E enjte, 28.03.2024, 02:52 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Datja hyri në konak pa asnjë kobure

E hene, 05.12.2011, 08:03 PM


DATJA* HYRI NË KONAK

PA ASNJË KOBURE

 

Nga: KALOSH ÇELIKU

 

Festat e Nëntorit, edhe kësaj radhe ikën në histori me gunën krahëve dhe kësulën e bardhë në kokë. Politikanët e ngritën flamurin emblemë në jakën e setreve duke u fotografuar krah për krahu para kamerave televizive. Nxënësit, i lëshuan orët e mësimit dhe e hodhën krahëve flamurin kuqezi si struke. Ndonjëri e ngjeshi për brezi. Studentët e Shoqatës të posaformuar “Dardania” në prag të festës, pas Akademive festive për Ditën e flamurit edhe ata dolën në rrugë, por kësaj radhe jo në demonstrata për dije e të drejta universitare, po në ditë feste  për flamur kombëtar. Dikushi edhe e valonte në dorë rrugëve flamurin kuqezi. Aktivistët partiak e ngritën lartë nëpër dritaret e makinave. Motorxhinjt në grupe me flamuj në motorët e tyre bytrynin si mëzetër të hazdisur rrugëve të Shkupit. Shqiptarët anën e mbanë Atdheut e skuqën me flamuj kuqezi. Secili e festoi si mundi e diti në Pashallëkun e tij politik. Tetova heroike, kryeqendra kulturore dhe universitare e shqiptarisë, kësaj radhe nuk e ngriti asnjë flamur kuqezi. Përmëtepër, katër aktivistë të Lëvizjes “Illyricum Libertas”, për shkak se kishin vizatuar grafite dhe hartën e Shqipërisë Etnike  në hyrje të Tetovës, i mori policia e Tetovës në “bisedë informative”. Vetëm, shqiptarët jetima të Preshevës dhe Bujanovcit e festuan Ditën e flamurit me protesta për liri dhe të drejta kombëtare.

Hashim Thaçi u tha shqiptarëve: as mos tentojnë ta keqpërdorin flamurin kombëtar, simbolin shtetëror të Shqipërisë për marketing politik. “Vetëvendosja” dhe “Aleanca kuq e Zi” as e dëgjoi porosinë e kryeministrit të Kosovës: “Vetëvendosja” e shpalosi në dimensione të mëdha përballë Kuvendit të Kosovës, ndërsa “Aleanca Kuq e Zi” erdhi nga Tirana dhe e skuqi me flamuj kombëtarë edhe Prishtinën, e mbuloi me flamurin kuqezi simbolin e pavarsisë. Politika diplomatike do të thoshte: përzierje në punët e brendshme të një shteti. Faji, nuk qëndron te ata të “Alenacës Kuq e Zi”, po te Sala që nuk u la as një pëllambë vend në Sheshin e Tiranës edha ata si patriotë ta valojnë flamurin kombëtar kuqezi në këtë përvjetor, Ditë feste.

Shkupi, kryeqyteti i shqiptarisë e gëdhiu mëngjesin me flamuj kombëtar kuqezi, u “bë” një ditë Shqipëri Etnike deri te Ura e Gurit, ku i kishin vënë pritat misionarët fetar të Beogradit dhe përmendoret e komitave me kuaj shale. Aleksandri i Madh e kishte kaluar Vardarin matanë dhe moti e kishte pushtuar sheshin e Shkupit. Bit – Pazari, vërtet dukej si një “Shqipërizë maqedonase”, siç thoshte shpesh nëpër kollumnat e tia në mjetet e informacionit Patrioti i vonuar melez. E mbushën Çarshinë me manifestime euforike kulturore dhe flamuj kuqezi. Dorën në zemër, kurrë Shkupi deri më sot nuk ka qenë kaq i veshur këmbekrye me veshje kombëtare shqiptare.

Rasti i kësaj feste madhështore m’i kujtoi vitet e ’67 - 68, si nxënës i shkollës së mesme “Zef Lush Marku” në Shkup, që në atë kohë ishte univesitet i shqiptarëve. Kohë kjo, kur Skënderbeu as që guxohej të përmendet si emër, e ku më ta hipnim mbi kalë në Kala ose në mes të Shkupit. Ne, nxënësit e asaj kohe e mbanim tinëz në zemër, e rrallë nën jakën e setres si emblemë lirie.

Vërtetë, ato vite ishin të hidhura dhe të rrezikshme për popullin shqiptar. Vite, kur ndaloheshte rreptësisht çdo gjë patriotike shqiptare. Edhe, të rrasnin në bug për asgjë: një fjalë goje, një libër, për emblemën e Skënderbeut ose flamurit kuqezi në setre. Vit ky, që ma kujtoi edhe Lijen. Vajzën e kojshiut të banesës në Shkup, që në atë kohë ma qëndisi në një këmishë të kuqe me penj të zinj Skënderbeun me dy brinja. Edhe unë si i ri nëpër disa disko klube nate të Shkupit me atë këmishë kuqezi e pritsha agimin.

Edhe sot e kësaj dite them me vete: Dikushi më ka ruajtur, marrë në mbrojtje të mos them Zoti në atë kohë të rrezikshme për shqiptarët. Ndoshta, dora e asaj vajze që ma qëndisi Skënderbeun në këmishë. Hajmalinë time të vetme, që edhe sot e kësaj dite e mbaj përqafe. Ku ta di. Ndodhë. Përmëkeq, në atë kohë flitej se ajo vajzë gjoja vinte nga një familje me prejardhje turke. Që, nuk e besoj edhe sot e kësaj dite. Shkupi ka qenë dhe është i banuar denbabaden me shqiptarë të asimiluar në “turq” me dhunë politike. Edhe, ajo vajzë nuk ka mundur të jetë tjetër, përveçse shqiptare. Shkaku se, që në atë kohë ajo vajzë “turke” e donte Skënderbeun, në krahasim me “turqit” e sotshëm në Shkup, që nuk duan t’ia përmendin as emrin, po takimet e biznesit i lënë te “Kali”…

Lija, nuk e di a është ende gjallë, dhe a ka krijuar familje në ndonjë qytet shqiptar. E rëndësishmja është, që ajo ka qenë shqiptare. Faji im është, që unë edhe sot e kësaj dite nuk di asgjë për atë Marigonë të asaj kohe, vajzë shqiptare.  Dhashtë Zoti, nuk ia kanë mbushur mendjen edhe asaj si “turke” të ikë në Turqi. Zëri i saj kudoqoftë, sot më thotë: unë të vendos të shkoj në Sheshin Skënderbeu, këtë Ditë madhështore ta festoj bashkë me popullin, e jo nëpër sallone me darka e pije me politikanët. I marr “ilaçet” e mia të rregullta te “Miracoli”. Një grup të rinjsh rrinë matanë, në një tavolinë tjetër kokë më kokë, si për ditë feste. Anësh kalojnë të rinj të veshur kuqezi me flamuj kombëtar në dorë, lidhur për brezi e hedhur mbi shpinë. Pas pak kohe, vjen një tjetër djalë i ri dhe i përshëndet të pranishmit: gëzuar Festën e flamurit! Ata i përgjigjen: për hajër Bajramin! Edhe atë, merreni me mend: Ditën e Flamurit. Halldupët, që tashti nuk e duan edhe flamurin kombëtar kuqezi, po gjysmëhënën që nateditë e valojnë në minare të xhamive. E ne, në atë kohë të rrezikshme e hipnim edhe në minare.

Rebelohem dhe e ngrej zërin në Ditën e sotshme festive të flamurit: Djema, ne që Skënderbeun dhe flamurin e fshihnim nën jakën e setres, ju arritët ta demonstroni me të madhe plot eufori rrugëve të Shkupit. Urime! Vetëm, më vjen inati kur partitë politike në pushtet u dalldisin ta përdhosni në rrugë, nëpër tubime me ngjyra partiake. Koncerte festive, që brenda një nate gëlltisin shuma marramendëse të parave. Edhe atë, në këtë kohë qorre kur nuk kemi tekste shkollore, lektyra shkollore… Banga shkollore e karrige për nxënësit. E, në anët tjetër, derdhim para me thasë në mes të dimrit për zhveshjen e këngëtareve lakuriq në skenë para këmbëve të Skënderbeut. Shkrepjen e fishekzjarreve në qiell, me djersën e popullit, paratë e të cilave do të organizonim dhjetëra manifestime kulturore letrare, do të botonim qindra libra për shkollarë. Dhe, dhashtë Zoti edhe unë në manifestimin e ardhshëm të flamurit kuqezi t’i ngjitem grupit tuaj demonstrativ me motorin tim të hazdisur, Gjokun e Gjergj Elez Alisë.

Datja në një emision popullor, në prag feste edhe u ulë këmbëkryq, gju më gju me popullin “Rreth oxhakut”. Shfletoi shumë faqe historike gjatë atij emisioni. Shairët e zhveshën lakuriq Daten nga politika. Edhe atë cilin, Daten e veshur me tirqi e xhamadan me dymbëdhjetë gajtana. Daten  me kësulë të bardhë kosovare në kokë. Datja është i sinqertë në politikë. Fatkeqësia, që: sinqeritet nuk ka në politikë. Datja duhet ta di, edhe besoj se e di, politika është: të rrena, më rrene. Edhe, nuk ka gjithaq rëndësi kjo, ai është një emision kulturor. Provokimet e atij emisoni, pas të cilit nuk qëndronte vetëm shairi i emisionit, ranë në ujë bythekrye në hurdhë. Datja doli mbi nivelin e provokatorëve: gju më gju me popullin. E këndoi edhe një këngë për Ditën e flamurit: Isa Boletinin se si hyri në Londër me dy kobure.

Datja vërtetë e këndoi këtë këngë përkushtuar këtij heroi kombëtar që hyri në Londër me dy kobure, ama kryesorja: ai hyri në këtë emision kulturor të një televizioni privat të “vëllazërim-bashkimit” pa asnjë kobure. Megjithatë, shyqyr Zotit i shkrepi dy koburet e Isë Boletinit. Edhe atë: në mes të Shkupit para Skënderbeut me kalë, në Bit-Pazar…

 

1- Lokalizëm, titull shqiptar siç e kanë anglezët lord, françezët De. Turqit: pasha, bej, aga… Dhe, sllavët vojvodë.



(Vota: 77 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora