Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Vjena – çerdhja e vehabistëve

| E hene, 05.12.2011, 07:58 PM |


Kryeqendra austriake konsiderohet si një nga qendrat për kultivimin dhe promovimin e vehabizmit në mesin e diasporës të fesë islame.

 

Mevlid Jashareviq, autori i sulmit të djeshëm terrorist kundër ambasadës amerikane në Sarajevë, ishte involvuar në këto qarta nga Vjena, ku po jetonte me familjen e tij dhe se ai më pas i ishte bashkuar celulës qendrore të vehabistëve në Gornja Moaça në Bosnjë.

 

Policia austriake ka në shënjestër të gjitha organizatat ku tubohen të rinjtë, kryesisht studentë mysliman nga vendet e Ballkanit.

 

Gazeta vjeneze “Standard” në një hulumtim të saj ka shkruar se vehabizmi është i zhvilluar në mesin e diasporës boshnjake, e cila ka përfshirë rreth saj edhe mysliman nga vendet e tjera të rajonit, por edhe shteteve arabe.

 

Myslimanët nga Sanxhaku dhe Bosnja janë udhëheqësit e grupacioneve, të cilët si cak të përfitimeve kanë studentët e huaj, duke i ofruar atyre ofertë konkrete, përfshirë edhe atë materiale.

 

Një student shqiptarë në Vjenë shpjegon për agjencinë e lajmeve INA se ka edhe disa studentë shqiptarë që janë përfshirë në këto grupacione, dhe e kemi të qartë se ata e bëjnë këtë fillimisht për përfitime materiale, duke u ballafaquar me kushtet e rënda për studim që ofron Vjena.

 

“Unë njoh studentë të tillë, të cilët kanë ardhur nga familje shqiptare dhe që kanë kultivuar fenë tradicionale, por që kanë rrëshqitur dhe u janë bashkëngjitur këtyre grupeve. Celulat vehabiste veprojnë në çdo komunitet ku nuhatet se ka mysliman, ndërsa ato janë aktivë edhe nëpër universitetin e Vjenës dhe fakultetet, ku vijon gjuetia pas studentëve me fe myslimane, të cilët joshen dhe ofrohen si vëllezër, duke u rreshtuar më pas në taboret e tyre”, rrëfen studenti shqiptar për agjencinë e lajmeve INA.

 

Sipas tij, shumica e tyre që ndikohen janë nga Maqedoni, por ato pranojnë sektin duke pasur për synim që të zgjerojnë rrjetin edhe në vendin e lindjes.

 

Një pjesë e madhe e studentëve shqiptarë refuzojnë të jenë pjesë e këtyre qarqeve, të cilat funksionojnë siç thuhet në mënyrë tejet të organizuar dhe sofistikuar.

 

Në një raport të Ministrisë së Brendshme austriake theksohet se brenda diasporës boshnjake është formuar një grupacion që i përket vehabistëve, një lëvizje neofundamentaliste.  Sipas raportit, qëllimi i këtij grupacioni është rekrutimi i gjeneratës së re të emigrantëve mysliman kryesisht nga Ballkani, por të cilët janë lindur dhe rritur nëpër vendet evropiane, por gjithashtu janë në shënjestër edhe studentët që qëndrojnë për studime. Si qendra kryesore të këtyre grupacioneve janë Vjena dhe krahina në pjesën e Austrisë së Epërme. MPB austriake theksojnë se këta njerëz dhe grupe janë të kujdesshme dhe veprojnë nën heshtje, duke mos shkelur asnjëherë ligjin dhe rendin publik. (N.P/INA)