Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Keze Kozeta Zylo: Intervistë me shkrimtaren e shquar Adelina Mamaqi

| E premte, 02.12.2011, 09:02 PM |


 

Na lidhi së bashku shpirti i Firmëtarit të Pavarësisë së Shqiperisë

FEHMI BEJ MEZHGORANI

 

Shkrimtarja e shquar Adelina Mamaqi, dëshmon se është krenare që është mbesa e Fehmi Bej Mezhgoranit, nga Derveni i Tepelenës, firmëtarit të Pavarësisë së Shqipërisë në vitin 1912, avokat në hartimin e Juridiksionit ligjor në qeverinë e Ismail Vlorës, që e shkëputi atë nga Perandoria Osmane, Prefekt i Dibrës, kryeredaktor i gazetës “Zgjimi” në Greqi, mik i Sami Frashërit, Jani Papadhopullit, Shahin Kolonjes, Ali Asllanit, Faik Konices etj..., përfaqësues i klubit “ Bashkimi “, ku ishte kryetar, dhe delegat i Tepelenës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, Ndihmës Ministër i Drejtësisë e më pas Drejtor i Përgjithshëm i Policisë në qeverinë e Vlorës,  Nënkryetar i shoqërisë “ Drita “ të avokatëve shqiptarë, Parlamentar, Prokuror i Tiranës...

Burri i shquar i Kombit Fehmi Bej Mezhgorani vazhdon të mohohet nga qeveritë, ndërkohë dokumentet historike dhe mbesa e tij hedhin dritë mbi shumë fakte rreth veprimtarisë së tij për çështjen kombëtare.  I ngelet historianëve për ta riparë  këtë erudit të ndritur të Kombit...

Mbesa e tij, znj. Mamaqi është një autore nga më të suksesshmet me mbi pesëdhjetë libra të shkruara dhe botuara edhe jashtë Shqipërisë.  Eshtë poetja e parë shqiptare dhe e para femër që shkruajti  për dashurinë, në një kohë kur ajo ishte tabu!  Më vonë iu përkushtua pothuajse krejtësisht letërsisë për fëmijë.  Për më shumë ju ftoj të ndjekim bisedën:

 

Zonja Mamaqi unë po hidhem direkt në temë aty ku ne të dyja patëm një emocion të fuqishëm të njohjes sonë.  Telefonata juaj duke u prezantuar se Fehmi Bej Mezhgorani ishte gjyshi juaj, më bëri të lotoja dhe më dha sa emocione aq dhe krenari!
Si u ndjetë ju kur lexuat poezinë kushtuar gjyshit tuaj Fehmi Bej Mezhgoranit i cili na lidhi se bashku dhe aty kuptuam se kishim gjak Mezhgorani?

 

Promovimin e librit tuaj poetik “ Një fjongo dielli nga New Yorku  “, libër me vlera të spikatuara artistike e me ndjenja të thella atdhedashurie, fatkeqësisht, e mora vesh pasi ishte bërë, nga vajza e tezes sime, edhe ajo mbesë e Fehmi Bej Mezhgoranit.   Menjëherë, gjeta numrin e telefonit të babait tuaj të nderuar z. Brahim Gjonit.

Isha tepër e emocionuar, sepse një poete, e cila, për fat, ishte bijë Mezhgorani, ashtu si edhe nëna ime Afërdita, i kishte dedikuar një poezi gjyshit tim.  Emocioni arriti kulmin kur u prezantova dhe ju, e befasuar e me zë të dridhur, m’ u përgjigjët:

- Ju, e nderuara Adelina Mamaqi, jeni mbesa e Fehmi Mezhgoranit?  Është kënaqësi e madhe që më telefonuat.  Më vjen keq që nuk e kam ditur.  Jo vetëm do t’ju ftoja, por do të ishit në presidium.

Në ato fjalë fërfëllonte një shpirt i ndjeshëm.  Kur lexova poezinë “Feim Bej Mezhgorani” ndjeva emocione nga ato që rrallë ndihen, jo thjesht sepse ajo i kushtohet gjyshit tim, por sepse aty shpalosen ndjenjat dhe vlerat e një poeteje të spikatur.  Kur lexova të tërë librin, ndjeva kënaqësinë që të jep poezia e frymëzuar, me vargje të rrjedhshëm e figurativë,  që të hyjnë drejt e në shpirt. Dhe mbeta ngushtë me veten :Ju keni bërë atë që unë, mbesa e tij, duhej ta bëja!  Ndoshta më hollësisht do të përgjigjem gjatë intervistës.

 

Përse qeveritë, përfshi dhe pas përmbysjes së diktaturës kanë bërë veshin të shurdhër për këtë figurë të ndritur të Kombit, kanë mohuar gjithcka rreth personalitetit të tij, kur ai ishte një nga katër delegatët e rrethit të Tepelenës për Pavarësinë e Shqipërisë, njëkohësisht ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm ne çështjen kombëtare?

 

Qeveritë përherë kanë bërë veshin të shurdhër për Fehmi Tepelenën, duke filluar kryesisht nga qeveria e Ahmet Zogut.  Sepse atë mbreti e emëroi, kundër dëshirës, prefekt të Dibrës, jo për ta promocionuar, por për ta hequr qafe.  Fehmiu ishte një personalitet me bindje demokrate, të  cilat kurdoherë  bien ndesh me regjimet diktatoriale, dhe një njeri me principe të shëndosha morale, që nuk bënte dot kompromis as me sovranin, as me ligjin e as me vetveten.

Në vitin 1926, kur shpërtheu kryengritja e Dukagjinit, Fehmiu, në detyrën e Zv/prokurorit të Përgjithshëm të Gjykatës Politike, ishte caktuar të “ndëshkonte rreptë ata katolikë të pabindur“ kryesisht  një grup fretërish katolikë dhe, urdhëruar personalisht nga mbreti, të jepte për ta dënimin kapital.

Gjyshe Hysnija mbante mend që ai e kishte vuajtur shpirtërisht atë gjyq, sepse thoshte se ata ishin të rinj, të kulturuar dhe krejtësisht të pafajshëm.

Unë nuk e mbaj mend mirë, sepse i kam dëgjuar këto fjalë mbi pesëdhjetë vjet më parë, nëse gjyshi dha dorëheqjen nga ky gjyq, apo nuk dha dënimin që i ishte kërkuar.  Sido që të ketë ndodhur, veprimi i tij ngjalli nervozizmin dhe hakmarrjen e sovranit, i cili, me dinakërinë që e karakterizonte, për momentin, e la të kalonte pa konsekuenca, madje, në shtator të vitit 1929, i akordoi dekoratën “Urdhëni komanduer i Skënderbeut“dhe fill pas kësaj, i dha emërimin si prefekt i Peshkopisë.  Fehmiu, i cili e nuhati rrezikun e këtij emërimi, kundërshtoi, duke argumentuar se  fëmijët i kishte të vegjël dhe s’mund ta merrte familjen e tij të madhe me vete.  Por Zogu e “ siguroi “ se ishte një emërim i përkohshëm, mbasi në Peshkopi i duhej një prefekt i zoti, si ai!  Prandaj, mos ta lëvizte familjen dhe të rrinte në hotel.  Ishte pikërisht vendi më i përshtatshëm, ku adjutanti, që i kishte dhënë me vete, ta vriste natën në gjumë, të inskenohej vetëvrasja,  dhe që, të nesërmen, gazetat të botonin në faqet e para lajmin e “ hidhur “ se ...” Prefekti i Peshkopisë zoti Fehmi Tepelena... vrau veten në shtëpinë e vet...( ai jetonte në hotel ) dhe vazhdojnë duke shkruar se “ i ndyeri ! ( i ndjeri ) kishte lënë një letër për familjen, së cilës i kërkonte ndjesë, kishte shkruar edhe testamentin ku thuhej se ...” e  linte në dorë të shtetit familjen e tij të mjerueme ....“(  Gazetat “ Ora “ dhe “ Demokracia “, 5 dhe 8 shkurt 1930 )   Por te familja Tepelena, nuk arriti as trupi, as letra dhe as testamenti. Sepse falsiteti i tyre do të zbulonte të vërtetën.  Kur paska qenë ditur se ky prefekt i kishte ditët të numëruara nga sëmundja, përse u ngut “ dora e Zogut “ në Peshkopi,  t‘i bënte dy herë atentat?  Përse nuk u lejua trupi i Fehmi Bej Mezhgoranit  t’i kthehej familjes në Tiranë, por u varros, jo me nderime, si funksionar i nderuar (siç është shkruar në ndonjë gazetë të kohës),  por jashtë varrezave, si armik, mbi të cilin triumfoi hakmarrja e mbretit?  Aty i ka gjetur babai im Rahmi Mamaqi në vitet ’70, eshtrat e gjyshit dhe i ka futur brenda varrezave.

Pyetja e fundit: Si ka  mundësi që një personaliteti kaq të shquar, me një kontribut kaq të madh në kohë e në vlera, Ai që më 1902, u lidh e bashkëpunoi me personalitete historikë të çështjes shqiptare si Sami Frashëri, Jani Papadhopulli, Shahin Kolonja, Ali Asllani, Faik Konica, etj...si dhe Kryeredaktor i gazetës “ Zgjimi “,  përfaqësues i klubit “ Bashkimi “, ku ishte kryetar, dhe delegat i Tepelenës në shpalljen e Pavarësisë në Vlorë, Ndihmës Ministër i Drejtësisë e më pas Drejtor i Përgjithshëm i Policisë në qeverinë e Vlorës,  përpilues i akteve ligjore për shkëputjen e gjykatave shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane, Nënkryetar i shoqërisë “ Drita “ të avokatëve shqiptarë, Parlamentar, Prokuror i Tiranës,  etj,  mbreti Zog, nuk i lidhi pension për pesë jetimët, të cilët mbetën pa asnjë mbështetje ekonomike?!

Fehmi Tepelena, funksionet e tij nuk i shfrytëzoi për të vënë pasuri, por ishte kaq i ndershëm e bujar, sa edhe adjutantin, që e vrau, e mbante me ushqim dhe i thoshte:

“ dërgoja rrogën familjes”!  Fehmiut , fare i mitur, i kishte munguar dashuria e nënës, Halimesë.  Babai, Myrtezai, e dërgoi të mësonte fillimisht në gjimnazin “ Zosimea “ të Janinës dhe më pas në Stamboll të vazhdonte  studimet e larta juridike, të cilat më 1902 i mbaroi me rezultat të shkëlqyer dhe u emërua në Gjykatën e Janinës.  Ndoshta, të rriturit jetim e larg familjes, dhe shpirti i tij i ndjeshëm, ishin arsyet kryesore që e kishin bërë atë familjar e baba shumë të dhembshur.  Ai në asnjë mënyrë nuk do t’i kishte lënë fëmijët në mëshirë të fatit.

Më falni që u zgjata, por ishin këto të vërteta të pathëna, për të kundërshtuar dhe për të hedhur poshtë atë “ të vërtetë “ të gënjeshtërt, që u gatua nga regjimi në fuqi dhe që vazhdon të përmendet si një fakt historik.  Por jo rrallë ndodh që historia e vërtetë nuk është ajo e cila ekziston në analet e qeverisjes së kohës përkatëse, por ajo që ruhet me përpikëri në kujtesën e personave që e kanë përjetuar.

Për sa i përket periudhës së diktaturës komuniste, dihet qëndrimi që është mbajtur ndaj figurave të mëdha të kombit, përjashto ata që historia i kishte vulosur me vulë që nuk kishte se si zhdukej. Të tjerët ose u quajtën tradhtarë, ose u lanë në harresë.

Studiuesi i nderuar i çështjes çame, zoti Ibrahim Hoxha, më ka kërkuar materiale për gjyshin, si një aktivist i shquar i kësaj çështjeje. Po, gjyshja, që nuk jetonte më, çfarë dispononte, i kishte dorëzuar në Kryeministri, për t’iu lidhur një pension patriotik.  Por nuk mori as pension dhe as ato dokumente, nuk iu rikthyen...

Pas viteve ‘ 90, ka patur studiues, të cilëve u shpreh mirënjohje, që kanë shkruar për të, si  zotërinjtë Ibrahim Hoxha, prof.Bardhosh Gaçe, Hilë Lushaku, Xhaferr Seiti, i cili është edhe bir i Tepelenës, ndoshta, edhe të tjerë.  U kërkoj ndjesë që nuk i di, sepse fill pas ‘ 90-tës, që më 1992, kam emigruar në Itali.

 

Përse ju si familje keni heshtur deri tani për këtë figurë kaq madhore të Kombit tonë?

 

Në pyetjen e dytë, ndoshta, e kam ezauruar këtë pyetje. Pas viteve ‘ 90, unë shkoj e vij në Shqipëri.  Figura e Fehmi Tepelenës kërkon kohë të studiohet e hulumtohet në një mori dosjesh e dokumentesh në Arkivin e Shtetit, kohë që më ka munguar dhe që më  bën të ndihem keq ndaj kujtimit e rilevimit të figurës së tij, e cila i përket jo vetëm familjes, Mezhgoranit, Tepelenës, por gjithë kombit dhe historisë sonë.

 

Cili është libri juaj i parë dhe si u prit në publik në atë kohë?

 

Libri im i parë është përmbledhja poetike për të rritur “ Ëndrra vashërie “ ( 1962 - 1963 ) Libri, nga kritika, por edhe nga lexuesit e thjeshtë, u prit aq mirë, sa për mua ishte një ëndërr!  Prindërve të mi intelektualë, studiuar në shkolla amerikane, madje, që kanë shkruar e botuar në shtypin periodik, nuk u la shije të keqe fakti që vajza e tyre, që në moshë fare të re, botonte poezi për dashurinë  në shtypin letrar.  Libri u ribotua edhe në Kosovë, ku bëri aq jehonë, sa që kur kam qenë e ftuar në mitingun tradicional të poezisë në Gjakovë, më 1972, jo vetëm kolegët, por edhe shumë nga njerëzit që takoja,  më thoshin : “ Na e ke mbushë Kosovën me Adelina, moj burrneshë!  Në Kosovë, për herë të parë, kam menduar : “Jam vërtet poete? “

Fill pas këtij libri, duke qenë se sapo isha emëruar redaktore në redaksinë e letërsisë për fëmijë në Shtëpinë Botuese “ Naim  Frashëri “, prisja edhe të bëhesha nënë, botova librin me poezi për fëmijë “ Bubi i vogël “. Më pas erdhi edhe djali i dytë.  Isha nënë e lumtur e dy djemve që i adhuroja dhe kanë qenë frymëzimi im i pashtershëm, ashtu si janë sot dy mbesat e mia... Kështu librat për fëmijë ndoqën e ndjekin njeri tjetrin. Vazhdova të shkruaj për të rritur, por nuk botova, sepse poezia ime ishte tepër lirike dhe e brishtë për t’u rezistuar kërkesave rigide të realizmit socialist.  Ajo mbeti si dashuria e parë, që nuk harrohet, si një ëndërr e kyçur në sirtarin e zemrës.  Kësisoj, shumë vite më vonë, më është botuar libri tjetër “ La voce spezzata “( Zëri i këputur ) në Verona të Italisë dhe së fundi “ Një mjellmë nga vitet “ në Prishtinë.  Kam gati një përmbledhje tjetër poetike.

 

Cilat janë disa nga kujtimet tuaja mbresëlënëse gjatë punës dhe karrirës suaj me koleget, shtetin?

 

Siç u shpreha edhe më lart, unë jam mirëpritur në botën letrare, madje si një poete, që hyn për herë të parë në dyert e saj. Por ka pasur edhe ndonjë skeptik, si një redaktor i revistës letrare - artistike “ Nëntori “ shkrimtar i njohur i kohës, i cili më ka përcjellë me fjalët “ Ikë në shtëpi, moj gocë, mëso me gatue e me qendisë, se nuk je për këtë punë”!  Ky ishte stërkëmbësi i parë, por nuk më rrëzoi!  Unë kisha profesorë letërsie dy personalitete të shquar Skënder Luarasin e Nonda Bulkën, monumente të gjallë kulture, humanizmi dhe ndershmërie. Ata më kishin bindur se  do të bëhesha shkrimtare.  Dhe ky besim më nxiti të vazhdoj...

Sa për marrëdhëniet e tjera, kam nisur punën si redaktore kur isha 22 vjeçe dhe redaktore kam qenë ende në vitin 1991, kur më hodhën në asistencë,  në prag të pensionit.  Nuk jam përpjekur për poste, sepse sipas meje, karriera  e krijuesit është krijimtaria.  Madje ndihem krenare se jam mbështetur gjithmonë mbi shpatullat e mia.  I jam mirënjohëse prirjes dhe kryesisht punës këmbëngulëse, falë së cilës, pjesa më e madhe e librave të mi, janë vlerësuar me çmime të para kombëtare.  Shteti, i cili i vlerësonte dhe i çmonte krijuesit e çdo fushe të artit, edhe po të mos ishin me  parti, si nuk isha unë, më ka dekoruar dy herë me Urdhrin e Lartë “Naim Frashëri”

Ndërsa tani, ndodh krejtësisht e kundërta.  Mua, për shembull, ndonëse “ është bërë deti kos” me emra që kanë meritën e vetme të jenë militantë, pikërisht tani vonë, më  është mohuar e drejta e pensionit të veçantë.  Kësisoj perceptoj një pension 100 e ca dollarë! Por këtë qëndrim e shpërfill, sepse nuk e ndjej kënaqësinë te vlerësimi i pushtetarëve, ata janë kalimtarë. Vlerësuesi i vërtetë dhe i paanshëm është lexuesi, që librin tënd e ruan në bibliotekë dhe të ndjek në breza.

Më falni se fola për veten por, ndonjëherë, paradokset zgjojnë kurreshtje.

 

Cilat janë disa nga censurimet që ju kanë bërë gjatë botimeve të librave tuaja dhe në se po si i keni përballuar ato?

 

Nuk më është bërë asnjë censurim. Edhe kur djali i xhaxhait tim, Dashnor Mamaqi, më 1974 u cilësua armik i Partisë dhe u dënua nën këtë pretekst, unë kam vazhduar të punoj në organet e shtypit të Komitetit Qendror të Rinisë, të botoj dhe të vlerësohem me çmime si edhe përpara kësaj tragjedie të hidhur për një familje të afërt të gjakut tim, e cila u persekutua  çnjerëzisht.

 

Keni ndonjë opinion në lidhje me letërsinë për fëmijë në vitet e demokracisë?

 

Letërsia e mirëfilltë për fëmijë ka rënie.  Ekziston ende Shoqata e Shkrimtarëve për Fëmijë, kryetar i së cilës  është kritiku dhe shkrimtari i njohur Pandeli Koçi.  Por, për ironi, instancat përkatëse as që e përfillin.  Harrojnë këta persona të cilët, për momentin janë autoritete, se të shkruash për fëmijë është më e vështirë se të shkruash për të rritur, sepse të duhet të rikthehesh disa breza pas, të bëhesh fëmijë i ditëve në të cilat shkruan. Duhet detyrimisht ta shohësh botën nga këndvështrimi i lexuesit të vogël bashkëkohor, të mendosh, të gjykosh, të konceptosh, të shprehesh si ai.  Kjo, që të jesh i suksesshëm, nuk është aspak e lehtë.  Fëmija, po nuk u  ushqye “ me ushqim cilësor shpirtëror “ , kur të rritet, nuk mund të bëhet lexues i mirë.

Si rrjedhojë e çfarë thashë më lart, nuk po hyjnë firma të reja që ta çojnë më tej.

Një fenomen, që do ta quaja të rrezikshëm, është se disa shtëpi botuese dhe mjaft autorë të cilët i botojnë dhe i shesin vetë librat e tyre, e kanë kthyer në biznes këtë letërsi.  Janë mbushur libraritë me libra që kushtojnë lirë, 100 lekë, dhe që jo vetëm s’kanë vlera artistike, por në të kundërtën, përmbajnë antivlera, duke nisur që nga gjuha, përzgjedhja, “ metodikat “ e autorëve të pakualifikuar, fabula, “mesazhi“ pa mesazh, “njohuritë” pa njohuri.  Dhe kjo, për këdo që e njeh dhe e çmon procesin e formimit intelektual të fëmijës, është e patolerueshme.  Ku janë Ministria e Arsimit dhe e Kulturës?  Nuk e di gjer kur do të vazhdohet kështu. Është e dhimbshme! Kjo  do të thotë ta cungosh trungun e letërsisë shqipe, t’i heqësh  një pjesë të vlerave të saj.  Në letërsinë botërore numërohen shkrimtarë kolosë, që kanë lënë vepra të pavdekshme, dhe të tjerë bashkëkohës, për fëmijë, që ia pasurojnë vlerat e i japin krenari letërsisë së vendit të tyre.

 

Po për letërsinë për fëmijët e Diasporës, e cila ngelet një problem i madh kombëtar në edukimin e vlerave kulturore të fëmijëve, pasi fëmijët që lindin dhe rriten jashtë Mëmëdheut u kanoset rreziku i asimilimit?

 

Më vjen shumë keq që kësaj pyetjeje nuk di t’i përgjigjem, sepse nuk kam dijeni.  Në Milano, ku jetoj, ka plot  familje shqiptarë me fëmijë të vegjël e të rinj, por libra shqip nuk ka. Sepse atje nuk ka një diasporë të organizuar si te ju, në Amerikë. Me sa kam dëgjuar, në diasporën e Greqisë ka një organizim.

Jam e mendimit, madje edhe do të kisha kontribuar, që për diasporën shqiptare në  botë, duhen kërkuar e gjetur mënyra që libri shqip të shkojë te fëmijët shqiptarë, kudo që janë. Madje, pse jo?  Edhe mundësia e shkollave ose kurseve të mësimit të gjuhës amtare, të cilën duhet ta  njohin, për të njohur prejardhjen e gjakut të tyre.

 

Ju jeni pritur me shumë dashuri në festimin e 70 vjetorit të ditëlindjes suaj në Kosovë, disa nga mbresat tuaja ju lutem?

 

Ceremonia e shtatëdhjetë vjetorit të lindjes u organizua në sallën e madhe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Dashurinë, dashamirësinë, vlerësimin e kolegëve dhe lexuesve të Kosovës, siç e shkrova edhe më lart, e kisha ndjerë thellë në shpirt, qysh në vitin 1972. Por kjo pritje dhe ky takimi i dytë ishin mallëngjyes gjer në përlotje.

Përveç lexuesve të shumtë, më nderuan me pjesëmarrjen dhe fjalën e tyre personalitetet më të shquara të  kulturës, letërsisë, artit dhe kritikës:

Në emër të Ministrisë së Kulturës të Kosovës, Zv, Ministrja Znj, Lirie Kajtazi, ndër të tjera tha : “ Vargjet e Zonjës Mamaqi  kanë thyer e kanë bashkuar moti kufijtë natyralë të Shqipërisë...por ajo sot është edhe pjesë e Antologjisë Botërore të letërsisë për fëmijë...” Shkrimari i shquar, Z. Ramiz Kelmendi, shprehu krenarinë që ishte vetë ai, i cili kishte botuar në Prishtinë... “qysh më 1969, librin e më të parës poeteshë në letrat shqipe, vëllimin poetik “Ëndrra vashërie”. Në emër të Ambasadës Shqiptare në Kosovë dhe konsideratat e tij Zv Ambasadori, Z Xhevat Mustafa. U mbajtën kumtesa nga kritiku i mirënjohur Z. Faik Shkodra, shkrimtari  e studiuesi i spikatur, Z. Xhahid Bushati, studiuesi i njohur Z. Sabit Jaha, etj. Studiuesja e re Shukrie  Rama, sapo kishte botuar librin “ Shpirti plot rubinë “, për krijimtarinë time, e cila ka qenë dhe është objekt i shumë studiuesve.

Në atë atmosferë festive të jashtëzakonshme që u krijua, në fund, unë, mes emocioneve të forta,  thashë se në Kosovë kam gjetur mikpritjen, dashamirësinë dhe vlerësimin më të çmuar.  Prandaj, shtetasit e saj janë pjesë e dashurisë sime të madhe dhe ajo është vendlindja ime e dytë.

Kjo ngjarje u pasqyrua gjerësisht në shtypin kosovar dhe u ftova të jap intervista në të gjithë kanalet televizive.  Përshtypjet e kujtimet janë aq të shumta sa, ndonëse shkrova gjatë, thashë shumë  pak.  Ndërsa në Shqipëri, asnjë instancë shtetërore nuk u kujtua për këtë 70 vjetor, përveç gazetës “Ballkan“e cila botoi shkrimin  “Nderim në Prishtinë, heshtje në Tiranë”, dhe gazetës “ Standard “,  që botoi shkrimin “ Nderohet Adelina Mamaqi, melodia e fëmijëve “. Kjo është në përgjithësi konsiderata që ekziston në Shqipërinë e sotme për letërsinë, artin, kulturën dhe personalitetet e saj.

 

Ju keni gati 20 vjet që jeni larguar nga Shqipëria, si ndiheni larg Mëmëdheut dhe çfarë libri keni në dorë konkretisht?

 

Po. Kam shkuar në emigracion  gati njëzet vjet më parë, qysh në vitin 1992. Por nuk jemi larguar me dëshirë as unë, as im bir dhe as shumë e shumë intelektualë, artistë e personalitete të tjerë.  Ishte koha e hemorragjisë së një pjese të gjakut të ri dhe të trurit.  Ai lloj emigracioni, të cilin s’do t’ua fal kurrë atyre që na e detyruan, do të thotë të mbetesh pa identitet dhe të jetosh pasvdekjen.  Kështu kam titulluar edhe një ditar letrar, pa data, që e kam dorëshkrim dhe dua ta botoj, shpresoj, sa jam në jetë.  Në librin poetik  “Një mjellmë nga vitet”, tema e mërgimit zë vend në mjaft prej poezive.  Zemra ime rreh gjithmonë në Shqipëri.

Nga viti 2000, kam botuar mbi 20 libra. Sapo u  botuan dy libra në Kosovë dhe tre këtu. Disa të tjerë janë në proces botimi.  Kam edhe shumë libra të gatshëm në kompjuterin tim...Lavdi Zotit, krijimtaria, moshën  nuk po e ndjen akoma.

 

Ju faleminderit zonja Mamaqi dhe ishte kënaqësia jonë të bisedonim për lexuesit e shumtë të Diasporës amerikane dhe në mbarë globin!

 

Jam unë që duhet t’ju falënderoj thellësisht për mundësinë që më krijuat të komunikoj me gjithe bashkëkombësit e mi si edhe me bashkëqytetarët tepelenas e përmetarë ( nga babai jam përmetare).  Në Amerikë, kur kam qenë vite më parë, me gjithë dëshirën time të madhe, të afërmit e mi, nuk ma krijuan dot mundësinë të lidhesha me diasporën shqiptare, që më është e dashur dhe e përshëndes përzemërsisht!

 

Bisedoi Keze Kozeta Zylo,

Staten Island, New York