E merkure, 27.05.2020, 10:18 PM (GMT+1)

Kulturë » Muzikë

"Ethet", triumfon Kejsi Tola

E hene, 25.02.2008, 09:31 PM


Kejsi Tola
Mbrëmë përfundoi edicioni më spektakolar i show-t të madh të këngës dhe interpretimit, realizuar nga "Top Channel"

Kejsi Tola është fituese e edicionit të katërt të "Etheve", që kësaj radhe u njësuan me emrin e një televizioni të madh si "Top Channel", duke u renditur si një ndër spektaklet më të arrira në fushën e teknologjisë televizive. Kjo u vu re dhe mbrëmë, në natën finale, ku idetë e Adi Krastës dhe Pali Kukes, dyshes që ka ngjizur që në embrion këtë show gjigand të këngës, u shpërfaqën me një realizim perfekt nga ana e stafit artistik, teknik e organizativ të "Top Channel".

Ashtu siç u pa, nata finale ishte e ndarë në 5 faza. Në të parën, tre finalistet interpretuan nga dy këngë: një alternativë-rrok të viteve të fundit e një hit të zgjedhur prej tyre sipas preferencës. Pas kësaj përballjeje të parë, njëra prej finalisteve u skualifikua dhe pikërisht Dorina Xerxa. Në konkurrim mbetën vetëm dy Dorina Garuci dhe Kejsi Tola; dy "bisha" që metaforikisht kishin "ngrënë" për muaj e javë sishoqet e sishokët e tyre në urinë për të kapur majat. Më pas erdhi një surprizë e paimagjinuar. Sajohet aty për aty një dhjetëshe e re etheistësh, nga ata që nuk kishin mundur të shkonin deri në finale. Një dhjetëshe tjetër e përzgjedhur jo nga juria, por nga vetë ideatorët e spektaklit Krasta-Kuke. E kështu, ata interpretuan duke dhënë për të kuptuar se "Ethet" janë një shkollë e stërmadhe me shumë klasa. Ja, në moment ti ndërton një finale tjetër.

Surprizat e risitë mbajtën gjallë orët e nxehta të spektaklit, ndërkohë që në qosh të skenës, në të majtë të saj, rrihte një zemër e madhe, rrihte me ritmet plot adrenalinë të nervit konkurrues. Ajo zemër ishte llokma e ëmbëlsirës së lënë për në fund. Pas dhjetëshes së re, i erdhi radha konkurrimit të dyshes së mbetur; përballje e ashpër, e fortë, e pamëshirshme, me gjithë forcën dhe energjinë e gurmazit. Për herë të parë u këndua live me orkestrën e "Top Channel"-it, një risi e aplikuar vetëm në Shqipëri për formatin e këtij lloj spektakli, ku interpretuesit shoqërohen vetëm nga baza muzikore. Dy finalistet, Kejsi Tola dhe Dorina Garuci, kënduan duet me divat e muzikës pop, për të treguar se rruga e nisur ka si pikëmbërritje ato që kishin në krah, e që në "Ethet", pamundësish për të qenë fizikisht, erdhën virtualisht. Sakaq, finalistet interpretuan të shoqëruara nga orkestra e "Top Channel"-it edhe këngë të të madhes Vaçe Zela. Pse? Sepse sipas shpjegimit të Adi Krastës, në këtë rast nuk ishte fjala për të marrë më stonaturat e njërës apo tjetrës, por më personalitetin e tyre. E kush më mirë se Vaçe Zela e shpërfalte këtë personalitet në skenë?! Ndaj dhe ato duhet të kishin për referencë këngëtaren e madhe shqiptare, nëse në karrierë do i kushtonin një rëndësi edhe personalitetit artistik.

Por sprovë e vështirë ishte dhe interpretimi i "Nesun Dorma"-s, varianti i Aretha Franklin.

Më spektakolare akoma ishte koha mes konkurrimit të dyshes dhe dhënies së çmimit. Para jurisë u paraqitën në audicion anëtarët e korit të "Portokalli"-së, ndërsa 7 finalistët e skualifikuar interpretuan këngë nga muzika e finaleve shqiptare. Dhe ndër momentet më ekzaltuese të kësaj faze të natës finale, ishte performanca e shkëlqyer e trupës së baletit të "Top Channel", me një kërcim apo dhe instilacion nga filmi "Conquest of Paradise" (Pushtimi i Parajsës), me muzikë të Vangjelis. Sipas një ideje të Pali Kukes, kjo pjesë ishte një diagonale bashkuese ndërmjet pushtimit të parajsës, siç ishte mesazhi i filmit dhe pushtimit të parajsës së vajzave në skenë. Dhe ajo zemër e kuqe e rrëzëlluese tashmë rreh për atë që e meritoi, Kejsi Tola.

Konkurrentët

Triumfoi

Kejsi Tola - Tiranë


U eliminuan:

Dorina Garuci - Shkodër

Dorina Xërxa - Gjakovë

Marjela Billa - Tiranë

Fatlum Zeka - Prishtinë

Himena Ymeri - Tiranë

Evin Thana - Prizren

Simona Karafili - Kavajë

Xhensila Myrtezai - Tiranë

Rezarta Smaja - Shkodër



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora