Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Zeqir Lushaj: Me Sadik Selmanin

| E enjte, 08.12.2011, 09:05 PM |


ME SADIK SELMANIN

 

Nga: Zeqir Lushaj

 

-Në nderim të babait tim, Sadik Selmanit të Grisë,

në 25 vjetorin e ndarjes nga jeta, 8 dhjetor 1986-

 

1. MIKPRITJA MALËSORE

- Nga një bisedë burrash -

 

Nën hijen e Blinit,

Shoshitej muhabeti,

Mikëpritja më e mirë,

Vallë, cila mbeti?!

 

Njëri,-thoshte,-mikut,

T’i shtrohet banket,

Ndryshe edhe fjalët,

Sikur s’kan lezet!

 

– Nderi,-thosh tjetri,

I mikut kur të vijë,

Është dashi i therur,

Gotat plot raki.

 

– Nuk e keni drejtë,

Foli , qetë, Urtia,

Mikpritje nuk është,

As mishi, as rakia!

 

– Dëgjoni, o burra,

Ju, jeni ma t’rinj,

Miku, don tre desh,

Kur vjen në shtëpi.

 

Dashi i parë,

Dashi më i mirë,

Kur të thërrasë tek porta:

–Ooo, –Hajde byrë!

 

Dashi i dytë,

Prap, “theret” me gojë,

Kur të uleni në sofër:

– Byrë, me ç’ka t’qëllojë!

 

Dhe dashi i tretë,

I mikpritjes së malsisë,

Është, përcjellja e mikut,

Deri matanë shtëpisë!

 

Kështu, “theret” dashi,

Pa derdhur pikë gjaku,

Dhe, nderin e shtëpisë,

Ta len tek oxhaku.

 

Tetëdhjetë vjet i mbusha,

Gja ma t’mirë nuk di,

Buzëqeshjen e sinqertë,

Shikimin drejt, ndër sy!

./.

-----------------------

2. TRI POROSI !

- Hall me to e…, hall pa to –

 

1.

Mos u shit i mençëm,

Mos i lësho mendët vërdallë,

Shkojnë dam, or bir! Se:

–Ma shumë hasin në budallë!

2.

Nuk duhet gja trimnia!

Asht bela…, dje dhe sot,

Do të ndeshësh në të ligun, e:

–Trimnia me të ligun, shkon kot!

3.

Edhe bukën…, ka rrezik,

Kur, gjithkujt ia jep!

Nuk ecen xhymeria me horrjatin:

– “Se po t’vrajke buka vet”!

 

Mëndët, Trimëria, Xhymeria…,

Pa këto, të trija, hiç nuk ban!

Po i “hangre” me lugë të madhe:

– Kan pak hajr, e ma shumë dam!!

./.

Gri, 1975

-----------------------------

3. KURRË, NUK JAM VETËM

 

Po më patë vetëm, në shetitjen e darkës,

Të jeni të bindur se, vetëm nuk jam,

Jam me ish-nxënësit e shkollës së dashur,

Që si mallin e nënës, në zemër i kam.

 

Jam, me barinjtë në shtrungat e vathit,

Duke mjelë delet në Shtyllë të Grisë,

Jam me minatorët e minierës së Kamit,

Udhëtoj me një skodë, Grykës Dragobisë.

 

Jam me babain, duke i dredhë cigare,

Nën hijen e gështenjës në Malësi,

Jam duke përkundur mbesën Rugova,

Jam në një dasëm, me kangë e sharki.

 

Jam, në buzë detit, ketë buzëmbrëmje,

Një shoqe ngacmoj për ngjyrën çokollatë,

Jam me një shok në zyrën e punës,

Ku, lam përgjysëm raportin e gjatë.

 

I kam me vete, të gjithë që më duan,

Si fytyrën e nënës që e pret fëmija,

Zemrën time, kurrë se leni vetëm,

O njerëz të mirë, o dashuritë e mia.

./.

Tiranë, vjeshtë, 1979

--------------------------

4. KALI I BARDHË

 

Tek eci sot, rrugëve të atdheut,

Në bulevarde, a qiejve fluturim,

Më vjen në kujtesë fëmini e largët,

E, kali i bardhë, i babait tim.

 

Për freri, ngadalë, e fusja mes barrëve,

Ai, qëndronte, i rëndë dhe i qetë,

Babai, e ngarkonte me miell e plaçka,

Rrugën e gjatë, merrnim për në bjeshkë.

 

Ngarkesën mbi shpindë, e njihte mirë,

Kali im fisnik, kali im i bardhë,

Ngarkoje me drith, nisej për mulli,

Koha e bjeshkës e dinte kur ka ardhë!

 

Mbi shpindë të kalit, në mes të barrëve,

Më linte babai, një vend dhe mue,

At’here gjogu, ecte më ngadalë,

Sikur, nuk donte për të me trazue!

 

Zhurma e patkojve dhe e ziles në qafë,

Përzihej me zhurmën e gjinkallave të malit.

Unë, këpusja gjethe ahu e lajthie,

Trëmbja mizat, mbi jelet e kalit.

 

Tek eci sot, rrugëve të atdheut,

Në bulevarde a qiejve fluturim,

Më vjen në kujtesë fëmini e largët,

E, kali i bardhë i babait tim.

./.

-----------------------------

5. GURËT E RRUGËS

 

Ka qenë zakon, në kohë të shkuara,

Ku vritej një Njeri, ngulej një gur,

Jo veç dëshmi e vendit të ngjarjes,

Dhe si “leksion”, shërbente dikur.

 

– Ç’është ky gur, -do pyes kalimtari?

– Eshtë vrar Filani, -përgjigjja do të jetë,

– Pse? Si? Qysh? Kur?…, vazhdon biseda,

Dhe fillon morali që lypset përjetë.

 

Heee, (!)Shkon mendueshëm, njeriu i mirë,

– Këta gurë, or bir, – mos i harro!

– Ç’ka s’të pëlqen, ta bëjë dikush Ty,

T’ia bësh Ti, tjetrit, – mos guxo!

 

– Mos vidh! Mos gënje! Mos mashtro!,

Mos prano të marrësh gruan e huej,

Mos ofendo njeri në këtë botë,

Kurr, mos ja shkel nderin tjetërkuj!

 

Gurët e rrugës, të mos nënvleftësohen,

Duken si të shkretë, pa veshë dhe sy,

Po dite të flasësh me simbolet e jetës,

Më e bukur jeta, do të jetë për Ty!

./.

Tropojë, 1981

---------------------------

6. MË KA PAS THANË NJË PLAK!

 

Më ka pas thanë një plak i vjetër,

-Po shkon në shkollë? -Udhë e mbarë, bir!

Ne, mbetëm të verbër, me sy në ball,

Ju, duhet të baheni djem të mirë.

 

Më ka pas thanë një plak i motshëm,

– Mësoje mirë lapsin, – djalo!

Po deshe maja të mos i thyhet,

Si ruhen delet mos harro!

 

Kur pata dashur, dikur, një vajzë,

Sa shpejt më kuptoi i miri plak(!),

-Gjithçka, or bir,-më pat thanë mbarohet,

Prandaj, është mirë: -“Ta hash ngapak”!

 

Më ka pas thanë një plak i mençëm:

-E gëzofsh punën e shtëpinë në qytet!

Hajde më shpesh tek trolli i babës,

Ku, buka e misrit piqet në çerep.

 

Më ka pas thanë një plak i urtë:

– Shokët e fëmijërisë mos i largo,

Lisat rriten me gjatësi të ndryshme,

Rrënjët, janë në tokë. – Mos harro!

 

Shumë më ka thanë, plaku i të gjithave:

Dhe për gjithçka, për nderë ia di,

Ai, nuk ka qenë kurrë profesor,

Por, ka diploma me firmën e tij .

./.

-------------------------

7. GRANICA DO TË THEHET…!

-Në bisedë rreth emigracionit në Kosovë-

 

Profeci…, e rreth viteve -80-të,

(80-të e shekullit të shkuar!)

Atij burri, i peshonte fjala,

Ndjej detyrë, ta lë të shkruar:

 

-Se po shihni gja të re, nëpër Botë,

Të merrni rrugë, djem, nuk ju këshilloj,

Edhe po të jenë kufinjtë e hapur,

Si katundi yt, krejt Bota asht njësoj!!

…!

Kudo, ka punëtorë dhe dembelë,

Kudo, do të hasni besnikë dhe kusarë,

Gjithkund, do gjeni pasanikë e të varfër,

Trima-Heronj, e rrugaçë–zagarë!

 

Lëvizja asht jetë, e syni e rrok Botën,

Fati asht bixhoz, (si një letër me birë),

Për rrugë të largët, të nis veç halli!

Larg varreve tua, zor, do ndjehesh mirë.

 

E di se një ditë, granica do të thehet,

(Vatha e mbyllur, i cofë, edhe bagëtitë),

“Çobanin e mirë”, e paçi me vete,

Sa ma larg…, ma fort t’i hapni sytë!!

./.

--------------------------

8. KUSH MA NGUCI DUKAGJININ?!

-Shpesh flasin për Kanunin, edhe ata që nuk ia kanë idenë Atij…-

 

Gjithkush është i lirë,

Le ta kuptojnë Atë,

…Si të donë!

 

Lek Dukagjini,

Ka qenë më i përparuar,

Se shumë…, në kohën tonë!

…!

Sot, me dhjetra gazetarë,

Vriten, kudo nëpër Botë,

(Sa shumë…, vit-per-vit!)

 

Para 500 vjetësh,

Në Kanunin e Lekës,

Ata, mbroheshin, açik!

 

Aty shkruhet,

(as ma shumë as ma pak):

“…Lajmësi, nuk vritet,

Lajmëtari, nuk bjen në gjak!”

./.

-------------------------

9. LLOMJA ME GAZ, DHE KOMPJUTERI

- Retrospektivë -

 

Kur erdhën dritat në Tropojë,

Me ka pas thanë një “disident”,

At’herë, në 69-ën…, Qyshkur:

 

– Këta tela, vijnë prej larg, o bir!

Që të mos mbetemi në terr,

Mos ma largo, llomën me vajgur!!

…!

E kritikova! Pse, besim nuk kish?

Koha, i dha të drejtë (xhandarrit të Zogut),

…– Ashtu ish!

…!

Sot, kur me kompjuter të mirë punoj,

Ndodhë që, shkrimi më bahet dillejt!

Krejt, papritur, nuk e di nga shkoj!?

 

E dua, dhe, nuk e përbuzi kompjuterin,

(Me shumë i besoj, letrës së shkruar),

Si llomës me gaz, që e ban dillejt terrin!

./.

--------------------------

10. RRATHËT E SHEKËS

- Muhabet rreth vatrës malësore -

 

-Ç’ka asht Diktatura e Proletaritarit?

E pyeti, një herë, Sadik Selmani,

Një nënpunës, të shkolluar,

(Ndoshta–ndoshta…, djalin e tij!)

 

Rrapa–ç’rrapa, –ish përgjigj-ja,

Me formula gazetash,

Por, hiç,

Nuk ja mbushi mendjen atij!

…!

– Boll, –boll, –se nuk e din!

Me ta kallxue unë,

Me dy fjalë,

A e pranon, Ti, biri im?

…!

–…Lene, ç’ka thotë literatura…,

Huuu…, huuu…, në dyell të qafës!!

– Kjo asht Diktatura!!

 

…Eeee…, -ka njëherë duhet,

(E drodhi, birameli!),

Edhe këtë punë, -tha e dij,

– Po si shtërngove rrathët e shekës,     1)

…!

– Po pikën shekat…!,

Prishet hesapi,

Nuk ka gja në terezi!!

./.

1) Enë e madhe druri, si fuçi, kacë, vozgë, çeberr etj, etj.

------------------------------

11. NJË FJALË GOJE !!

-Mbas një bisede, (pa pergjigje, nga ana ime)-

 

Ai…,

Atë ditë,

Ma serioz se zakonisht,

Ja ndoi gacën kamishit të duhanit,

Mbështeti dorën,

Mbi gjurin kryqalisht!

 

Ndiej këtu,

Ti, djali em:…!

-Qat, t’Parin tuej,

Unë…,

Nuuuk e duuue !!

 

Poor,

Mbasi nuk mundem ,

Me i thanë “jo”,

As, nuk kam për ta sha!!

…(!?)

Po ta thom sot,

Eeee…,

Mbaje mend gjithë jetën:

-Qeeeni, që i han robtë e shpiiisë,

…Do vraaa!!

./.

-Gri, 1976-

-----------------------

12. KALIMTARI

 

Ai, jep e merr!

Një burmë hekuri,

Përpiqej të perdredh.

 

Ç’ka po ban o burrë?

Kalimtari pyeti:

-Po e dredh një burmë!

…!

-A din me e zh’dredhë?

Prap foli kalimtari:

-Jo, -u pergjigj mundimqari!

…!

Kur nuk din me e xh’dredhë,

Pse e dredh, o zotni?

 

Urtia…, i motshmi,

Ju drejtue Atij !

…!

Kohët ikin shpejt,

Thua se dikush,

Mos t’i ka vjedhë,

 

Mbeti shprehja:

-Mos e dredh,

Kur nuk din me e zh’dredhë!

./.

-------------------------

13. KUJDES, GISHTIN!

 

…!

-A ke ngjye,         *

Në sahan të mjaltit?

I pyeste, mysafirët,

Ngadalë…, Urtia ?

 

Mbasi e “përtypnin” pyetjen,

Mas’shumti, ishte pergjigj-ja:

-…Po !

 

(Fjala, ish tek Partia!).

 

Të gjithëve, papërjashtim,

Një porosi ua ka dhanë:

-Kujdes gishtin!

Se…, mos e ha n’dhambë!!

./.

*tradicionalisht, mjalta në sofër, ngjyhej me gishtin tregues.

----------------------------------

14. POLICI …, DHE XHANDARRI

-Dialog (publik)…, - i jetuar -

 

…!

Pensionisti, ish-xhandarr i Zogut,

Një shkop të lehtë, skiatorësh,

Mbante (gjithnjë) në dorë.

 

E rrotullonte, gjithë salltanet,

Rreth pëllëmbës,

Një “huq i kohës”,-thonë!

 

Polici i Partisë,

I thotë xhandarrit të vjetër:

-Hiqe at shkop-zotni,

Nuk do të na rrahësh tjetër!

 

-Dëgjo këtu, or Ti-djalë,

(Je i ri e, mirë nuk e di!),

Vetëm një ndryshim kemi,

Polic-Xhandarri, (Unë e Ti!)

…!

 

Për të rrahur njerëzit,

Të dy paguhemi,

Ndryshe, mos të të rrëj mëndja(!),

 

Veçse, Unë, (dje), i rrihja hapur,

Ndërsa Ti, (sot),

I rreh…, atje…, brënda!

…!

Xhandarri i Zogut, ka vdekur,

Tash dy dekada e gjysëm- mot,

Policit të Partisë, i eci fati,

Kryetar Gjykate Qarku, është sot!

./.

------------------------------

15. DUHANI…, GRUAJA…, POLITIKA

-Trinom interesant…, diçka i bashkon-

 

Kush e ka pirë duhanin,

A, është marrë me politikë,

Edhe pse sot “Nuk e pin”!

 

Kur fillon konferencat,

Kunder Tij/Sajë…!

Nuk asht’ ma pak se një kulim!

 

Nuk mund të jeshë,

Shumë bindës,

Në pasqyrën e jetës,

 

Kur të keqen

E ke pranuar,

Brenda vetvetes!

…!

Duhani, por,

Edhe Politika,

Diçka, si gruaja,

 

Arsyet, i dini vet,

Pse ?!

Mund të jeni nda,

 

Burrnia e lyp,

(Kurrë ma !),

As, mos me e levdue,

As, mos me e sha…!

./.

-------------------------

16. NJË CIGARE DUHAN

- Burrat (e vaktit) e kanë thanë –

 

…!

Një cigare duhan,

Në pjeke burrash,

Ngjuhet, edhe për tek Ti!

…!

Obligim, dora në zëmer:

-Tu rritet ndera, zotni!

Edhe kur (ndoshta), nuk e pi!

./.

------------------------

17. KODI I BURRAVE

-Kutia e duhanit, qitet…, edhe e thatë-

Etnografi !?

 

Kahmot , i dashur lexuesi im ,

E tillë ka qënë dhe është jeta ,

Dikush , nuk ka duhan në kuti ,

Tjetri, e ka plot, por…, pa letra!

…!

Lshoj kutinë e duhanit mbi qylym,

Shtyni, me gishtat e dorës sipër sajë :

Pyeti: -Me pasë me se, a kie n’se?!

Buzeqeshi: -Mirëseerdhe, o uzdajë!

 

Mysafiri, e priti kutinë e duhanit,

E avyti afër gjurit, tuj e begenisë,

Nga kutia e vet, një tefter letra,

E gjysmoi, për të zotin e shtëpisë.

…!

Një ditë prej ditësh, e njëjta skenë,

(Një pyetje të kundert, po na bje!),

Kutia e bakfanit rrëshqiti në cergë:

Antitezë: -Me pasë n’se, a kie me se?

 

Tjetri, ndali kutinë, e hapi me kujdes,

Mori letër, mbushi, në duhanin e Tij,

Duhanin që pat, e ndau në dy kutitë,

Rrehi samraçin: -Tu rritët ndera, zotni!

 

Ndiqja në heshtje, kodin e burrave,

Formalisht, dukesha si indiferent,

Kjo etnografi, ish sugjestionuese,

Zbrazte, një roman, etikë e mend!

./…

---------------------------

18. PUNË-HALLALL

 

…!

Plot 12 vjetë punove, i dashur babë,

(Në ato kohë të vështira, jo si sot),

Furnizove (me kali), zonën Lekbibaj,

Ditën dhe natën, nëpër Qafë-Kolç!       *

 

Tash, kjo punë tingëllon hajgare,

(Aty shkon skoda, varka nëpër Dri),

Ama, jetojnë akoma me qindra,

Të mbajnë mend, e flasin për Ty!

…!

Paska qenë punë-hallall, babë,

(“Mos të shkoftë mundimi kot!”)

17 vjet e gëzove Ti, pensionin,

Qe’ 25 , e mori nana, deri sot!

 

Mbi 40 vjet, u mor pensioni i punës,

(Shumë ma tepër, se ç’ka pate punue!)

Hallall, 100 herë, buka e Sofrës Blinit,      *

Se, 1.000 herë, na e ka pague!

…!

Ta ruejmë veten, të mos koritemi,

(Nderi, si çadra kur prishet moti),

Ta zgjedhim njerëzoren, në rrugët,

Që dalin përpara, për çdo rob-zoti.

 

Ka thanë populli, me dy rrjeshta,

(Kërkush, s’mundet ta prishi):

-Emri i mirë, duhet në këtë botë,

-Njeriut…, nuk i hahet mishi!

./.

*Qafë-Kolçi, lidhë zonën e thellë Lek-bibaj, me qendrën Kol-gecaj, (të pakten, 6 orë rrugë).

*Shprehje e vjetër e populli, urim per njeriun e punes.

*Blini i Grisë, në oborr të kullës së vjetër të autorit, Gri-Tropojë.

------------------------------------------

19. UNË…, APO BABA ?

-Fletë ditari, USA, fundmaj, 2010-

 

…!

Diçka, si me frigë,

Ja çova shefit,

Kërkesën me shkrim:

 

-Të lutem, i nderuar Bos,

Më takon një muaj leje,

Do shkoj në vendin tim.

…!

Mu kujtua,

Të ngjitët e gjasë,  *

Në Dikçuer e Shtyllë të Grisë!

 

Pa qellim, leviza dorën,

…Përpara syve,

Po trembja, mizat e mërzisë!

…!

Plot, tre muaj,

Në ortigje bore,

E të freskëtet mriza,

 

Pa i lyp leje,

Hiçkërkujt…, dhe,

Pa e ditë fjalën- viza!

…!

Nuk them, jo,

…Jo, assesi ,

Të kthehemi mbrapa.

 

Amaaa,

Kam të drejtë,

Të drejtë të pyes:

 

-Cili ishim më i lirë?

(Më jepni përgjigje),

-Unë…, apo Baba?

./.

*Fundmaji, fillimqershori, malësorët, ngjiten për në bjeshkë

--------------------------

 

20. MYSAFIRI

-Nën hijen e Blinit…, Baba, më ka pa thanë-

 

…!

Pamvarësisht, se ku?

(Një natë),

Mysafiri, kur shkon.

 

E ka një saç mbi krye,

Një saç,

Që përvëlon!

…!

-Hajde byrë!

…Del  në oborr,

Zoti i shtëpisë të pret.

 

Fjala…,

Buzëqeshja…,

At’ saç ia hjek!

./.

-------------------------

21. VDEKJA E VARREVE

 

Katragjyshi im, Lush Maka,

Pati fatin e kohës,

Ju rrënue varri,

Bashkë me Kishën,

Kishën e famshme të Grisë.

 

Brezat pasardhës,

Matoshi, Hasani,

Dhe, gjyshi Selmani,

U varrosën në Kodër të Bokës,

10 minuta – larg shtëpisë.

 

Babai im , Sadiki,

Me të vëllezërit e Tij,

Më afër i deshën varret,

Sipër Arës së Madhe,

Nën hijën e të motshmit Bli.

 

Tri vendvarrime,

Te Kisha,

Në Kodër të Bokës,

Dhe, nën Bli,

Vendvarrime shekullore,

Por, sot…!

Varre, pa shtëpi!

 

Varret kallxojnë,

Ku i kemi të parët,

Kur mbyllet shtëpia,

Kan’ vdekë dhe varret!

./.

----------------------

22. BABAI IM DHE BLINI I GRISË

- Fletë ditari, Gri, 1986 -

 

Babai im dhe Blini i Grisë,

Rreth një shekull, bashkudhëtarë,

I dhan emër njani–tjetrit,

Në furtunë e në behar.

 

Kur e pau Blini i Grisë,

Se, u plak Sadik Selmani,

Rranjët, i shkuli nga dheu,

Dhe, gati varrin ia bani.

 

Jo, jo!, Blinin, nuk e rrxoi era,

Ai, bëri vetflijim,

E pati për nder, kollosi jetëgjatë,

T’i lshonte shtratin babait tim!

 

Babai im dhe Blini i Grisë,

Rreth një shekull, bashkudhëtim,

I dhanë emër njani-tjetrit,

Në furtunë e në flijim.

./.

--------------------------------

23. IM AT’ DHE MARKSI

-Informacion, që…, le të  ngjallë edhe debat…!-

 

…!

Kur vdiq mjekër-bardhi,

Karl Marksi, në Angli,

13 (trembëdhjetë) veta,

Ishin në varrimin e Tij!

 

…Kur vdiq kapuç-bardhi,

Im At’ Sadiki,

1300 (Një mijë e treqind),

U mblodhën, tu Blini në Gri!

…!

Këtë fakt, (shumë korrekt),

Në libër po e vjershëroj,

Edhe po s’vlejti, ndonjë gjë,

Ka kudo…, shumë kësi soj!

…!

Me ndiq me vëmëndje,

Ti, i nderuar, lexuesi im:

-Ç’ka desha të të them,

…Si përfundim?

 

-Më mirë, të jeshë i vogël,

Në djepin Tand, aty ku ke le’,

Se…, (ndoshta), edhe kollos,

Por…, Njeri…, pa Atdhe!!  *

./.

*Marksi, ka qënë me origjinë çifut, ose, siç quhen jo rrallë, “pa atdhe!“

----------------------

24. AS ANDËRR, NUK E KISHA PARË!

- Me trishtim, kjo fletë ditari - Tetor 2005 -

 

Mbas kaq shekujsh,

Mbirje e ngulmimi,

Në trojet e breznive të mia,

Në fshatin Gri,

 

Në këtë fund Tetori,

(Në Tetorin e 2005-ës),

Për herë të parë në jetë,

Kulla e motshme mbeti thatë,

…U mshel, me dry!!

 

Jam tepër i trishtuar,

Më duket vetja,

Një i vdekur ndër të gjallë,

Është befasia më e madhe e jetës,

As andërr, nuk e kisha parë!!

…!!

Prej këtu, në Amerikë,

I ndjej, muret, trarët,

E ndjej çatinë që kërcet…,

 

(Si tellall, nëpër Gjakovë),

– Heeej:

-Kullat e Selmanve, mbeten shkret…!!

./.

-----------------------

25. KACAFYTEM ME VDEKJEN

-Harroj dhe…, pres…, ose, (mysafir, aty ku u linda e u rrita)-

 

Në vetminë e kullës,

Në shtëpinë ku u linda,

(Sa i madh sikleti!),

Unë dhe vdekja, kacafytem ndërveti!

…!

Në markëzen e babës,

Jam gozhduar me sy.

Sikur pres, kutinë e duhanit,

Një cigare t’i dredh Atij.

 

Harroj dhe …, pres,

Në heshtjen që gërthet,

Babai (i ndjeri), ka vdekë,

Ka vdekë, tash 25 vjetë!

…!

Harroj dhe…, pres,

Pres, me sytë në derë,

Të shoh kudo, Ukën,*

Tuj na shërbye, kafet a bukën!

 

Nxihem, (si oxhaku),

Në vaj me dridhet buza,

Ku asht’ zjëmi bubulak,

Luga e gacave, mashët, urza?

…!

Harroj dhe …, pres,

Të thërasë mysafiri në oborr,

Uuu…!, ka vdekë edhe rruga,

Medet ! …Medet, sa zor!

…!

Harroj dhe…, pres,

Pse s’po vijnë djeltë e Bacit?    *

Edhe aty, ka ra kallukanxha,     *

Shkimë, si hini rreth samraçit!

…!

Asht ba Zot Heshtja,

Mos e prano, mos daç!

Më llomitin kujtimet,

Më bluajnë, deri n’asht.

 

As të qeshi… , as të qaj,

Nuk kam forcë, as za,

Cili pushtues, k’tahen, e kish ba?!

…!

Nisë e z’bardhë sabahi,

Unë i them: -Pse erdhe?

Ndihmë, o Zot! Eci, dal përdere!

 

Ma keq se brënda,

Edhe jashta, “Pesë me hiç!”,

Veç Lorëza mali e Lakuriq!

…!

Them, t’i kërkoj falje kullës,

Por, jo!

Më duket, shumë hipokrizi!

O djepi i t’parve, ku linda e’u rrita:

-Të kam me vete, si çerpikun mbi sy!

 

Freskoj ballin, t’u Çezma e Babës,

(Ajo, hala nuk ka tradhtue!),

Më përcjellin…, Tyrbja dhe Blini,

Tapia e shpirtit, vjen kudo me Mue.

 

Tapia…, në shpirt,

Shpirti …, në at’ prak,

Koka mbrapa…, prap e prap!

…!

Në vetminë e kullës,

Në shtëpinë ku u linda,

(Sa i madh sikleti!),

Unë dhe vdekja, kacafytem ndërveti!

./.

*Ukë Lushaj: -vëllai i autorit të këtij Cikli, vdiq në Tiranë, në korrik të vitit 1999.

*Djemtë e axhës: -Qazimi, Salihi, Alia, Mehmeti, Abedini, të gjithë në Tiranë.

*Kallukanxha: -Humbje e rrugës në mjergull të dendur.

-----------------------------------------------------------

 

(Postuar për ZSH, nga USA, Ditën e Shën-Kollit, me 6 dhjetor 2011)