E merkure, 24.04.2024, 11:59 AM (GMT+1)

Editorial

Dibran Demaku: As mish as peshk

E merkure, 07.12.2011, 09:04 PM


AS MISH AS PESHK

 

Duke i kopjuar traditat e huaja dhe duke i injoruar traditat tona kuturore e kombëtare, ne shqiptarët do të mbesim as mish as peshk. Andaj është koha e fundit që të zgjohemi nga kjo amulli dhe t`u kthehemi traditave tona kulturore e kombëtare,përndryshe?!...

 

Nga Dibran Demaku

 

Në jetën e njeriut gjërat e ndaluara,qofshin ato edhe fare të parëndësishme,marrin drejtim krejt tjetër nga ai i dëdhiruar.Sepse ndalesat tek njeriu nxisin ndjenjën e kërshërisë dhe të interesimit për  të ditur dhe mësuar më shumë për atë gjë.Mjafton që në mjetet e informimit të quhet i ndaluar një libër,qoftë ai edhe i dobët për nga ana ideore dhe artistike, e pastaj po ai libër do të bëhet më i kërkuari!Mjafton që një njeri të shpallet i padëshiruar në rrethin ku jeton dhe pastaj po ai njeri do të bëhet më i kërkuari po nga ai rreth e më larg…

Edhe ndalimi i fesë për disa dekada tek shqiptarët nxiti efektin negativ.Dihet se ndalimi i fesë në Shqipëri u bë me ligje e dekrete shtetërore,ndërkaq në Kosovë e vise të tjera shqiptare ndalimi i fesë u bë në mënyrë tjetër,pa ligje e dekrete shtetërore.Aktivistë të shumtë komunist u shpërndanë gjithandej fshatrave dhe qyteteve shqiptare në Kosovë dhe troje të tjera shqiptare dhe tek masat popullore trumbetuan se si feja është e dëmshme dhe e panevojshme në kohën e komunizmit?!Profesorë e mësues të shkollave filluan gjithandej të trumbetonin se kombit shqiptar nuk i duhet feja!Komunizmi është feja më e mirë për shqiptarët etj,etj.

Le të na kujtohen për disa çaste ata rreshtat e gjatë të nxënësve para dyerve të shkollave kur mësuesit me tasa në duar i detyronin fëmijët që të pinin ujë në ditët e ramazanit…

Por në fillim të viteve të ëntëdhjeta të shekullit që iku fenomeni Fe u kthye dhe u ul këmbëkryq në mendjet dhe në zemrat e shqiptarëve.Si mollë e ndaluar ajo tash u kthye  në alfa dhe omega tek shqiptarët.

Po ata mësuesë dhe profesorë  që më parë kishin trumbetuar se Feja është e dëmshme për shqiptarët,filluan të trumbetonin se Feja është shpëtim për shqiptarët?!Dhe të parët filluan të agjëronin dhe të shkonin e të faleshin e luteshin nëpër xhami e kisha?! Dhe do të deklaronin se e bënin një gjë të tillë si hakmarrje ndaj atyre që e kishin ndaluar Fenë?!

Në Kosovë në ato vite ndodhi fenomeni tragji-komik.Derisa Serbia i largonte shqiptarët nga puna,në anën tjetër i lejonte që ata të predikonin fenë e tyre në rrugë e sheshe qytetesh e fshatrash.Kishte për qëllim që para botës të paraqitej si shteti që i lejon dhe i respekton liritë fetare!

Shumica e shqiptarëve të Kosovës me vetëdije apo pa të ranë në kurthin që kishte përgatitur Serbia për ta.Meqë shumica e shqiptarëve të Kosovës ishin(dhe janë) të besimit islam apo mysliman ajo duke i lejuar që të faleshin  dhe të luteshin nëpër rrugë e sheshe  kishte për synim që ata para botës perendimore t`i paraqiste si fundamentalist islamik!

Në anën tjetër tek vendet arabe dhe myslimane shqiptarët i trumbetonte si besimtarë të fesë katolike dhe të cilët sytë dhe mendjet i kishin tek perëndimi dhe tek Vatikani!

Gjatë luftës në Kosovë ajo trumbetonte gjithkund në perëndim e lindje se shqiptarët  myslimanë ishin ngritur në luftë jo vetëm kundër Serbisë,por edhe kundër shqiptarëve të Fesë katolike?!...Për fat të keq në kurthin e Serbisë ranë edhe një numër bukur i madh i shqiptarëve të të feve të ndryshme.Dhe toleranca fetare në mesin ee shqiptarëve e njohur botërisht,sikur filloi të lëkundej?!...

Një miku im me qëndrim të përkohshëm në Zvicër një ditë më tregonte:Kur kishte ikur nga Kosova në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit që iku(për shkaqe që dihen) ishte vendosur në Zvicër.Në shtëpinë grumbulluese përveq njerëzve të nacionaliteteve nga e gjithë bota,kishte edhe një numër të konsideruar shqiptarësh.-Ishin ditët e para kur isha vendosur në atë shtëpi me time shoqe dhe me tre fëmijët!-e nisi rrëfimin miku im dhe vazhdoi:-Meqë aty takova shumë shqiptarë si nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare të të them të drejtën sikur e ndjeva veten disi më të lehtësuar nga traumat që kisha përjetuar në atë rrugë të gjatë dhe të mundimshme që kisha bërë me familjen time.Edhepse nuk e njihja asnjë nga ata shqiptarë të vendosur në atë shtëpi,me kalimin e ditëve u njohëm dhe u bëmë si të ishim të një familjeje.Kështu na kalonin ditët e para në  kurbet..

Një pasdite, në shtëpinë ku na kishte vendosur qeveria zvizerane, erdhi për vizitë një shqiptar nga Maqedonia,i ardhur para shumë vitesh në Zvicër.Ne ,shqiptarët që ndodheshim aty,e rrethuam shqiptarin nga Maqedonia,i cili në njëfarë mënyre na dukej si shpëtimtari ynë!

Ai fliste e fliste për jetën e vet në Zvicër e ne e dëgjonim me kureshtje të shtuar.Mbase në ato momente secili nga ne ëndërronte që një ditë të jetonte si i ardhuri për vizitë apo si mysafiri ynë.

Në bisedë e sipër njëri nga ne e pyeti të ardhurin:-A mund të na tregosh se si mund t`i dërgojmë fëmijët në shkollë këtu në Zvicër dhe a ka këtu shkollë në gjuhën shqipe?! I ardhuri e shikoi me vëmendje të përqëndruar atë që pyeti për disa çaste pastaj ia ktheu:-Un mund t ju ndihmoj që fmijët tuaj t`i dërgoni që të mësojnë në xhami! Unë e njoh hoxhen e xhamisë dhe ai më ka porositur që fëmijët t`i dërgoni në xhami që të mësojnë për fenë! Feja ju duhet fëmojëve tuaj e jo shkolla?! Nëse fëmijët tuaj shkojnë në shkolla zvicerane ata do ta harrojnë fenë myslimane!E shumë e shumë fjalë të tjera si këto…

-Ore zotëri!-ju drejtua njëri andej nga fundi i rrethit tonë.-Ne duam që fëmijët tonë të shkojnë në shkollë,ndërkaq sa i përket xhamisë ka kohë! A mund të na ndihmosh që të gjejmë shkollë për fëmijët tanë?!

-Unë ju thash se mund të ju ndihmoj që fëmijët tuaj t`i dërgoni në xhami,ndërsa sa i përket shkollës mua as që më intereson ajo gjë?!...

 

Ndërkaq një mik tjetër imi me qëndrim të përkohshëm në një qytet të Gjermanisë një ditë më tregonte:-Në një ndejë shqiptare  në bisedë e sipër ra fjala edhe për martesat.Shumë nga të pranishmit interesoheshin se si të gjenin nuse ose dhendërr për fëmijët e tyre.Nga bisedat që u dëgjuan në atë ndejë shumica e të pranishmëve shfaqnin dëshirën që fëmijët e tyre (edhepse jasht atdheut) të martoheshin me shqiptarë.Sepse vetëm kështu e ruajmë qenjen tonë kombëtare nga asimilimi!-thoshte njëri.Thuajse që të gjithë të pranishmit u pajtuan me mendimin e tij!

-Përse hargjoni frymë kot!-e ngriti zërin njëri nga të pranishmit.-Ju mund të flisni e të flisni sa të lodheni,por a do të ju dëgjojnë fëmijët tuaj për atë që thoni?!-e përfundoi ai pyetjen e tij në mënyrë triumfaliste.

-Ne po i shfaqim mendimet dhe dëshirat tona!-ia ktheu një tjetër.-Pastaj na takon si prindër që jemi që të besedojmë edhe me fëmijët tanë pët këto gjëra!

-Mua më interson që nusja ose dhëndrri im të jetë mysliman?!-e ngriti zërin njëra nga gratë e pranishme në atë ndejë.

Ndërkaq unë mendoj që nusja ose dhëndrri im të jenë së pari shqiptarë,ndërkaq sa i përket anës fetare mendoj se nuk ka shumë rëndësi!-ia ktheu njëra nga gratë që i rrinte përkrah asaj që u inkuadrua e para në bisedë.

-Si nuk paska rëndësi feja!-u ngut të fliste gruaja e parë.-Unë thash se nusja ose dhëndrri im duhet që të jenë myslimanë?!

-Të sqarohemi!-u inkuadrua në bisedë njëri nga burrat!-Mos po do të thuash që nusja apo dhëndrri yt duhet të jenë shqiptarë të fesë myslimane?! Apo thënë më shkoqur:-Do ta pranoje ti një nuse ose një dhëndërr te etnisë shqiptare,por me fe katolike?!

-Kurrë!-u ngut të fliste gruaja e parë dhe një skuqje ia mbuloi fytyrën.

-Do të thotë se ti e dëshiron një nuse ose një dhëndërr mysliman qoftë ajo apo ai edhe nga India?!

-Unë thash që unë dua një nuse apo një dhëndërr myslimanë qoftë ajo ose ai nga India apo nga Tanzania?!-u përgjigj gruaja e parë.Ndërkaq i shoqi vetëm e shikonte dhe nuk bëzënte!

Që nga ai moment sikur u prish e tërë ndeja.Të pranishmit u ndanë në dy pjesë dhe të të them të drejtën as që kisha dëshirë që të isha më në atë ndejë!

-Dhe?!-e pyeta unë.

-Na ka marrë lumi o miku im!-ma ktheu ai me një ton dhimbjeje …

 

Lidhja e shkrimtarëve dhe e artistëve e themeluar vite më parë në Gjermani arrinë vetëm sa të mbijetojë për shkaq fondesh.Ata që e formuan në fillim kishin shpresë se do të ndihmoheshin nga afaristë të ndryshëm shqiptarë e që në Gjermani janë me mijë.E formuan me të vetmin qëllim që para botës gjermane e më gjerë të përfaqësonin kullturën tonë kombëtare.Që në fillim ata kishin një plan thuajse ambicioz.E në atë plan ata parshikonin që: Të botonin një Revistë njëmujore ne të cilën do të botonin punimet e tyre dhe me gjërë; të botonin vepra të autorëve në mërgim; të ndërtonin apo të blenin një shtëpi diku në Gjermani dhe në atë shtëpi të organizonin mbrëmje letraro artistike,hapje ekspozitash të piktorëve dhe skulptorëve shqiptarë në perëndim; të organizonin takime e programe të ndryshme për festat kombëtare.Me një fjalë që para kombit dhe publikut gjerman të promovonin kulturën dhe traditat tona kombëtare…Por?!...

Sipas mjeteve të informimit shqiptarët me banim në Zvicër kanë derdhur milona Eurosh e Frangash zvicerane për ndërtimin e një xhamie!Duan që me atë xhami para kombit dhe publikut zviceranë të paraqiten si myslimanë të devotshëm?! Është problem i tyre por lind pyetja:-Përse u dashkan dhënë tërë ato mjete për një objekt kulti fetar, kur ne shqiptarët e kemi kulturën dhe traditat tona kombëtare?!E kur kësaj t`i shtohet edhe e dhëna tjetër se edhe shumë objekte  fetare janë ndërtuar nga shqiptarët në Gjermani e vende të tjera duke dhënë miliona e miliona Euro?!...

 

Para pak ditësh shqiptarët e festuan ditën e tyre më të rëndësishme kombëtare  28-Nëntorin, Ditën e pavarësisë.Ishte ky i nëntëdhjeteë e nënti vit i pavarësisë së Shqipërisë.Tërë atë ditë kam qëndruar para televizorit që të shihja programin festiv.Të them të drejtën i tërë programi festiv linte shumë për të dëshiruar!

Qëndrova në shtëpi edhe me një qëllim tjetër: Që të numroja se sa thirrje telefonie do të kisha në ditën e festës.Dhe kur po kalonin sekondat e fundit të asaj dite  në kalendarin tim e shënova një O të madhe.Nuk kisha patur asnjë thirrrje telefonike në ditën e Festës kombëtare?!

Dhe mu kujtua Festa fetare e Bajramit që kishte që vetëm para tre javësh.Atë ditë nuk pushonte telefoni nga të katër anët.Atë ditë po të doje të telefonoje tek të afërmit në Kosovë nuk kishe shansë të mirrje lidhjen telefonike nga thirrjet e shumta?!...

 

Duke i kopjuar traditat e huaja dhe duke i injoruar traditat tona kulturore e kombëtare,ne shqiptarët do të mbesim as mish as peshk.Andaj është koha e fundit që të zgjohemi nga kjo amulli dhe t`u kthehemi traditave tona kulturore e kombëtare, përndryshe?!...



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora