E shtune, 03.12.2022, 01:32 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Fashizmi islamik kundër Kanunit të Lekë Dukagjinit

E hene, 05.12.2011, 08:01 PM


Fashizmi islamik kundër Kanunit të Lekë Dukagjinit

Nga Blerim Latifi

Mësimdhënës i filozofisë politike në Universitetin e Prishtinës

Fashizmi islamik është ai version i fundamentalizmit islamik, i cili manifeston ide dhe sjellje të ngjashme me ato të ideologjisë fashiste, e njëra prej këtyre është psikoza antihebraike, urrejtja dhe dëshira për zhdukjen e hebrenjve nga faqja e dheut

Ditë më parë në qytetin e Podujevës u mbajt një takim fetar i një grupi besimtarësh. Vendi ku u zhvillua takimi ishte një restorant, në muret e të cilit ishin të vendosura fotografi të luftëtarëve të UÇK-së. Organizatorët e takimit i mbuluan fotografitë me arsyetimin se ato fotografi ishin në kundërshtim me frymën e takimit, me parimet fetare të atyre që ishin mbledhur aty. Një veprim i tillë është tipik për ideologjinë vahabiste, një nga parimet e së cilës është i ashtuquajturi “ monoteizëm ekskluziv”.

Ky lloj monoteizmi nënkupton ndalimin e çdo lloj adhurimi tjetër, përveç adhurimit të Zotit. Të gjitha gjërat e tjera që përmbajnë elemente adhurimi duhet të shkatërrohen, prandaj vahabistët janë kundër fotografive dhe pikturave, kundër shenjave të varreve dhe kundër krejt asaj që njihet sot si kulturë masive, kundër televizionit e kinematografisë.

Sot te ne, nëpër ligjërata fetare, qoftë nëpër xhami, qoftë nëpër forume të tjera, dëgjohet vazhdimisht propagandimi i një qëndrimi të tillë për zhdukje varresh dhe për hyrjen e djallit në shtëpitë tona përmes televizionit. Partizanë të këtij propagandimi janë të fanatikë fetarë dhe shumë të rinj kosovarë që janë indoktrinuar prej tyre e që tashmë janë gati për të kaluar në fazën e veprimeve konkrete.

Kjo fazë tashmë duket të ketë filluar. Përdhosja e Varrezave hebraike të Prishtinës është një shembull që e konfirmon më së miri këtë. Vizatimi i kryqit të thyer nazist mbi gurët e këtyre varreve është shenja më e qartë se grupet vahabiste që po sillen poshtë e lartë nëpër Kosovë, në ideologjinë e tyre kanë zhvilluar edhe një dimension tjetër që asnjëherë më parë nuk është parë apo dëgjuar në shoqërinë tonë. Ky dimension është fashizmi islamik. Fashizmi islamik është ai version i fundamentalizmit islamik, i cili manifeston ide dhe sjellje të ngjashme me ato të ideologjisë fashiste, e njëra prej këtyre është psikoza antihebraike, urrejtja dhe dëshira për zhdukjen e hebrenjve nga faqja e dheut. Janë pikërisht ato qarqe në botën myslimane që duke qenë të afërta me fashistët islamikë, sot janë bërë mbrojtësit më të zëshëm të ideve që e mohojnë Holokaustin, gjenocidin nazist ndaj hebrenjve, duke e paraqitur atë si një mit të fabrikuar nga amerikanët, britanikët dhe rusët për të justifikuar pushtimin e Gjermanisë. Ahmadinexhat, presidenti i Iranit, çdo vit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, bën zëdhënësin politik të këtyre qarqeve.

Por të kthehemi në rastin tonë.

Duke zhvilluar dimensionin e fashizmit islamik, fundamentalistët kështu po e plotësojnë kuadrin e sulmit të tyre ndaj vlerave të shoqërisë sonë. Pasi kanë sulmuar modelin shekullar të jetës institucionale, pasi kanë sulmuar traditën shqiptare të islamit minimalist dhe tolerant ndaj religjioneve të tjera, tash po sulmojnë edhe traditën kanunore, të drejtën zakonore të shqiptarëve, e cila gjatë Luftës së Dytë Botërore, kishte funksionuar si një institucion antifashist. Aso kohe me mijëra hebrenj, të ardhur në qytetet dhe fshatrat shqiptare, i shpëtuan persekutimit nazist falë kodit kanunor të Besës dhe Mikpritjes, diçka që nuk ndodhte askund në Evropën e zaptuar nga svastika naziste.

Ky kod njëkohësisht është kod i respektit ndaj të huajit të gjallë që të troket në derë dhe të huajit të vdekur, që është varrosur në tokën tënde. Dhe ky respekt shihet shumë qartë në ato nene kanunore ku thuhet se “ Varret nuk i preken as i trazohen kuj. As hasmit. I paburri ka punë me varret e hueja!”

Dikush njëherë ka thënë se kultura njerëzore ka filluar atë ditë që njeriu mësoi t’i varrosë paraardhësit e tij dhe të kujdeset për varret e tyre. Prandaj përdhosja e varreve esencialisht është një akt barbarie. Ne nuk kemi rrugë tjetër përveçse t’i ndalim këta barbarë. Për të respektuar veten dhe të tjerët.



(Vota: 27 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora