish duke tundur gishtin tregues përpara njeriut që do të ishte këndej e tutje burri i ligjshëm i saj, si për t’i thënë, “Është rradha jote tani që të më çvirgjërosh”

Marengleni ndali hapat një çast. Ishin në fund të shkallëve, ku më tej nxinte gjithçka. E puthi. Pastaj tjetra e tërhoqi lehtë për dore, sikur donte të nxitonte, për të hyrë në shtëpinë e re sa më parë. Dukej sikur mezi e kishte pritur këtë moment. Ngjitën shkallët me një frymë si dy të rinj të sapodashuruar. I qeshnin njeri- tjetrit me një pafajësi fëmijërie.

Tek pushimi i dytë, Ana qëndroi. Kërkoi që të mbushej me frymë në një çast. Marengleni që kishte ngjitur dy shkallë u kthye. Zbriti.

- Ç’ke moj zemër ? – i tha ngadalë

- Asgjë – tha tjetra duke vënë dorën mbi gjoks. – U lodha.

Kishin edhe një kat.

Ishin lidhur në një fejesë vetëm pak muaj më parë. Babai i Marenglenit, sekretari i partisë së qytetit e kishte kërkuar për nuse ditën e Vitit te Ri. Atëherë Ana studionte në Institut, në një qytet të veriut, për Histori-Gjeografi, ndërsa djali mbaronte për inxhinieri kimike në Universitetin e Tiranës. Prindërit e vajzës ishin gëzuar nga ky rast që po u vinte në derë, pasi Bektash Peka ishte njeriu që kishte në duar krejt fatet e atij qyteti, që nuk i kalonte të pesë mijë banorët. Madje ai i kishte nxjerrë edhe bursën vajzës së tyre.

Ana , një vajzë me botë, edhe pse nuk kishte mundur që të simpatizonte e të lidhej me ndonjë djalë në jetën e saj, fillimisht nuk pranoi. « Do të të mbaj mësuese në qytet ky sekretari ynë, i tha e ëma. Do të rregullosh jetën e nuk do të bredhësh fshatrave, ku venë shoqet e tua. Nuk përballohet jeta ashtu. Pastaj kemi vajzën tjetër që ka rradhën për shkollë të lartë. Do të të gjej shtëpi e do të jetosh e qetë duke bërë një jetë të rehatshme. I biri është i urtë dhe i sjellshëm. Do të punoj këtu në uzinë. Lum si ju pastaj. Unë e Vangjeli jemi punëtorë të thjeshtë. Me turne gjithë jetën kemi punuar, pa asnjë çadëre e përkrahje. Këtej e tutje do të kemi një mburojë. Është ai, sekretari që na ka trokitur.

Asnjë nuk e mendonte se Marengleni do të lidhej me Ana Gjikën. Ishte rritur në atë qytet, por nuk kishte rënë në sy. I qetë e studiues. Moshatarët thoshin për të, se është tip vajze. I ndrojtur vinte, dhe nuk para shfaqej në qytet, edhe pse ky ishte tepër i vogël në hapësirë. Kishte ca sy të bukur e jeshil e një pamje engjëllore. Ndryshonte kryekëput nga tipi i të atit, i cili kishte ardhur në rininë e tij nga një fshat i largët i krahinës për të punuar në uzinë. Fillimisht elektricist e pastaj mori e ngjiti shkallët e karrierës. Kur bëri edhe shkollën e partisë në Tiranë, e sollën sekretar të komitetit të partisë. Dhjetë vjet pa lëvizur. Ai vendoste për gjithçka në qytet, me një pushtet gati të pakufizuar. I vrazhdët, kokëfortë e nevrik. Të gjithë i ruheshin këtij cenit të fundit të sekretarit. Të bënte gjëmën Bektash Peka në se të zinte lapsi i tij.

Ana Gjika, nuk rezistoi gjatë. U dorëzua. Në fakt djali i pëlqente, dhe i dukej krejt ndryshe nga tipat e meshkujve që njihte aty rreth. Lidhi fejesë me djalin e sekretarit. Kështu i flisnin në qytet. Ishte i vetëm.

Por atë që nuk bëri Ana, tentoi Marengleni. Në shtëpi për këtë lidhje ishte folur më shumë se një vit më parë, por djali kishte ngulur këmbë duke thënë se « nuk ishte i gatshëm për një hap të tillë ». Sekretari nuk mund që të priste. Vajzës së Vangjel Gjikës i a kishte vënë syrin për këtë punë sapo ajo mbaroi gjimnazin, e kur kërkonte bursë. Binte në sy për trupin e saj të kolmë. Kishte vërtetë një bukuri të rrallë që nuk e gjëje tek ndonjë vajzë tjetër në qytet. Ishte qejfli Bektashi, dhe bukuria femërore nuk mund t’i shpëtonte aq lehtë syrit të tij.

Dy muaj më vonë, tha përsëri jo. Bektashi këtë herë i kishte shkuar në universitet për ta takuar. Ishin darkuar në qendër të Tiranës, tek “Peza”. Por sekretari nuk mund të humbte durimin. Për 1 Majin, kur djali mbërriti në shtëpi, biseda u nis përsëri. Këtë herë ishte nëna që i u përgjërua duke derdhur lot. Por Marengleni nuk premtoi. Kërkoi që ta linin sa të mbaronte provimet, pastaj mund të diskutonin përsëri. Marëveshja funksionoi vetëm një muaj se fejesa u servir sërish. Djali nuk po dorëzohej. Bektashi u vu në hall. Hynte e dilte në shtëpi, e shfrynte. E shoqja, Zeqineja, nuk e duronte. Vuante dramën. Djali i dhimbsej, sepse ai ishte dobësuar shumë kohët e fundit, por donte që ta shihte të lumtur.

- Nuk ka kala që të mos e marrin komunistët, Zeqine. Mblidhe mendjen. Do të bëhet se s’bën. Bektash Pekën e dëgjon dhe e ndjek pas një qytet i tërë, dhe jo djali im që i kam bërë kokën.

Në fund të verës dyshoi. «  Po ç’ka ky i uruar që mbyll sytë përpara një bukurie të tillë si vajza e Vangjel Gjikës ? I thuhet jo asaj ? Nuk mund që të ketë asnjë arsye. Të jetë ndonjë vajzë tjetër në këtë mes? Po kësaj nuk i besonte. E njihte mirë të birin. Nuk dilte nga shtëpia, veçse lexonte aty në dhomën e tij. As me shokë të fëmijërisë nuk takohej, edhe pse ata vinin shpesh, dhe e ftonin për të dalë jashtë.

E përcolli i pezmatuar për në shkollë. Djali i tha :

- Ky është viti i fundit baba. Më duhet që të përgatitem mirë. Pastaj, unë mendoj që të punoj disa vite. Pret kjo punë. Këtu jemi. Mbase edhe Ana deri atëherë, nuk ka gjet fatin e saj..., dhe bëhet.

Gjatë vjeshtës Bektash Peka shkoi nëntë herë të takonte djalin në kryeqytet. Shfrytëzoi shërbimet në Tiranë. Marengleni e kthente bosh. Në fund të dhjetorit, sekretari solli nga fshati nënën e tij plakë, që rronte me vëllain e vogël atje. E pamundur dhe e sëmurë.

- Kjo e ka jetën me ditë, por dëshiron që nipin ta shohë me nuse. Ti e di që të do fort e të ka mbajtur kur ishe i vogël. Mezi po pret. Do ti a zgjatësh jetën edhe ca. Të gëzojë e të lumturohet edhe ajo, si gjyshe, që ka mbërritur ndershmërisht tek shtatëdhjetat.- i tha Bektashi djalit kur mbërriti për pushimet e fundvitit.

Marengleni nuk dha përgjigje dy ditë. Nuk vuri as gjumë në sy. Të tretën, i tha babait përballë.

- Mirë unë, ja po pranoj, po ajo, Ana e Vangjelit, a do të dojë vallë ? Ti ke dëshirën baba, por ajo vajzë mund të këtë zgjidhje tjetër.

- Pse mendon ti që ka njeri në këtë qytet që t’ia prishë dëshirën Bektash Pekës ? Jam sekretar partie, o kokë. – Vuri gishtin tregues mbi kapelën tip kineze që ishte vënë në modë nga drejtues partie kudo. – Mblidhe mendjen , o djalë. Kjo krushqi do të bëhet se dua dhe e kërkoj unë. Ta kenë për nder.

Një natë më vonë trokiti tek Gjikajt. Ata, aty për aty, nuk i thanë gjë. Dy ditë më vpas i thanë: “Kjo punë bëhet”. Dasma u la për në vjeshtë, atëherë kur çifti nuk kishte më detyrime ndaj shkollës.

… Ana u duk se e mori veten. Ishte e gëzuar. Shkallët e mbetura deri tek dera i ngjiti si një flutur, duke e ngritur paksa fustanin e nusërisë, për të mos e shkelur me këmbë që të rrëzohej. Sikur të ishte vënë në garë me Marenglenin, doemos që fituese do të ishte ajo. Tjetri erdhi nga pas me një frymë. Qëndroi një çast dhe i zgjati çelësin nuses.

- Hape, – i tha – brenda është jeta jote.

- Dhe e jotja, sëbashku. Kështu si i ngjitëm shkallët sonte, të dy  - tha vajza.

Marenglen Peka nuk foli.

Ajo i kërkoi një puthje por djali nuk e kishte mendjen aty. Ana u ngjit pas buzëve të tij duke i a kapur kokën me dy duar e saj që dridheshin. Pastaj i a vendosi mbi supe. Tjetri nuk lëvizi. Vajza ishte tej e emocionuar. Ai ndjeu që kishte një fërgëllimë të brendshëm dhe zemrën që i rrihte me vrull në kraharor.

- Vajzë të lind nëna, por grua ama…të bën burri. Do të më ç’virgjërosh. – tha ngadalë në vesh. – Të betohem Marenglen që e kam për të parën herë. Dua që të jem grua. Mezi pres të bëjmë fëmijë. Do të jenë të bukur. Këtë e ndjej. I dua shumë, shumë. Por edhe ty të dua. Të kam ëndërruar, i miri im.

I përkëdheli flokët në atë gjysmerrësirë ku drita e paktë e neonit jashtë, futej nëpërmjet një dritareje në murin përballë, mes shkallëve që të ngjisnin një kat me lart. Pastaj e mori çelësin nga dora e djalit, mbledhur grusht, e u kthye nga dera. Kërkoi brimën dhe e hapi shpejt. E tërhoqi Marenglenin, dhe u mbështetën ne korridor. Djali që kuptoi se Ana i a kërkonte puthjen përsëri, e mbërtheu me dy duar në bel. Ajo i dha trupit përpara si në një gjysmë hark duke u bërë njësh me trupin e tij. Ranë në dysheme. U kujtuan që kishin lënë derën ende hapur. U ngritën shpejt dhe e mbyllën. Përtej, mbas derës përballë, në korridor u dëgjua një kollë. Dikush nga komshinjtë ishte zgjuar nga zhurma që bënë të dy. Nuk e hapën dritën. Ana e dinte përmendësh planimetrinë dhe vendosjen e gjithë orendive të shtëpisë. Tre ditë më parë i kishte rregulluar e sistemuar së bashku me motrën e saj e Marenglenin, i cili i ndihmonte në ç’vendosjen e paisjeve të mëdha. Këtë herë vinin për të filluar jetën të dy, si burrë e grua, për të jetuar përgjithmonë aty.

Ora kishte kaluar dy pasmesnate dhe po shkonte me nxitim tek treshi. Dukej sikur nuk ndalej dot. Kështu kishte bërë ajo që me krijimin e ngjizjen e të parës farë të jetës në këtë botë. E pa. Ndërkohë një krismë tronditi krejt apartamentin dhe bëri që Ana të vejë duart instiktivisht në koke, e të shkojë me nxitim në dhomën e gjumit. Xhamat e dritareve lëshuan një tingul,l por nuk krisën. Jashtë një vetëtimë u duk se e çau qiellin e natës mëdysh, si një urë zjarri që zbret vërtik nga qielli për të ndezur krejt qytetin. Marengleni e ndoqi nga pas, dhe e gjeti nusen e re të trembur, të ulur në buzë të shtratit. E mori përdore dhe e ngriti sërish. E puthi lehtë në buzët e holla që ende dridheshin. Dukej krejtësisht e trembur.

- Erdhi kaq befasisht sa nuk e mendoja. Ka kohën në fakt. Vjeshtë është. Mirë që mbërritëm në shtëpi – tha Ana Gjika, dhe menjëherë i u hodh në qafe dhëndrit të ri. Këtë herë ishte ajo që kërkonte buzët e tij. Duart e saj pastaj shkuan e shkopsitën xhaketën e kostumit të dasmës, tek njeriu me të cilin kishte vendosur që ta ndante jetën pas kësaj, por djali nuk shkëputej dot nga përqafimi, dhe nuk u la udhë duarve të Anës që të vazhdonin më tej

- Kemi kohë  – i tha, ndërsa me buzë shëtiste nëpër gushën e bardhë të nuses së tij.

Ana hoqi dorë nga mendimi se do të mund që të zhvisheshin shpejt për të shkuar në shtratin bashkëshortor. Rituali i zhvillimit të jetës kishte kohë për më vonë. Mund që edhe të priste disa çaste, ndonëse vajza i ndruhej, duke e konsideruar jo vetëm një mister. Përjetonte edhe një ndjenjë frikë. Eleni, vajza e xhaxhait që ishte martuar dy vjet më parë, e kishte pyetur Anën vetëm tre ditë para dasmës. “A je e prishur?  Ua…! Nuk e ke bërë gjatë fejesës?. Eh!... Çdo të heqësh natën e parë. Do të më kujtosh…Ke për ta parë moj korbë”

Marengleni zgjati dorën në një çast poshtë, në mes të shalëve të tij, si për të kontrolluar diçka që mendonte, se i kishte humbur. Kuptoi se ishte ende në gjumë. Nuk reagonte. Lëroi kollaren dhe i u duk se u mbush më mirë më frymë. Ndërkaq, një vetëtimë përflaku qiellin e natës së zezë pis, e drita e saj krijoi hijet e të dyve në mur. “Natyra kërkon që të ngjizë », tha me veten e tij djali.   Ana u tremb. U mblodh menjëherë. U përkul.

Xhamat krisën nga një gjëmim që tronditi dritaren.

- Hajde të shkojmë në shtrat – tha vajza që priste të bëhej grua atë natë. Në zërin e saj dallohej një ndjenjë frike. – E kam zakon nga vegjëlia. Kështu bëja edhe atëherë. Fusja kokën nën jorgan, sa herë që në mbrëmje shfaqeshin jashtë shigjetat e zjarrta dhe bubullima.

Dhëndërri e tërhoqi nga dora dhe e mbështeti përsëri në murin që kufizohej  me derën, pikërisht në momentin kur Ana mendonte se do ta çonte drejt e në shtrat. Kishte hequr me shpejtësi këmishën dhe pantallonat. Nusja mblodhi menjëherë dy duart në gjoks, si për të mos u bindur e kundërshtuar njeriun që kishte zgjedhur për shok jete..

- E dua në shtrat ta bëj – tha Ana Gjika.

Mendoi se atij nuk i pritej tashmë. Kishte ndryshuar mendim në çast. Donte që ta bënte atë punë aty në këmbë. Por djali u përhumb. Nuk lëvizi. S’dinte se çfarë të bënte tani. E kishte vënë pas murit gruan e jetës, pa e ditur se ç’mund që të bënte në atë moment. U ndje i penduar

Ishte ajo këtë herë që e tërhoqi Marenglen Pekën drejt krevatit bashkëshortor. Në buzën e tij ajo u zhvesh menjëherë, duke e lënë që të binte deri në fund të këmbëve fustani e nusërisë. Kishte mbetur në këtë çast vetëm me sutienat, dhe të mbathurat e holla rozë, krejt transparente. Këto i a kishte dhuruar një shoqja e saj e klasës në institut nga Durrësi. Dukeshin firmë. I a kishte sjellë i ati. Ai punonte shofer-Albanie me makinat që shkonin jashtë shtetit. Ana ishte mahnitur me dhuratën e veçantë, dhe i ishte hedhur në qafë. Ta kam sjellë për natën e parë i kishte thënë durrsakja, të premten në mesditë, sapo kishte mbërritur si e ftuar në shtëpinë e Anës.

Marengleni treti vështrimin përtej dritares, e në çast i u duk se dëgjoi tingujt e ëmbël të një violine që luante “napolonin”. Ishte  qemania e Dalip Jevgut që pastronte pusetat e komunales. Ndjehej tej me një zë të lodhshëm e të përvajshëm. Duhej që të ishte një dasmë që bëhej në apartamentin përbri, përtej rrugës. Me sa dukej, nuk kishin gjetur ndonjë nga lokalet e pakta në qytet.

Nusja kishte palosur fustanin duke e lënë hë për hë mbi komo, së bashku me sutienat, hoqi edhe mbulesën e shtratit dhe u kthye nga Marengleni, si për t’i kujtuar atij detyrën që e priste para këtij çasti, që në jetën e një çifti, është dhe mbetet i shenjtë. Djali e soditi Anën në atë gjysmë errësirë me një ndjenjë pafajësie. E shihte për të parën herë të zhveshur vajzën që e kishte zgjedhur për shoqe jete. Ajo nuk e kishte aspak ndjenjën e turpi. Nuk u ndruajt si femër, kur zë e shfaq lakuriqësinë e saj të brishtë vajzërore, përpara një mashkulli. Marengleni kuptoi se ajo ishte e përgatitur mirë psikologjikisht për natën e parë të bashkegzistencês në çift. Madje dukej se mezi e priste këtë moment. Ai asnjëherë nuk ishte ndodhur përpara një femre, në intimitetin e saj. Ana Gjika priti që ai ta përqafonte, ta përkëdhelte në të gjithë qenien e saj epshndjellëse, po shoku i jetës qëndronte i ftohtë.

- Ç’presim – tha ajo, dhe i hodhi dy duart në qafë. U mbështet në gjoksin e tij, dhe e lëshoi paksa trupin. Të dy në çast u rrokullisën në shtrat. Ajo u gjend lart, sipër. E puthi lehtë në buzë. Tjetri dukej se diç mendonte. Në një moment nuk reagoi, por pastaj, sikur të ishte zgjuar nga një gjumë i thellë, lodhës e rraskapitës, e pushtoi. U bënë njësh, si të ishin salduar aty prej shumë kohësh…

Një çast më pas Marengleni u ndje i dëshpëruar. I ulur në krahun e djathtë të Anës, kaloi dorën mbi kaçurrelat e tij te zeza. Vajza e shikonte përmallshëm.

- Nuk ka gjë, i dashur dhe i miri im. E ke nga emocioni. Kam lexuar që u ndodh shpesh burrave kur bien në kontaktin e parë me gratë. Do të kaloje. Ke për ta parë. Mos u shqetëso. Ne do ta provojmë përsëri. Do ta shikosh që do të bëhet. Pastaj,...Nata e jonë është. Qetësohu shpirt...

Në një cep, aty pranë tij ishin të mbathurat e Anës. Te zhubrosura e të hedhura pa kujdes. Të tijat ndodheshin poshtë në dysheme. I kishte vënë shkujdesshëm, ndërsa kërkonte të bënte detyrën e tij si mashkull e bashkëshort. Nuk ishte nxituar për momentin, pasi priste që të ndjehej burrë përpara gruas së tij. I ishte trembur impotencës. E kishte mbajtur fshehur nga të gjithë. Pas moshës tetë vjeç, kur sapo kishte kaluar një sëmundje të rënde infektive, nuk e kishte ndjerê për të gjallë organin e tij mashkullor. Ishte ndodhur në fshat atëherë, tek gjyshja. Si në vegullime i vinte ajo kohë kur dilte me djemtë e tjerë të fshatit në përrua. Atje bënin garë se kush e hidhte pipinë më larg. Kishte fituar disa gara… Pas sëmundjes që e kishte mbajtur mbi dy muaj, duke e shtruar deri në Tiranë, nuk e kishte ndjerë më të gjallë. Mjekët herë pas here e pyesnin gjatë seancave të shërimit në se ndjehej akoma mashkull i fortë, dhe ai kishte gënjyer. I vinte turp. Profesori, një burrë tek gjashtëdhjetat, i kishte thënë, Bektash Pekës. “ E kaloi lehtë, dhe me pa probleme të rëndësishme. Nuk ka ndodhur ajo që i trembeshim ne. Pastaj do të na duhej që të…Ndoshta do të na duhej që edhe ta nxirrnim jashtë në një klinikë të specializuar. Por Marengleni nuk kishte guxuar që të thoshte më të vërtetën. Dhe nuk e tregoi asnjëherë në vitet e mëvonshme, askujt. Babait, kur ishte në adoleshencë i kish thënë se “ishte në rregull”. Më shumë se nga ndrojtja,  ishte turpi në këtë mes, që e kish bërë ta mbështjellë sekretin e tij me heshtje. Por shpresonte. Shpresonte tek momenti. Tek momenti kur të ish përballë një femre, të cilën do ta bënte të vetën, edhe pse kishte hezituar të kërkonte seksin, në shkollë e në universitet.

Ana u ngrit përgjysmë. Zgjati kokën dhe me majën e gjuhës i lëpiu qafën nga pas. Djali u ndje i bezdisur në moment. E gjithë kjo gjendje e rënduar psikologjikisht, nuk mund që ti shpëtonte pa u vënë re nuses në shtrat. Vendosi bërrylat, e gjysmë e kthyer nga ai, tha:

- Nuk ke pse të dëshpërohesh, shpirt. Është një çast kalimtar. Emocion. Do ta shohësh që gjithëçka do të shkojë. Je i ndjeshëm, i miri im, xhan. Do ta provojmë përsëri. Qetësohu në këtë moment, i dashur. Mos e ki mendjen aty.

Ana Gjika dukej si e vetme në atë dhomë bashkëshortore. Marengleni hodhi përsëri sytë nga dritarja, e përtej xhamave dalloi se kishte filluar të vesonte shi. Neoni poshtë në trotuar sillte fasho drite në dhomën e heshtur. U shtri, dhe vuri ngadalë kokën në jastëk, në errësirën e natës gojëprerë. Brenda, poshtë çarçafit të bardhë si bora, ndjeu dorën e Anës që e ledhatoi në gjoks, ndërsa shpupuriste leshin e dendur aty.” Duhet që jetë shumë mashkullor” , mendoi. Kështu i kishte thënë dhe një herë e ëma, kur ishte ende adoleshente, një vit poshtë maturës. “Burrat leshator në gjoks, janë potentë e të fuqishëm me gratë”. Edhe Vangjeli, ashtu ish, dhe për këtë nëna nuk dyshonte aspak.

- Nuk të shoh dot kështu – i pëshpëriti në vesh. – Kemi arsye të gëzohemi. Të jemi të lumtur, sonte e përgjithmonë. Të dua shumë, xhan.

“Ta provoj edhe një herë”, i tha vetes Marenglen Peka, pas përkëdheljes që mori nga Ana. Për të ndjente edhe pse nuk ishin lidhur në dashuri më parë. Kish bukurinë dhe zgjuarsinë, së bashku. Ajo dallohej në atë qytet të vogël në buzë të maleve e që lagte këmbët në një lumë që rridhte në fund të tij. Këtë i a kishin thënê edhe shokët e vegjëlisë. Ana Gjika ishte ndryshe nga vajzat e tjera. U kthye nga ajo dhe e puthi. Vajza i u fut si një mace. E shtrëngoi fort në kraharor, e filloi i pari lojën erotike. Ana i u përgjigj menjëherë… Kur kishin kaluar mbi njëzet minuta, Marengleni u tërhoq përsëri. Por vajza fërgëllonte nga dashuria.

Uli këmbët e zbriti këtë herë nga krevati. Nuk ishte ndjerë sërish për burrë. Kjo e dëshpëroi më shumë. Eci në gjysmë errësirën e dhomës e qëndroi përballë dritares. Largoi më tej perden që nuk e kishte zënë plotësisht hapësirën.

- Mos u mërzit shpirt. – tha Ana që kishte mbështetur dy bërrylat, gjysmë e ngritur. – S’ka gjë, mund që ta bëjmë dhe nesër. Mbase je edhe i lodhur sonte. I stresuar, o i miri im...

Por Marenglen Peka, nuk foli. Shikonte jashtë, përtej xhamave, qytetin që flinte. Në pallatin përballë, aty ku dritat ndriçonin dy dritare, dalloi hije njerëzish. Poshtë në asfalt pa pikat e shiut që kishte zënë shtruar. Tani, nuk kishte më dyshim për veten. I erdhi keq për Anën. “Çfarë ti bëj unë kësaj?” pyeti veten. “Është ndezur plotësisht. Ka ardhur në afsh. E gjora, kërkon të bëj detyrën time, atë të vazhdimit të jetës…Po ky që nuk kujtohet e nuk bëhet i gjallë.?” Kaloi instiktivisht kurrizin e dorës së djathtë si për ta cekur, dhe për të provuar ekzistencën në se ishte aty. “Eh !, nuk jep asnjë shenjë për të më bërë burrë. Me turpëroi tmerrësisht. Më lëndoi. Nuk ka asnjë shpresë…Po pse kalohet kështu ? Unë i besova…Unë besova se do të bëhej i gjallë përpara Anës sime. Edhe kur dhashë e mora puthjen e parë, por edhe kur u bëra njësh me të. Po ky nuk reagoi. Nuk dha asnjë shenjë. I besova këtij çasti. Këtij çasti kur duhej të më bënte mashkull, dhe pjesë të jetës e strukturës së saj, por as edhe tani...

Ana përtej priste e pafajshme, krejtësisht e zhveshur dhe e nderur mbi shtrat.

“I trembesha edhe këtij momenti, ndaj edhe ngurova deri tani. Nuk jam më asgjë, për asgjë, pa asnjë funksion. Jam një hiç dhe i padobishëm. As mashkull

- Eja - i tha vajza me një zë të ëmbël e të ngadaltë, - eja…Mos e vono…

Po pse e bëra ? Plotësova një kërkesë të vazhdueshme të prindërve të mi. Po ata nuk më kanë asnjë faj. E ku ta dinin ? Në fund të fundit ky është gëzimi dhe qëllimi i jetës për çdo çift që lidhet në një martesë. Fryti i dashurisë së tyre ta ricikloj jetën për të tjerët. Oh !...Më vjen turp.... Nê fakt, jam një eunuk i pa tredhur, që nuk mund të shërbej më për asnjë gjë

Kjo gjë ishte veçse një ëndërr. Ëndrrat janë për ata që dinë t’i shikojnë.

Ktheu kokën pas. Në shtrat, Ana si një nimfë e sapo dalë prej ujit, qëndronte e heshtur në mes të shtratit bashkëshortor, pa ditur se ç’të thoshte. Trupi i saj i lakuriqtë, i përkorë dhe epshndjellës, i spërkatur me pak reze drite, qe hyri me nxitim nga dritarja, e bëri Marenglenin të ndjehet më keq se asnjëherë.

- Anë, dua që ti të jesh e lumtur!

Nusja e re nuk foli. Mbylli qerpikët sikur të kërkonte ëndrrën, momentin, dhe djalin me të cilin po niste një jetë krejt tjetër. Dhëndëri tërhoqi dy kanatet ngadalë. S’donte të prishte qetësinë dhe intimitetin e atij mjedisi, në atë çast të magjishëm. Flladi tundi perdet e mëndafshta në ngjyrë trëndafili, e shkoi e përkëdheli kofshët e gjoksin e vajzës nuse, që priste të bëhej grua

- Nuk është aq vapë i dashur. Eja! Sezon vjeshte. Fryn. - tha Ana Gjika  me një zë të butë, përplot mirësi  e me ca sy të qeshur, që Marengleni nuk ia pa më.

Pastaj hoqi sytë për një çast andej nga dritarja e hapur, ku era tashmë gufonte gjithë masën e tyltë. U drodh. Zgjati duart në atë gjysmë errësirë dhome që mbante erë parfum, për të marrë çarçafin e ta hidhte përsipër lakuriqësisë në shtratin e ngrohtë. Në fillim ndjeu një zhurmë të lehtë, diçka si kërcitje të mbytur druri, në çastin ku masa e copës së bardhë i kishte mbuluar kofshët e kolme, e pastaj një trup i errët i u shfaq, ndërsa iu ngjit tej e tej hapësirës së dritares. Ndjeu një “oh !” e trupi u duk sikur fluturoi përtej në flladin e vjeshtës.

Nuk kishte me kohë të mendonte. Maringleni nuk ekzistonte më në dhomë .

Në çast ishte ngritur përgjysmë. Rrëshqiti nga shtrati duke lënë çarçafin që u derdh pa zhurmë në dysheme, dhe shkoi menjëherë tek hapësira e dritares së hapur. Kapi leshrat e hodhi sytë poshtë në asfaltin e lagur. Trupi i burrit të saj, Marenglenit, ishte aty, i shtrirë, i pa lëvizur, i pajetë. Përreth një pellg gjaku. Nën dritën e zbehtë të neonit dalloi disa fletë të zverdhura, si flutura nate, të zbritura nga pemët që ishin përreth, e që vallëzonin e lodronin nën flladin e lagur te vjeshtës mbi qytet. Përreth binin qetësisht pika shiu.

Nxori një zë si buçimë deti. Shqeu sytë e klithi këtë herë në vaj.

- Oh !... I shkreti Marenglen. Ç’po më shohin sytë kështu…?I miri im. Po pse, po pse?…Unë korba…Oh! ç’më gjeti mua të mjerën!

Pastaj ndjeu një gulç brenda kraharorit, që erdhi dhe i mbeti në grykë. Kuptoi se nuk mund që të merrte më frymë. Ra e zalisur mbi dysheme.

…Nga larg vinte sërish tingulli i violinës se Dalipit. Atje po vazhdonte dasma e tjetërkujt. I gëzoheshin që të gjithë.

 

Bordo, Tetor 2010



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora